Recension për librin "Periodiku shqiptar islam në gjysmën e parë të shekullit XX"

Nëse dija e një varg intelektualëve shqiptarë myslimanë gjatë shekullit XX-të qe e prezantuar nëpër revista e vepra tjera shkencore, ajo nuk qe e kataloguar dhe e periodizuar asnjëherë deri më sot. Libri "Periodiku shqiptar islam në gjysmën e parë të shekullit XX" ndryshon gjendjen e deritanishme të botimeve shqiptare islame.

Për herë të parë lexuesi shqiptar sot mund të gjejë në një vend historinë e botimeve shqipe me përmbajtje islame, figurat qendrore që i prinë aktiviteteve të botimeve shqipe me një përmbajtje të tillë, si dhe vetë ndarjen apo periodizimin e botimeve në kohë dhe hapësirë, dhe me këtë edhe të ngjarjeve kryesore me karakter kombëtar që kaloi populli shqiptar.

Libri dhe struktura

Libri "Periodiku shqiptar islam në gjysmën e parë të shekullit XX" nga vetë titulli tregon idenë, temën dhe përmbajtjen që ka ky libër.
Duke qenë se gjithë botimi u bë në shqip dhe nga shqiptarët, por me përmbajtje islame, autori jo rastësisht mbiemrat "shqiptar" dhe "islam" i rreshton siç janë, dhe jo në të kundërtën. Përveç këtij fakti, trajtimi edhe i temave të karakterit politik shqiptar nga shtypi shqiptar islam fuqizon arsyen e renditjes së tillë të mbiemrave të lartpërmendur. Një renditje e kundërt do të nënkuptonte krejt tjetër gjë; përveç tjerash botimet me përmbajtje vetëm islame e të bëra nga shqiptarët por jo në shqip.

Ky libër përbëhet nga tre kapituj themelorë:
- Në djepin e zhvillimit të shtypit islam shqiptar të viteve '20-40 të shekullit XX;
- Bashkimi i njësisë së Shqipërisë në shtypin shqiptar islam, dhe;
- Ndriçimi i së kaluarës në funksion të së ardhmes.

Secili nga kapitujt përbëhet nga dy fusha tematike të trajtesave, duke shpjeguar dhe interpretuar kështu edhe më gjerësisht temën dhe idetë e kapitullit përkatës. Ndërsa, secili nga nënkapitujt ka nga një shumësi nëntitujsh, nga 4 deri në 14, duke shterur kështu gjithë çështjen e diskutuar. Përveç kësaj, libri ka edhe një shtojcë, që flet për personalitetin e Muhamedit a.s. në revistën "Kultura Islame". Megjithatë, që ta njohim më gjerësisht këtë libër, le t'i shohim disa nga veçoritë tjera të tij nga përgjigjet në pyetjet standarde të recensionit.

Përmbajtja dhe veçoritë

Zakonisht recensioni është një vlerësim personal i një libri, që ndihmon të tjerët jo vetëm në kuptimin e librit, por edhe që interpreton librin në kontekst të suksesit apo arritjeve. Prandaj, që të arrihet kjo duhet ecur nëpër disa rrugë apo, thënë ndryshe, duhet zbatuar ndonjë nga format e shkrimit të recensionit. Një nga format është edhe përgjigjja në pyetjet standarde të recensionit. Që ta kemi më të qartë këtë, në vazhdim do të përgjigjemi në disa nga pyetjet standarde.

Cila është arsyeja e shkrimit të këtij libri? Pra, pse u shkrua ky libër?

Arsyeja kryesore e shkrimit të këtij libri është mosekzistenca e një të ngjashmi para tij. Pra, siç thotë edhe vetë autori Fahrush Rexhepi, "...është hera e parë që po bëhet një analizë më e plotë e shtypit shqiptar islam, ngase më parë nuk është shkruar në këtë fushë, me përjashtim të disa punimeve studimore që kanë trajtuar problematikë përafërsisht të ngjashme, pse vetëm aspekte të veçanta..."
Pra, nëse dija e një varg intelektualëve shqiptarë myslimanë gjatë shekullit XX-të qe e prezantuar nëpër revista e vepra tjera shkencore, ajo nuk qe e kataloguar dhe e periodizuar asnjëherë deri më sot. Libri "Periodiku shqiptar islam në gjysmën e parë të shekullit XX" ndryshon gjendjen e deritanishme të botimeve shqiptare islame. Për herë të parë lexuesi shqiptar sot mund t'i gjejë në një vend historinë e botimeve shqipe me përmbajtje islame, figurat qendrore që i prinë aktiviteteve të botimeve shqipe me një përmbajtje të tillë, si dhe vetë ndarjen apo periodizimin e botimeve, dhe me këtë edhe të ngjarjeve kryesore me karakter kombëtar që kaloi populli shqiptar.

Çfarë përfshin ky libër?

Libri "Periodiku shqiptar islam në gjysmën e parë të shekullit XX", siç thotë edhe vetë autori në parathënien e librit, përfshin lëndë që kanë të bëjnë me lindjen dhe rrethanat e zhvillimit të periodikut islam shqiptar në trojet dhe në diasporën shqiptare, që zë fill në periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe rolin e këtij shtypi në shërbim të fesë e të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Libri gjithashtu përfshin edhe studiues dhe personalitete të shquara të kulturës shqiptare islame, siç janë: Hoxha Tahsini, Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Hafiz Ali Riza Ulqinaku, Hoxhë Kadri Prishtina, Hoxhë Hasan Vogli, Qamil Bala, Mehmet Akif Ersoj, Haxhi Vehbi Dibra, Mulla Hasan Masurica, Ismail N droqi, Hafiz Ali Korça, Mulla Idriz Gjilani, Hafiz Ibrahim Dalliu, si dhe shumë të tjerë, si dhe veprimtarinë e tyre kryesore. Përveç kësaj, libri përfshin edhe historikun e botimit shqiptar në përgjithësi, duke qenë se flet për gazetën e parë të botuar nga një shqiptar, "L'Aalbanese D'Italia" (Shqiptari i Italisë), të botuar më 23 shkurt 1848 në Napoli, respektivisht edhe për themeluesin e saj, romantikun e parë shqiptar, Jeronim de Radën.

Sa janë të sakta të dhënat e prezantuara, dhe sa kemi mbështetje në fakte?

Në parathënien e librit autori thotë: "...meqë është hera e parë që po bëhet një analizë më e plotë e shtypit shqiptar islam ( ... ), jemi të shtrënguar që në punën tonë të mbështetemi në materiale faktike të grumbulluara dhe të përzgjedhura, të shfrytëzuara nga fondet arkivore e bibliotekare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si dhe materiale të studiuesve të shumtë shqiptarë dhe të huaj."

A zotëron autori njohuri të mjaftueshme për të shkruar një libër si ky?

Prof. Asoc.Dr.Fahrush Rexhepi edhe para nxjerrjes së këtij libri ka dëshmuar se zotëron njohuri të mjaftueshme historike, e veçanërisht të ngjarjeve që kanë të bëjnë me aspektet e fesë islame ndër shqiptarë. Si doktor i shkencës së Historisë, dhe si studiues i shkencave islame, profesor Rexhepi vazhdimisht është marrë me çështjen e publicistikës shqiptare, e sidomos asaj islame, dhe kështu, përveçse që herët ka qenë edhe autor i shumë artikujve, ka mbledhur edhe material të mjaftueshëm për të bërë një studim si ky. Kjo dëshmon edhe për faktin se është pikërisht kjo tematikë me të cilën profesor Rexhepi edhe mbrojti tezën e magjistraturës në vitin 2001, në Fakultetin Filozofik, dega Histori, pranë Universitetit të Prishtinës.

Cilën kategori të lexuesve tërheq libri?

Librin "Periodiku shqiptar islam në gjysmën e parë të shekullit XX", të zë tretënata duke e pasur në dorë. I gërshetuar në një formë rrëfimi të stërmbushur me të dhëna historike, si dhe herë pas here me pasqyrë të dhënash nga jeta e personaliteteve të shquara të kulturës shqiptare islame, ky libër të vjen këndshëm nëse preferon letërsinë, dhe dobishëm nëse preferon Historinë. Pra, përveçse është i dobishëm, është edhe i këndshëm.

Cila është metoda e zbatuar gjatë përpilimit të këtij libri?

Siç e ka përmendur edhe njëri nga recensentët e librit, profesor Qemajl Morina, metoda e këtij libri është desktiptivo-analitike, duke u përpjekur të shpjegojë për çdo gazetë apo revistë përmbajtjen e saj në aspektin fetar dhe kombëtar.

Çfarë nuk është trajtuar në libër?

Pavarësisht se përmbledh periodikun shqiptar islam në gjysmën e parë të shekullit XX, libri nganjëherë flet edhe për periudhat më të hershme si, për shembull, të shekullit XVII, XVIII dhe pas tyre, kur doli në shesh letërsia e pastër e krijuar nga shqiptarët por jo në alfabet shqip, pra letërsia e bejtexhinjve. Edhe pse në libër përmenden autorët si: Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Ismail Floçi, Dalip Frashëri, etj., si dhe në nëntitullin "Studiues dhe personalitete shqiptare islame" shpjegohet shkurt veprimtaria e disave, prapë mungojnë shumë prej tyre, duke filluar me nismëtar in e kësaj shkolle, autorin e poezisë së parë të shkruar shqip por me alfabet arab, pra Muçi Zaden dhe poezinë e tij me titull" O Zot mos më lër pa kafe". Mirëpo, përveç Muçi Zades mungojnë edhe Sulejman Naibi, Zenel Bastari, Tahir Gjakova etj. Një trajtim më i gjerë i periudhës së bejtexhinve, që janë shqiptarët e parë që vënë themelet e kulturës shqiptare islame, mendojmë se këtij libri do t'ia shtonte vlerën edhe më shumë. Megjithatë, (për)kufizimi i autorit brenda shekullit XX mund ta arsyetojë mosshtrirjen e tij te bejtexhinjtë dhe krijimtaria e tyre që, edhe ashtu, nuk është publicistike por është letrare.
Meqë pyetjet e mundshme për një recension mund të jenë shumë, dhe mund të variojnë varësisht nga objekti/libri, ne do të përfundojmë me këto shtatë pyetje, duke vlerësuar se nga këto kemi bërë një prezantim solid për librin dhe autorin.
Në fund të fundit, pavarësisht të gjithave, mund të vijmë në përfundim se dikur në shoqërinë shqipfolëse kishe mungesë të literaturës islame në shqip. Sot nuk mund të thuhet se ka. Mirëpo, çfarë mund të thuhet se mungon është literatura kataloguese për literaturën islame në shqip. Përveçse është në formë trajtese e studimi, ky libër është katalogu i parë i botimeve shqipe me përmbajtje islame në albanosferë dhe diasporë, dhe vjen jo vetëm si katalog por edhe si studim i veçantë.


Artikulli i kaluar
Njohja e feve kultivon qetësi
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi