Ajetet e para të Kuranit famëlartë që i zbritën Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s. nga Allahu i madhëruar janë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)”. (Alak,1) “Ai që e mësoi(njeriun) të shkruaj me pendë”. (Alak, 4)
Kjo është shpallja e parë që lartëson vlerën e pendës dhe çmon vlerën e diturisë. Sot, shumë njerëz fenë Islame e njohin vetëm për emër dhe mendojnë se mësimi i fesë është detyrë vetëm e hoxhallarëve, por jo e tyre.
Disa të tjerë kanë shumë njohuri islame, mirëpo kur shikon adhurimin dhe sjelljet e tyre zhgënjehesh, pasi ata ndjekin rrugë tjetër nga ajo që kanë mësuar. Dituria është adhurimi më i mirë pas farzeve, ndërsa kërkimi i saj është një ndërmarrje e rëndësishme.
Pejgamberi a.s. në një hadith të transmetuar nga Tirmidhi ka thënë “Kush del të kërkoj dituri, është në rrugë të Allahut, deri sa të kthehet në vendin e tij”.
Rruga e diturisë është rruga për në xhenet, të cilën njeriu vazhdon ta kërkojë derisa të hyjë në të.
Në një hadith të transmetuar nga Muslimi Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu ia lehtëson rrugën për në xhenet muslimanit që merr rrugën për të nxënë dituri”.
Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu nga Ebu Derda r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush niset për në rrugë duke kërkuar dije, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhennet. Vërtet edhe melekët ia shtrijnë krahët kërkuesit të diturisë nga kënaqësia me veprën e tij. Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve; pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi dinarë as dërhemë, por ata kanë lënë për trashëgimi dijen, prandaj kush e merr, ka marrë hisen më të bollshme.”
Disa të urtë thonin: Dituria është shërbëtori i veprës, ndërsa vepra është qëllimi i diturisë, sepse po mos të ishte puna nuk kërkohej dija, e po të mos ishte dija s’do të kërkohej prej nesh puna dhe veprimi. Ai që mbledh dituri është si ai që mbledh pasuri. E mira e saj shijohet vetëm kur shfrytëzohet dhe shpenzohet.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Zoti nuk do ta zhdukë diturinë duke e tërhequr atë (me dhunë) nga njerëzit, por duke i tërhequr njerëzit e ditur. Kur nuk do të ngelin më njerëz të ditur, populli do t’i zgjedhë për udhëheqës të padijshmit. Kur këto do të pyeten për ndonjë çështje, do të përgjigjen pa dijeni. Kështu do të vazhdojnë deri sa t’i arrijë shkatërrimi.” (Buhariu)
Njeriu vlen sa di dhe di sa mban mend, sepse ç’ke në xhep ta marrin, por ç’ke ne tru s’ta marrin dot. Kërkoje diturinë duke ditur se sado që të kesh mësuar njohuritë tuaja nuk kanë dobi pa i kthyer në praktikë. Dituria është si pasuria, kërkuesi i saj nuk ngopet. Dallimi mes diturisë dhe pasurisë është se dituria forcohet sa më shumë që të punohet me të dhe shtohet sa më tepër që shpërndahet. Nëse paraja të mundëson të jetosh një jetë komode, atëherë dituria bën t’i fitosh të dyja jetët i lumtur dhe të mos harrohesh. Siç thotë fjala e urtë: Arin e çmojnë ata që e njohin. Me sinqeritet përpiqu të punosh me atë që ke mësuar prej kësaj feje të madhe, sepse dituria është pemë, ndërsa vepra fryti i saj. Por, sa e ndihmon të verbrin shkëlqimi i dritës së diellit kur nuk e shikon atë? Edhe Dituria që zotëron njeriu nuk e ndihmon atë përderisa ai nuk vepron në përputhje me të. Pa dije dhe pa punë, imani nuk është i plotë dhe ngjason me bimën që nuk rritet pa tokë dhe pa ujë. Ibni Mesudi r.a. ka thënë: “Mësoni dhe me atë që keni mësuar, veproni.”
Ebu Hurejra r.a. ka thënë: “Dituria me të cilën s’punohet është si thesari që nuk shpenzohet në rrugë të Zotit.” Kurse Fudajli ka thënë:“Ajo që kërkohet prej diturisë është vepra, kurse dija është argumenti i saj.” (Transmeton Hatib El Bagdadi në “Iktidaul ilmi el amel”.)
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mjerë për atë që s’di! Mjerë për atë që di, por nuk vepron në bazë të asaj që di (këtë e përsëriti tri herë).”
Malik Ibn Dinari ka thënë: “Ai që nuk vepron me atë që di, është si shkëmbi. Kur shiu pikon mbi të, rrëshqet (e nuk qëndron).”
Sufjan Ibn Ujejne ka thënë: “Dituria, nëse nuk të sjell dobi, të dëmton”, sepse bëhet argument kundër teje Ditën e Gjykimit.
Në një fjalë të urtë thuhet: Trupi shërohet duke punuar, e mendja duke mësuar.
Fet’h el-Musilij ka thënë: “Nëse nuk i japim të sëmurit as ushqim, as pije dhe as ilaçe, a nuk vdesë? I thanë: “Po”. Tha: Gjithashtu edhe zemrës nëse i ndalohet urtësia dhe dija ajo vdesë.”
Llukman Hakimi e këshillonte djalin e tij duke i thënë: “O biri im: Ulu pranë dijetarëve me thjeshtësi dhe shoqëroi ato, sepse Allahu i ringjall zemrat me dritën e urtësisë siç ringjall tokën e shkretë me ujin e shiut.”
Pejgamberi a.s.ka thënë: “Kush e studion diturinë, me të cilën kërkohet kënaqësia e Allahut, vetëm sa për të fituar ndonjë dobi në këtë botë, nuk do ta shijojë as erën e Xhenetit në Ditën e Gjykimit.” (Buhariu) “Disa njerëz prej banorëve të Xhenetit i shohin disa në zjarr dhe u thonë: Me çfarë keni hyrë në Xhehenem, kur ne me mësimet tuaja u futëm në Xhenet? Thanë: “Ne ju urdhëronim ju, por vetë nuk vepronim.”
Imam Maliku ka thënë: “Nuk përmirësohet fundi i këtij ummeti veçse me atë që u ndreq fillimi i tij”.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mund të keni zili në dy raste: ndaj njeriut, të cilit Zoti xh.sh. i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon në rrugën e së Vërtetës, dhe ndaj njeriut, të cilit Zoti xh.sh. i ka dhënë dituri dhe atë iu mëson edhe të tjerëve.” (Buhariu)
Këtë shkrim po e përfundojmë me një lutje që Allahu xh.sh. i ka mësuar Pejgamberit tonë, Muhamed (a.s.) dhe nëpërmjet tij të gjithë besimtarëve myslimanë. Ajo është: “Zoti im! Ma shto diturinë!” (Ta ha, 114)
Naim Drijaj