Islami fe e sigurisë

Që nga dita e parë e ardhjes në këtë botë njeriu e ka të domosdoshme të jetë i sigurt nga çdo gjë që do ta rrezikonte apo dëmtonte atë.

Nevoja për siguri është e mbjellur në instinktin e natyrës së njeriut. Ndjenja e sigurisë është njëra nga nevojat themelore të njeriut. Siguria dhe rehatia janë ndër begatitë më të çmuara që na ka dhënë Allahu (xh.sh.). Siguria është njëra nga shtyllat e lumturisë dhe të suksesit. Pikërisht për këtë arsye, Profeti (a.s.), ka thënë: "Atij që zgjohet në mëngjes duke qenë i sigurt për familjen dhe pasurinë e tij, gëzon shëndet të plotë dhe ko të siguruar ushqimin e asaj dite, ta dijë se i janë dhënë të mirat e kësaj dynjaje.”
Vetë Ibrahimi (a.s.), i është lutur Allahut (xh.sh.), që t’i japë siguri vendit të tij: “O Zoti im, bëje këtë vend qytet të sigurt ... " (Bekare, 126)
Siguria dhe qetësia, numërohen si mirësitë më të mëdha që të fal Zoti, gjë të cilën Ai ia vë në dukje kurejshëve të Mekës: "Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike". (Kurejsh, 3-4)
Zoti e quan xhenetin, shtëpinë dhe vatrën e sigurisë dhe të stabilitetit. “Atyre do t'u thuhet: Hyni atje me paqe dhe siguri" (Hixhr, 46)
Përshëndetja e myslimanëve Selami është siguri: Të japësh dhe përshëndetësh me selam, do të thotë të nënshkruash marrëveshje paqeje dhe sigurie mes teje dhe tjetrit.

Siguria ditore:

Pejgamberi (a.s.), ka thënë: "Kush e fal namazin e sabahut me xhemat, është në mbrojtjen e Zotit (xh.sh.). (Muslimi)
Gruaja e cila e fal namazin e sabahut në kohë, në shtëpi, ka sevape sa burri që e fal sabahun në xhami. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: "Kush e fal namazin e sabahut dhe të ikindisë hyn në xhenet". (Buhari)

Dijetarët kanë dhënë dy kuptime lidhur me këtë hadith:

1. Këtë hadith Pejgamberi (a.s.), e ka thënë në fillim të Islamit, kur myslimanët kanë pasur si detyrim faljen 2 herë në ditë, para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij. Në atë kohë nuk ishin obliguar ende 5 namazet.
2. Nuk kemi argumente se Pejgamberi (a.s.), këtë e ka thënë në fillim të Islamit. Ky hadith vlen si në fillim të Islamit, si më vonë në ditët tona. Pejgamberi (a.s.), me këtë hadith do të tregojë vlerën dhe rëndësinë që kanë këto dy namaze, por pa i nënvleftësuar me këto fjalë veprat dhe namazet e tjera. Në shumë hadithe të tjera ka thënë: "Kush respekton prindërit hyn në xhenet': "Xheneti është në këmbët e nënës". Këto hadithe tregojnë vlerën dhe rëndësinë e prindërve në Islam.
Pejgamberi (a.s.), ka thënë: "Ju shoqërojnë disa melaike natën dhe disa të tjerë ditën dhe mblidhen në namazin e ikindisë dhe namazin e sabahut, pastaj ngrihen ata të cilët kanë qëndruar natën dhe i pyet (edhe pse Allahu e di më mirë se ata) dhe u thotë: 'Si i latë robërit e Mi?" Melaiket do të thonë: 'I lamë duke falur namaz dhe kur shkuam i gjetëm duke falur namaz:' (Buhariu, Muslimi)
Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Ai që e fal jacinë me xhemat e ka shpërblimin si të ishte folur gjysmën e natës, kurse ai që e fal namazin e sabahut me xhemat e ka shpërblimin si të jetë falur tërë natën.” (Muslimi)
Ubej ibn Kabi ka thënë: “Një ditë na priu Pejgamberi (a.s.), në namazin e sabahut dhe pastaj tha: “E patë filanin (në xhami)?" Të pranishmit i thanë: "Jo” Tha: "Po filanin e patë?" I thanë: "Jo" Pejgamberi (a.s.). tha: "Me të vërtetë këto dy namaze janë namazet më të vështira për munafikët dhe sikur ta kishit ditur se çfarë shpërblimi kanë, do të vinit në xhami edhe duke u zvarritur”. (Ebu Davudi)
Dijetarët thonë se munafikët janë fshehur në sabah dhe në jaci, sepse në kohën e Profetit (a.s.). nuk ka pasur drita.

