Haxhi – kohezioni dhe solidariteti i ndërsjellët i myslimanëve


Islami i kushton rëndësi të madhe unitetit, vëllazërisë dhe solidaritetit të përgjithshëm të myslimanëve, dhe se janë nga parimet dhe mësimet themelore islame.

Në mbështetje të kësaj,e përmendim ajetin 103 të sures Ali-'Imran, i cili shërben si një "logo" për kohezionin dhe solidaritetin e ndërsjellët të myslimanëve, duke injoruar çdo dallim: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut (fenë dhe Kuranin), e mos u përçani (ndani)! Përkujtojeni nimetin(begatinë) e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntitë e Tij aguat të jeni vëllezër.“(1)
Ibn Xhuzejjel-Endelusi, në lidhje me këtë thotë: "Litari këtu është një metaforë (isti'ara) për termin e litarit i cili mbahet në duar, e mendohet për Kuranin, dhe thuhet për xhematin."(2)
Ibn Kethiri thotë: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut (fenë dhe Kuranin), e mos u përçani (ndani)!”, thotë që ka mendime se: "për litarin e Allahut" do të thotë për obligimin e marr nga Allahu i Lartësuar, siç tregon edhe ajeti vijues: “Atyre (jehudive) u është vënë njollë e nënçmimit kudo që të gjenden, vetëm nëse kapen për litarin (fenë) e Allahut dhe kthehen në besën e njerëzve (të myslimanëve).”(3)
Thuhet se Kurani është "litari i Allahut", siç thuhet në hadithin e Harithel-A'verit, i cili transmeton nga Aliu r.a., dhe kjo i atribuohet Pejgamberit s.a.v.s., (merfu') në të cilin ai e përshkruan Kuranin: "Ai është litar i shtrënguar i Allahut dhe rruga e Tij e drejt!" Ka edhe hadithe të tjera me këtë kuptim. Pikërisht, hafiz Et-Taberiu, me zinxhirin nga EbuSeidi, se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: "Libri i Allahut është litari i Allahut i shtrirë (lëshuar) nga qielli në Tokë!" Fjalët: "dhe mos u përçani (ndani)!", paraqesin urdhërim për xhematin, organizimin e komunitetit dhe ndalimin e përçarjes (ndarjes).(4)

Haxhi si solidaritet i myslimanëve

Duke folur për solidaritetin mes myslimanëve, Husein ef. Xhozo, profesor i dikurshëm i Fakultetit teologjik në Sarajevë, në tekstin e tij “Hadž”, përmend shembullin e haxhit dhe thotë:"Haxhi do të duhej të ishte një manifestim i solidaritetit të ndërsjellë, marrëdhënies vëllazërore, dashurisë sëndërsjellë dhe barazisë ...".(5)
Profesori Xhozo, e fillon mirë këtë paragraf, 'Haxhi do të duhej të ishte', shtrohet pyetja se mbi çfarë baze do të duhej të ishte, po sigurisht që mbi baza e parime islame e qëllimit të fortë për të marr këtë rrugëtim sa fizikë, aq më shumë edhe shpirtërorë. Na parashtrohet edhe një pyetje tjetër: A na zgjatet ky rrugëtim gjatë gjithë jetës, ose qëllimi ynë është që vetëm në formë piktoreske dhe me sytë tanë fizikë të shohim Qabenë (sepse ajo sot ka një mbulesë të shtrenjtë, me fije mbishkrimi nga ari, e që diçka të tillë Omeri r.a., nuk pranoi ta bëjë kur ishte kalif, sepse ai preferonte që t’i ushqejë të varfëritë dhe t’i ndihmojë nevojtarët) ose të puthim haxherul - esvedin (gurin e zi)...?
Shtrohet pyetja tjetër se a do të jetë haxhiu(6) i cili i viziton këto vende, më i mirë në të gjitha aspektet me kthimin e tij në vendin e vetë? A do të jetë prej atyre hanxhinjve të cilët, në qoftë se i pyet për ndjenjat e tyre gjatë kryerjes së haxhit, do të thonë se nuk mund ta përshkruajë këtë ndjenjë, pjesën e brendshme të qenies? Ose do të mundohet që të gjejë ndonjë gabim atje, të cilës do natyre qoftë, dhe ta e përfol me kthimin e tij në vendin e vetë!
Gjithashtu, shtrohet pyetja, se sa do të jetë haxhiu, me kthimin e tij nga haxhi, solidar me të tjerët, vëllazërisht i lidhur në dashuri dhe barazi të ndërsjellë,komponentë këto të cilat janë të nevojshme sot në mesin e myslimanëve si kurrë më parë?
Profesori në fjalë, në tekstin e tij vazhdon e thotë: "...Mbreti është i barabartë me portier të tij, shefi me shërbëtorin e tij më të ulët ...". Sot, ne nuk mund të pajtohemi plotësisht me fjalët e autorit, sepse sot, e që nuk është për çudi, udhëheqësit myslimanë nuk janë të barabartë me të nënshtruarit e tyre, sepse këta të parë, në vend që vetë ta kryejnë këtë obligim, sikur edhe të nënshtruarit e tyre, ka të tillë që me vete sjellin dhjetëra truproje.
Autori më tej vazhdon e thotë: "...Në haremin e saj (harem të Qabesë), Muhamedi s.a.v.s., pajtonte fise të grindura, eliminonte dallimet dhe formonte një shoqërie islame monolite dhe të unifikuar... A i dëgjojmë këto porosi dhe si i përjetojmë ne sot, kur e vizitojmë Qabenë, dhe kur qëndrojmë në Arafat? Duket se, jehona e porosive të tilla kohë më parë u zbeh, ajo më nuk tingëllon në veshët e haxhilerëve, e as që depërton në shpirtrat dhe zemrat e tyre. Bota islame është plotësisht e shkapërderdhur (e përçarë)...".
Parashtrohet edhe një pyetje tjetër e rëndësishmes, në qoftë se përçarja e myslimanëve,ishte aq e dukshme në kohën dhe rrethanat kur është shkruar teksti nga profesori Xhozo, atëherë çfarë mund të themi për gjendjen aktuale të botës myslimane. Cilat janë shkaqet për rënien (prapambetjen) dhe përçarjen e myslimanëve? Me këtë çështje janë marr mjaft intelektualë nga radhët e jomyslimanëve dhe myslimanëve, ndër të cilat mund të përmendim Emir Shekib Arslanin dhe veprën e tij të famshme: “Pse myslimanët kanë prapambetur derisa të tjerët janë në progresin e tyre”.

