“Si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, janë shfaqur shkatërrime (skamje, katastrofa, humbje të bereqetit etj.) në tokë dhe në det, kështu që (Allahu) do t’i bëjë të përjetojnë pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të tërhiqen (nga të këqijat)”. (Er-Rrum, 41)
Pasojat e dukurive negative
Në ajetin paraprak Allahu xh.sh. konfirmon se vetëm Ai absolutisht krijon e furnizon, vetëm Ai sjell vdekjen dhe ringjalljen, prandaj sfidon dhe mposht çdo kundërshtar të mundshëm. Ai konfirmon se zotat e trilluar, që adhurojnë pabesimtarët, nuk mund të bëjnë kurrë diçka të tillë, prandaj rezulton se i vetmi Zot është Allahu i Madhërishëm, dhe se Ai është i pastër dhe i Lartësuar mbi gjithçka që pabesimtarët adhurojnë kotësisht. Kurse në këtë ajet, Allahu xh.sh. u shpjegon njerëzve ndërlidhjen e gjendjes së tyre gjatë jetës, me punët dhe përfitimet e tyre, sepse besimi i gabuar dhe punët e këqija të njerëzve shkaktojnë çrregullime dhe shkatërrime të ndryshme në tokë dhe në det. Shfaqja e këtyre çrregullimeve nuk ndodh rastësisht, po në bazë të ligjit hyjnor të Allahut xh.sh., në mënyrë që njerëzit t’i përjetojnë pasojat e tyre dhe, ndoshta, do të pendohen e do t’i kthehen zbatimit të ligjit hyjnor dhe do ta luftojnë të keqen në përgjithësi.(1)
Janë shfaqur dhe paraqitur shkatërrime e çrregullime në tokë dhe në det si pasojë e dukurive negative dhe e fitimit të njerëzve në rrugët që i ka ndaluar Allahu xh.sh..
Dijetarët kanë dhënë mendime të shumta lidhur me shprehjen kuranore: “...janë shfaqur shkatërrime (skamje, katastrofa, humbje të bereqetit etj.) në tokë dhe në det”; disa prej tyre kanë thënë se me shprehjen “tokë” janë për qëllim vendbanimet që janë larg nga deti, kurse fjala “deti” ka të bëjë me vendbanimet që janë buzë deteve e lumenjve.(2)
Ndërkaq, disa komentatorë të tjerë mendojnë se “toka” ka për qëllim të gjitha vendbanimet në tokë - qytete, fshatra etj., kurse shprehja “deti” ka të bëjë vetëm me detin e zakonshëm.(3)
Mirëpo, fjala më përmbledhëse dhe përfshirëse nxirret nga mendimi më i drejtë: shfaqja e shkatërrimeve dhe të këqijave ka përfshirë çdo vend në tokë dhe në det.(4)
Dhe, realisht, situata është e tillë: të këqijat kanë përfshirë shumicën e vendeve të banuara në tokë dhe ndëshkimi hyjnor i pjesërishëm ndodh, si: tërmetet, katastrofat natyrore, vërshimet e mëdha, vullkanet, stuhitë e ndryshme dhe të paparashikueshme etj.. Kjo nënkupton edhe thatësi të madhe, vdekje të shumta, zjarre të mëdha, frikë trishtuese, dështim në prodhimin e llojeve ushqimore, zhdukje të bereqetit në çdo gjë, zvogëlim të dobisë në përgjithësi, rritje të dëmit etj.(5)
Shkatërrimet dhe çrregullimet e shfaqura përfshijnë luftërat e bombardimet, që zhvillohen me ushtri, avionë, anije luftarake e mënyra të tjera, kjo për shkak të veprimeve të këqija të njerëzve, si: padrejtësitë, lakmia e tepruar, veprimi i të ndaluarave - harameve, mosnjohja ndaj mbikëqyrjes së Krijuesit, lënia anash e fesë, harresa për Botën tjetër dhe llogarinë para Krijuesit Suprem. Prandaj, janë shfaqur shkatërrimet, të cilat ndoshta do të ndikojnë tek njerëzit që ata të pendohen dhe të vendosin drejtësinë në shoqërinë njerëzore e të dinë se një ditë do të japin llogari para Allahut në Botën tjetër për të gjitha veprimet e tyre.(6)
Allahu do t’i bëjë të përjetojnë pjesë nga ajo që kanë punuar
