Falënderimi dhe mirënjohja është si një spirancë që tërheq vëmendjen tonë thellë nën sipërfaqen e trazuar të mendimeve, kohëve, dëshirave dhe fobive të stuhishme, duke e stabilizuar anijen e trazuar të mendjes sonë në qetësinë e thellë të shpirtit dhe hapësirën e bukurive dhe begative të Zotit të
Madhërishëm, e që janë të pranishme kudo përreth nesh.
Një nga pengesat më të mëdha për të përjetuar plotësinë dhe gëzimin e të jetuarit qëndron në mosshprehjen e falënderimit. Shpesh, për shkak të ritmit të çmendur të jetës, ne nuk kemi kohë për heshtje dhe reflektim mbi bekimet e jetës. Cilësia e jetës sonë varet se në çka e fokusojmë vëmendjen dhe mendimet tona. Një person i shëndetshëm shpirtërisht është i bekuar për shkak se me anë të falënderimit mund të mësojë, të rritet, të dashurojë, të falë, të krijojë, të ndajë dhe të ndihmojë të tjerët. Të dish të falënderosh do të thotë të dish të përcaktohesh për atë që është e mirë në jetë, ndërsa kriteri i shëndetit shpirtëror dhe atij mendor është prirja për ta zbuluar të mirën te vetja dhe te të tjerët. Falënderimi është një qëndrim shpirtëror dhe një mënyrë e ekzistencës, që e shëron edhe trupin edhe shpirtin. Shqyrtimet mirënjohëse dhe një ditar mirënjohjesh mund të përmirësojnë ndjeshëm kualitetin e jetës dhe të shëndetit tonë. Mirënjohja dhe falënderimi na lartësojnë në një nivel më të lartë të vetëdijes, që është e lidhur me një jetë më të mirë. "Faleminderit, o Zot, për gjithë mirësitë dhe të dhuruarat", është një shprehje që kur përsëritet, në mënyrë të mrekullueshme mund të aktivizojë potenciale kreative dhe fuqi kolosale.
Falënderimi hap dyert e kreativitetit, aktivizimit dhe të gjitha virtyteve tjera pozitive. Mosshprehja e falënderimit sjell letargji dhe hedonizëm. Falënderimi është ajo që frustrimin e zëvendëson me prehje, gëzim dhe lumturi, sepse çdo gjë që ju ndodh e kuptoni si një mësim dhe një bekim, dhe atë që dikur e konsideronit të dëmshëm dhe të padrejtë tani e kuptoni se është rezultat i moskuptimit dhe perceptimit të gabuar. "Falënderimi është një impuls që mekanizmat tonë mendorë mund t' i lëvizë nga opsesioni te prehja, nga mungesa e shpresës te krativiteti, nga frika te dashuria." (Dr. Jon Z. Borisenko)
Falënderimi është një nga meta-strategjitë më të suksesshme për të arritur lumturinë. Ai në fakt është një antitod për emocionet negative, duke neutralizuar zilinë, koprracinë, armiqësinë dhe frustrimin. Kur ne e ndiejmë falënderimin e sinqertë, është e pamundur të ndiejmë zemërimin, tërbimin depresionin, apo ndonjë emocion tjetër negativ. Për shkak të të ashtuquajturës përshtatje hedonike, ndjenja e lumturisë dhe e kënaqësisë me kalimin e kohës dobësohet, por falënderimi si një disiplinë jetësore e pengon përshtatjen hedonike. Hulumtimet shkencore tregojnë se njerëzit që e praktikojnë falënderimin si një disiplinë jetësore kanë një ndjenjë më të madhe të kënaqësisë dhe lumturisë jetësore, janë më të prirë të tregojnë emocione pozitive, janë më optimistë dhe më shpirtërorë, më pak të drejtuar nga ana materiale, kanë më shumë energji, janë më të prirë për falje, shfaqin më shumë ndjeshmëri se njerëzit që e praktikojnë më pak dhe më rrallë falënderimin.
Sa më shumë që thellohemi në praktikën shpirtërore, e hapim një botë të tërë e të re, që deri atëherë ka qenë e fshehur prej nesh. Fitojmë përvoja të reja shpirtërore, dhe ato përvoja shpirtërore janë mënyrë e komunikimit të Zotit xh. sh. me ne.
Besimi dhe falënderimi
Esenca e fesë është sakrifica dhe falënderimi! mirënjohja. Falënderimin është themeli i çdo virtyti. "Në qoftë se jeta është qëllimi i Universit, atëherë falënderimi (shukri) është qëllimi i jetës". (Bediuzzaman, Said Nursi).
Kurani fillon me vargjet mbi mirënjohjen ndaj Zotit të Madhërishëm. Në shumë vende në Kuran përmendet mirënjohja si një zgjidhje që hap dyert e mëshirës së Zotit (xh.sh.).
"Kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: "Nëse falënderoni, unë do t'ju jap edhe më shumë; nëse ju jeni mosmirënjohës, dënimi Im me të vërtetë do të jetë i rreptë. (Ibrahim, 7). Ose ajeti: "Dhe Ai ju dha gjithë atë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t' i numëroni të mirat
e Allahut, nuk do të mund të arrini t' i përkufizoni (në numër). Vërtet njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës." (14:34)
Allahu (xh. sh.) e krijoi njeriun, dhe tokën e qiellin i bëri për të. Në to krijoi gjithë të mirat e universit, si dhunti që njeriut t' i lehtësohet jeta në këtë botë. Krijoi edhe gjëra që ne nuk do të dinim t'i kërkonim, e nuk do të dinim edhe se a kemi nevojë për to.
Për ata që në zemër mbajnë vetëdijen e zgjuar mbi Zotin, i tërë mjedisi natyror dhe begatitë e tij tregojnë për praninë hyjnore dhe kujdesin e madh ndaj krijesave në botë. Edhe qielli edhe Toka, edhe Dielli e Hëna, edhe shirat dhe retë, edhe erërat edhe stinët e vitit, edhe dukuritë tjera të mëdha e të vogla në botë, e madje edhe ato që duken të parëndësishme, të tilla si frymëmarrja dhe frymënxjerrja e ajrit, në të vërtetë janë begati dhe përfitime të pallogaritshme, shenja dhe dëshmi të kujdesit gjithëpërfshirës hyjnor, e jo vetëm dukuri të thjeshta mekanike dhe trupa fizikë që rastsisht u gjeten në natyrë.
Ne duhet të mahnitemi nga bukuritë natyrore, nga sekretet e mëshirës. Çdo gjë, në të vërtetë, është fryt i dashurisë së Zotit (xh. sh.) ndaj njerëzve. Falënderimi është shenjë e fisnikërisë së shpirtit tonë, shenjë e pastërtisë së ndërgjegjes sonë, shenjë e modestisë dhe mirësisë. Ai, në fakt, është fryt i njohjes, që në jetën tonë nuk ka gjë që nuk na është dhënë. Ne jetojmë, për arsye se Zoti është i mirë!" Për këtë mirësi duhet t'I jemi gjithmonë mirënjohës. Falënderimi është përgjigje e zemrës sonë për dashurinë e Allahut (xh. sh.) ndaj nesh. Përgjigje me besim, me dashuri, përkushtim, jetë ...
"Rregulli themelor në ecjen nëpër hapësirën e kësaj bote është që njeriu në takimin e tij me njerëzit dhe dukuritë (shfaqjet) më të ndryshme, gjithmonë të thotë: "Çfarë mësimi dëshiron t'më japë Zoti në këtë situatë?" Nuk dua këtu t'i sjell gjithë ajetet që theksojnë pikërisht se pyetja është mjeti ynë kryesor zhvillimor. Por, dëshiroj të potencoj rastin e djelmoshave të shpellës, të cilët fjetën në shpellë tre shekuj dhe pastaj u zgjuan. Pse u zgjuan pas 300 vitesh? A u zgjuan për të bërë ibadet, për të punuar, luftuar etj. Jo! U zgjuan për të ofruar përgjigje për kohën e re. E pyesnin njeri-tjetrin ku jemi. Pastaj se çfarë kishte ndodhur dhe sa kishin fjetur. Etj. "Ashtu i zgjuam ata, që të pyesin njëri-tjetrin." (El Kehf, 19)
Teologu dhe psikologu i njohur boshnjak, Edin Tule, thotë: "Më së shumti që kam frikë për ne, edhe pse i kemi sytë e shëndoshë nga ana anatomike, është se po na kalojnë me mijëra ajete/shenja të Allahut, të cilat është dashur t'i vëmë re, t'i lexojmë drejt dhe t'i integrojmë në zhvillimin tonë. Ndoshta zemra ime qëmoti është e verbër, vetëm se nuk ka kush që të ma thotë këtë. Në qoftë se edhe disa gjëra i vërej, çka nëse unë jam një njeri me një sy në botën e të verbërve? Çka nëse ajeti vijues pikërisht më përshkruan mua? "Zoti im, përse më ngjall të verbër, kur unë kisha sy?" Ja pse i tha Allahu: "Ty të vinin argumentet Tona, por t'i harroje, ashtu që sot do të jesh ti i harruar." (Ta Ha, 125-126)
Falënderimi ndaj Zotit të botëve
Në natyrën e pastër të shpirtrave njerëzorë është që ta duan dhe të lidhen për atë që u bën mirë (bamirësi), e bamirësinë më të plotë dhe më të madhe ndaj njerëzve e bën Zoti i tyre, Allahu i Madhëruar. Begatitë e Tij lëshohen, dhe me mirësinë e Tij i përfshijnë të gjithë banorët e planetit. Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit nuk do të ishin në gjendje t' i numëronin begatitë me të cilat i furnizon Allahu i Gjithëfuqishëm: "Sikur t'i numëronit begatitë e Allahut, nuk do tëmundnit ta bënit. Njeriu, në të vërtetë është i padrejtë dhe jofalendërues." (Ibrahim, 34) Ose ajeti tjetër:
"Thuaj: "Sikur të ishte deti ngjyrë për t'i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (det)."
Subhanallah! Gjithë ato gjëra që nuk janë thënë, që pritet t' i zbulojmë, t' i njohim këtu në këtë botë, dhe çka na pret në Xhenet, në formë të informacioneve të vlefshme, të freskëta dhe të ëmbla!
Esenca e falënderimit
Ibën El Kajimi thotë: "Esenca e falënderimit ndaj Allahut, si një formë e nënshtrimit ndaj Tij, është që gjurmët e begatisë (mirësisë) të shihen në të folurit e robit të Allahut në kuptim të pranimit dhe falënderimit, në zemër në formë të përkujtimit dhe dashurisë, dhe në trup në formë të nënshtrimit dhe dorëzimit.
Nganjëherë fjalët e falënderimit kalojnë nëpër gjuhën tonë, por nuk janë argument që kemi falënderuar, edhe pse ato fjalë vijnë nga thellësia e zemrës dhe shpirtit të njeriu. Fjalët e shprehura nga gjuha duhet të kalojnë nëpër disa etapa dhe procese, për të qenë të plota dhe të pranuara nga I Lartmadhërishmi. Para së gjithash, ajo duhet të zë fill në mendjen e njeriut (procesi i të menduarit), pastaj nga aty duhet të përcillet në zemër (laboratorin e zemrës), për t'iu nënshtruar procesit të ngrohjes, emocionimit dhe gjallërimit, dhe pastaj nga zemra të përcillet në aparatin vokal në formë të fjalës së shprehur dhe, në fund, duke u manifestuar në jetën e njeriut, të dalë në formë të veprës dhe zbatimit praktik.
A keni menduar ndonjëherë për mënyrën se si duhet të jemi mirënjohës ndaj këtyre begative? Falënderimi ndaj Allahut të Madhërishëm nuk shprehet vetëm me fjalë. Për secilën begati do të duhej falënderim në mënyrë të veçantë. Për secilën begati ka mirënjohje të veçantë. Kjo mund të bëhet nëse begatitë e dhuruara të Zotit i vëmë në shërbim të rrugës së Tij, në shërbim të së mirës së përgjithshme dhe paqes globale.
Mendja është një begatij dhuratë, ndër dhuratat më të mëdha, e falënderimi për të është të menduarit. Zemra është një begati, të jesh i dashur ndaj njerëzve të tjerë është mirënjohja e zemrës. Kurani është një dhuratë/ begati, ta lexosh dhe ta kuptosh atë, ta organizosh jetën tënde në pajtim me urdhrat dhe ndalesat e tij është falënderimi për të. Të përvetësuarit e diturisë është një begati, e të veprosh sipas asaj diturie dhe ta bartësh edhe te të tjerët është falënderim për të. Të fitosh pasuri është po ashtu një begati, por ta japësh zeqatin dhe sdakanë është falënderim për të. Syri është një begati, e
të mos i shohësh gabimet e besimtarëve dhe të njerëzve përreth teje është falënderim për të. Të dëgjuarit është një dhuratë, por të mos i dëgjosh prononcimet e këqija të njerëzve është falënderim për të. Shëndeti është
një dhuratë, e ibadetet e ndryshme si: namazi, duaj a, dhikri, agjërimi etj., janë falënderim për të.
O njeri, qëndro duke përkujtuar të mirat që t'i dha Allahu (xh.sh.), e mos u bëj i verbër dhe i shurdhër, se sado që t' ia lësh harresës begatitë e Tij, dhe t' ua kthesh atyre shpinën, ato do të të vijnë pas e do të të mbulojnë nga maja e kokës deri te gishtërinjtë e këmbës. Qëndro, pra, besnik i vërtetë, e mos i moho të mirat e Tij të panumërta!
1. Edin Tule, Socio-Psiholoske dimenzije Kurana, Sarajevë- 2010.
2. Edin Tule, Pozitivna Zajednica, Sarejevë 2015.
3. www. al-islam.dej
4. www.islam-pedia.de.
5. www.islam-iznutra. com.
6. www.psihologija-blog.comj.
7. www.promente.hrj.
8. www.rastimougospodinu.comj.
9. www.vitallove.netj.
10. www.minber.baj.
11. www.spiritualresearchfoundation.orgj.
12. www.ditib.dejdetail.
13. www.portalomanija.comj.
14. www.lovesensa.rs.
15. www.monajo.de.