Hyrje
Kam potencuar se tematika e namazit do të shtjellohet hap pas hapi, në mënyrë që lexuesi të jetë i pranishëm dhe të mos ketë shkëputje mes veprimeve të namazit që janë të renditura njëra pas tjetrës. Lidhshmëria e veprimeve brenda namazit e mban lexuesin të jetë aktiv dhe i pranishëm.
Tematika se gjatë qëndrimit në këmbë ku të mbahet shikimi, nuk është një tematikë e re, mirëpo është një tematikë që dijetarët e hershëm e kanë trajtuar atë me objektivitet të madh dhe kanë tërhequr vërejtjen se namazi kërkon nga individi që ai të jetë i kujdesshëm dhe i përkushtuar në të.
Ku të shikohet gjatë qëndrimit në këmbë
Gjatë qëndrimit në këmbë, respektivisht gjatë kijamit apo leximit të Kuranit, dijetarët preferojnë që për t'u arritur përqendrimi më i madh në namaz, duhet të shikohet vendi ku e vendos ballin në tokë. Shikimi brenda kornizave të sexhdes, e shton përkushtimin dhe largon cytjet e djallit që mund të jenë të natyrshme gjatë namazit.
Nxënësi i njohur i Ebu Hanifes, Shejbani, që përcjell transmetimin e "Muvettasë" së Malikut, në lidhje me shikimin gjatë namazit thotë: "Kur falësi i namazit ngrihet për t'u falur, ai duhet ta vendosë brendësinë e shuplakës së djathtë mbi kyçin e dorës së majtë, nën kërthizë dhe shikimi i tij të jetë në vendin ku ai e bën sexhden. Ky është edhe opinioni i Ebu Hanifes."(1)
Serahsiu në kryeveprën e tij "el-Mebsut", pasi që flet rreth çështjes në fjalë, sjell edhe një sqarim të Tahaviut, përkitazi me vendin ku shikohet gjatë qëndrimit në këmbë në namaz dhe gjatë vendeve tjera, ai thotë: "Gjatë qëndrimit në këmbë në namaz, shikimi i tij (namazfalësit) duhet të jetë në vendin ku ai e bë sexhden; gjatë rukusë të shikohet pjesa e jashtme këmbëve (shpina dhe gishtërinjtë e këmbës); gjatë sexhdes të shikohen dy anët (pjesët e jashtme) e hundës; gjatë uljes të shikohet në pjesën para tij (nga rroba në gjoks deri tek gjunjët e tij)."(2) E dikush kishte shtuar edhe këtë: "Gjatë dhënies së selamit të shikohet krahu i djathtë, e gjatë dhënies së dytë të selamit të shikohet krahu i majtë."(3) E, për këtë edhe juristi i njohur i shkollës hanefite, Ibën Abidini thotë se prej preferencës është se gjatë qëndrimit në këmbë në namaz, shikimi i tij (namazfalësit) duhet të jetë në vendin ku ai e bë sexhden; gjatë ruku së të shikohet pjesa e jashtme e këmbëve (shpina dhe gishtërinjtë e këmbës); gjatë sexhdes të shikohen dy anët (pjesët e jashtme) e hundës; gjatë uljes të shikohet në pjesën para tij (nga rroba në gjoks deri tek gjunjët e tij), kurse gjatë selamit të parë dhe të dytë të shikohet krahu i djathtë, respektivisht krahu i majtë. Kjo bëhet me qëllim të arritjes së përkushtimit në namaz.(4)
Transmetohet se Ibën Sirini tregonte për faljen e sahabëve dhe thoshte se shikimi i tyre gjatë qëndrimit në këmbë, nuk e tejkalonte vendin ku ata bënin sexhde.(5) Gjithashtu edhe ai e parapëlqente një gjë të tillë.(6) Mendim si të Ibën Sirinit kishte edhe juristi i njohur Ibrahim Nehaiu, i cili mendonte se shikimi gjatë qëndrimit në këmbë nuk duhet të tejkalojë vendin ku namazfalësi bën sexhden.
Thuajse të gjitha shkollat juridike, me përjashtim të shkollës malikite, parapëlqejnë që gjatë qëndrimit në këmbë në namaz, të shikohet vendi ku bën sexhde, ndërsa në shkollën malikite janë dy mendime kryesore për këtë çështje; (i pari) të shikohet kah kibla(7) dhe (i dyti) të shikohet fytyrës, që kjo e dyta nuk është fare e lehtë, përkundrazi paraqet edhe vështirësi, e dihet se në kryerjen e adhurimeve nuk kërkohet të zgjidhet mënyra më e vështirë e mundshme. Ato në vetvete janë të lehta dhe si të tilla kërkohen të kryhen.
Pjesa dërmuese e juristëve myslimanë janë të mendimit se gjatë qëndrimit në këmbë duhet të shikohet vendi ku bën sexhde. Kolosi i komentimit të Kuranit, Taberiu, sjell opinionin se pjesa më e madhe e juristëve janë të mendimit se shikimi në vendin ku bën sexhde gjatë qëndrimit në këmbë, sjell përkushtimin (përqendrimin maksimal "el hushu" në namaz.(8)
Argumentet për shikimin në vendin e sexhdes
Shikimi në vendin e sexhdes është indikacion i qartë për përulësinë dhe kujdesin e namazfalësit gjatë faljes. Për këtë arsye juristët kanë rekomanduar që shikimi në një vend të vetëm siç është vendi i sexhdes, insiston namazfalësin të jetë më i përkushtuar. Në të kundërtën, shikimi në vende të ndryshme e largon atë nga përulësia dhe kujdesi që duhet të ketë në namaz.
Janë vetëm disa hadithe që flasin për këtë çështje, madje shumica e tyre janë ose të dobëta ose mursel, sidoqoftë do t'i përmendim ato, duke filluar me hadithin e transmetuar nga Enesi, i cili është në koleksionin e Bejhekiut "Sunen el-Kubra": Na ka informuar Alij ibën Abdan, na ka lajmëruar Ahmed ibën Ubejd, na ka treguar Jahja ibën Muhamed el-Hinnaij, nga Fudejl ibën el-Husejn, ky nga Alileh ibën Bedr, ky nga Antuvaneh, ky nga Haseni, e ky nga Enes ibën Maliku i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut tha: "O Enes, shikimi yt le të jetë aty ku e vendos kokën në sexhde."(9)
Në një hadith tjetër që transmetohet nga Aisheja, i cili është në koleksionin e Ibën Huzejmes, përmendet çudia e Aishes me ata persona që kur hyjnë në Qabe shikojnë Qabenë dhe çatinë e saj, e jo vendin e sexhdes:
Na ka treguar Ahmed ibën Isa ibën Zejd ibën AbdulXhebbar ibën Malik el-Lahmij et-Tinisij nga Amër ibën Ebi Selemeh, ky nga Zuhejr ibën Muhamed el-Mekkij, ky nga Musa ibën Ukbeh, ky nga Salim ibën Abdullahu se Aisheja kishte thënë: "Çudi për myslimanin kur hyn në Qabe dhe ngrit shikimin e tij në drejtim të çatisë së saj, e këtë e bën për madhështi ndaj Allahut, mirëpo i Dërguari i Allahut hyri në Qabe dhe shikimi i tij nuk tejkalohej nga shikimi i sexhdes, derisa doli prej saj."(10)
Në disa transmetime të ndryshme, thuhet se në fillim kur i Dërguari i Allahut falej, shikimi i tij ishte lart nga qielli, me ç'rast kishte zbritur edhe në Kuran sinjalizimi për përulësi dhe përkushtim ndaj namazit. Hadithi është në koleksionin e Bejhekiut dhe të tjerëve: Na ka treguar Ebu Abdullah el-Hafidh i cili ka thënë: "Më ka treguar Ebu Seid Ahmed ibën Jakub Thekafiu nga Ebu Shuajb el-Harranij, ky nga babai i tij, ky nga Ismail ibën Ulejjeh, ky nga Ejubi, ky nga Muhamed ibën Sirini e ky nga Ebu Hurejre, i cili ka thënë: "Kur i Dërguari i Allahut falej, shikimi i tij ishte lart, atëherë zbriti fjala e Allahut: "Ata të cilët janë të përulur dhe janë të kujdesshëm gjatë faljes së namazit." (el-Mu'minune: 2) Atëherë ai uli kokën (gjegjësisht shikimin)."(11)
Urrehet të shikohet anash
Koncentrimi dhe përqendrimi në namaz duhet të jenë në nivelin maksimal të mundshëm. Përndryshe, namazi pa përqendrim e humb vlerën dhe rëndësinë e tij. Për këtë arsye, dijetarët e shkollës hanefite, çështjen e përqendrimit në namaz e shohin nga gjërat më të preferuara që mund të bëhen brenda namazit, e në anën tjetër, shpërqendrimin apo shikimin anash brenda namazit e shohin si gjë të urryer e të ndaluar. Sugdij në veprën e tij "En-nutfu fi-l fetawa", kur rëndit ndalesat brenda namazit, llogaritë se janë njëzet ndalesa, e mes tyre edhe shikimi djathtas apo majtas, madje edhe ai shikim që bëhet lartë.(12) Me këto ndalesa sigurisht se fjalën e ka për veprat që konsiderohen të pahijshme apo edhe të urryera e që njihen me emrin "mekruh", e meqë disa prej tyre janë shumë afër gjërave të ndaluara, i fut në këtë kategori. Sidoqoftë dijetarët hanefitë shikimin anash apo edhe lartë, e shohin si një gjë të papëlqyer që nuk meriton të ndodh, me theks të veçantë shikimi që bëhet duke kthyer kokën anash apo duke e ngritur lartë.
Enesi që i kishte shërbyer të Dërguarit të Allahut transmeton se i Dërguari i Allahut ia kishte tërhequr atij vërejtjen për shikimin anash. Hadithi është në koleksionin e Tirmidhiut: Na ka treguar Muslim ibën Hatim el-Basrij i cili ka thënë: "Na ka treguar Muhamed ibën Abdullah el-Ensarij, nga babai i tij, ky
nga Alij ibën Zejdi, ky nga Seid ibën Musejjebi, e ky nga Enesi i cili thotë: "I Dërguari i Allahut më tha: "O djalosh, kujdes e mos shiko anash në namaz, ngase shikimi anash në namaz është shkatërrim; e nëse është patjetër, atëherë le të jetë në namazet nafile, por jo në ato obligative."(13)
Në një transmetim tjetër ka ardhur: Na ka informuar Alij ibën Abdan, na ka lajmëruar Ahmed ibën Ubejd, na ka treguar Jahja ibën Muhamed el-Hinnaij, nga Fudejl ibën el-Husejn, ky nga Alileh ibën Bedr, ky nga Antuvaneh, ky nga Haseni, e ky nga Enes ibën Maliku i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut tha: "O Enes, shikimi yt le të jetë aty ku e vendos kokën në sexhde."(14)
Po ashtu duhet të kihet kujdes jo vetëm ndaj shikimit anash, por edhe me gjymtyrët e trupit, sidomos me dorë të mos luhet gjatë namazit, ku disa prekin rrobat apo pjesë të ndryshme të trupit, disa herë radhazi. Transmetohet se i Dërguari i Allahut vërejti një namazfalës që po luante me dorë në mjekrën e tij, prandaj edhe tha: "Po t'i qetësohej zemra këtij (personi), do t'i qetësoheshin edhe gjymtyrë e tij."(15)
Hadithi i radhës është ai që transmetohet nga Aisheja, e cila e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut për shikimin anash në namaz, hadith të cilin e transmeton Buhariu në koleksionin e tij dhe të tjerët: Na ka treguar Museddedi i cili ka thënë: "Na ka treguar Ebu-l Ahves nga Esh'ath ibën Sulej m, ky nga babai i tij, ky nga Mesruki, e ky nga Aisheja e cila ka thënë: "E pyeta të Dërguarin e Allahut për shikimin anash në namaz, e ai më tha: "Ai (shikim) është përvetësim mashtrues që përvidhet nga djalli në namazin e robit."(16)
Pra, shikimi anash pa ndonjë arsye është veprim i papëlqyer, ndërsa shikimi që bëhet me ndonjë shkak a arsye, nuk hyn në këtë grup dhe se këtë lloj dijetarët e kanë lejuar, ngase ndonjëherë ka arsye për një gjë të tillë. Shembull për këtë kemi edhe namazin e Ebu Bekrit që iu printe sahabëve në mungesë të Pejgamberit a.s., e kur sahabët vërejtën se i Dërguari i Allahut doli në xhami, atëherë ata sinjalizuan Ebu Bekrin për një gjë të tillë. Ebu Bekri kishte kthyer kokën, ndonëse ishte në namaz, dhe kur pa të Dërguarin e Allahut deshi ta lëshoi vendin e tij për të Dërguarin e Allahut, mirëpo i Dërguari i Allahut i dha shenjë që ai të qëndronte aty ku ishte dhe të vazhdonte në namazin e tij.
Një tjetër element që haset nëpër vendfaljet është edhe kërcitja e gishtërinjve(17) nga disa namazfalës, qoftë kjo gjatë qëndrimit të tyre në këmbë apo edhe në pozicione tjera. Muhamed ibën Hasen Shejbani transmeton nga Ebu Hanife, ky nga Hammadi, e ky nga Ibrahim Nehaiu se ai urrente të kërciteshin gishtërinjtë gjatë namazit, apo ta hidhte pelerinën supeve, të luante me mjekër apo gjëra të ngjashme. Shejbani pasi që transmeton këtë, thotë: "Këtë mendim e marrim, ngase këto gjëra janë të kota, që të pengojnë në namaz, njëherësh ky opinion është edhe opinioni i Ebu Hanifes.(18)
Një dukuri tjetër që haset nëpër vendfaljet është edhe dukuria e mbylljes së syve, pa ndonjë arsye, gjatë qëndrimit në këmbë. Dijetarët janë marrë me këtë çështje dhe e kanë konsideruar si veprim të papëlqyer. Në shkollën tonë juridike mbyllja e syve gjatë qëndrimit në këmbë apo edhe në pozicione tjera të namazit konsiderohet veprim i papëlqyer "mekruh"(19) Kasani në kryeveprën e tij "Bedaiu-s Sanaiu...", për këtë çështje thotë: "Nuk pëlqehet mbyllja e syve në namaz, ngase nga syneti është të shikohet vendi i sexhdes, e nëse mbyllën sytë atëherë braktiset ky synet dhe se çdo gjymtyrë dhe çdo pjesë e trupit duhet të ketë hise në këtë adhurim, i tillë është edhe syri."(20)
Transmetohet nga Muxhahidi dhe nga Katadeh se ata mbylljen e syve në namaz e shihnin si një gjë të papëlqyer.(21)
Pra, është e papëlqyer që sytë të mbyllën gjatë namazit, ngase kjo i ngjason lutjeve që bëjnë çifutët me sy mbyllur. E, nëse ka ndonjë arsye për mbylljen e syve, atëherë një veprim i tillë nuk ka ndonjë të keqe. Për këtë arsye Shurunbali në veprën e tij thotë se nëse ka ndonjë arsye për mbylljen e syve, atëherë në raste të tilla është më apriori të mbyllën ata se sa të mbesin të hapur.(22)
Përfundim
Kryerja e namazit do përkushtim të veçantë, ngase nuk mund ta fitosh shpërblimin e faljes së namazit nëse përqendrimi është jashtë tij. Përkushtimi dhe vëmendja arrihen atëherë kur jemi të kujdesshëm për veprimet e secilës pjesë të namazit. Ndoshta dikush mund të mendon se shikimi në një vend të caktuar nuk qon peshë të madhe, megjithatë siç kanë potencuar juristët e mëdhenj, shikimi në vendin ku e vë ballin është një fuqi e madhe kundër ngacmimeve të djallit, për shkak të mos-ndikimit të tij në vendin më të lartësuar siç është sexhdeja. Për këtë arsye shikimi në atë vend e bën falësin e namazit më të përkushtuar dhe më të vëmendshëm në faljen e tij.
_______________
(1) Malik ibën Enes, Muvetta Malik birivajeti Muhamed ibn el-Hasen esh-Shejbani, me shpjegim dhe koment ngaAbdulVehab Abduletif, bot.II-të, el-mektebetu-l ilmijeh, f.104.
(2) Gjithashtu ka mendime të shikohet në gishtin e tij tregues, sikurse që ka mendime të shikohet në vendin ku bën sexhden.
(3) Serahsi, el-Mebsut, v.I, f.25.
(4) Ibën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.478.
(5) Tehanevi, I'lau-s Sunen, v.II, f.187.
(6) Bejhekiu në Sunen es-Sugra, nr. 841 dhe në Sunen el-Kubra, nr.3541.
(7) Njëherësh ky mendim është përzgjedhja personale që Buhariu bën në Sahihun e tij, ku përmend argument për këtë.
(8) Suhejb AbdulXhebbar, El-Xhamiu-s Sahih li-s Sunen ve-l Mesanid, (libri është në formë elektronike në bibliotekën "Esh-shamileh") v.25, f.309.
(9) Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr.i hadithit: 3545. Ibën Haxher el-Mekij është i mendimit se hadithi ka rrugë të tjera transmetimi që e bëjnë hadithin të pranuar (hasen).
(10) Ibën Huzejme në Sahih, nr. 3012; Bejhekiu në Sunen es-Sagir, nr.1741 dhe Sunen el-Kubra nr. 9726; Hakimi në Mustedrek ale-s sahihajn, nr. 1761 dhe thotë se hadithi është autentik sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, ndonëse ata nuk e kanë përmendur këtë hadith. Dijetarët kanë folur rreth këtij hadithi dhe nga ajo që ata kanë ardhur në përfundim është fakti se hadithi është jo-autentik për shkak se në vargun e transmetimeve është transmetuesi Ahmed ibën Isa, të cilin disa e llogarisin si gënjeshtar e disa tjerë si të jo-besueshëm. Po ashtu hadithi në fjalë ka edhe dobësi tjera. Gjithashtu vlen të përmendet se Aisheja nuk ka qenë me të Dërguarin e Allahut kur ai hyri në Qabe. Përfundimisht mendoj se klasifikimi i këtij hadithi si autentik është i gabuar.
(11) Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr.i hadithit: 3542. Hadithi është mursel.
(12) Alij ibën Husejn Es-sugdij, En-nutfu fi-l fetawa, me recenzurë nga Salahudin en-Nahi, Aman-Bejrut, 1404h-1984m, v.I, f.66-67.
(13) Tirmidhiu në Sunen, nr.589 dhe thotë se hadithi është i mirë (hasen).
(14) Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr.i hadithit: 3545. Ibën Haxher el-Mekij është i mendimit se hadithi ka rrugë tjera transmetimi që e bëjnë hadithin të pranuar (hasen).
(15) Ebu Nuajm, Hiljetu-l Evlija ve tabekatu-l esfija, v.10, f.230. Në gjashtë koleksionet e njohura nuk e kam gjetur këtë hadith. Përmendet edhe si mendim i Seid ibën Musejjebit në shumë libra, i cili e kishte parë një njeri të luante me mjekrën e tij gjatë namazit dhe i kishte thënë të njëjtat fjalë. Shih Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr.6787.
(16) Buhariu në Sahih, nr. 751; Tirmidhiu në Sunen, nr. 590; Ebu Davudi në Sunen, nr. 910; Ibën Huzejme në Sahih, nr. 931. Hadithi është autentik.
(17) Shih më tepër për këtë çështje Serahsi, el-Mebsut, v.I, f.26.
(18) Muhamed ibën el Hasen, el-Athar, v.I, f.395. Edhe Lejthi, Muxhahidi dhe të tjerët nuk e pëlqejnë kërcitjen e gishtërinjve gjatë namazit. Shih: Ibën Ebi Shejbe në Musanef, nr. 7284.
(19) Es-Sugdij, En-nutfu fi-l fetawa, v.I, f.69; Ibën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzu-d Dekaik, v.II, f.27.
(20) Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, bot.II-të, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1406-1986, v.I, f. 216.
(21) Shih: Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr. 3545.
(22) Hasen ibën Amar ibën Alij Esh-Shurunbali, Meraki-l Felah sherh metn nuru-l idah, el-Mektebetu-l asrijetu, bot.I-rë, 1425h-2005m, f.130.
Mr. Ejup Haziri