Na prit moj Qabe, se po vijmë

Sërish erdhi stina ku pëllumbat e bardhë të shtegtojnë, të rendin e të vrapojnë drejt folesë, ku do të qëndrojnë dhe do të ndiejnë ngrohtësinë, ëmbëlsinë dhe mikpritjen e saj për disa ditë. Pëllumbat e bardhë janë haxhilerët me ihram, veshja identifikuese dhe simbolikë e çdo haxhiu, ndërsa foleja është Qabeja e Shenjtë, e cila mirëpret në gjirin e saj dhe rreth e përqark, vizitorë e mysafirë nga të katër anët e botës.

Ndërkohë që data e nisjes së haxhilerëve nga vendi im afrohet, shoh fytyra të gëzuara dhe fytyra të trishtuara. Shoh ata dhe ato, zemrat e të cilëve sa s’po u dalin nga vendi, për shkak të gëzimit dhe lumturisë që po përjetojnë, pasi Zoti ua bëri të mundur që këtë vit të kryejnë një nga obligimet më madhore të fesë islame, Haxhin. Tërë kohën vetëm për të flasin, dhe kanë të drejtë, pasi është një rast dhe një mundësi që nuk i jepet çdokujt. Merren çdo moment me përgatitje; lexojnë libra udhëzues rreth kryerjes së riteve të haxhit; pyesin haxhilerë të viteve të kaluara rreth përvojës së tyre, telefonojnë dhe takojnë hoxhallarë, dëgjojnë ligjërata, etj. Të gjitha këto dhe të tjera, me qëllim që t’i përmbushin detyrimet e haxhit në formën më të mirë të mundshme, në mënyrë që kur të kthehen prej andej, të mos u ngelet asnjë peng, ose të mos i brejë ndërgjegjja për ndonjë mangësi në kryerjen e haxhit. Mezi po presin ditën që do të nisen; gjumi natën nuk i zë, madje shumë prej tyre pohojnë që vetëm dremisin për pak minuta dhe zgjohen dhjetëra herë, duke pritur agimin e ditës së takimit të madh, ditës së përballjes me Qaben e bekuar. Dita po u duket sa një vit dhe minuta sa një ditë. Për ta koha nuk ecën më si zakonisht, pasi pritja ka efektin e vet të ngadalësimit të kohës.
Nga ana tjetër shoh të tjerë të brengosur e të heshtur, të cilët nuk e patën risk që këtë vit të jenë në mesin e atyre që do të kontaktojnë fizikisht me trupin e ndërtesës së parë e themeluar enkas për adhurim ndaj Zotit të Lavdishëm, me Qaben e bekuar. E imagjinojnë veten duke bërë tavaf, duke qëndruar në kodrën e Arafatit, dhe këto pamje që prodhon dëshira e tyre duke ia nxjerrë para syve, ia shton edhe më tepër ankthin dhe i shtyn të pyesin veten: Kur do të ndodhë? Kjo që deri tani vijon të mbetet si ëndërr, kur do të shndërrohet në realitet? Është shpresa, ajo që nuk ua këput fitilat dhe ua mban ndezur llambat, që të mendojnë se viti tjetër është afër, dhe ndoshta deri atëherë, gjendja e tyre ekonomike do të jetë përmirësuar; shëndeti nuk do të jetë pengesë, dhe kështu ata mund të ndërmarrin udhëtimin më unik të jetës.
Është një kohë e veçantë dhe shumë e begatë. Miliona besimtarë, nga dhjetëra shtete, nga qindra mijë familje, me një dëshirë e një qëllim, turren me nxitim, të gjithë në një drejtim, në atë të Kibles. Me praninë e tyre gjallërojnë jo vetëm Qaben dhe çdo vend ku kryhen ritet e haxhit, por edhe Mekën mbarë. Lirisht mund ta quajmë Mekën si “Qytetin e haxhilerëve dhe umrexhinjve”, pasi numri i tyre është shumë herë më i madh sesa vetë numri i banorëve vendas.
Allahu i Lartësuar me bujarinë e Tij të pakufishme, mirëpret në sofrën e Tij besimtarë të të gjitha nacionaliteteve dhe racave, pa bërë dallim midis tyre, pasi Ai është Krijuesi dhe Formësuesi i të gjithë atyre. Si çdo shtëpi që pastrohet, sistemohet e zbukurohet në rast vizitash, ashtu edhe Qabeja rifreskon veshjen e saj të qëndisur me fije ari, vit për vit, për të mirëpritur mysafirët e saj të veçantë. Në shërbim të haxhilerëve vihen në dispozicion mijëra punëtorë që merren me rifreskimin e dyshemesë, pastrimin e saj, ofrimin e ujit të freskët të zemzemit. Hotelet rreth e përqark Qabes, si dhe ato në lagje të ndryshme të Mekës, janë bërë gati për akomodim dhe strehim të rehatshëm. Përgatitje të mëdha bëhen edhe në një tjetër qytet, atë të Profetit Muhamed a.s, në Medine, ku haxhilerëve iu jepet mundësia për ta vizituar dhe për të ndjerë afërsinë me atë të cilin e ndjekin në çdo hap të jetës së tyre. E gjithë kjo, për t’i bërë vizitorët që ta ndiejnë veten të respektuar dhe të nderuar, si dhe për t’ia lehtësuar atyre qëndrimin dhe ritet në këto dy qytete të shenjta.
Këto janë ditë të begata, pasi miliona njerëz kanë braktisur thirrjet e shejtanit për t’iu përgjigjur thirrjes së Rrahmanit (Mëshiruesit), duke i thënë Zotit: “Leb-bejke Allahume Leb-bejk” –“T’u përgjigja o Zoti im, t’u përgjigja”. Kjo është koha kur i mallkuari shejtan ndihet i humbur, i poshtëruar, i mposhtur dhe i pavlerë, ndërkohë që sheh turma-turma njerëzish që e kanë abandonuar dhe ia kanë mbyllur shtigjet, duke marr rrugën për atje, ku i përjashtuari nga mëshira e Allahut është “non grata”.
Këto janë ditë, ku rikujtohet sakrifica dhe devotshmëria e përjetësuar e dy profetëve, historia e të cilëve mbeti e skalitur ndër shekuj dhe përmendet me krenari, nder e respekt nga të gjithë besimtarët myslimanë kudo ku janë. Ibrahimi dhe Ismaili (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta) nuk ishin vetëm ndërtuesit e parë të Qabes, por edhe të parët që i dhanë përparësi dashurisë hyjnore përpara njerëzores. Të dy e kaluan me sukses provën e besimit të palëkundur në Zot dhe gatishmërinë për të sakrifikuar çdo gjë për Të, madje edhe më të shtrenjtën dhe më të dashurën që posedonin. Zoti i lartësoi që të dy, duke sjellë në Kur’anin famëlartë ngjarjen e tyre, me të cilën është njohur e do të njihet derisa të ketë jetë mbi tokë e gjithë njerëzia mbarë: “Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh, dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët”. (Saffat 102-110).
Këto ajete madhështore përcjellin shumë mësime, e ndër to se, njerëzit nuk duhet të theren e të derdhet gjak, ashtu siç po ndodh fatkeqësisht në shumë vende të botës, ku me dhjetëra e qindra jetë të pafajshme po merren përditë nga dora gjakpirëse e zullumqarëve dhe të padrejtëve që për zot kanë shejtanin dhe egon e tyre për pushtet e para.
Ja tek vjen dhe dita e nisjes. Kandidatët për haxhilerë të shoqëruar nga njerëzit e tyre më të afërm, kanë mbërritur në aeroport disa orë para fluturimit, dhe zemrat e tyre kanë shpeshtuar rrahjet, ndërkohë që emocionet kanë arritur kulmin. Të rregulluar e të pastruar ashtu siç e meriton Mikpritësi i veçantë, Allahu i Lartësuar, sytë i mbajnë tërë kohën në drejtim të avionit, ndërsa në duar shtrëngojnë fort pasaportat dhe biletat e tyre të udhëtimit, bileta të cilat i konsiderojnë të shenjta, si të ishin bileta hyrjeje për në Xhenet. Fytyrat u shkëlqejnë dhe vetëm nur rrezatojnë, ndërsa ndonjërit prej tyre i pikon dhe ndonjë lot gëzimi. Të afërmit e tyre i dëgjon tek i kërkojnë që të luten për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre, apo për përmbushjen e dëshirave dhe ëndrrave të ndryshme. Ja tek dëgjohet dhe zëri që lajmëron se nisja për në Arabinë Saudite është pas pak minutash dhe udhëtarët duhet t’i drejtohen avionit përkatës. Në këto çaste, fatlumët i drejtohen Qabes me thirrjen: “Na prit moj Qabe, se ne po vijmë”. /Drita Islame/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi