"Çkado që shpenzoni për në rrugë të Allahut, ajo do t'ju shpaguhet, dhe nuk do t'ju bëhet e padrejtë." (El Enfalë, 60).
Pasuria është një nga mirësitë e shumta që Allahu i Lartësuar ia ka dhuruar njeriut. Kështu që, si për të gjitha mirësitë dhe begatitë e tjera, edhe për këtë begati myslimani duhet ta falënderojë Allahun, por edhe t'i kërkojë ruajtjen e pasurisë dhe vazhdimin e furnizimit të tillë. Përgjithësisht, pasuria është si të gjitha dëshirat e tjera të njeriut, kështu që ajo ka rregulla, kritere, kushte, ndalesa dhe rrjedhoja që duhen marrë parasysh.
Megjithatë, Allahu i Lartësuar në librin e Tij fisnik na ka treguar se si myslimani duhet ta organizojë jetën e tij, se si duhet të krijojë pasuri, si ta menaxhojë atë dhe si ta shpenzojë atë. Gjithashtu, po për këtë çështje ka folur edhe Muhamedi a.s. në një varg hadithesh, ku ka treguar se si myslimani duhet ta ruajë dhe shpenzojë pasurinë e tij, që të jetojë me krenari dhe dinjitet në këtë botë, dhe të jetë i shpëtuar në botën tjetër. Allahu na furnizon me çdo të mirë, dhe nga çdo e mirë që kemi duhet të ndajmë një pjesë për ta shpenzuar në rrugën e Tíj. Besimtarët duhet të kërkojnë vazhdimisht furnizim nga Allahu. Ata duhet t'i luten vetëm Atij, sepse edhe vetë Ai ka thënë se u përgjigjet çdoherë kur besimtarët i luten. Allahu thotë në Kuran: "E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet. Pra, për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua!" (El Bekare, 186).(1)
Shpenzimi i pasurisë në Rrugën e Allahut
Përderisa çdo e mirë në jetë na vjen prej Allahut, edhe shpenzimi i pasurisë tonë duhet të orientohet përgjithësisht në Rrugën e Allahut. Besimtari duhet
të jetë i kujdesshëm që pasuria e tij të mos mbetet pa u pastruar me zekat, në çdo rast që plotësohet nisabi, pastaj duhet që ketë kujdes edhe në plotësimin e obligimeve të përcaktuara nga sheriati islam në aspekt të shpenzimit të pasurisë, përkatësisht plotësimit të kushteve të jetës për familjen: prindërit, gruan, fëmijët, të afërmit etj. Një besimtar i pasur është i dobishëm edhe për rrethin ku jeton. Ai duhet të ketë kujdes dhe të mos lejojë që fqinjët e tij të jetojnë në kushte shumë të rënda, të mos kenë ushqim të mjaftueshëm, ndërsa vetë të ketë rehatinë, komoditetin dhe luksin e tepërt.
Në një hadith të tij Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nuk ka besuar askush derisa ai shkon të flejë i ngopur ndërsa fqinji i tij të jetë i uritur."
Pra, për besimtarin mbetet sfidë që pasurinë e tij ta shpenzojë në: Rrugë të Allahut, zekat, furnizim të familjes, ndihmë farefisit-sadaka, dhe përkujdesje ndaj fqinjëve.
Shembujt e shpenzimit të pasurisë në Rrugën e Allahut nga ana e sahabëve janë të shumtë, ndërsa mjafton të rikujtojmë Ebu Bekrin dhe Umerin r.a. që shpenzonin gjithçka nga pasuria e tyre për këtë qëllim. Madje, ata vraponin se cili prej tyre do të shpenzonte më tepër për ta zhvilluar Islamin dhe për ta ruajtur fenë e Allahut, dhe kjo në një kohë kur Islami varej kryekëput nga kjo. Mirëpo pse e bënin ata një gjë të tillë? Pa dyshim se ata e dinin çdo fjalë të Allahut që e kishte zbritur në Kuran, si dhe e praktikonin me përkushtim të madh. Ata e dinin edhe ajetin e 60 të sures El Enfal, ku Allahu thotë: "Çkado që shpenzoni për rrugë të Allahut, ajo do t'ju kompensohet, dhe nuk do t'ju bëhet e padrejtë." (El Enfal, 60)?
Pra, çdo shpenzim që e bëjmë për hir të Allahut dhe në Rrugën e Tij, në fenë e Tij, është ajo që do të na kthehet në këtë dhe botën tjetër, dhe pa dyshim se është investimi më “kapital” dhe më i sigurt. Ndërsa, kur është fjala për Pejgamberin a.s., "nuk njohim ndokënd që t'i jetë ofruar aq pasuri sa i është ofruar të Dërguarit të Allahut dhe ai ia jepte gjithçka që i ofrohej shokëve të tij dhe për të ngritur Fenë e Allahut.”(2)
Shpenzimi i pasurisë në kotësira
Myslimani duhet të jetë i vetëdijshëm që pasurinë e tij të mos e shpenzojë në kotësira, si dhe në masë të pacaktuar, që po ashtu mund ta klasifikojmë si shpenzim të kotë, shkapërderdhje. Zoti i Madhërishëm në planprogramin ideal të njeriut, në Kuranin famëmadh, thotë: "O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju i lejoi Allahu (i bëri hallall) dhe mos teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).” (El Maide, 87)(3)
Shpenzimi i pasurisë në kotësira nënkupton shpenzimin e pasurisë në: gjërat e ndaluara dhe që Allahu i Madhëruar nuk i do, gjërat që nuk janë për qëllim të shpenzohet pasuria në aspektin islam, sasi të pacaktuar-shkapërderdhje; që konsiderohet çdo nënçmim i pasurisë, hedhje e ushqimeve dhe pijeve të mbetura, shpenzim i parave pa nevoja primare, keqpërdorim i parave në ushqim dhe pije të kota etj.
Myslimanët, sidomos viteve të fundit, kanë rënë në një pakontroll të madh të shpenzimit të pasurisë, sidomos në raste festash. Myslimanët sot shpenzojnë pasurinë e tyre për festat e tyre, por edhe ato të feve tjera, siç ndodh rëndom me festën e Vitit të Ri, kur besimtarët shpenzojnë qindra euro vetëm në fishekzjarre. Vlera e importit të fishekzjarrëve në Kosovë për festat e fundvitit kalon milionat. Derisa në Vitin 2012 vlera ka qenë 2.7 milion, një vit më herët (2011) ishte 3 milion. Ndërsa, sipas doganës së Kosovës, vetëm në Vitin 2014 janë importuar 880 mijë kilogram, të cilat në vlerë monetare janë 1.2 milion euro, ndërsa taksa janë paguar mbi 350 mijë euro?
Kur kemi parasysh se Kosova është mbi 96 % me besimtarë islamë, kjo pa dyshim se është një shumë e madhe parash e shpenzuar në kotësira, dhe një shkapërderdhje e pasurisë së besimtarëve myslimanë nga ana e tyre.
Pastaj, myslimanët viteve të fundit janë duke e shpenzuar paranë kot edhe nëpër festat familjare, siç janë dasmat dhe gëzimet tjera. Teprim është edhe ajo që po ndodh në raste festimesh, sidomos në raste dasmash; sa forma të shëmtuara të teprimit ndodhin në to! E të mos flasim për veprat tjera të ndaluara që ndodhin në to. Të gjitha janë teprim(4) Për një dasmë sot myslimanët shpenzojnë mijëra euro, shkapërderdhin paranë në ushqim, pije, muzikë, etj.
Çështja e teprimit është një derë e gjerë të cilën e kupton çdonjëri që vështron. Prandaj, duhet ta kemi frikë Allahun, duhet ta përkujtojmë se do të kthehemi tek Ai, do të qëndrojmë para Tij dhe se do të pyetemi nga Ai. Prandaj, duhet të përgatitemi për përgjigje, e ajo përgjigje duhet të jetë e saktë.(5) Pra, duhet ta pasojmë fjalën e Allahut: "Hani, pini, e mos e teproni” dhe ta kujtojmë hadithin e Resulullahut se, secili do të përgjigjemi për pasurinë, pra se si e kemi shpenzuar.
Vërtet disa që Allahu i ka begatuar me begatinë e pasurinë, i shohim duke e shpenzuar atë në lojë, dëfrim, argëtim dhe luks pa llogari, e kur thirren të shpenzojë dhe kontribuojë për në mirësi, tregohet koprracë dhe dorëmbledhur, përveç nëse pas kësaj shpresojnë dhe synojnë ndonjë interes të kësaj bote. Këta dhe të ngjashmit me ta e ekspozojnë veten e tyre ndaj rrezikut të madh në këtë botë dhe në botën tjetër. A nuk e di se Allahu i Madhërishëm nesër ka për ta pyetur për atë pasuri: Si e ka fituar atë dhe ku e ka shpenzuar?(6)
_________
(1) Kurani.
(2) http://rrugetepaqesnet/?p=1240 (Meshhurbin Hasen Al Selman, "Pasuria dhe gjykimi islam për të).
(3)http://infodirekttv/inde×.php/lajme-all-fix/24689-kosova-importoi-1-2-milion-euro-fishekzjarre-per-kete-vit.
(4) http://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=6820.
(5) Po aty.
(6) http://krenaria.com/web/artikulli.php?ld=4590&Kat=1O. (Autori: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr).
Kenan Malsu