Duke i sprovuar me mangësi në pasuri, humbje të jetës, vdekje, mangësi në fruta, dhe kjo si sprovim për ta dhe ndëshkim për veprimet e tyre, “me qëllim që ata të tërhiqen (nga të këqijat)”, ndoshta do të pendohen dhe do t’i lënë mëkatet, ashtu siç konfirmon Krijuesi: “Ne i shpërndajmë ata në grupe nëpër tokë; prej tyre ka të mirë, por edhe jo të tillë. Ne i provuam me të mira e me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen nga e keqja. (El A’rafë, 168).(7)
Një tërmet zbulon mashtrimet dhe tradhtitë në mes të kontraktuesit të punëve të një ndërtese dhe inxhinierit; ndonëse ndërtesat ekzistojnë, por njerëzit nuk dinë për cilësinë e ndërtimit të tyre për arsye të ndryshme, dhe ndodh që një dridhje toke të zbulojë cilësinë e tyre dhe mashtrimet që u janë bërë atyre. Kështu, edhe kur të përhapen dukuritë negative (amoraliteti, pirja e alkoolit, droga), tradhtitë, padrejtësitë, mashtrimet etj., patjetër Allahu xh.sh. u zbulon njerëzve pasojat e tyre dhe intervenon Fuqia hyjnore e i ndëshkon njerëzit në bazë të veprimeve të këqija. Gjithësinë Ai e ka krijuar në formë shumë të përsosur dhe në të askush nuk mund të gjej’ çrregullime, e njeriu nuk mund të prishë këtë përsosmëri, prandaj Allahu xh.sh. konfirmoi: “As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata paraditën po secili noton në një galaktikë” (Jasin, 40).
A thua Allahu na ka krijuar dhe na ka lënë të lirë që të çrregullojmë dhe të shkatërrojmë? Jo, kurrsesi, sepse liria gjen shprehjen në bazë të ligjit hyjnor, i cili rregulloi këtë gjë me “vepro dhe mos vepro”, dhe, kur njeriu nuk i përmbahet kësaj, atëherë bën çrregullime dhe shkatërrime të shumta. Zoti Fuqiplotë, kur i ndëshkon ata që bëjnë çrregullime dhe punojnë kundër ligjit të Tij, qartazi ua tërheq vërejtjen, madje jo vetëm atyre, po edhe neve na shtohet besimi dhe vullneti për t’iu përmbajtur mësimeve të Tij, mirëpo dikush përsëri kthehet shpejt në gjendjen e mëparshme. Me këtë ajet ka sinjalizuar se ata janë ndëshkuar kur kanë dominuar të këqijat e tyre ndaj ligjit që ka paraparë Krijuesi, dhe është nga urtësitë e Krijuesit që njeriut s’i ka lënë kompetencë e mundësi ndërhyrjeje në ligjet e Tij dhe në sistemin e gjithësisë, se, përndryshe, do të çrregullohej çdo gjë. Ai tha: “E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to. E megjithate që Ne atyre u sollëm (me këtë Kur'an) famën e tyre, ata u zbrapsën ndaj përkujtimit të vet.” (El Mu’minun,71).(8)
Lidhur me këtë ajet, transmetohet nga Katadeja të ketë thënë: “Kjo gjendje përshkruhet para dërgimit të Muhamedit a.s., ngase toka ishte mbushur me padrejtësi dhe mosbesim, dhe, pasi dërgoi Allahu xh.sh. Muhamedin a.s., pranuan Islamin ata që e pranuan”.(9)
Gjithashtu shprehja e përdorur në origjinal “janë shfaqur - dhahere”, dëfton për diçka që ka ndodhur realisht, sikur na drejtohet neve me fjalët: Nëse ju bëni të këqija, atëherë do t’ju godasin pasojat e tyre. Ajeti, me një fjalë, pasqyron armiqësinë dhe përgënjeshtrimin e pabesimtarëve ndaj të Dërguarit të Allahut, prandaj edhe Muhamedi a.s. ishte lutur që ata për disa vjet t’i godiste thatësia dhe ashtu edhe kishte ndodhur.(10)
Në pjesën e ajetit “nga ajo që kanë punuar”, vërejmë një fakt hyjnor, se Allahu xh.sh., kur diku përmend mëshirën, nuk thekson fare shkakun e saj, por këtu në këtë ajet përmend shkakun e çrregullimeve dhe shkatërrimeve, dhe kjo sepse mëshira është prioritare tek Krijuesi, meqë Ai shpërblen dhjetëfish më shumë për një vepër të mirë, kurse ndëshkimi pason vetëm në bazë të veprës një për një. Fuqiploti tha: “Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë.” (El En’am, 160).
Kjo nënkupton se një vepër e mirë mbulon apo fshin në një mënyrë dhjetë të këqija. A nuk është kjo drejtësi dhe mëshirë absolute e Krijuesit të universit?! Këtë Zot E besojnë myslimanët, i Cili është Absolut në çdo gjë dhe na ka zbritur kushtetutën absolute - Kur’anin, mësim dhe udhëzim absolut, prandaj përkon plotësisht me natyrshmërinë e njeriut.
Shkaku i këtyre pasojave?!
Shkak i shfaqjes së çrregullimeve në tokë e në det është mohimi i Allahut dhe të bërët shok përballë Atij në adhurim, ashtu siç thotë Fuqiploti “Ata lartësojnë (All-llahun) natë e ditë dhe nuk mërziten.” (El Enbija, 22).
Nëse adhurimi i zotave të tjerë të trilluar nga njerëzit, është shkak i shfaqjes së çrregullimeve, Allahu xh.sh. ka sjellë këto pasoja për njerëzit, ngase, po të gjykonte në bazë të veprimeve të tyre, atëherë toka dhe qiejt do të shkatërroheshin, ashtu siç thotë Ai: “Aq të shëmtuar sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti toka dhe gati u shembën kodrat nga ajo (fjalë)” (Merjem, 90).
Këtë ka aluduar pjesa e ajetit: “kështu që (Allahu) do t’i bëjë të përjetojnë pjesë nga ajo që kanë punuar”.(11)
Mirëpo, në ajetin vijues Allahu xh.sh. u bën thirrje njerëzve që të shikojnë nëpër tokë gjurmët e popujve që shkatërroi Ai për shkak të mosbesimit dhe mëkateve të tyre, duke na treguar se shkak i dënimit ndaj tyre nuk ishte vetëm adhurimi i zotave të trilluar, por ishin edhe mëkatet dhe të këqijat e tyre, kur thotë: “Thuaj (o Muhamed): “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë përfundimi i atyre para jush”. Shumica e tyre kanë qenë jobesimtarë (idhujtarë)”(12)
Ky është një argument që vërteton se vetëm adhurimi i zotave të rrejshëm nuk ishte shkaku i ndëshkimit të tyre, por ishin edhe mëkatet e tjera. Edhe myslimanët sot E besojnë Allahun xh.sh., mirëpo ata bëjnë veprime që janë shkak i dobësisë dhe i prapambeturisë dhe shkak i disa ndëshkimeve ndaj tyre, prandaj a ka kush që merr mësim???!!!(13)
Për myslimanët ndëshkimi hyjnor i sipërpërmendur nënkupton domosdoshmërinë e përmirësimit nga të këqijat që veprojnë, me qëllim që t’u tërheqë vëmendjen tek natyrshmëria e besimit-imanit. Ky përmirësim dhe kjo lënie e të këqijave tek dikush zgjat në varësi prej fuqisë së besimit që ka, te dikush zgjat një muaj a një vit, por kthehet prapë në të kaluarën, e dikush qëndron i përmirësuar gjatë tërë jetës. Pejgamberët a.s. u dërguan për t’i udhëzuar njerëzit dhe për t’u shpjeguar atyre ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, mbase disa popuj të pejgamberëve para Muhamedit a.s., Allahu xh.sh. i shkatërroi me ndëshkim masiv për shkak të krimeve të tyre dhe disa nga gjurmët e tyre mbetën në tokë, që njerëzit të marrin mësim deri në Kiamet. Lidhur me këtë, Ai tha: “Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, por ata vetes së tyre i bënë padrejtë.” (El Ankebut, 40).
Ndërkaq, pas dërgimit të Muhamedit a.s. nuk ndodh më ndonjë ndëshkim masiv. Mirëpo, me përsëritjen e mëkateve dhe të këqijave dhe kur ato kalojnë çdo kufi, ndëshkimi hyjnor përsëritet, por jo ai masiv, që të përfshijë të gjithë njerëzit. Historikisht, sa herë janë shfaqur të këqija, ka pasuar dënimi, dhe kështu do të jetë deri në Kiamet, prandaj le të jetë ky argument i ekzistimit të Zotit të botëve, Krijuesit të çdo sendi, tek i Cili është kthimi ynë – i Allahut xh.sh., Atij i qofshim falë!
Mr. Adnan Simnica