Mulla Emini është i lindur më 05.06.1878 në fshatin Përlepnicë.
Mësimet e para i mori në familjen e tij dhe në mejtepin e fshatit. Pastaj vazhdoi shkollimin në medresenë e Dobërqanit, ku u përgatit për imam -hatib për nevojat e kohës. Më 1898 - 99 emërohet imam në xhaminë e epërme në Dobërqan në të cilën përfshiheshin edhe fshatrat si: Topanica, Kmetoci, Vërbica dhe Përlepnica, dhe që nga ajo kohë në atë xhami ligjërohej në gjuhën shqipe, sepse mulla Emini ishte njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe zotëronte edhe gjuhë të tjera si: osmanisht, arabisht dhe persisht.
Përkundër asaj që Mulla Emini me moshë ishte mjaft i ri, emërimin e tij e përkrahi Mexhlisi i Ylemave dhe hoxhallarët e asaj kohe.
Mulla Emini, përveç si njohës i mirë i osmanishtes dhe arabishtes dallohej edhe si komentues i mirë i Kur'anit - tefsirit dhe ligjëroi nëpër shumë xhami në trevat tona për afro gjysmë shekulli me radhë dhe për çdo të shtunë ligjëronte edhe në xhaminë e madhe të Gjilanit.
Pas tërheqjes se osmanlive nga trojet tona, vendi ynë ra nën pushtimin e mbretërisë Serbe e më vonë serbo-kroato-sllovene, kështu që hoxha doemos u desh të kryente provimin e gjuhës serbo kroate dhe emërohet ofiqar në fshatrat ku shërbente edhe si imam. Vlen të ceket viti 1933- 34 kur me angazhimin e tij personal dhe xhematit të Përlepnicës fillon rindërtimin i xhamisë, dhe që nga atëherë tërhiqet në xhaminë e Përlepnicës duke punuar edhe si ofiqar. Si imam hatib dhe ofiqar shërben deri në vitin 1951 kur edhe pensionohet.
Mulla Emini ishte ndër të parët që hytben e mbajti në gjuhën shqipe dhe ishte kundërshtar i madh i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Për çka, në këtë drejtim luajti rol vendimtar për parandalimin e shpërnguljes te bashkëfshatarët e tij.
Me ligjërata fetare në gjuhën shqipe (hytben) vazhdon gjatë tërë jetës së tij, deri në vdekje 1956.
Prej shënimeve të hoxhës ka mbetur vetëm vepra në osmanishte e titulluar "Nasiha", një kopje të së cilës e posedon nipi Abdylhakimi, ndërsa kopja tjetër gjendet në Bibliotekën e Bashkësisë Islame në Gjilan.
Nga viti 1951 detyrën e imamit në fshatin Përlepnicë e merr djali i tij Mulla Shefket (Emin) Shaqiri.
Shkëputur nga libri: “Imamët e Gjilanit 1912-2015”
Islam H.Osmani