Fillet e përkthimit të Kuranit
Muhamedi s.a.v.s., sundimtarëve të kohës së tij u dërgonte misionarë me letra, duke i ftuar ata në Islam. Këto letra përmbanin ajete kuranore, të cilat janë përkthyer në gjuhë të caktuara (gjuhë të sundimtarëve). Po të ishte kategorikisht i ndaluar përkthimi i ajeteve kuranore, Muhamedi s.a.v.s., nuk do të urdhëronte që ajetet kuranore të përktheheshin në gjuhë të tjera. Në qoftë se është e lejuar që të përkthehen pjesë të veçanta të Kuranit, është e logjikshme që të jetë i lejuar edhe përkthimi i tekstit të tij në tërësi. Në një letër të cilën Muhamedi s.a.v.s., ia dërgoi sundimtarit të Perandorisë Bizantine, Herakliut, ndër të tjerash, ishte shkruar edhe ajeti 64 i sures Ali Imran.
Muhamedi s.a.v.s., gjithashtu ka lejuar që fragmente të Tevratit (Torës) t'i lexohen në gjuhën arabe, edhe pse ishin zbritur në gjuhën hebraike.(1) Nëse Muhamedi s.a.v.s., lejoi që fragmente të Tevratit (Torës) të lexohen para tij, në gjuhën në të cilën nuk janë shpallur, atëherë është e logjikshme që një gjë e tillë të lejohet edhe me përkthimin e Kuranit në gjuhë të tjera, e aq më shumë që Kurani është mesazh universal-drejtuar njerëzimit.(2)
Në shekujt e parë të Islamit, pavarësisht zhvillimit të përgjithshëm, ka pasur kërkesa, por edhe kundërshtime rreth interpretimit të Kuranit, e pak më vonë edhe për përkthimin e tij në gjuhë të tjera, Kjo konfirmon faktin se përmbledhja e parë e madhe e literaturës tefsirore u shfaq në shek. III./IX. Arsyet për këtë qëndrim janë të shumta, por arsyeja kryesore ishte se Kurani është shpallur në gjuhën e pastër arabe. I Plotfuqishmi thotë në Kuran "S'ka dyshim se Ne e bëmë atë Kuran arabisht, në mënyrë që ju ta kuptoni." (Ez Zuhruf, 3)
Sa i përket problemit të gjuhës së Kuranit, Esh Shafi thotë se Kurani është shpallur në gjuhën e pastër arabe, ndërsa Ebu Ubejd, në anën tjetër, beson se Kurani përmban një numër të fjalëve të huaja. Imam Et Taberiu, komentuesi i njohur i Kuranit, është përpjekur të pajtojë këto dy pikëpamje, dhe thotë se elementet e supozuar a të huaja në Kuran ishin fjalë të thjeshta që gjuha arabe dhe gjuhët e tjera i kishin të përbashkëta. Gjithashtu, Prof. Dr. Jusuf Ramic dhe Nerkez Smailagic janë të mendimit që ka fjalë të huaja në Kuran.(4)
Dijetari A. L. Tibavi, në fillim të punimit të tij "Is The Qur'an Translatable? - A është Kurani i përthyeshëm?", thotë: "Çdo përkthim i Kuranit e paraqet papërshtatshmërinë e vet. Sepse përkthimi duhet domosdoshmërish të përfshijë ato pjesë të Kuranit që në mënyrë të qartë në vetvete tërheqin vëmendjen se Fjala e Zotit xh. sh., i është shpallur Muhamedit s.a.v.s., në arabishte.(5)
Në shek. XIX dhe XX teoria e përkthimit të Kuranit përjetoi zhvillim të dukshëm dhe pasurim në mendimin tradicional rreth papërkthyeshmërisë së Kuranit në ndonjë gjuhë tjetër. Vetë Muhamedi s.a.v.s., fliste për më shumë mënyra të citimit të Kuranit, e që pa dyshim se nxiste për ndërgjegjësim polisemik dhe të karakterit të lartë polisemik të tekstit kuranor. Janë të njohura fjalët e tij, se: "Kurani është shpallur në shtatë mënyra të ndryshme."(6)
A është i mundur përkthimi i Kuranit?
Dijetari i madh boshnjak, profesor Husein Xhozo, rreth përkthimit dhe interpretimit të tij të Kuranit, thotë: "Detyra e komenteve tona është që brenda kufijve të aftësive dhe mundësive tona që na ofron koha në të cilën jetojmë, si dhe nivelit të përgjithshëm të të arriturave shkencore, të nxirren në pah mësimet themelore të Kuranit dhe koncepteve islame, t'u jepen interpretime më të reja dhe më moderne ... "(7)
Muhamed Asadi, në për kthimin e tij të Kuranit në gjuhën angleze, me titull "The Message of the Qur'an" (Mesazhi i Kuranit), thotë: "Edhe pse është i pamundur reproduktimi i Kuranit si i tillë në ndonjë gjuhë tjetër ... , unë jam plotësisht i vetëdijshëm se përkthimi im nuk "veproi me drejtësi", e as që kishte mundësi kundrejt Kuranit dhe shtresave të panumërta të kuptimit të tij."(8)
Në pyetjen e Dr. Enes Kariqit rreth përkthyeshmërisë dhe përkthimit të Kuranit, në një intervistë që kishte me Dr. Nasrin, ky i fundit dha këtë përgjigje: "Sa i përket përkthimit, nga një pikëpamje Kurani është i papërkthyeshëm, në atë kuptim se duke qenë se është shpallur në gjuhën arabe solli me vete edhe përfundimin, së paku sa i përket formës në të cilën Zoti deshi që Shpallja e Tij e fundit t'i zbulohet njerëzimit. ( ... ) Vetë Kurani mbetet konstant, tekst i pandryshueshëm. ( ... ) Nuk mund të thuhet se pranimi i Kuranit nuk është i formës së prerë ose përfundimtare. ( ... ) Prandaj, Fjala e Zotit është e tillë, që kuptimi i saj nuk është i kufizuar. Ajo është bërë në mënyrë që të jetë e kuptueshme për të gjitha qeniet njerëzore të të gjitha gjeneratave dhe hapësirave."(9)
Mendimet e dijetarëve islamë rreth përkthimit të Kuranit
Joarabët që e pranuan Islamin, me variacione të ndryshme gjuhësore kanë parë nevojën që ta kuptojnë Kuranin, si dhe obligimin që ta përdorin atë në namaz. Nga ana tjetër, myslimanët duke e zgjeruar ndikimin e tyre, panë nevojën dhe detyrimin që ta komunikonin mesazhin islam (teblig), kështu që Ebu Hanife "lejoi që me përkthimin e Kuranit të kryejmë namazin".
Megjithatë, Ebu Hanife këtë fetva të tij më vonë e shfuqizoi. Edhe nxënësit e Ebu Hanifës, Ebu Jusufi dhe Muhamed Esh Shejbani konsideruan se është e lejuar që të përkthehet Kurani. Shkolla juridike islame hanefite lejoi shkrimin e përkthimit vetëm nëse shoqërohet me origjinalin në arabishte. Një pikëpamje të ngjashme rreth problematikë s së përkthimit të Kuranit kishte edhe Ez Zamahsheriu. Ndërsa, juristët islamë të shkollës malikite dhe hanbelite nuk e lejojnë recitimin e përkthimit të Kuranit në namaz.(10)
Imam Shafiu, në Kitabur-risaleti fi usulil-fikhi, thotë: "Nuk ka qenie njerëzore, përveç nëse ajo është pejgamber i Zotit, e cila mund ta zotërojë plotësisht gjuhën arabe. Megjithatë, çdo mysliman duhet ta mësojë gjuhën arabe deri në kufirin e fundit të aftësive të veta ... "
Imam Buhariu (vdiq në v. 870) dhe komentuesi i tij Askalani (vdiq në v. 1448), që të dy autorë të rëndësishëm në shkencën e traditës, kanë lejuar përkthimin e Kuranit në të gjitha gjuhët "e huaja". Filologu Ibën Kutejbe (i lindur në v. 213 h.), pavarësisht nga origjina e tij persiane, pohon se nuk ka përkthyes që është në gjendje ta shprehë gjuhën arabe në ndonjë gjuhë tjetër.
Ihvanus-Safa (gjysma e dytë e shekullit të katërt h.), me prirjen filozofike dhe origjinë e përzier racore të disa prej anëtarëve të tyre kryesorë, më shumë janë në vijën e Ebu Hanifes se të Shafiiut, që edhe mund të pritej.
El Gazaliu (i lindur në v. 450 h.), në diskutimin e tij rreth atributeve të Zotit në Ilxhamul-Awwam, përmend se Kurani nuk është i përkthyeshëm, ose se myslimani nuk duhet ta përkthejë atë.
Es Sujutiu, në Itkanin e tij, citon fjalët El Kaffala, i cili në pyetjen e përkthimit të Kuranit u përgjigj me këto fjalë: " ... në përkthimin që është zëvendësim i një fjale me një tjetër, nuk është e mundur që të shprehet kuptimi i plotë i Fjalëve të Zotit xh.sh."
Ez Zerkeshi, kuranologu nga sh. XIV., në Burhanin e tij përmend se Kurani nuk duhet të lexohet në ibadet përveç në gjuhën arabe, duke pasur parasysh se "përkthimi i tij" nuk është mrekulli .. !
Mustafa El Meragi, duke ndjekur logjikën e Ebu Hanifes, e cila shpaloset nga pikëpamjet e tij, thotë: "Është e vërtetë se përkthimet e Kuranit nuk mund të emërtohen si Kuran, por kjo nuk do të thotë se nuk është e ligjshme që të përkthehet në gjuhë të tjera.”
Esh Sherkavi dhe Es Sabuni ishin kundër përkthimit të Kuranit, e megjithatë kanë lejuar përkthimin e "kuptimeve të Kuranit".
Dilemën se a është i lejuar përkthimi i Kuranit apo jo e zgjidhi Këshilli i Lartë i Ulemasë së Universitetit të Azharit, duke lëshuar mendimin juridik (fetvanë) në vitin 1936, në të cilën thuhet: "Kjo fetva shpjegon mundësinë e përkthimit të Kuranit me anë të përkthimit komentues/interpretues, duke sugjeruar pamundësinë e bartjes së drejtpërdrejtë të kuptimit të Kuranit, me karakteristikat e strukturës së tij në ara¬bisht, pra në gjuhë të tjera."(11)
______________________________
(1) Enes Karic, Tefsir, Bosanska knjiga, Sarajevë, 1995: f.. 258.
(2) Shih: A.L. Tibawi, op. cit., f. 317. Gjithashtu: N. Ibrahimi, Dimensione kur' anore, Logos-A, Shkup, 2003, f. 30-31.
(3) Fazlur Rahman, Duh Islama, Beograd, 1983, f. 71.
(4) Për më shumë mbi këtë temë shih: Alford T. Welch, "Jezik i stil Kur'ana", në: Enes Karic, Kur'an u savremenom dobu, I, Sarajevë, 1997, f. 387. Po ashtu: Mr. Enes Karic, "Ima li nearapskihrijeci u Kur'anu", Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, Libri XIII-XIV, Sarajevë, 1987, f. 135-152.
(5) A.L. Tibawi, “Is TheQur'an Translatable?", marr nga faqja e internetit: http:www.answering-islam.org/BooksjMW/translatablejkoran.htm, (linkuishte ak~~v: 30.04.2016). (6) Dr. Jusuf Ramic, Tefsir - historija i metodologija, Biblioteka posebnih izdanja - Knjiga 6., FIN, Sarajevë, 2001, f. 62-81. Po ashtu: Mehmed Handzic, Uvod u tefsirsku i hadisku nauku, Sarajevë, 1972, f. 11. (7) Husein Dozo, Prijevod Kur'ana s komentarom, l, Sarajevë, 1966, f. 6. (8) Poruka Kur'ana, pri¬jevod i komentar: Muhammed Asad, nga anglishtja përktheu:
Hilmo Cerimovic, El-kalem, Sarajevë, 2004. (Parathënie, f. XXX). (9) Enes Karic, "Intervju Enesa Karica sa Seyyedom Hosseinom Nasrom, Preporod, nr. 10/948, 15. maj, 2011, f. 32. (10) Shih:
Enes Karic, Semantika Kur' ana, "Bemust", Sarajevë,1998, f. 566- 567. (11) Për më shumë shih: Enes Karic, Kako tumaëiti Kur'an, Tugra, Sarajevë, 2005, f. 148.
Mr. Se. Azmir Jusufi