Mulla Hasan Masurica - Imami novator

"Të humbësh një ditë s'është gjë. Të mos humbësh kot ditët e jetës - është mençuri."

Në mesin e shumë hoxhallarëve, ulemave të fesë islame, në periudhën nga shekulli i XIX-të dhe në fillim të shekullit të XX-të, kemi pasur imamë dhe hoxhallarë me intelekt shumë të zhvilluar dhe novator. Me novacionet e tyre ata e kishin mahnitur botën e asaj kohe dhe kështu kishin mbetur mburrje për kombin shqiptar. Mjerisht, koha e ka bërë të veten, sikurse edhe varfëria, e pushtuesit e njëpasnjëshëm kanë ndikuar edhe te dijetarët. Ata nuk kanë mundur ta plasojnë e sendërtojnë shpikjen-novacionin e tyre në praktikë, por ato u kanë mbetur në skicime, në letër, e ndoshta as edhe në letër. Kështu, shumë skicime u janë humbur, djegur e përvetësuar nga regjimet e ndryshme pushtuese, që në trevat shqiptare ndërroheshin mjaft shpesh. Në kushte e rrethana të tilla, nën sundimin e Perandorisë Osmane, nën regjimin e mbretërisë serbosllave, jetoi dhe punoi edhe hoxha, imami i nderuar.




Origjina e Da Vinçit shqiptar

Hasan Islam Masurica, i njohur edhe si Leonardo da Vinçi shqiptar, siç e kishte quajtur Kadrush Sylejmani në shkrimin e tij, që në vitin 1975.(1)
Hasan Masurica ishte një burrë trupmadh, i ditur, dinjitoz e imam i shkëlqyer, i afërt me xhematin dhe popullin, dhe i gatshëm gjithherë për t'i ndihmuar ata që kishin nevojë.

Po kush ishte Mulla Hasani, dhe përse e quajtën Leonardo da Vinçi shqiptar? Cila dhe nga ishte familja Masurica?

Familja e Mulla Hasanit, respektivisht gjyshi i tij, Bajrami me familje, diku rreth vitit 1860 ishin shpërngulur nga fshati Dllugajnicë e Masuricës, fshat që gjendej mes Vranjës dhe Leskovcit, dhe ishin vendosur në fshatin Krilevë të Dardanës (ish Kamenicë). Për një kohë familja e Mulla Hasanit kishte jetuar në Krilevë, pastaj në Gjilan, e besa një kohë kishte jetuar edhe në fshatin Dobërqan të Gjilanit, për t' u vendosur përfundimisht në Muçivërc të Dardanës.
Mulla Hasani u lind në fshatin Krilevë të Dardanës në vitin 1869. Meqë gjyshin, e edhe babanë, e kishte hoxhë, ai mësimet e para dhe edukatën bazë fetare islame e mori nga gjyshi, Mulla Bajrami, dhe babai i tij, Mulla Islami. Ndërkaq, në vitin 1883, Hasani kreu shkollën fetare progjimnazin Ruzhdie (tetëvjeçaren) në Gjilan. Përkundër asaj që rrethanat e kohës nuk ia mundësuan të shkollohej më tutje, ai lexonte me ëndje pothuajse çdo libër që i binte në dorë. Por, interesimi i tij për të lexuar libra ishte i orientuar më shumë në literaturën shkencore të matematikës, fizikës, e sidomos astronomisë. Me literaturë të llojllojshme e furnizonte gjyshi, Mulla Bajrami, përkatësisht babai i tij Mulla Islami, i cili pos që ishte hoxhë - imam në Krilevë, merrej edhe me tregti, kështu që mjaft shpesh shkonte në Shkup, Selanik e Stamboll, prej nga gjithmonë përveç librave fetarë islam sillte edhe libra shkencorë të lëmive të ndryshme. Prandaj, Mulla Hasani u pajis me dituri të ndryshme, e veçanërisht ishte njohës i mirë i astronomisë.
Etja e madhe dhe dashuria për shkollim Mulla Hasanin nuk e lanë të qetë. Kështu, ai edhe pas një pauze disavjeçare regjistrohet në shkollën e lartë të mësuesisë "Darul Mualim", dhe, me sukses të shkëlqyer e kreu në vitin 1907.

Shpikës i madh për kohën

Këtë detyrë ai e kreu në xhamitë e fshatrave Zarbicë, Dobërçan dhe Muçivërc. Gjatë kryerjes së profesionit të imamit vaizin e tij gjithmonë e mbante në gjuhën shqipe, përkundër asaj që ato ishin të domenit fetar islam, pra dëshironte që te xhemati të ngjallë dëshirën për të mësuar në gjuhën amtare.
Derisa shërbente imam në xhaminë e Zarbicës (imamati i tij përfshinte edhe xhematin e fshatrave Suharnë, Novosellë dhe Priboc), nga xhamia ishte kthyer vonë në shtëpi. Gruaja e kishte pyetur; "Hoxhë ku e ke shallin, a mos je ngatrrua diku me dikend, apo mos e ke humbur a harru diku?" Hoxha i ishte përgjigjur se në njërin nga fshatrat e përmendur kishte vdekur një njeri, dhe në mungesë të qefinit - pasi që atëherë kishte qenë varfëri e madhe - hoxha e kishte hequr shallin dhe ia kishte bërë qefin të vdekurit. (Ngjarje të tilla hoxhës i kishin ndodhur edhe herë të tjera) Prandaj, që nga ai rast, hoxha gjithmonë shallin në kapelën e tij e mbante aq metra të gjatë sa për ta përdorur atë edhe për qefin, në rast nevoje." Gjithë atë dituri të marrë nga librat Mulla Hasani filloi ta përcjell edhe në letër. Skicoi dhe projektoi modelin e aeroplanit (ballonit siç e quanin populli në këtë anë) gjë që e kishte ëndërr që nga fëmijëria. Njëherë, kur babai i tij kthehej nga tregtia, ky e kishte pyetur: "Përse nuk fluturojnë edhe njerëzit sikur shpezët?"
Projektin e skicuar filloi menjëherë ta sendërtonte në praktikë, dhe ndërtimi i projektit nuk zgjati shumë kohë, duke e përfunduar diku në pranverë të vitit 1899.



Në aeroplanin e ndërtuar me dërrasa plepi në kodrën e Zarbicës së pari e hipi djalin e tij Muharremin dhe vet e kapi litarin me të cilin e kishte lidhur aeroplanin, dhe kur një erë e lehtë e mori atë, fluturakja nisi të lëvizë dhe vazhdimisht e rriste shpejtësinë. Pas pak ai filloi të ngritej bashkë me të dhe, edhe këmbët e Mulla Hasanit herë pas here nuk e preknin tokën. Mirëpo, në një moment ai padashtas e lëshon litarin, dhe fluturakja bashkë me Muharremin fluturoi diku rreth 50 deri në 70 metra lartësi, duke përshkuar tërë fshatin e Zarbicës, duke kaluar një distancë prej rreth 4 apo 4 kilometra e gjysmë. Aeroplani u përplas në majat e lisave të ahut, në kodrat përtej fshatit Zarbicë, tek vendi i quajtur "Mulla Rekë", sipër fshatit Muhoc, dhe lëshoi një zhurmë të madhe. Për këtë tregon djali i Mulla Hasanit, Hamidi (i vetmi fëmijë që jeton nga të ll-të sa kishte Mulla Hasani), përndryshe veteran i arsimit. Tërë këtë ngjarje e përcollën shumë barinj, fshatarë zarbicas, të cilët ruanin bagëtinë apo ishin duke punuar në arat e tyre. Djali i tij Muharremi kishte thyer këmbën, por, sidoqoftë duket të ishte piloti i parë në botë, ngase, sipas shënimeve, ky duhej të ishte fluturimi i parë në histori. Ky fluturim i aeroplanit të konstruktuar dhe ndërtuar nga Mulla Hasan Masurica ishte katër vjet para vëllezërve amerikanë Wilbur dhe Orvill Wright, të cilët kishin konstruktuar dhe me sukses kishin fluturuar me aeroplan më 17 dhjetor të vitit 1903.