Sigurimi i shëndetit:

Tensionet e ditës dhe stresi ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut dhe e dobësojnë sistemin imunitar ndaj sëmundjeve.
Allahu (xh.sh.). thotë: "Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!" (Ra'd, 28) Prandaj shtoje përmendjen e Allahut. që të qetësohet zemra jote, të forcohet trupi dhe të gëzosh shëndet të plotë.

Sigurimi i lutjes:

Nëse kërkon që të të pranohet lutja, atëherë lutu për vëllanë tënd mysliman me atë dua që do të dëshiroje që ai të lutet për ty. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: "Lutja e myslimanit në fshehtësi për vëllanë e tij është e pranuar. Pranë tij qëndron një melek dhe sa herë që ai lutet për vëllanë e tij, meleku thotë: Amin - O Zot pranoje (Ashtu qoftë).”

Sigurimi i gjumit:

Në mënyrë që mos të të shqetësojnë ëndrrat e këqija, kujdesu që të lexosh lutjet e gjumit. Më e rëndësishmja prej tyre është leximi i Ajetit Kursij (Bekare, 255)
Pejgamberi (a.s.). ka thënë: "Kur të shtrihesh për të fjetur, lexoje Ajetin Kursij, sepse pranë teje do të qëndrojë një melek i dërguar nga Allahu, që të të mbrojë nga shejtani deri në agim.”
Gjithashtu Profeti (a.s.). ka thënë: "Dy ajetet e fundit të sures Bekare do t'i mjaftojnë për një natë kujtdo që i lexon ato" (Buhariu)

Sigurimi kundër shejtanit:

Profeti (a.s.). ka thënë: "Kush thotë kur del nga shtëpia e tij: "Me emrin e Allahut, vetëm te Allahu mbështetem, nuk ka forcë as fuqi përveç forcës dhe fuqisë së Allahut” i thuhet: “Të mjafton ajo që the dhe Shejtani do të largohet prej tij.” (Ibn Maxhe)

Sigurimi për fitimin e xhenetit:

Pejgamberi (a.s.), ka thënë: "Kush e lexon Ajetin Kursij pas çdo namazi farz, nuk ka për ta ndaluar atë nga hyrja në xhenet asgjë përveç vdekjes.” Ky hadith ka dy kuptime:
a. Ky njeri është gjallë, prandaj nuk ka hyrë në xhenet.
b. Në botën tjetër nuk ka vdekje, pra nuk e pengon asgjë për të hyrë në xhenet. (Nesai dhe Ibn Hibbani, dhe e ka saktësuar Shejh Albani)

Sejidul - Istigfar më e përzgjedhura mënyrë e pendimit

O Allah, ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje; Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, e unë ndaj besëlidhjes dhe premtimit Tënd do të qëndroj besnik sa të mundem. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar. Jam mirënjohës ndaj dhuntive të Tua, i pranoj gjynahet e mia, prandaj më fal, sepse vërtet gjynahet nuk i fal askush tjetër përveç Teje!
Profeti (a.s.), tha: "Kush e thotë këtë lutje gjatë ditës, me bindje të plotë në lutjen e tij dhe vdes para se të ngryset, ai do të jetë banor i Xhenetit. Gjithashtu, kush e thotë këtë dua në mbrëmje dhe vdes para se të agojë, ai do të jetë banor i Xhenetit.” (Buhari)

Siguria ndaj fatkeqësive të papritura:

"Kush e thotë këtë dua tri herë në mëngjes dhe në mbrëmje, nuk do t'i bëjë dëm asgjë:'
Me emrin e Allahut pranë emrit të të Cilit nuk bën dëm asgjë në tokë dhe as në qiell, Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë. (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi)



Naim Drijaj


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi