Njohja e feve kultivon qetësi

Hyrje

Tema rreth dialogëve, bashkëpunimeve, si dhe paqes e qetësisë njerëzore kalon përmes njohurive për fetë. Ngase ndikimi i fesë është shumë i rëndësishëm, dhe mund të bëhet edhe mjet përplasjesh, gjithmonë nëse keqinterpretohen apo keqpërdoren mjetet e saj. Në kohën bashkëkohore, kur të dhënat janë të shumta, sidomos përmes teknologjisë së lartë të internetit, studiuesi shpesh bie në grackën e propaganduesve qëllimkëqij.

Thirren në fe me fenomene që nuk kanë të bëjnë fare me të. Duke qenë pikë strategjike e takimeve qytetëruese e kulturore, populli ynë gjithnjë ka ofruar modelin e mundësinë, jo vetëm si vendtakim i civilizimeve, por edhe si komunikim i tyre, duke reflektuar kështu edhe mirëkuptim, harmoni e tolerancë. Kjo është vlerë e përbashkët që duhet ujitur e kultivuar, që ta zgjerojmë edhe më tej, që të japë frytet sa më të mëdha, pra për të mirën e shoqërisë në përgjithësi.

Devijimet vijnë nga mosnjohja esenciale e fesë

Mësimet bazike të feve gjithnjë kanë përmbajtur frymën e dashurisë, respektit dhe humanizmit drejt arritjes së kënaqësisë së Zotit. Është më se reale që botëkuptimet për fetë të jenë të ndryshme, por në parim ato kanë ngjashmëri e pika takimi. Mbulimi me propaganda ndarëse me qëllime të ndryshme dhe pa e njohur në thelb çështjen gjithnjë ka krijuar hapësira penguese e urrejtëse. Duke dashur t' i kontribuohet integrimeve dhe realizimeve paqësore për të mirën e njerëzimit, gjithsesi duhet t'i qasemi elementit fetar, nga shkaku se është ndër faktorët e rëndësishëm në procesin e integrimit të perandorive mesjetare, por edhe shoqërive bashkëkohore. Ky element i kamufluar, i keqpërdorur e i devijuar, lë pasoja të mëdha. Thënë më qartë, njohja e fesë shmang keqpërdorimet dhe na ofron rrugët e integrimeve. "Një numër i madh problemesh akute të botës së sotme zanafillën e tyre e kanë edhe në mosmarrëveshjet fetare, ose edhe në keqinterpretimin e fesë për qëllime politike, ekonomike e të ngjashme. Andaj, studimi i këtyre problemeve, edhe në aspektin fetar, mund të ndihmojë në eliminimin e disa keqkuptimeve që kohë pas kohe shfaqen jo vetëm në rajonin ballkanik e në opinionin kosovar, por edhe më gjerë, për shkak të mosnjohjes së rolit dhe misionit që duhet të luajnë fetë në shoqërinë njerëzore."(1)

Komunikimi ofron qetësi

Dijetari nga Malajzia El Atasi, qytetërimin perëndimor e sheh si një ndër sfidat më të mëdha të njerëzimit në shekujt e fundit, kurse dijen që përhap Perëndimi e sheh si sfidën më të madhe.(2) Por, komunikimi mes qytetërimit perëndimor dhe dijes islame prodhon jo vetëm paqe, por edhe prosperitete që bota i ka domosdoshmëri të funksionimit.
Për këtë kërkohet studim e hulumtim për t'i gjetur pikëtakimet dhe për t'i futur në funksion ato. Studimi krahasimtar e historik mes Islamit e bindjeve të Lindjes në Perëndim ka ndikuar që Islami dhe myslimanët të mos kuptohen drejt, apo edhe me qëllim u bënë krahasime joadekuate. Pavarësisht kësaj, ka edhe shkrime konstruktive dhe me vlerë shkencore dhe historike. Edhe pse u shkruan një numër të madh veprash rreth Islamit, në të shumtën e rasteve ato iu qasën fenomenit duke e trajtuar Islamin jo në nivelin shkencor e të bazuar në burimin e vetë që e ka, por edhe përmes mendimeve individuale apo grupeve të vogla që nuk e përfaqësojnë Islamin. Kurse, nga ana tjetër, studimi krahasues mes budizmit e hinduizmit e botëkuptimeve tjera jo qiellore, solli gjithashtu një lajthitje drejt origjinalitetit dhe fesë së Zotit. Kjo mospërputhje shpeshherë provokoi edhe konflikte që reflektohen si të hapura, e që ekzistuan ndërmjet sistemit arsimor islam dhe atij perëndimor, si dhe synimeve themelore të tyre; kjo patjetër duhet të bëhet objekt i hulumtimeve serioze të njerëzve të preokupuar me zhvillimin dinamik dhe frytdhënës të shoqërisë islame.(3)

"Copy - Paste"

Gazetarët, analistët e opinionistët dembelë e pa ndonjë hulumtim, por me atë që teknologjia bashkëkohore ua ka mundësuar ta gjejnë ndonjë shkrim nëpër faqe të ndryshme të internetit përmes një klikimi, shkruajnë, analizojnë apo plasojnë te publiku i gjerë "mendimet e tyre" pa i studiuar si duhet. Apo, ata edhe i marrin nga gjuhët evropiane me google translacion, dhe i plasojnë te publiku, ndoshta edhe pa i lexuar vetë. Këtë e vërejmë shpesh, sidomos te terminologjitë apo emërtimet. Kjo i bën dëm shkencës e opinionit, ngase për të paraqitur një temë aktuale duhet hulumtime dhe marrje mendimesh, për të sjellë një krahasim apo konkluzion. Por, nga përtacia shpesh hasim në punime "Copy Pastë". "Shumë myslimanë kanë shkruar e kanë diskutuar se fuqitë perëndimore do të kishin bërë shumë më tepër sikur popujt e viktimizuar si boshnjakët, palestinezët dhe çeçenët të mos kishin qenë myslimanë, dhe sikur "terrorizmi" të mos kishte rrjedhur nga "Islami."(4) Por, këto konstatime nuk janë të argumentuara, siç është rasti i Kosovës, i cili theu këtë sajim, ngase duke qenë myslimanë kosovarët edhe u ndihmuan.
Mendimeve devijuese për Islamin nga shkrimet me pretekst provokues mund t'u vihen përballë grupet e intelektualëve myslimanë, në këtë rast shqiptarë që përpos burimeve nga libri i shenjtë mund të sjellin edhe argumentet nga vendi e historia e tyre, apo nga bashkëjetesa që sigurisht mund ta ketë vendin e saj në këtë diskutim. Pastaj, kjo lehtë jep frytin duke iu shmangur ideve që vijnë nga qarqe që janë pseudo-shkencore, emocionale, të cytura e me pretekst, apo edhe atyre që janë rezultat i shekullarizimit disa-shekullor. Krejt kjo ndodh me qëllimin që t' i sjellim shoqërisë dobinë e të qenit i kulturuar, dialogues e tolerant. Është i rëndë krimi i medies dhe informimit kur i shtohet një islamofobi, pra i bazuar kryesisht në rrjedhat komuniste-ateiste. "Derisa mediet evropiane i paraqesin myslimanët si armiq të brendshëm, mediet në Kosovë mundohen që të shlyejnë çdo atribut islam, dhe t'i atakojnë ato për t'i bërë të huaj dhe për t'i paraqitur si kërcënim potencial për vetë proceset integruese evropiane.(5) Shoqërisë intelektuale bashkëkohore i bie barrë që në mes këtyre debateve verbale të gjendet një modus që i përafron mendimet me qëllimin e së ardhmes paqësore.

Shqiptarët kanë vlera integrimi

Myslimanët shqiptarë, si shumicë, bashkuan forcat me bashkëkombësit e tyre të feve të tjera, duke parë rrezikun e mohimit të kombit si tërësi, dhe propagandimet e shumta kundër "Muhamedanizmit", siç etiketohej atëbotë Islami.
Kështu ata u harmonizuan mes vete pa dallime fetare, dhe i dhanë një goditje të rëndë planeve të fqinjëve që kishin për qëllim të copëtonin trojet shqiptare e t'i ndanin mes vete. Dijetarët myslimanë e shqiptarë, me sinqeritetin më të lartë dhe me aktivitetet praktike arritën t'i përcjellin masës myslimane shqiptare natyrën origjinale të fesë islame, e cila në thelb nuk ndalej vetëm në rite e adhurime me karakter asketik, me urrejtje të të tjerëve, por ishte planprogram jete dhe njohje bindjesh të tjera. Duke i shtuar edhe konceptin funksional kombëtar, dhe duke u afruar mes vete për mbrojtje të identitetit, kjo gjë u pa qartë në rolin që ka pasur kleri mysliman shqiptar në gjetjen e ombrellës teologjike, për ta vënë atë në shërbim të angazhimeve me karakter përfitimi kombëtar dhe ekzistencial.(6)
Shqiptarët janë vazhdimisht të gatshëm të sjellin mirëkuptimin dhe kuptimin real të familjes evropiane, të cilës edhe i takojnë, por edhe për t' i ofruar mbarë njerëzimit vlerat e tyre më të vyera të bashkëjetesës ndërfetare, të tolerancës e të mirëkuptimit. Detyrë e prijësve fetarë duhet të jetë përqendrimi në parimet fe-tare, që nëpërmjet predikimit te masa e gjerë e popullit të mbjellin ndjenjën e dashurisë, respektit e mirëqenies së përgjithshme, të cilat në parim janë edhe vlera të të gjitha besimeve qiellore.(7)


________________
(1) Naim ef. Tërnava, "Ligjërime për fe e atdhe" Prishtinë, 2015.
(2) Prishtinë, 2015, f.52, (Fjala e Myftiut, Mr. Naim Tërnava, në Universitetin Yell" në SHBA, 28 Gusht 2008.( 2) Syed Muhammad Naquib Al-Atlas, Islam i sekularizam, Sarajevo, 2003, f. 193. Cituar nga N. Ibrahimi.
(3) Nexhat Ibrahimi, E ndryshueshmja dhe e pandryshueshmja në Islam përballë sfidave euro-perëndimore, në F. M. Sh. "Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim", Tiranë, 2008,
(4) Edvar V. Said, "Shtrembërimi i Islamit", Logos, Shkup f. 14.
(5) Besa Ismaili, Gratë në Kosovë dhe integrimi në Evropë, në F. M. Sh."Integrimi i shqiptarëve ... ", cit. 48.
(6) Kreshnik Osmani, Standardet e integrimit evropian janë kërkesa islame përpara se të jenë kushte për integrim. në, F. M. Sh. E cit, f. 23.
(7) Naim ef. Tërnava, Ligjërime për fe e atdhe, 2, f. 52.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi