Hyrje
Terrorizmi nuk është dukuri apo fenomen që prodhohet me shkop magjik, as nuk është lodër fëmijësh që blihet në dyqan. Ai ka historinë e vet, lëndën e vet, synimin e vet final dhe instrumentet për realizmin e këtij synimi. Por, terrorizmi ka dhe shkakun dhe pastaj pasojat.
Përpjekja për të prodhuar terrorizëm në mënyrë artificiale, terrorizëm të paqenë mund të tërheq simpatinë e çastit të medieve, të qarqeve të caktuara, por jo në mënyrë afatgjate. Gjithashtu, përpjekja për të gjykuar pasojat e terrorizimit pa analizuar shkaqet që sollën terrorizmin, nuk do të çoj në zbutjen apo eliminimin e terrorizmit.
Disa shtete të fuqishme kanë inskenuar raste, kanë etiketuar kundërshtarë për të pasur justifikim para opinionit të gjerë për dhunën e pranishme. Pra, terrorizmi ka histori dhe vetëm pas analizimit të historisë së terrorizmit në mënyrë të gjithanshme mund të hulumtohen edhe shkaqet e pasojat, e jo vetëm pasojat.
Përpjekja jonë nuk synon t'i analizojë në tërësi këto dukuri, sepse kjo është temë për një studim të veçantë, por synon të ofrojë ca elemente që mund të çojnë në paqe. Këto elemente janë dashuria, altruizmi, dhembshuria, mëshira kundrejt dhunës, torturës, padrejtësisë, individuale apo kolektive.(1)
Islami si paqe dhe kundër terrorizmit
Islam si shprehje do të thotë paqe dhe është fe e paqes. Islami e rrethon personin me mësime të larta, synimi i së cilave është ta vendos dhe bazojë paqen ndërmjet njeriut dhe Krijuesit të tij, Allahut. Po ashtu, këto mësime synojnë të ndërtojnë paqe edhe ndërmjet njeriut dhe njeriut, dhe ndërmjet njeriut dhe pjesës tjetër në gjithësi,(2) të gjenerojë një sistem etik dhe të drejtë.(3)
Nëse e pranojmë se terrorizmi është dhunë, frikësim, zhvatje, torturë sistematike që të arrihet një synim apo më shumë synime politike ose nëse e pranojmë se terrorizmi është mbikëqyrje apo detyrim që të tjerët të detyrojnë diç me dhunë, frikë apo kërcënim atëherë si është e mundur që kjo fe, ky besim të preokupohet me terrorizmin si lëndë, temë, objekt.
Pa hyrë më thellë do të themi se Kurani përdorë shprehjen fitne, që në një mënyrë është sinonim i ngatërresave, torturave, shpifjeve, vrasjeve, përndjekjeve, të ndjerit e tjetrit i frikësuar, i përbuzur, i kërcënuar. Kurani thotë:
"Fitneja është më e rëndë se vrasja." (El Bekare, 191). Gjithashtu Kurani thotë: "Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e shtrembëta." (El Bekare, 256).
Allahu i madhërishëm gjithnjë udhëzon drejt dhe qorton besimtarët që të ruajnë rrugën e drejtë karshi të keqes. Terrorizimi i tjetrit, dhuna sistematike ndaj tjetrit, nënshtrimi i tjerëve ndaj vetes na jep titullin e dhunuesit, terroristit dhe terrorizuesit. Këmbëngulja në dhunë shkakton largimin e dashurisë së Zotit, bekimin e Tij, mëshirën e Tij.
Por, Islami nëpërmjet Kuranit dhe hadithit shkon një hap më tutje, duke ndaluar të terrorizohen të tjerët, si antipod për terrorizimin ofron vlerat morale, paqen, mirësjelljen, dhembshurinë, mbëltimin e sjelljeve të mira ndaj të gjithëve, pa marrë parasysh ngjyrat, gjuhët, racat, vendin, mentalitetin: "O njerëz! Ne, me të vërtetë, ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj dhe fise, për t'u njohur (në mes vete). Më i lavdërueshëm tek Allahu është ai që i druan më së shumti Atij. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe asgjë për Të nuk është e fshehtë." (El Huxhurat, 13)
Natyra primordiale e njeriut është në thelb substancë etike dhe shpirtërore që anon drejt të mirës dhe vetëdijes për Allahun, kurse mangësitë dhe skajshmëritë e tij (fuxhur) janë veti aksidentale, të cilat do të ketë mundësi t'i tejkalojë nëpërmjet vepër mirësisë (el-birr) dhe vullnetit intelektual dhe etik.(4) Kjo natyrë primordiale e njeriut buron nga vetë emrat e bukur të Allahut sikurse xhemal (bukuri), e për të cilën veti përcillet nga Abdullah ibën Mes'udi se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Allahu është i bukur dhe e do të bukurën." (Muslimi në Sahihun e tij, etj.)
Domethënë, Allahu sa është imanent (në krijesat), i ngjashëm dhe afër me to, aq është edhe transcendent, i ndryshëm dhe përtej tyre. Allahu, si burim final i paqes, i tejkalon të gjitha kundërshtimet dhe tensionet, dhe është gjendje e përhershme e qetësisë dhe rehatisë, kurse paqja e vërtetë arrihet "Me kujtimin e Allahut." (Er Rrad, 28).(5)
Nga një kënd tjetër çështjen e paqes e të dashurisë e kuptojmë qartë. Muhamedi a.s. e përshkruan përmbledhtazi mungesën e altruizmit te njerëzit. Një ditë erdhën tek ai disa beduinë arabë dhe njëri nga ata e pyeti Pejgamberin a.s.: "A i puthë ti fëmijët tuaj"? Ai u përgjigj: "Po". Ata thanë: "Ne kurrë nuk i puthim." Pejgamberi a.s. u përgjigj: "Ç'mund të bëj unë nëse zemrat tuaja janë të privuara nga mëshira."
Po ashtu, me një rast tjetër Muhamedi a.s. ka thënë: "Kush nuk i mëshiron njerëzit, atë nuk e mëshiron Allahu." (Muslimi)
Edhe pse shoqëria ku lindi dhe jetoi Muhamedi a.s. ishte e vrazhdë dhe jofalëse, mëshira dhe dhembshuria që ai tregoi gjatë jetës ishte mahnitëse. Madje edhe jobesimtarët mahniteshin me sjelljen e tij. Me një rast ai tregon se si kishte filluar të falë namaz, me qëllim ta zgjasë namazin. Por, kur dëgjoi të qarën e fëmijës, ai e shkurtoi namazin nga frika që mos të nxis shqetësim te nëna e fëmijës. Në vend të agresivitetit dhe urrejtjes Islami urdhëron humanitet dhe solidaritet për të gjithë. Sipas Pejgamberit a.s. pajtimi i njerëzve të hidhëruar është sadaka, ndihma pronarit në ngarkimin e një kafshe është sadaka, fjala e mirë është sadaka etj.(6)
Myslimani duhet të kujdeset edhe për fqinjët e tij, çfarëdo qofshin ata. Muhamedi a.s. thotë: "Nuk do të hyjë në xhenet ai, fqinjët e të cilit nuk janë të qetë nga ai."
"Për Zotin në duart e të Cilit është jeta ime, ju nuk do të hyni në xhenet nëse nuk besoni, ndërsa nuk do të besoni në qoftë se nuk e doni njëri-tjetrin, A dëshironi t'u them diç me çka do ta doni njëri-tjetrin? Shpërndajeni selamin (përshëndetjen) mes veti."
Një ditë Muhamedi a.s. pa një shpend se si godit me krahët e tij për toke si shenjë fatkeqësie. Pas kësaj i pyeti shokët: "Kush e bëri këtë?" Ata thanë: "Ne kemi marrë nga foleja të vegjlit e shpendit." Pejgamberi a.s. u tha atyre: "Kthejani ata atij. Asnjë nënë nuk bën të torturohet në llogari të fëmijës së saj."
