Shaipi Hoxha rrjedh nga familja e madhe e hoxhallarëve cernicas. Lindi në vitin 1871 në fshatin Cernicë.
Edukimin fetar bazë Shaipi e kishte marrë që në fëmijëri. Iu përkushtua fesë që kur filloi edhe të fliste. Babai i tij mulla Rexhepi, hoxhë e imam i nderuar i fshatit Cernicë, deshi (dhe ashtu veproi) që në fëmijëri, birin e tij Shaipin ta edukonte dhe arsimonte në fenë islame. Kësisoj atë e orientoi menjëherë në profesionin e hoxhës për t'i shërbyer popullatës së kësaj ane, në përhapjen dhe kultivimin e fesë islame.
Fatkeqësisht për shkollimin e mulla Shaipit si dhe për shërbimin në detyrën e imamit nuk kemi të dhëna, por ato që dijmë për të me siguri janë; ai në fshatin e tij të lindjes kreu mejtepin e atëhershëm. Pastaj një kohë kishte shkuar dhe kishte vijuar një shkollë në Shkup, por, mjerisht nuk dijmë cilën dhe çka kishte kryer. Gjithashtu, nuk dijmë se ku ka shërbyer, por duhet cekur se ai ka qenë myfti i rrethit të Gjilanit për disa vite (1942- 1945) gjatë luftës së dytë botërore dhe kishte shërbyer në xhaminë "Atik" por nuk dihet se kur. .. ?(1)
Mulla Shaipi ishte mësues fetar dhe kishte punuar nëpër shkolla të ndryshme, mejtepe në fshatrat e Anamoravës. Në kohën e mbretërisë Jugosllave në shkollën serbe në Cernicë ishte mësues i lëndës fetare islame. Një kohë ishte kryetar komune në Partesh. Ishte arsimdashës fetar dhe djalin e tij të vetëm Alirizaun deshi ta orientonte në profesionin e hoxhës, por rrethanat diktuan ndryshe dhe ai u bë mësues, tregon nipi i tij Shaipi, që mban emrin e gjyshit.
Mulla Shaipi ndërroi jetë në vitin 1952. dhe u varros në varrezat e qytetit në Gjilan. Ai pas veti la një djalë dhe 6 vajza, nga të cilët sot nuk jeton asnjë, andaj qe e vështirë të sigurojmë të dhëna të tjera biografike për myftiun e nderuar mulla Shaip Rexhep Hoxha - Cernica.
1. Të gjitha këto të dhëna (edhe pse të pakta) i tregoi nipi i tij Shaip Aliriza Rexhepi – nëntor 2012 Gjilan
Shkëputur nga Libri Imamët e Gjilanit 1912-2015