Recension për librin "Muhamedi a.s. mëshirë për mbarë njerëzimin” të Samir Ahmetit

Nëse "Rrëfime për të dërguarit e Allahut" i Hafidh bin Kethirit është tepër shkencor, vazhdimisht mbështetet në citate kuranore dhe hadithe profetike saqë eliminon tërësisht narrativen, historinë/ngjarjen, dhe "Të dërguarit e Allahut" e Ahmed Behxhetit është tepër letrare, historitë/ngjarjet i rrëfen mbi bazë fetare por në formë letrare (artistike), libri "Muhamedi a.s. mëshirë për mbarë njerëzimin" i Samir Ahmetit, për aq sa përfshin historinë e Muhamedit a.s., qëndron në mes këtyre dy modeleve: citon Kuranin dhe hadithet aq sa të mos transformohet historia/ngjarja, dhe nuk lëshohet në rrëfim aq sa të kalojë në histori/ ngjarje krejt letrare artistike.

1.

Të shkruash për jetën e pejgamberëve, apo për jetën e një pejgamberi, s'është gjë e lehtë. S'është e lehtë sepse para së gjithash duhet pasur parasysh se pejgamberi s'është njeri i zakonshëm. Sido që ta kesh perspektivën e gjykimit, mbështetja në fakte duhet të jetë alfa dhe omega e tekstit që shkruan. Ndërsa kur është fjala për Muhamedin a.s., kujdesi dhe mbështetja në faktografi duhet të jetë edhe më e madhe, dhe kjo sepse figura e tij, përveç tjerash, në historinë njerëzore ka thyer rekordin edhe për sasinë e studimeve dhe shkrimit për të jetën e tij. Pra, Muhamedi a.s. është personi për të cilin më së shumti është studiuar e shkruar gjatë gjithë historisë së njeriut.
Në librin e tij "Muhamedi a.s. mëshirë për mbarë njerëzimin" Samir Ahmeti ka dëshmuar që di të shkruajë në shkencën e Historisë, dhe veçanërisht për jetën e pejgamberëve. Mbështetja e vazhdueshme në burime dhe fakte këtë autor nuk e kanë lënë të lajthitë në aspektin shkencor. Mjafton përmendja e 433 fusnotave për ta dëshmuar fuqinë argumentuese, orientuese dhe shtjelluese të këtij libri.

2.

Siç thotë edhe autori ky libër ofron pasqyrë të përgjithshme të personalitetit njerëzor dhe profetik të Muhamedit a.s., duke pasur parasysh edhe përshkrimin e gjendjes së shumanshme njerëzore dhe rajonale të regjionit të venddërgatës së fundit (Samir Ahmeti, "Muhamedi a.s. mëshirë për mbarë njerëzimin", Dituria Islame, Prishtinë, 2015 f. 7-8).
Mbi bazë të kësaj kuptojmë se ky libër nuk flet vetëm për personin, por edhe për vendin, kohën dhe rrethanat në të cilat jetoi protagonisti, Muhamedi a.s.
Prandaj, ky libër na del me këtë strukturë:
Kapitulli i parë: që flet për periudhën para lindjes së Muhamedit a.s. e deri te lindja e tij;
Kapitulli i dytë: që flet për periudhën nga lindja e Muhamedit a.s. e deri te fillimi i shpalljes
Kapitulli i tretë: që flet për fillimin e shpalljes dhe periudhën mekas e dhe njëherit është më i gjati; Kapitulli i katërt: që flet për formimin e shtetit islam dhe periudhën medinase;
Kapitulli i pestë: që thekson luftërat para betejës së Bedrit dhe pas saj, dhe;
Kapitulli i gjashtë: që flet për qëndrimin e fiseve beduine arabe ndaj Muhamedit a.s. dhe mesazhet e Muhamedit a.s. dërguar mbretërve të ndryshëm të asaj kohe.
Ndërsa si veçori të librit, e të cilat i përmend edhe vetë autori, mund të përmendim: numrin e konsiderueshëm të literaturës së konsultuar, mësimet e nxjerra nga njësitë e trajtuara etj.
Nëse "Rrëfime për të dërguarit e Allahut" i Hafidh bin Kethirit është tepër shkencor, vazhdimisht mbështetet në citate kuranore dhe hadithe profetike saqë eliminon tërësisht narrativen, historinë/ngjarjen, dhe "Të dërguarit e Allahut" e Ahmed Behxhetit është tepër letrare, historitë/ngjarjet i rrëfen mbi bazë fetare por në formë letrare (artistike), libri "Muhamedi a.s. mëshirë për mbarë njerëzimin" i Samir Ahmetit, për aq sa përfshin historinë e Muhamedit a.s., qëndron në mes këtyre dy modeleve: citon Kuranin dhe hadithet aq sa të mos transformohet historia/ ngjarja, dhe nuk lëshohet në rrëfim aq sa të kalojë në histori/ngjarje krejt letrare artistike.

