Sa herë që vjen muaji në të cilin ti linde, ulem, të imagjinoj para syve e dua të të flas. Edhe pse të përfytyroj të heshtur para meje, kujtoj thëniet e tua, të cilat më bëjnë që të krijoj një imazh me lëvizjet e buzëve të tua dhe fytyrës tënde.
Emocionohem dhe dridhem i tëri kur vë në peshore veprat e mia të deritanishme dhe se sa shumë prej tyre janë larg udhëzimeve dhe këshillave të tua, edhe pse mundohem dhe dëshira është e madhe që të të bindem për çdo gjë. Në këtë kohë kur haramet janë shtuar shumë dhe, ç’është më e keqja, shumë prej tyre na paraqiten si norma dhe standarde për t’u ndjekur, kam shumë nevojë të të kem pranë, që, sa herë kur jam pranë veprimit të ndonjë gabimi a mëkati, të më paralajmërosh, të më tërheqësh vërejtjen e të më pengosh nga kryerja e tij, të më kapësh për krahu për të mos rënë në dërrasë të kalbur. Edhe pse s’ke lënë çështje pa sqaruar, prapëseprapë, si qenie njerëzore që jam, ndodh që të mos jem gjithmonë i vëmendshëm ndaj urdhëresave të tua, prandaj dua të jesh shoqëruesi im nga mëngjesi deri në mbrëmje. Zoti më nderoi e lartësoi duke më bërë pjesë të umetit tënd, por me lëshimet e mia të herëpashershme ndihem keq, mendoj dhe pyes veten: Ku jam unë e ku ke qenë ti o i dashuri Profet (në lidhje me respektimin dhe zbatimin e obligimeve si besimtar i fesë islame?! Sa më shumë kalon koha, aq më shumë i duhesh njerëzimit. Sa më shumë ikin vitet, aq më shumë zhyten njerëzit në errësirë, ndërsa ti je llambadari që mund t’i nxjerrësh nga terri që i ka pllakosur dhe që i ka pushtuar. Eja dhe jepi fund padrejtësive që janë shtrirë gjerë e gjatë në mesin e njerëzve; eja dhe jepi fund gjakderdhjeve që po shfarosin vende e popuj; që po marrin jetë njerëzish të pafajshëm; eja dhe lehtësojua plagët nënave, që po u vajton shpirti për foshnjat dhe fëmijët e tyre, të cilëve terrori i fuqive djallëzore u mori dhuratën më të shenjtë të Zotit, jetën; eja dhe mbill njerzillëkun që është shkulur nga rrënjët në zemrat e njerëzve; eja dhe përgëzoji të përvuajturit; eja dhe eja…
Unë jam njëri nga ata, që edhe pse s’të pashë me sytë e kësaj bote, të besova dhe rrugën tënde ndoqa, pasi ajo m’u duk më e drejta dhe nuk jam i vetmi, si unë janë edhe miliona të tjerë. Ata që s’më njohin, kur më pyesin se kush jam, dua t’iu përgjigjem: “Jam vëllai i Muhamedit” – Paqja e Zotit qoftë mbi ty, pasi ti, të tillë na konsiderove të gjithëve ne që, edhe pse s’patëm fatin të ishim bashkëkohës të tu, pasuam hapat dhe mesazhet që ti na solle i vumë në praktikë në jetën tonë. Çdo ditë, kur dëgjoj tek jehon emri yt nga lartësitë e minareve gjatë ezanit, eci nëpër rrugë dhe më duket sikur fluturoj nga gëzimi, pasi me emrin tënd lagen dhe lëvizin gjuhët e thirrësve të ezanit (myezinëve), bartësit e zërave kumbues dhe melodioz.
Edhe pse linde dhe jetove në tokë, emri yt lartësohet dhe valëvitet në hapësirë si retë e bardha që zbukurojnë qiellin, si luledelet që zbukurojnë lëndinat. Ti je personi të cilin gjuha jonë lakon më së shumti, ku më e pakta është se të përmendim disa herë në secilin prej namazeve obligative gjatë ditës. Aq sa të përmendim ty s’përmendim as njerëzit tanë më të afërt. Ky është një fakt i pakontestueshëm që Allahu të ka bërë pjesë të pandarë të besimtarëve myslimanë, të cilët në intervale kohore të caktuara gjatë ditës dhe natës, emrin tënd shqiptojnë dhe, nëpërmjet këtij veprimi, të vetmin Zot – Allahun e Lartësuar, madhërojnë dhe lavdërojnë. Ky fakt vërteton gjithashtu se ti je më i dashuri i Zotit ndër njerëz e ndër profetë, si dhe më i dashuri në zemrat e atyre që me besim të patundur pranuan Allahun për Zot, Islamin për fe, si dhe ty për profet, të dërguar të Zotit, përgëzues, udhëzues, paralajmërues, qortues, si dhe shëmbëlltyrë e model për ta në jetë.
Sa herë kur lidhem në namaz, ndërkohë që jam vetëm, them me vete: “Ah sikur në krah të të kisha ty o Profet; të të kisha imam e të më këndoje pjesë nga Kur’ani që solle e të luteshim së bashku për shqetësime e probleme me të cilat përballet sot bashkësia njerëzore!” Do të doja t’i ndaja me ty brengat dhe gëzimet e mia, pasi ato ndahen me më të dashurit dhe ti je më i shtrenjti për mua. Këtë nuk po ta them sepse duhet thënë; këtë nuk po e shpreh thjesht për t’u dukur, jo, por sepse kështu e ndiej vërtet dhe vetëm i madhi Zot mund ta vërtetojë. Ti je i vetmi, për të cilin, edhe pse syri im s’të pa, lotoi dhe lagu faqet sa herë që dëgjova që ty të lënduan e të keqtrajtuan ata që s’të besuan dhe që dritën që ti solle u munduan ta fikin, por çelësat e asaj drite që ende vezullon, ishin ndezur nga lart dhe dora njerëzore sado që u mundua, mundohet e do të vazhdojë ta bëjë, kurrë s’do të mundet ta arrijë. Ky është një premtim hyjnor që sfidon çdo fuqi dhe “superfuqi” të atyre që mendojnë se disponojnë. Ti je i vetmi, që edhe pse syri im s’të pa, për ty u përmallua; edhe pse veshët e mi zërin tënd s’e dëgjuan, pas melodisë së zërit tënd u afeksionuan; duart e mia edhe pse s’të përshëndetën fizikisht, drejt teje zgjaten çdo ditë. Si është e mundur që të përmallohesh pas dikujt që s’e ke parë, pas dikujt që zërin s’ia ke dëgjuar, pas dikujt që s’e ke takuar?! Vërtet çudi, por ja që ndodh. Ky është magneti i zemrës tënde që lidhi pas saj të gjithë ata që të njohën ballazi, por edhe neve që të njohëm në mënyrë indirekte. E kush të njohu ty dhe nuk ia fitove zemrën?! E kush jetoi me ty dhe nuk qe i gatshëm të sakrifikohej për ty?!
Të gjithë ata që gabojnë, kanë nevojë për dikë që t’i mbrojë dhe për ta të ndërmjetësojë. Jam shumë krenar që ndërmjetësi im dhe i mbarë myslimanëve Ditën e Llogarisë – Ditën e Gjykimit do të jesh pikërisht ti. Do të jesh ti, që do të kërkosh falje dhe mëshirë te Zoti i Gjithëpushtetshëm për të gjitha gjynahet tona. Do të jesh ti, që do të kërkosh amnisti për të gjithë besimtarët mëkatarë. Do të jesh i vetmi në atë ditë të vështirë, që do të synosh të shpëtosh umetin tënd (pra neve), ndërkohë që çdokush tjetër do të jetë i angazhuar dhe i preokupuar për të shpëtuar vetveten. Ti mban me vete kodin jo sekret, me të cilin do të hapësh portat e Xhenetit nga do të dynden vepërmirët e besimit islam, kod i cili është bërë publik që ditën e parë të profetësisë tënde dhe ai është: “La ilahe ilallah – Muhamed Resulullah – S’ka Zot tjetër pos Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij”. Kush e mori këtë kod dhe e ruajti me shumë përkushtim gjatë jetës së tij, do ta ketë si kartë identiteti me të cilën do të prezantohet para hyrjes së Parajsës, e cila do të hapet dhe besimdrejtëve do t’u thuhet: “Hyni në vendin e paqes së përjetshme dhe pa mbarim!”
Gjatë një viti punojmë dhe kursejmë shumë për të shijuar dy javë pushime gjatë tij, ndërsa unë jam i gatshëm të punoj e të shpenzoj gjithë jetën për të merituar pushimet përrallore në Parajsën e Premtuar, aty ku dëshira dhe ëndrra bëhet realitet në çast. Ndryshe nga këto takime imagjinare me ty, mezi po pres takimin e vërtetë, për të cilin lus Zotin të ma mundësojë e të mos më privojë, pasi prej vitesh jam nisur drejt teje Profet i dashur, derisa Zoti të na bashkojë, për të mos u ndarë më kurrë. /Drita Islame/