Në një rast tjetër Muhamedi a.s. e takoi një shok të tij duke ndezur një zjarr mbi një fole milingonash. Po këtë çast urdhëroi që zjarri të fiket, duke qortuar: "Askush nuk ka të drejtë që të tjerët t'i torturoj ë me zjarr."
Allahu në Kuran thotë: "Ata të cilët e largojnë hidhërimin e tyre dhe i falin njerëzit." (Ali Imran, 135)
Muhamedi a.s. thotë: "Allahu është i butë dhe e do butësinë në çdo gjë. Lehtësoni gjërat dhe mos vështirësoni ato. Kthjelloni njerëzit dhe mos i refuzoni."
Kur në shoqëri të paraqitet dhuna, tortura dhe shqetësimet të shkaktuara nga një grup i caktuar, institucional apo jo, besimtari mysliman e ka për obligim t'i kundërvihet kësaj gjendjeje me dialog. Kurani thotë: "Thirr në rrugë të Krijuesit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë, dhe diskutoni me ata në mënyrën më të mirë." (En Nahl, 125).
Por, nëse diskutimi me ata nuk ecë rrugës së duhur, atëherë pason ajeti vijues: "E nëse ndëshkoni, ndëshkoni ashtu siç keni qenë të ndëshkuar ju, e nëse përmbaheni, kjo është më së miri për të durueshmit." (El Nahl,126).
Kur delegacioni i Taifit po bëhej gati të kthehej, Muhamedi a.s. i dha guvernatorit të ri udhëzimet që vijojnë: "Të jesh zemërgjerë në ceremonitë fetare publike dhe merre parasysh si kriter nevojën e më të dobëtit në mesin e të pranishmëve, siç janë pleqtë, fëmijët, të dobëtit (të sëmurët) dhe ata të cilët janë për ngut për shkak të punëve që i kanë."(7)
Me rastin e përkeqësimit të gjendjes mes myslimanëve apo dhe të tjerëve, është detyrim fetar të bashkohen forcat e arsyeshme, dhe në vend të dhunës të përdoret mirëkuptimi, pranimi i tjetrit ashtu çfarë është. Kushtetuta e Medinës, dokumenti i parë i tillë, i praktikuar institucionalisht, qartë tregon si duhet rregulluar parimisht raportet njeri-Zot, mysliman-mysliman dhe mysliman-të tjerë.
Myslimanët duhet të sillen në nivel të lartë gjithnjë, sepse ai kryen një detyrim ndaj Krijuesit. Muhamedi a.s. tha: "Ju do të takoni besimtarë të feve tjera duke adhuruar Zotin në faltoret e tyre. Mos u konfliktoni me ata, dhe mos iu jepni vështirësi. Në vendin armiqësor mos vrisni kurrfarë gra ose fëmijë, të verbër apo pleq. Mos pritni drunjtë as mos rrënoni kurrfarë ndërtesash."
I vetmi angazhim luftarak i lejuar është angazhimi kundër shtypësve, lufta për të mbrojtur paqen e të gjithë njerëzve pa marrë parasysh fenë apo bindjet e tyre. Prandaj, aksionet e dhunshme, vetëvrasësit, bombahedhësit në njerëz të pafajshëm nuk kanë kurrfarë rrugëdalje as arsyetim fetar.
Allahu thotë: " ... dhe mos vritni vetveten! Allahu, me të vërtetë, është mëshirues për ju ... ", (En Nisa, 30)
" ... dhe mos e sillni veten tuaj në shkatërrim, por bëni mirë ... " (El Bekare, 195)
Këto porosi janë argument i mjaftueshëm që të pengohen vrasësit e cilitdo lloj, qoftë ata shtetërorë (kur shteti në emër të mbrojtjes së vlerave njerëzore apo materiale) qoftë ata individualë (në emër të idealeve) nuk kanë të drejtë dhune fizike, shpirtërore e materiale. Gjyqet e instaluara kundër krimeve në masë nuk kryejnë detyrën për drejtësinë por për të fuqishmit dhe krijimin e kushteve për përfitime dhe influencë materiale, ekonomike e politike.(8)
Allahu xh. sh. thotë: "Pra, kushdo që ju sulmon duke tejkaluar kufirin, edhe ju sulmoni ata, ashtu siç ju sulmuan ata juve (reciprokisht)! Keni frikë Allahun, dhe dijeni se, me të vërtetë, Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat." (El Bekare, 194)
Islami mendon se kundër dhunës, torturës, terrorizmit, duhet luftuar në të gjitha mënyrat, por tri mënyra janë më të kapshme:
1) Të edukohen të gjithë myslimanët si të ndershëm, të drejtë, të dashur, të respektuar, duke ruajtur të tjerët nga rrëmuja dhe shqetësimi;
2) Të punohet me çrregulluesit, rrënuesit, keqbërësit. Të bëhet edhe lutje për ta dhe ndihmë për të kapërcyer problemet eventuale, dhe;
3) Nëse pala rrënuese nuk pranon bashkëpunim, dialog, mirëkuptim atëherë forcat e drejta, duhet t'i bashkojnë angazhimet kundër rrënuesve të rendit shpirtëror dhe fizikë, derisa nuk vendoset qetësia dhe paqja sipas urdhrave hyjnore.
Në vend të përfundimit
Askush me asgjë në emër të çfarëdo ideali nuk mund të ofendojë, dëmtojë apo vrasë të pafajshmit, qoftë ky terrorizëm individual, grupor apo shtetëror, qoftë lindor apo perëndimor, për më tepër ky i fundit, shtetëror perëndimor, kur dimë se ai udhëhiqet nga njerëz kompetentë të të gjitha fushave.
Edhe pse grupe të caktuara fetare thirren në fe dhe në mbrojtjen e fesë, veprimi i tyre i dhunshëm ndaj kundërshtarëve është larg fesë, larg arsyes, larg paqes deklarative. Ata, lindorë apo perëndimorë të dhunshëm, janë armiq të paqes, prosperitetit, fëmijëve dhe larg rivendosjes së relacionit eternal mes Krijuesit dhe krijesës.
Do të përfundojmë me fjalët kuranore të Allahut:
"O besimtarë! Hyni në paqe me të gjitha rregullat e saj dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar." (El Bekare, 208). "Dhe këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues dhe nuk je detyrues me forcë ndaj tyre!" (El Gashije, 21-22)
"Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t' i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!" (Junus, 99)
__________________________
(1) Një analizë të thellë metafizike, filozofike, historike, sociologjike për dhunën do ta gjejmë në: Ibrahim Kalin, Arsyeja dhe virtyti, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 245 e tutje.
(2) Një shkrim më të thelluar për terrorizmin, burimet dhe pasojat e tij e kemi shkruar më herët: Nexhat Ibrahimi, A është Islami burim i terrorizmit?, në: http:j j www.zeriislam.comj artikulli.php?id=486.
(3) Ibrahim Kalin, po aty, fq. 250.
(4) Ibrahim Kalin, po aty. fq. 260.
(5) Ibrahim Kalin, po aty. fq. 256 e tutje.
(6) Përkundër natyrës paqedashëse të fesë islame, autorë perëndimorë dëshirojnë të gjejnë burime dhune edhe në Islam, sikurse është prerja e kurbanit, sikur e bënë Bernard Lewis në disa libra të tij. Shih:
Ibrahim Kalin, po aty, fq. 245-246.
(7) Ibni Hishami, Sira, f. 917.
(8) Nexhat Ibrahimi, Islami në perceptimin dhe praktikën tonë, Logos-A, Shkup, 2012, fq. 365 e tutje.