3.

Derisa në shumë libra të historisë gjejmë ngritje paralelesh krahasimi të pejgamberëve me njerëzit e rëndomtë, e që nuk është e drejtë sepse një krahasim i tillë për pejgamberët është nënçmues dhe diskreditues, ky libër, si pasues filozofisë islame dhe autorëve si Dr. Muhamed Seid Ramadan El Buti e të tjerë, në shqip vjen edhe si model i shkrimit të historisë së pejgamberëve, përkatësisht pejgamberit a.s. nga autorët shqipshkrues.
Për ta kuptuar më qartë poentën e kësaj që thamë më lart, do ta rikujtojmë librin "100 njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit", të historianit amerikan Majkëll Hart (Micheal H. Hart), që u botua në vitin 1978. Megjithëse Muhamedin a.s. e rendit në vendin e parë, për Muhamedin a.s. renditja e tij në një paralele me, për shembull Hitlerin, ... etj., patjetër se është diskredituese.
Prandaj, libri i Samir Ahmetit vjen si vlerë edhe në këtë aspekt, sepse asnjëherë nuk ngre paralele krahasimit të pejgamberit a.s. me çfarëdo njeriu. Epo, si mund të krahasohet cilido njeri me Muhamedin a.s.?!

4.

Meqë në fillim të këtij recensioni thamë se të shkruash për jetën e pejgamberëve, apo për jetën e një pejgamberi, s'është gjë e lehtë, do ta shpërfaqim edhe më gjerësisht arsyen pse mendojmë kështu. Historia është shkencë që bazohet në një tërësi faktesh për një ngjarje apo dukuri të rëndësishme e me të cilën ndërlidhen fatet e njerëzve, popujve apo ndonjë grupi të caktuar shoqëror. Mirëpo në fe jo gjithmonë faktet janë mundësi dhe burim. Në fe, para së gjithash duhet të jetë besimi. Assesi nuk është i argumentueshëm udhëtimi i Muhamedit a.s. nga Meka në Jerusalem, dhe nga aty në qiell. Në këtë pikë Historia si shkencë çon duart lart, dhe ia lëshon rrugën besimit. Dhe, është pikërisht ky element që gati vazhdimisht ka munguar në veprat e historisë islame (me përjashtim të autorëve që sensin letrar e kishin të zhvilluar, dhe kështu ditën t'i japin shpirti emocion tekstit). Në to, kur lexojmë për historitë e pejgamberëve, lexojmë si për historitë e ndonjë njeriu të zakonshëm. Demitizimi i tyre (eliminimi i elementit të besimit) veprat e historisë së profetëve shpesh i ka bërë më pak të lexueshme, dhe, përkatësisht edhe më pak të besueshme. Asnjë besimtar nuk dëshiron që Muhamedi a.s. të jetë i ngjashëm me të apo me ndonjë njeri tjetër, sepse në realitet edhe nuk ishte. Ndërsa Historia, duke tentuar të bazohet shumë në faktografi, shpeshherë pejgamberët i ka çpejgamberizuar dhe i ka njerëzuar më tepër sesa ishin në realitet. Mbajtja e një ekuilibri mes faktografisë dhe elementit të besimit/mitit gjithmonë ka qenë sfidë e historisë islame.
Në fund të fundit, një recension si ky është vetëm një perceptim subjektiv.


Artikulli i kaluar
Xhamia e Kalasë së Prizrenit
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi