Shumë prej cilësive hyjnore janë të pranishme te krijesat tokësore dhe nëntokësore, sigurisht me një përqindje minimale në krahasim me ato të Zotit të Lartësuar. Njëra prej tyre është ndjenja e dashurisë, e cila buron direkt prej Zotit, i Cili e shpërndan dhe e instalon në çdo qenie të gjallë.
Me ardhjen e njeriut të parë në tokë dhe të çdokujt që lind, bashkë me të lind dhe dashuria, prania e së cilës zbukuron dhe forcon lidhjen e njerëzve midis tyre. Njeriut nuk i jep vlerë dhe kuptim konstrukti i tij fizik, por ato elementë përtej trupit dhe gjakut që përbëjnë njerëzoren e tij. Njeri nuk do të thotë të dallohesh nga krijesat e tjera thjesht vetëm nëpërmjet pamjes, por përmes cilësive dhe ndjenjave si: dashuria, dhembshuria, humanizmi, etj., të cilat janë komponentët kryesorë të asaj që quhet njerzillëk.
I Madhi Zot, nga bujaria e pakufishme që e karakterizon, çdo gjë që ka, e ndan me krijesat e Tij, aq më tepër me njeriun, me të cilin krenohet madje edhe në mesin e engjëjve. Pjesë nga dashuria e Tij zbriti dhe zuri vend në zemrën e njeriut, për t’u shtrirë e për t’u zgjeruar në dimensione të ndryshme. Me dashurinë ne takohemi ende pa lindur, pasi Allahu xh.sh. nxit nënat tona të na trajtojnë me dashuri, ndërkohë që ndodhemi në mitrën e tyre, mandej pas lindjes, dashuria që gjejmë tek ata që na rrethojnë, na bën të vetëdijshëm mbi vlerën dhe rëndësinë e saj.
Gjatë rritjes sonë, rriten edhe degët e dashurisë brenda nesh. Dashuri për prindërit, motra – vëllezër, të afërm, miq, kolegë, bashkëshorte, fëmijë, nipër-mbesa, etj. Sot, fatkeqësisht, kur përmendet fjala “Dashuri”, shumë njerëz perceptojnë vetëm atë midis një mashkulli dhe një femre, por ajo nuk është kaq e ngushtë, nuk është kaq e kufizuar.
Legjendat pagane të së shkuarës vijojnë ende të jenë pjesë e njerëzve të kohëve moderne, madje u japin rëndësi atyre dhe i manifestojnë si ngjarje jubilare dhe unike të jetës së tyre. Një prej tyre është 14 shkurti, që në shumë vende të botës, për të mos thënë në të gjitha, identifikohet edhe si “Dita e të dashuruarve”, apo “Dita e dashurisë” apo i ashtuquajturi “Shën Valentini”. A nuk është e ulët, që e gjithë dashuria që ekziston në mesin e njerëzimit, të simbolizohet vetëm me një ditë në vit, kur ajo duhet shfaqur gjatë gjithë vitit, pa u kushtëzuar nga ditë të caktuara të tij? Ç’vlerë do të kishte nëse do ta shprehnin dashurinë tonë edhe deri në maksimunin e saj, ndaj bashkëshorteve tona gjatë një dite, ndërsa në pjesën tjetër të javës, muajit apo edhe vitit, ta nëpërkëmbnim bashkudhëtaren tonë të jetës; nënën e fëmijëve tanë, atë që na dha emrin burrë, bashkëshort dhe na bëri të shijojmë ndjesinë e të qenit baba?
Feja islame vlerëson dhe nxit veprën e mirë, qoftë edhe e pakët, mjafton që të jetë e vazhdueshme. Luhatjet drastike nuk rezultojnë pozitive në pjesën dërrmuese të rasteve. Edhe dashuria e humbet kuptimin e saj të vërtetë në çdo marrëdhënie apo raport njerëzor, kur tregohet dhe shfaqet me tepricë në një kohë të caktuar, e pastaj humbet dhe zhduket sikur nuk ka qenë asnjëherë. Kjo situatë i përngjan bariut, i cili nga dëshira e madhe për ta ngopur sa më parë kafshën e tij, e lëshon për disa minuta në një arë me jonxhë dhe e lë të kullosë derisa fryhet, ndërsa pjesën tjetër të ditës e mban të mbyllur në stallë duke e privuar nga ushqimi.
Të shumta janë tekstet fetare që obligojnë dhe porosisin njerëzit që të ushqejnë dashuri për njëri-tjetrin. Le të mjaftohemi këtu duke shkëputur vetëm dy prej tyre: “Askush prej jush s’e ka besimin e plotë derisa të dojë për vëllanë e vet, atë që dëshiron për vete” (Hadith). “Duhuni dhe shkëmbeni dhurata me njëri-tjetrin” (Hadith).
Sa prej nesh duam për të tjerët, atë që dëshirojmë për veten tonë? Nëse do të gërmojnë në zemrën tonë, çfarë do të gjejmë më shumë: dashuri apo urrejtje kundrejt njerëzve? Kur kërkojmë çiftin perfekt të të dashuruarve, padyshim që i pari në listë është profeti Muhamed (Paqja e Zotit qoftë mbi të) me bashkëshorten e tij Hatixhenë (Zoti qoftë i kënaqur prej saj). Dashuria e tyre bëri jehonë jo vetëm në kohën e tyre, por vijon edhe në ditët e sotme, saqë e hasim në vargje poezish e tekste këngësh.
Paçit dashuri ndër veti – si Hatixhja e Muhamedi
U bofshi moj bij e imja – si Aliu dhe Fatimja
Sot, shumë të rinj e të reja këmbejnë fjalë dashurie të tipit: Aman derman, t’u bëfsha kurban, dhe pas një jave apo një muaji i shikon në krahët e dikujt tjetër. Kjo nuk është dashuri, por shfryrje epshesh dhe përfitime për interesa personale, sapo përmbushen këto, apo në rast të mos realizimit të tyre, përfundon edhe ajo e ashtuquajtura “Dashuri e flaktë dhe e përjetshme”. Kur i pyet njerëzit rreth konceptit të dashurisë, të japin përkufizime nga më të ndryshmet, por të paktë janë ata që ia dinë kuptimin e saktë. Dashuria duhet t’i ngjajë një burimi uji të pashtershëm, nga i cili shuajnë etjen gjeneratat e njerëzve të epokave të ndryshme, dhe jo një pusi të thellë e të thatë.
Dashuria e vërtetë as nuk blihet as nuk shitet, por ajo u dhurohet njerëzve pas të cilëve të rreh zemra fort; pas të cilëve fytyra të buzëqesh kur i sheh, ndërsa sytë të shkëlqejnë. Zoti e nis ditën me dashuri ndaj nesh, duke na sjellë Diellin të na buzëqeshë dhe të na ngrohë e të na ndriçojë me rrezet e tij. Një tjetër buzëqeshje hyjnore na vjen në mbrëmje me Hënën rrëzëllitëse dhe yjet vezullues. Sa prej nesh mundohemi të tregohemi të dashur me këdo që na rastis përditshmëria? Sa prej nesh në vend të fjalës së keqe themi një të mirë? Në vend të një vështrimi të inatosur, dhurojmë një buzëqeshje apo përqafim të sinqertë? Sa e pranishme është dashuria në familjet tona?
Sado që të shkruhet e të flitet për dashurinë, prapë pak do të jetë, pasi ajo e tejkalon fuqinë e fjalëve, sepse jepet e merret edhe me gjeste, pa folur, qoftë edhe me një shikim. Le të shërbejnë fjalët e këtij shkrimi si një rizgjim për secilin prej nesh, që ta shikojë raportin e tij me dashurinë dhe se sa i aftë është që ta mbjellë e ta ruajë atë, e më e rëndësishmja: ta shpërndajë e ta shumëfishojë derisa ajo të rrezatojë pafundësisht në mesin e njerëzimit; derisa ajo ta mposhtë urrejtjen dhe ta çrrënjosë nga zemrat e njerëzve. /Drita Islame/