Më 1905, merr ftesën nga vet Sulltan Hamidi

Mulla Hasani vazhdoi me punën e tij shkencore duke projektuar dhe ndërtuar pushkën me një, pastaj me pesë, dhe së fundi me njëzet e pesë fishekë. Për këtë i kishte shkuar zëri deri në Stamboll, deri tek Sulltan Abdylhamidi, i cili Mulla Hasanin e ftoi atje. Ishte ky viti 1905, kur Mulla Hasani merr ftesën nga vet Sulltan Hamidi, për të shkuar në Stamboll si mysafir i tij. Mulla Hasani shkon në Stamboll, në pallatin mbretëror "Dollma Bahçe" ku u prit me nderime në audiencë të Sulltanit, dhe që në takimin e parë me të Mulla Hasani zbulimin e tij ia demonstroi në praktikë, pra pushkën me një, pesë dhe 25 fishekë.
Në audiencë të Sulltan Abdylhamidit ishin të pranishëm edhe truprojat personale të tij, që kishin origjinë shqiptare; Azem, Sherif dhe Osman Sedllari nga fshati Sedllar, atëherë në kuadër të rrethit të Gjilanit.
Mirëpo Azemi, Sherifi dhe Osman Sedllari ishin të informuar mirë për vlimet në Turqi, e sidomos për përgatitjen e kryengritjes së popujve të robëruar të Ballkanit, pra edhe të shqiptarëve, kundër Perandorisë Osmane. Prandaj, pas bisedës së fshehtë me Hasan Masuricën, me propozimin e tyre, një natë Mulla Hasani hodhi armët në det dhe, i ndihmuar nga bashkëvendësit e tij, arratiset nga "Dollma Bahçe", dhe i veshur si një dervish plak arrin të kalojë kufirin në Edrene, për t'u kthyer pastaj në Kosovë. Gjatë rrugëtimit nëpër Bullgari, Mulla Hasani burgoset nga bullgarët apo rusët, ngase ardhja e tij dhe nami për armët ishte i njohur edhe në këtë shtet. Pas disa ditësh qëndrimi në burg, përkatësisht në ambasadën ruse në Bullgari, ai përpunon skicat; se në çfarë mënyre nuk dihet saktësisht, por pas tre apo katër muajsh qëndrimi, kthehet në Kosovë. Pushka automatike e konstruktuar nga Mulla Hasani është shumë e ngjashme me automatikun Kallashnikov të sotëm, të cilin e konstruktoi një shpikës rus me të njëjtin emër, diku në prag apo pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë qëndrimit në Stamboll ai kishte kërkuar një libër të veçantë, të cilin ia kishte preferuar profesori i tij nga shkollimi në shkollën e lartë të mësuesisë në Shkup, myderrizi Kamber Krasniqi, me të cilin kishte afërsi dhe bashkëpunonte ngushtë. E kishte gjetur librarinë dhe, kur pronarit ia kishte kërkuar librin që Skica e mullirit me ujë dhe me erë në Zarbicë kishte përmbajtje të shkencës së astronomisë, shkruar në gjuhën arabe, pronari e kishte pyetur Mulla Hasanin se a e kuptonte atë libër dhe, nëse po, a do ta përkthente së paku një fjali nga ai libër në këmbim të krejt librit. Përveç librit që do ta fitonte falas, pronari i kishte premtuar se do ta shpërblente edhe me një lirë të kuqe turke. Pasi Mulla Hasani lexoi dhe përktheu diçka nga libri, pronari i librarisë ia fali librin dhe i dhuroi një lirë të kuqe. Pasi ishte njohur me prejardhjen e Mulla Hasanit, pronari i librarisë, i cili ishte i shtyrë në moshë, (kishte mbi 80 vjet) ishte mahnitur me zgjuarsinë dhe aftësitë e Mulla Hasanit. "Këtë libër" - i thotë ai Mulla Hasanit -"nuk e ka kërkuar askush deri më tash, edhe pse unë që nga fëmijëria ime punoj në këtë dyqan librash. Pra, ky libër gjendet aty në dollap (raft) që nga koha kur punonte babai im i ndjerë."

Ndërtimi i mullirit me ujë dhe me erë

Në fshatin Zarbicë Mulla Hasani ndërtoi një mulli me ujë dhe një me erë, i cili mund të bluante shumë më tepër drithë sesa një mulli i zakonshëm. Kështu, mulliri i ndërtuar nga Mulla Hasani bluante edhe me anë të erës, kur nuk kishte ujë të mjaftueshëm, ndërsa brenda një dite mund të bluante deri në 1 mijë kilogram drithë.



Një mulli të ngjashëm e ndërtoi edhe në fshatin Muçivërc të Dardanës. "Kështu, unë me fëmijët e fshatit" - tregon Hamidi - "duke lozur përreth tij e duke dashur të luhateshim në të, ai filloi të sillej, e ne shkonim sa lart e sa poshtë, ndërsa poshtë në mulli guri i mullirit kishte nisur të sillej, e kishim vu në lëvizje pa dashje, vetë ne fëmijët, duke lozur."
Pas kthimit nga Stambolli Mulla Hasani vazhdoi punën e tij novative, duke bërë shpikje të reja. Kështu, ai bëri kalendarin e bazuar në pozitën e planetëve në gjithësi, prej vitit 52 e deri në vitin 1952 të erës sonë.
Pastaj vazhdon novacionet me një vizatim mjaft interesant në formë të rrathëve koncentrikë, që prehen me mijëra vija të shënuara me shkronja e numra arabë, në një madhësi prej 30 centimetrash katrorë, e në të cilën është përfshirë e tërë përmbajtja e Kuranit, që është një enigmë e vërtetë sikur edhe kalendari për pozitën e planetëve. Duhet theksuar se deri më tani ende nuk janë deshifruar rrathët koncentrikë që mbërthej në tërë përmbajtjen e Kuranit.(3)
Mulla Hasani e ka bërë skicën e projektit për ndërtimin e helikopterit pa helikë, mandej skicën - projektin e karrocës së blinduar, të cilën nuk ka arritur ta ndërtojë për shkak të mungesës së veglave dhe mjeteve materiale.
Mulla Hasani ka shpikur dhe ndërtuar triçikletën, pastaj mullirin për bluarjen e kafesë, peshoren shumë precize, vulën personale, me të cilën vuloste dëftesat e nxënësve, të cilët i mësonte vet Mulla Hasani.(4)




Kontribuues për dijen. librin dhe shkollën


Mulla Hasani ishte gjithmonë adhurues i shkollës dhe dijes, që nga fëmijëria kur interesimi i tij për librin ishte i jashtëzakonshëm. Ai ishte gjithmonë ithtar i përhapjes së librit dhe dijes te bashkëkombësit e tij. Kështu, në vitin 1909, ishte ndër të parët që i bashkohet shumë patriotëve të shquar të Gjilanit me rrethinë për hapjen e shkollave shqipe në Gjilan dhe në fshatrat përreth. Patriotizmin e tij ai e shprehu në Luftën Ballkanike, ku mori pjesë aktive kundër ushtrisë bullgare në fshatrat e komunave të sotme të Vrajës e Bujanocit, me ç'rast qe plagosur në fytyrë, më 1916, kur bullgarët e dogjën fshatin Zarbicë, ku shërbente si imam xhamie, mësues i fesë islame dhe merrej me punë novative. Atëbotë bullgarët ia kishin djegur shtëpinë dhe bibliotekën e pasur me shumë libra të shkencave të ndryshme, me rreth 400 ekzemplarë, si dhe me shumë krijime të tij e punime dore. Mulla Hasan Masurica ishte jo vetëm imam i mirë, mësues i aftë i fesë islame, por ishte edhe novator dhe vizionar i madh. Rreth vitit 1900 ai kishte thënë: “Njeriu brenda disa dekadave do të fluturojë dhe do të arrijë në planetët tjera, dhe se njeriu do të flasë nga një kontinent tjetër e do ta shohim e dëgjojmë në dhomë. Njerëzimi do të zbulojë armë, që do të jenë në gjendje brenda disa minutash të shkatërrojnë gjallesat e bimët në planetin tonë. Dituria e njeriut do të arrijë deri në atë shkallë sa që njeriu nuk do të jetë në gjendje ta zotërojë atë, dhe mund të ndodhë që një ditë të keqpërdoret, dhe e tëra të kthehet kundër njerëzimit dhe t'i hakmerret vetë njeriut..."
Mulla Hasan Masurica, ishte imam i rregullt në xhami, mësues i shkëlqyeshëm i fesë islame, por edhe dijetar e novator i madh i kohës. Ai ishte njeri i urtë dhe shumë i sjellshëm me fshatarët. Posedonte njohuri të gjerë nga feja islame dhe shpjegonte me orë të tëra pa u lodhur aspak. Njëherit ai mësonte rininë shkollore edhe për jetën e gjallë. Kishte njohuri solide nga lëndët shoqërore dhe ekzakte. Për këtë, ai si personalitet poliedrik, gjeni i kohës, ishte i njohur jo vetëm në tërë Kosovën por edhe më gjerë dhe, është dhe mbetet mburrje për kombin tonë.
Mulla Hasan Masurica ndërroi jetë në vitin 1942, dhe u varros me nderime në oborrin e xhamisë në fshatin Muçivërc. Ai, pasi vdiq, la 11 fëmijë, nga tri martesat e tij. Ndërsa sot, nga të gjithë ata jeton vetëm djali më i vogël i tij, Hamidi, veteran i arsimit.


__________________
(1) Kadrush Sylejmani: "Hasan Masurica-Leonardo da Vinçi shqiptar" -Monografi Prishtinë 1975.
(2) Disa nga të dhënat për Mulla Hasan Masuricën na i tregoi djali i tij Hamid Masurica-Gjilan.
(3) Disa nga të dhënat janë marrë nga libri i Kadrush Sylejmanit: "Hasan Masurica, Hoxhë novator", Prishtinë, 1993.
(4) Fotot e vulave janë origjinale, të bëra nga vet autori, dhe janë fotot e para të publikuar në kuadër të një shkrimi për të.



Islam Osmani


Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?