Xhamia e Kalasë së Prizrenit

E drejtë e përkujdesjes për xhamitë e Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së mbramë, e që e falë namazin, jep zeqatin, e nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit. (Et- Tevbe, 18)

Qytetarët e Prizrenit kërkojnë rindërtimin e xhamisë së Kalasë. Ata kërkojnë që kalasë t'i kthehet pamja dhe madhështia, kurse xhamia të rindërtohet aty ku ka qenë. Kjo do ta pasuron te mozaikun e këtij qyteti të vjetër të Lidhjes Shqiptare me objekte fetare të tri feve.
Arsimimi socialist dhe i ateizuar, në periudhën e Jugosllavisë, formoi tek inteligjenca shqiptare ndjenjën se Islamin duhet ta ruajnë në intimitetin e tyre. Ndërkaq, për një shqiptar jofetar, Islami është vetëm një fenomen margjinal.
Në sistemin monist, ruajtja e trashëgimisë historike islame në rajonin tonë nuk shihej me sy të mirë dhe kishte konotacion negativ politik. Ne, myslimanët, që jetojmë në kontinentin evropian, ballafaqohemi me një numër dilemash dhe vështirësish në përpjekje për të ruajtur identitetin tonë fetar e kombëtar.
Çdo veprim i pamatur dhe me karakter tendencioz është i dëmshëm, prandaj nuk duam që të përsëritet përvoja dhe mendësia e monizmit. Në kohën e Jugosllavisë, komunistët joshqiptarë nuk i shkatërruan faltoret dhe kishat e tyre. Krejt ndryshe vepruan komunistët shqiptarë. Në Shqipëri ata u ngritën kundër fesë dhe deklaruan shtetin e parë ateist në botë. Te ne, komunistët shqiptarë qenë shumë të përkushtuar në luftën kundër fesë dhe kulturës së tyre islame.
Përderisa të tjerët i ruajtën në një farë mase faltoret e tyre, sepse i konsideronin pjesë të kulturës, të historisë dhe të identitetit të tyre, kjo nuk ndodhi edhe me klasën tonë politike e atë intelektuale të asaj kohe.
Kjo mendësi vazhdon te një pjesë e tyre edhe pas rënies së komunizmit dhe shkëputjes sonë nga një shtet jo i natyrshëm. Sa herë që kërkohet të ndërtohet ndonjë xhami, aty ku populli ka nevojë, për arsye të panjohura dalin disa individë brenda dhe jashtë institucioneve dhe nxjerrin pengesa të panevojshme. BIK-u dhe këshillat e bashkësive islame në Kosovë, kërkojnë të ndërtohen xhami aty ku ndihet nevoja. BIK-u nuk kërkon të ndërtohen xhami politike, sikurse po ndodh me ndërtimin e disa faltoreve të tjera.
Është e drejtë legjitime e Bashkësisë Islame që të kërkojë të rindërtohen xhami aty ku i ka prishur dhe i ka shkatërruar pushuesi serb, apo që i kanë shkatërruar komunistët në kohën e Jugosllavisë.
Disa komunistë në Shqipëri kishin marrë kazmat dhe kishin shkatërruar xhamitë. Kam takuar të tillë të cilët, pas rënies së diktaturës, ishin penduar dhe ndiheshin të turpëruar nga veprimi i tyre i pakuptimtë. Edhe në Kosovë kishte komunistë që i nxirrnin pengesa Bashkësisë Islame dhe e pengonin veprimtarinë fetare të saj.
Por, tani, pasi erdhi demokracia dhe formuam shtetin tonë, na duket e pakuptimtë kur shohim disa njerëz që hezitojnë herë pas here, apo edhe nxjerrin pengesa në ndërtimin e xhamive aty ku ka nevojë popullata, apo aty ku janë shkatërruar nga pushtuesi serb ose nga nomenklatura komuniste.
Njoh njerëz që vijnë në xhami, të cilët më herët kanë qenë pre e ideologjisë komuniste, që tashmë janë penduar dhe ndihen në vështirësi, për shkak të disa veprimeve që kishin bërë kundër fesë dhe besimtarëve.
Urojmë që të mos nxirren pengesa kundër kërkesës së Bashkësisë Islame për ndërtimin e xhamisë së Kalasë, që është dëshirë dhe kërkesë gjithë popullore e banorëve të Prizrenit dhe jo vetëm.
Xhamia do të ndërtohet, sot apo nesër! Prandaj kushdo që do ishte kundër ndërtimit të xhamisë nuk do t'i bënte nder as vetes dhe as institucionit ku punon. Një ditë do të ndihen në siklet, sikurse shumë ish-komunistë për veprimet e tyre.
Xhamia nuk është e huaj për ne, ajo është pjesë e kulturës sonë, pjesë e historisë, e së kaluarës, e së tashmes dhe e së ardhmes së popullit tonë, pjesë e identitetit dhe pasuri e trashëgimisë sonë fetare.
Le të zhvishemi nga ndjenja e inferioritetit. T'i kthehemi popullit, të flasim me gjuhën e tyre, të jetojmë me hallet e tyre, të bashkëndiejmë gëzimin dhe hidhërimin me ta. Të jemi zëri i tyre. Le të jemi në anën e duhur të historisë. Përndryshe historia nuk do të na falë.
Edhe një herë: Qytetarët e Prizrenit kërkojnë rindërtimin e xhamisë së Kalasë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi