Allahu (xh. sh.) në Kuranin famëlartë thotë: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.”
Falënderimet i takojnë Allahut (xh. sh.), Krijuesit të botëve, salavatet më të mira të dërguarit tonë, Muhamedit (alejhis-selam), e të mirat e Zotit qofshin edhe për familjen e të dërguarit, për sahabët dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e Muhamedit (alejhis-selam) deri në Ditën e Gjykimit.
Njeriu si krijesa me e lavdëruar dhe më e çmuar tek Allahu (xh. sh.) ka te drejtën e tij për të jetuar. Zoti e krijoi njeriun dhe e vendosi në tokë që ta sprovojë se a do të jetë falënderues apo harrues i Mirësive të tij. Për këtë arsye ia bëri atij obligim njohjen e Tij, sikurse thotë në Kuran: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit, përveçse të më adhurojnë.” (Edh-Dhariat, 56)
Pra, Allahu (xh. sh.) nuk e krijoi njeriun dhe çdo gjë tjetër kot, por të gjithë kanë një qëllim te Zoti, edhe njeriu duhet që të njohë krijuesin e Tij dhe t’u nënshtrohet urdhrave të Tij, të jetë falënderues ndaj të mirave të Tij etj.
Allahu (xh. sh.) pasi e krijoi njeriun dhe e vendosi në tokë, na tregoi edhe për mënyrën e krijimit të tij, si dhe etapat e krijimit të tij në mitrën e nënës, të cilat ai i kalon. Edhe e drejta për jetë i takon çdo individi, se jeta është në fuqinë e Allahut e jo në fuqinë e ndokujt tjetër dhe ne nuk kemi të drejtë që dikujt t’ia marrim këtë gjë të shenjtë, të cilën e posedon çdo njeri.
Dhe, shpresoj që më këtë punim të arrihet qëllimi, duke sqaruar etapat e krijimit të njeriut, vlerën e jetës dhe në fund çështjen e abortit, si një nga problematikat më të mëdha në botë.
KRIJIMI I NJERIUT - Urtësia e krijimit
Njeriu si krijesë e Allahut (xh. sh.) nuk është i krijuar për kot, por ai është i krijuar për një qëllim më të lartë. Allahu (xh. sh.) thotë në Kuran: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë.”
Allahu (xh. sh.) ka dashur që mënyra me të cilën do t’i bënim ibadet, si dhe mënyra me të cilën do të realizohet nënshtrimi ynë ndaj Tij, të jetë e tillë që ne të bëhemi kalifë në tokë, të cilët Ai do t’i vendoste në të dhe do të jetojnë në pajtim me vullnetin e Tij duke u larguar prej gjërave të cilat i ndalon. Allahu thotë në Kuran: “(Përkujto Muhamed ) Kur Zoti yt u tha melaqeve: Unë do të krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës.”
Kjo është një ngjarje e madhe, vullnet me të cilin dëshirohet t’i dorëzohet kësaj qenie të re të ekzistencës- qenësisë, frerit të pushtetit në tokë, që të sundojë lirisht në të, që t’i lihet deklarimi i vullnetit të Krijuesit në kreacion dhe formim, në analizë dhe sintezë, në modifikim dhe ndryshim, në zbulimin e fuqisë së energjisë në tokë, që t’i dorëzohet freri i pushteti për thesaret dhe lëndët e para, dhe që të gjitha këto t’i nënshtrojnë me lejen e Zotit në zbatimin e obligimit të madh, të cilin ia ka besuar Allahu (xh. sh.). Ai i cili ka krijuar njerëzit dhe i ka vënë kalifë në tokë, Ai edhe e ka vlerësuar shumë jetën e njeriut, prandaj ne nuk jemi askush që të nënvlerësojmë një gjë të tillë, e aq më pak të gjykojmë se a vlen të jetojë një individ apo jo, siç është rasti me abortimin e foshnjës.
ETAPAT E KRIJIMIT TË NJERIUT NË BAZË TË AJETEVE KURANORE
Ka dashur Allahu (xh. sh.) që Muhamedi (a. s.) të jetë pejgamber dhe mëshirues për gjithë njerëzimin, siç thotë Allahu në Kuran: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.”
Ndërkaq, misioni i Muhamedit (a. s.) është për mbarë njerëzimin. Prandaj Allahu i madhëruar mrekullinë e Muhamedit (a. s.) e veçoi nga mrekullitë e pejgamberëve të mëparshëm. Mrekullitë e pejgamberëve të mëparshëm i shihnin vetëm bashkëkohësit e tyre, kurse mrekullia e Muhamedit (a. s.) është Kurani i cili që nga shpallja e tij deri në ditët e sodit ka mbetur i pandryshueshëm. Duke e studiuar Kuranin, Schopenhaueri thotë: “Një libër i madh është, por si simfoni e madhe; përpara se ta kuptosh atë, thellësisht duhet të dëgjosh shumë herë.”
Në Kuran kemi zgjidhje për çdo çështje që na intereson. Një ndër ato çështjet është edhe krijimi i njeriut, që përshkruhet shumë qartë në ajetet kuranore dhe në hadithet. Vetë Allahu (xh. sh.) na tregon në Kuran se njeriu është krijuar në disa etapa dhe thotë: “Ç‘është me ju që Allahut nuk i shprehni madhërinë që e meriton? Kur Ai ju krijoi në disa etapa.” Pasi Allahu na informoi për etapat e krijimit, Ai na tregon dhe flet për secilën etapë në veçanti duke thënë: “Dhe Ai është që krijoi llojet – mashkullin dhe femrën, nga pika e farës që hidhet.”
Shkenca formimin e njeriut e sheh si rezultat të një procesi të gjatë evolutiv, nga trajtat e ulëta të jetës, ku kufiri ndërmjet zoologjikës dhe njerëzores nuk është i theksuar dhe ku ekziston një periudhë e gjatë kalimtare e majmunit në njeri.
Nga ajeti i mëparshëm kuranor Allahu (xh. sh.) na e bën me dije se jemi të krijuar nga pika e ujit dhe e hedh poshtë qëndrimin e shkencës rreth krijimit të njeriut, të cilët thonë se është i krijuar nga majmuni antropoid. Pastaj Allahu (xh. sh.) vazhdon në Kuran, duke na treguar formimin e njeriut në mitrën e nënës, duke thënë: “ … e pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar…” Pasi etapa e parë e krijimit të njeriut është pikë uji, etapa e dytë është kur ai bëhet një copë mishi i paformuluar ose i formuluar, siç tregon ajeti paraprak.
Ashtu siç e përshkruan Kurani krijimin e njeriut, në të njëjtën mënyrë e përshkruan edhe Muhamedi (a.s.), kur thotë: Transmetohet nga AbduRrahmani, që Abdullah ibn Mes’udi (radijallahu-anhu) ka thënë: Na ka treguar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ve selem), i cili gjithnjë fliste drejt dhe besoheshin fjalët e tij, se: “Secili prej jush formohet në barkun (mitrën) e nënës dyzet ditë si ‘nutfe’ (pikë), pastaj shndërrohet në ‘alaka’ (gjak i ngjizur), në një periudhë të afërt me të parën, pastaj transformohet në ‘mudga’ (copë mishi), në një periudhë të afërt me të parën. Pastaj Allahu dërgon një engjëll, i cili fryn në të shpirt dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: riskun e tij, sa do të jetojë, punët që do të kryejë dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë. Betohem në Allahun, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër, dikush prej jush do të punojë prej punëve të njerëzve të Xhenetit, derisa të mbetet mes tij dhe Xhenetit vetëm një pëllëmbë, por pastaj ndodh ajo që është caktuar më parë në libër dhe ai punon prej punëve të banorëve të Zjarrit, ndaj dhe futet në të. Dikush tjetër do të punojë prej punëve të banorëve të Zjarrit, derisa të mbetet mes tij dhe Zjarrit vetëm një pëllëmbë, por pastaj ndodh ajo që është caktuar më parë në libër, dhe ai punon prej punëve të njerëzve të Xhenetit, ndaj dhe futet në të.”
ABORTI - JETA ËSHTË E SHENJTË
Islami të drejtës për jetesë i ka kushtuar një rëndësi të madhe. Këtë më së miri mund të vërtetojmë me periudhën para paraqitjes së Islamit, ku njerëzve u iu cenohej e drejta për jetë, e veçanërisht vajzave, ku në disa popuj ajo nuk konsiderohej edhe si pjesë e shoqërisë. Por, me paraqitjen e Islamit në skenë dhe të Muhamedit (a.s.) ky ves i keq u ndalua rreptësisht dhe praktikuesit u dënuan. Ajo për të cilën nuk ka dyshim është se e drejta për jetë është e drejta më e shenjtë të cilën Allahun (xh. sh.) ia ka dhënë njeriut ta gëzojë. Kështu është për shkak të faktit se është bazë dhe burim i të gjitha të drejtave të tjera.
Ajeti kuranor shpall ndalimin e varrimit të vajzave të gjalla, në të cilin Allahu (xh. sh.) thotë: “ Dhe kur të pyetën ato vajza të varrosura të gjalla, për çfarë mëkati ato janë mbytur.” Ky ajet kuranor dhe shumë hadithe të tjera të Muhamedit (a. s.) ndalojnë një veprim të tillë jonjerëzor dhe jetën e njeriut e çmojnë shumë.
ÇKA ËSHTË ABORTI
Aborti është dalja e fëmijës nga mitra e femrës para se ai të mund të jetojë vetvetiu, ose ndryshe, disa e quajnë abortin si mbytje e foshnjës para se të lindë. Aborti mund të jetë spontan dhe artificial. Aborti spontan është të dalët e fëmijës nga mitra e nënës në mënyrë të natyrshme, pa ndikim të jashtëm të çfarëdo forme të ndikimit p.sh: kur ndodh që foshnja të mos zhvillohet fare pasi të ketë ndodhur fekondimi dhe zhduket me gjakderdhje, pastaj aborti si shkak i frikës apo lodhjes etj. Por, ky lloj aborti nuk është ai për të cilin ne do të flasim, por do të flasim për abortin i cili kryhet nga vetë dëshira e nënës.
MOTIVET E ABORTIT
Akti i abortit i ka edhe motivet e veta pse kryhet, ndër të cilat janë edhe këto: Motive medicinale, si shkak i rrezikimit të jetës së nënës Motive të gjendjes shëndetësore të embrionit, si përcjellje e ndonjë sëmundje trashëguese Motive shoqërore për të mbuluar turpin e marrëdhënieve seksuale ilegale Motive të planifikimit familjar, duke përcaktuar numrin e dëshiruar të anëtarëve të familjes etj.
QËNDRIMI ISLAM NDAJ ABORTIT
Në situatë të këtillë logjika e njeriut, krahas trajtimit të saj si e pastër dhe e shëndoshë, nuk është në gjendje të arrijë deri te një vendim i drejtë që për kohëra të gjata dhe interesa gjithëpërfshirëse të ketë vitalitetin e drejtësisë dhe të mbrojtjes së të drejtave të krijesave. Andaj, patjetër duhet të shkohet në atë që thotë Burimi Hyjnor e që në këtë rast do t’i ishim qasur në mënyrë direkte në udhëzimet islame, duke pasur parasysh origjinalitetin e kësaj feje. Atë që ka zgjedhur Allahu (xh.sh.) është e drejtë dhe u përgjigjet nevojave të të gjitha kohërave.
Abortin si një dukuri negative sheriati islam e ka ndaluar në mënyrë të prerë, ku Allahu (xh. sh.) në Kuranin famëlartë thotë: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.”
Pasi që edhe aborti është një lloj mbytje, ne mund ta marrim për argument këtë ajet kuranor dhe të themi se ky akt kriminal është i ndaluar në Islam. Në një ajet tjetër Allahu (xh. sh.) thotë: “Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetëm femra atij që do, e i falë vetëm meshkuj atij që do.”
Pra, ata që i besojnë Allahut nuk duhet t’i largojnë fëmijët nga mitra e nënës së tyre. Me këtë akt atyre iu zhduket mundësia për të jetuar si njerëz të rritur. Jetën e tyre ka të drejtë ta marrë vetëm Ai që e ka krijuar. Përgjegjësia për këtë vepër është e madhe dhe për ata që nuk pendohen, dënimi i Zotit është shumë i madh. Islam i lehtëson femrës kur ajo është shtatzënë-i lejohet të mos agjërojë në Ramazan, nëse rrezikohet shëndeti i foshnjës, edhe pse agjërimi i Ramazanit është obligim i fortë për myslimanët.
QËNDRIMI I DIJETARËVE ISLAMË RRETH ABORTIT
Dijetarët islamë në lidhje me abortin kanë qëndrime të ndryshme, ndërsa këtu do të potencohen mendimet e dijetarëve të medh’hebit hanefij, se kur femrës i lejohet të abortojë: Nëse aborti kryhet brenda 40 ditëve prej kur zë fill shtatzënia, atëherë ky abort lejohet. Sipas një mendimi tjetër, aborti lejohet deri në ditën 120, por mendimi i parë është më i saktë. Aborti i cili kryhet pas 40 ditëve, apo pas 120 ditëve, ky abort nuk lejohet, me përjashtim nëse e kërkon nevoja, përkatësisht pas konstatimit të dy mjekëve për atë se barra e shtatzënisë është duke e dëmtuar femrën.
Abortimi i fëmijës i cili ndihet gjallë, pra, pas 120 ditëve shtatzënie, nuk lejohet. Nëse femra gjatë kësaj kohe është në gjendje të mirë shëndetësore nuk duhet të abortojë.
Shtetet që lejojnë abortin
Në Shqipëri aborti është legalizuar në vitin 1991, ku Ministria e Shëndetësisë me anën e një rregulloreje përcaktoi të drejtën për ndërprerjen e shtatzënisë. Përpara kësaj periudhe aborti lejohej vetëm në raste të veçanta, për të shpëtuar jetën e gruas kur ajo rrezikohej nga shtatzënia. Në vitin 1995 doli ligj i parë shqiptar për abortimin, i cili lejoi abortin të kryhej me dëshirën e çiftit deri në 12 javë të shtatzënisë dhe për arsye mjekësore dhe sociale në 24 javë. Në Kosovë, sipas ligjit që është miratuar, lejohet të ndërpritet shtatzënia deri në javën e dhjetë, pas ciklit të fundit menstrual. Në rastet tjera duhet të vendosë një këshill i posaçëm mjekësor. Një ndër vendet që lejohet aborti është edhe Maqedonia. Edhe SHBA hyn në grupin e shteteve që e lejojnë abortin. Në vitin 1984 pas Konferencës së Kombeve të Bashkuara në Meksikë, ish-presidenti republikan Ronald Regan i ndalon investimet financiare për abortin. Më pas u lejua në janar të 1991 nga administrata e Bill Klintonit, e pas ardhjes së Bushit u ndalua sërish. Më 22 janar 2009 presidenti aktual Obama i lejon përsëri këto investime. Aborti është legal edhe në Turqi para se të kalojnë 10 javë të shtatzënisë, dhe duhet të merret pëlqimi i femrës dhe i burrit nëse janë të martuar. Shteti ku abortimi është jolegal është Arabia Saudite, e cila e ndalon abortin duke u bazuar në ligjet e Sheriatit Islam dhe e lejon atë në rrethana të veçanta.
Muzemil Osmani
Hena e Re 286