Veprimtaria fetare e Muhidin efendi Ahmetit

Te Hoxha i nderuar takoheshin kultura dhe dija e Lindjes dhe e Perëndimit. Kjo e bënte të veçantë dhe e dallonte atë nga të tjerët.

Ligjëratat fetare të Muhidin efendiut shtriheshin anembanë Shqipërisë, duke filluar nga: Tirana, Elbasani, Durrësi, Pogradeci, etj. (më gjerësisht shih shkrimin tonë në numrin e kaluar në Diturinë islame, nr. 332, "Në nderim të Muhidin efendi Ahmeti"). Kahdo që shkonte ai afronte xhematin dhe bashkonte njerëzit sepse ishte sa inteligjent dhe i matur poaq dhe i sinqertë, modest dhe shumë i dashur për të gjithë. Gjatë kohës sa qëndroi në Shkodër mori pjesë me kumtesa në një numër të madh të sesioneve shkencore, ndër më mbresëlënësit ishte sesioni shkencor i revistës "Zani i Naltë". Gjithashtu edhe gjatë kësaj periudhe mori pjesë në shumë konferenca shkencore, sa ishte me banim në Shkodër nga aty mori pjesë në konferencën shkencore në Sudan me temën: "Rinia Myslimane", dhe në Kajro në konferencën shkencore me temë: "Mendimi Islam Bashkëkohor".
Gjatë qëndrimit në Shkodër shkroi, përktheu e botoi këto vepra: - Përmbledhje ligjëratash fetare, Shkodër, 1996.
-Rreth përhapjes së Islamit të shqiptarët, Shkodër, 1997
- Libri im i vogël për hallallin dhe haramin, (botues dhe recensent), Shkodër, 1997.
- Dhimbjet dhe turpi i Shqipërisë, Shkodër, (Botues), 1997.
- Në rrugën e ngushëllimit e të shpresës, (përkthim nga boshnjakishtja), Shkodër, 1998.
Për disa nga këto betime u organizuan dhe u mbajtën edhe promovime.
Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, Muhidin efendiu së bashku me familjen e tij kthehet në vendlindjen e tij në Prizren për të vazhdua rrugën e tij aty ku e kishte lënë. Në këtë rast bëri një sërë aktivitetesh dhe veprimtarish të ndryshme fetare dhe kulturore. Si hap i parë e themeloi Qendrën Kulturore - Edukative "Horizonti i Dijes". Në këtë Qendër Edukative themeloi dhe hapi një bibliotekë të pasur, me mijëra tituj dhe vëllime.
Edhe në Prizren posikur në Shkodër organizoi tribuna të ndryshme fetare dhe shoqërore. Edhe kësaj radhe nuk u përqendrua vetëm në Prizren por dijen e tij e përhapi gjithandej nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, duke filluar nga: Dragashi, Suhareka, Rahoveci, Prishtina, Gjakova, Tetova, Skenderaj etj.
Në Prizren mbajti emisione të ndrysh me në televizionet private TV Besa, TV Prizreni, TV Opinioni, etj. Poashtu disa emisione i mbajti në Radion"Zëri i Shtimes" në Shtime, në radio Rahoveci, radio Besiana, etj.


Edhe në Prizren sikurse ne te gjitha vendet që jetoi dhe veproi u mor me shkrime, duke shtjelluar tema nga më të ndryshmet dhe gjithmonë aktuale.
Në Prizren botoi këto vepra:
- Këshilla islame, Prizren, 2000
- Bazat e pedagogjisë kur'anore, Prizren, 2002
- Mësimet e Kuranit, Prizren, 2003
- Agjërimi i Ramazanit, Prizren, 2003
- Shteti islam, Prizren, 2004
Në vitin 2006 emigroi në Wels për të përmbyllë karrierën e tij në po këtë qytet, i cili do ta mbante përgjithmonë në kujtime Hoxhën e tyre të ditur, të dashur, faqebardhë dhe shumë krenarë.
Muhidin efendiu, shpesh e kujtonte ngjarjen: "Kur shkuam në Austri, aty ishin një grup xhematlish pleq që kishin pritur dhe përcjellë një numër të madh imamësh në xhaminë e tyre. Në ditën e parë, sikur që është zakoni, filluam ta njohim njëri-tjetrin. Njëri ndër ta më pyeti: "Hoxhë efendi, prej nga jeni dhe çfarë shkolle keni përfunduar? Dhe pasi i tregova se kush isha dhe nga vija dhe çfarë kisha përfunduar, ai më tha: "Ishallah ke sukses dhe ia arrin të qëndrosh këtu nja dy vjet! Qesha dhe i thashë, po ta shohim një herë, ta fillojmë ... Por, ja që kaluan 13 vjet që nga ajo kohë ". Sa shpesh e ke përmendur këtë!"
Në këtë qytet ai do të emërohet si imam në xhaminë "Mesxhid Err- Rresul", të cilës përpos ligjëratave, predikimeve dhe këshillave të tij do t'ia linte trashëgimi dhe Qendrën Islame Kulturore, lejen e themelimit të së cilës e mori me mundin dhe sakrificën që diti ta bënte vetëm ai dhe atë në një kohë shumë të vështirë. Në Austri me të madhe u përhap dija dhe u vlerësua personaliteti i tij i famshëm, që në fillim të shtegtimit të tij, kolegët dhe xhemati i atjeshëm do ta emëronin Kryetarë të Unionit të Shqiptarëve Myslimanë, respektivisht Kryeimam të ALKIG-ut (DAMO), dhe Anëtar të Bashkësisë Islame të Austrisë - Dega Linz, dhe do të fillonte të jepte mësim në Shkollat e Mesme Publike në Linz dhe në Wels.
Gjatë qëndrimit të tij në Wels botoi këto libra:
1. Të jetosh në islam (Hutbe të zgjedhura), Wels, 2006
2. "Sfidat e rinisë bashkëkohore në kohën e globalizmit", Wels, 2008
3. Martesa islame, Wels, 2010
4. Mevludi në gjuhën shqipe, Wels, 2010
Për t'i përshkruar aktivitetet e tij në Wels do t'i radhisim ato më kryesoret si vijon:
- Organizimi i tribunave të shumta për kulturën shqiptare dhe islame, ky aktivitet thirrej: "Islami dhe shqiptarët në Austri".
- Organizimi i Hatmes së përvetësimit të Kuranit nga nxënësit, i cili kishte karakter sa fetar e më shumë atdhetar e kulturor sepse bashkonte shqiptarët e të gjitha trojeve.
- Takimi me nxënësit e shkollave të mesme publike në Wels.
- Takimi me zyrtarë të lartë në Komunën e Welsit dhe me zyrtarët e lartë të Gjykatës dhe Policisë së Welsit për lejen dhe informimin e aktiviteteve të ndryshme.
- Organizimi i "Festivalit të Kulturave", festival ky i cili pati jehonë të madhe kombëtare.
Pjesëmarrja neper konferenca shkencore në vend dhe jashtë tij etj.
Muhidin efendiu fliste dhe shkruante rrjedhshëm në një formë të përsosur dhe pa gabime gjuhën amtare, gjuhën shqipe, dhe gjuhën në të cilën kishte përfunduar studimet universitare, gjuhën boshnjake, ndërsa komunikonte, përkthente dhe shpjegonte në formë shumë të mirë gjuhën arabe dhe gjermane. Kurse në një shkallë të mirë e njihte dhe gjuhën turke.
Te Hoxha i nderuar takoheshin kultura dhe dija e Lindjes dhe e Perëndimit. Kjo e bënte të veçantë dhe e dallonte atë nga të tjerët.
Ishte hoxhë që sakrifica e tij na mësoi si duhet sakrifikuar për të mirën dhe të vërtetën. Ishte hoxhë, intelektualë, studiues, shkrimtarë e veprimtarë që nuk pat fatin të qëndronte në kabinete të gatshme që i kanë themeluar të tjerët, por ai i themeloi vet sepse kudo që vajti e krijoji vet një kabinet, një zyre, një bibliotekë, më pakë për veten e tij, por më shumë për të tjerët.
Kosovën e deshi shumë, prandaj dhe tash e tutje do të pushojë përgjithmonë në Tokën e saj të shenjtë sikur që e quante gjithmonë. Veproi jashtë saj, me shpresë se një ditë do të kthehej për të dhënë kontributin e tij këtu në vatanin që e deshi aq shumë, e që për lirinë e tij e sakrifikoi dhe lirinë e vetë personale, sepse herët iu bashku aradheve e grupeve që vepronin për çlirimin e Kosovës, për krijimin dhe shtetndërtimin e një Kosove që e meritonin dhe u duhej shqiptarëve. Edhe jashtë Kosovës veproi për Kosovën, madje nga Shkodra veproi për Kosovën dhe popullin e saj, dhe së fundmi edhe nga Welsi dhe Austria.
Prandaj, Muhidin efendi, pusho i qetë në Xhenet dhe i kënaqur tek Zoti Yt dhe vepra jote prore bëftë dritë!



Dr. Hatixhe Ahmedi
DituriaIslame 333


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?