Mulla Kadri (Ibrahim) Rashiti (1904-1978)

Fshati Llashticë njihet si çerdhe tradicionale e kultivuesve të islamit. Si fshat i hoxhallarëve të dalluar, të cilët me diturinë e tyre fetare njiheshin anë e mbanë Anamoravës.

Njëri ndër personalitetet më të njohura fetare islame, hoxhë me ndikim të madh në Anamoravë, që nga dhjetëvjetëshi i tretë i shekullit të XX-të, padyshim zë figura e shquar e kësaj ane mulla Kadri Ibrahim Rashitit.
Mulla Kadriu ishte fëmiu i parë i imamit të fshatit mulla Ibrahimit. Mulla Kadriu u lind në vitin 1904.
Mësimet e para fetare i mori nga i ati mulla Ibrahimi, por edhe nga mulla Rrahimi, i cili ishte mësimdhënës i Medresesë në Gjilan. Mulla Kadriu kishte vazhduar mësimet në Medresenë e Gjilanit në vitin 1942-43. Mulla Kadriun e kishin burgosur po këtë vit (1943) dhe e kishin mbajtur në burgun e Zhegrës. Bashkëfshatarët e tij kishin protestuar 13 ditë me radhë për lirimin e tij, por ai ishte liruar vetëm pas grumbullimit të një sasie të madhe të mjeteve materiale (lira turke në ari) të kërkuara nga pushteti i atëhershëm serb. Mulla Kadriu ishte edhe nxënës i Medresesë "Medah" të Shkupit. Atje për mësues (alim) kishte myderrizin e njohur Atullah efendi Kurtishin, si dhe hoxhën e nderuar Fetah Efendiun e Shkupit.
Në moshën 18 vjeçare vazhdon shkollimin e tutjeshëm, tani në Gjilan te myderrizi i mirënjohur Abdurrahim Hyseni.
Studimet te myderrizi Abdurrahimi, mulla Kadriu i përfundoi në vitin 1928. Nga kjo del se ai studioi hiç më pak se 10 vjet pa ndërprerje.
Gjatë kësaj kohe, prej vitit 1928-1930, sa ishte duke studiuar e mësuar tek Abdurrahim efendiu (në Medresenë e Gjilanit) ai punoi dhe jepte mësim në mejtepin e Zhegrës.
Pas përfundimit të studimeve merr "Ixhazetnamen", e cila në të vërtetë ishte diplomë e shkollimit dhe dëshmi e aftësimit të një rangu të lartë arsimor (të kryerjes së një shkollimi të lartë, apo fakulteti). Pas kryerjes së shkollimit, mulla Kadriu emërohet në funksionin e kryeimamit, përkatësisht të inspektorit të xhamive për tërë rrethinën e Gjilanit e regjionit të Anamoravës. Në këtë funksion qëndroi deri në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e dytë Botërore, në vitin 1944. mulla Kadriun e gjeti në vijën frontit duke e mbrojtur kufirin lindor, respektivisht hekurudhën e Preshevës.
Edhepse forcat pushtuese nga trojet shqiptare të Kosovës lindore ishin dëbuar kohë më parë, në vitin 1944, në ditën e Kurban Bajramit, derisa mulla Kadriu ishte duke dhënë vajz (mesazhin e Bajramit), pas faljes së namazit të sabahut, papritmas kishte ardhur një person dhe kishte lajmëruar se Presheva ishte sulmuar, se kishte shpërthyer lufta në mbrojtjen e kufirit lindor të trojeve shqiptare me Serbinë. Pa një pa dy, mulla Kadriu kishte ndërprerë vajzin dhe i ishte drejtuar xhematit të pranishëm me fjalët; "O vllazni ne tash duhet të nisemi për me u ndihmuar vllazënve tanë në Preshevë, sepse atje ata janë të sulmuar nga sllavo-çetnikët. Andaj kush çka ka prej armëve, le ti marrin me vedi dhe sa më parë t'u shkojmë në ndihmë vëllazënve në Preshevë." Të gjithë që ishin të aftë për të luftuar u bënë gadi dhe shkuan, përveç një numri të vogël të cilët nuk ishin të aftë për luftë që mbetën në xhami. Mulla Kadriu kishte marrë pjesë edhe në luftën e Ferizajt, bashkë me Hysen Tërpezën e shumë bashkëfshatarë të tij.
Mulla Kadriu ishte komandant i "Njësitit Sulmues të vullnetarëve" në mbrojtjen e kufirit lindor të trojeve etnike shqiptare.
Andaj, ai gjithmonë ishte në sy të keq të regjimit të atëhershëm serb.
Sa e sa herë ishte dënuar e ftuar në polici për pothuajse asgjë, sikundër edhe për heqjen e ferexhesë në vitet e para të pasluftës së dytë botërore, por asnjëherë nuk u gjunjëzua, gjithmonë ishte stoik në qëndrimet e veta, duke i mbrojtur ato, ashtu siç mbronte çështjet fetare (Ligjin e Sheriatit) mbronte edhe interesat kombëtare.(1)
Se vërtetë kemi të bëjmë me një njohës të shkëlqyeshëm të Sheriatit, Kur'anit e fesë islame dëshmon e dhëna se ai kishte bashkëpunim të ngushtë me Hasan efendiun (i cili kishte kryer studimet në Kajro të Egjiptit) si dhe me Fahri efendiun që të dy nga Gjakova, dhe që të tre ishin pjesëmarrës dhe bashkëpunëtorë profesional në botimin e librave fetarë në Kajro.
Në përfundim të luftës së dytë botërore, në vitin 1944, mulla Kadriu arrestohet dhe falë aftësisë dhe gjeturisë në gjykimin e tij, pas 40 ditësh në burg, lirohet, por pastaj gjatë gjithë jetës së tij, deri në vdekje, ishte nën vëzhgim nga pushteti serbo-jugosllav.
Mulla Kadria ishte anëtar i PNDSH-së, ishte bashkëpunëtor dhe mbante lidhje me myderrizin, patriotin e njohur Haki ef. Sermaxhajn si dhe me patriotin e atdhetarin e njohur, bashkëfshatarin (i afërm e familjar i tij) Esat Berishën.
Që nga përfundimi j luftës së dytë botërore, deri në fund të jetës 1978 shërbeu në detyrën e imamit nëpër fshatrat e Anamoravës, si: Sllatinë, Gjylekarë, Pozheran dhe në Llashticë. Pasi aftësitë e tij profesionale ishin vërejtur edhe nga organet e atëhershme të larta të fesë islame, nga ana e kryemyftiut të Sarajevës, me pëlqimin e kryesisë së fesë islame të Kosovës që asokohe ishte me seli në Prizren, deshën ta angazhonin në poste të ndryshme udhëheqëse fetare, por mulla Kadriu nuk pranoi me një arsyetim këmbëngulës se: "Nuk dëshiroj të punoj e veproj sipas vullnetit e diktatit të pushtetit të atëhershëm".
Mulla Kadria ishte kategorik kundër shpërnguljes së bashkëfshatarëve dhe qytetarëve tjerë të Kosovës për në Turqi si para, gjithashtu edhe pas luftës së dytë botërore.
Të gjitha këto aktivitete dhe angazhime, si në rrafshin fetar gjithashtu edhe atë atdhetar, mulla Kadriun e bëjnë të dashur dhe të afërt për secilin individ qoftë ai xhematli, fetar apo njeri i thjeshtë.
Mulla Kadriu kishte aftësi oratorike, ishte shumë i aftë profesionalisht, i kompletuar dhe gjithmonë me mençuri i dilte zot detyrës së tij të shenjtë prej misionari të fesë islame sa herë që e kërkonte nevoja. Ai luajti rol të rëndësishëm në pajtimin e ngatërresave e gjaqeve dhe në zgjidhjen e problemeve që paraqiteshin në Anamoravë. Në të gjitha pajtimet ku shkonte për të zgjidhur ndonjë ngatërresë, konflikt apo vrasje ai kishte për bazë drejtësinë dhe gjithmonë mbështetej në parimet kur’anore. Andaj, me të drejtë unë mulla Kadriun do ta quaja "Hoxha i hoxhallarëve" të komunës së Gjilanit në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, e ndoshta edhe më gjerë.
Mulla Kadriu ndërroi jetë në vitin 1978 dhe u varros në oborrin e xhamisë në fshatin e tij të lindjes, Llashticë.


_________________
1. Disa nga të dhënat na i tregoi (me shkrim dhe gojarisht) Haxhi Ymer Ibishi, shtator, 2011. Gjilan, bashkëfshatar (kushëri) i Mulla Kadri Ibrahim Rashitit.



Shkëputur nga libri: “Imamët e Gjilanit 1912-2015”
Islam H.Osmani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?