Përse janë myslimanët “të prapambetur” e të përçarë?

Për këtë temë janë ofruar përgjigje të shumta, por deri sot nuk kënaq asnjë prej tyre! Përse e themi këtë? Sikur ndonjë përgjigje të ishte me vend, bota myslimane do ta kapërcente dobësinë, amullinë, konfuzionin ideor dhe praktik dhe do të bëhej fuqi kreative në botë.
Dr. Ahmet Alibashiqi, ligjërues i lëndës së Kulturës dhe qytetërimit islam në Fakultetin e shkencave islame në Sarajevë, në mënyrë mjeshtërore e përshkruan gjendjen e myslimanëve sot dhe pyetjeve të cilat çdo ditë e më shumë i preokupojnë mendjet e myslimanëve, duke thënë: “Përgjigje kanë ofruar shumë dijetarë, shumë politikanë, por ato disi nuk kanë gjetur mbështetje në jetën konkrete... Jemi mjaft në kuantitet, por kontributi ynë është i mangët, i pamjaftueshëm madje herë-herë kontributi ynë është kundër nesh. Përse kështu? Edhe pse dijetarët kanë mendime të ndryshme, mendoj se kthimi në burimet islame dhe në përvojën pozitive historike, do të ofrojë përgjigje. Ta lexojmë Kuranin së pari: “...E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.” Dhe thotë Allahu xh.sh.: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.”(7)
Muhamedit s.a.v.s., ka thënë:“Do të vijë koha kur shumë popuj do t’ ju mësyjnë juve, sikurse populli i uritur që mësyn enën me ushqim. Dikush nga të pranishmit pyeti: A mos është kjo pse do të jemi pak? Jo, u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s. Përkundrazi, do të jeni shumë por do të jeni sikurse shkuma. Allahu nga kraharori i armiqve tuaj do ta heq frikën që e kanë ndaj jush kurse në zemrat tuaja do të hedhë dobësi. Cila është kjo dobësi, o Pejgamber i Allahut, pyetën? Dashuria ndaj dynjasë (botës) dhe përbuzja ndaj vdekjes.” (EbuDavud)(8)
Kur diku përpiqemi të flasim për këtë temë, ne shpesh mund të dëgjojmë se një ndikim të madh në këtë drejtim pati kolonializmi, megjithatë, profesori Xhozo absolutisht nuk pajtohet me këtë fakt, dhe thotë: "Në botën islame shumë përpara se të shfaqej kolonializmi kishte filluar procesi i përçarjes,ndarjes, luftërave reciproke, fanatizmit etj. "Duke u futur në një shqyrtim më të thellë të këtyre fjalëve, mund të kuptojmë dhe me plotë kuptimin e fjalës mund të themi se arsyeja më e madhe për gjitha këto ishin aspirata dhe lufta për pushtet, duke filluar pas vdekjes së Muhammedit s.a.v.s., e deri në ditët tona, e që në një masë më të vogël ishte për shkaqe sektare dhe natyra e fikhut (jurisprudencës islame). Perëndimi me shumë mjeshtëri i përdori dobësitë e lartpërmendura të myslimanëve, e gjithë kjo me zbatimin e parullës (motos): “Përça dhe sundo.”
Sot nuk ka më kolonializëm në kuptimin klasik të fjalës, as komunizëm, megjithatë, mbetën gjurmët e tyre, të cilat nuk mund të fshihen lehtë. Përçarja reciproke, ndasitë, konfliktet dhe mosmarrëveshjet janë të pranishme sot në një masë edhe më të madhe tek myslimanët.
Si përfundim i këtij teksti, do të përmendim fjalët e prof. Xhozos, i cili thotë: "Këto konflikte janë përforcuar nga influenca dhe ndikimi i huaj ..." Çfarë komenti mund të bëhet në këto fjalë, me siguri se dikujt, sikur më parë edhe sot,i konvenon përçarja dhe urrejtja në mesin e myslimanëve. Megjithatë, ne nuk duhet të hedhim fajin vetëm mbi fajtorët e mundshëm të përmendur më parë, sepse faji më i madh është në vetët tona, e që arsyeja është e thjeshtë: “Jemi larguar nga parimet e Kuranit dhe Synetit të Muhamedit s.a.v.s., prandaj për këtë shkak Allahu i Plotfuqishëm e largon mëshirën dhe ndihmën e Tij nga ne.”(9)
Në fund të gjithë kësaj, të parashtrojmë një pyetje të fundit, se sa përpiqemi ne si myslimanë në përmirësimin e situatës sonë dhe rrethanave tronditëse në të cilat jetojmë, e që Allahu Fuqiplotë të na përmirësojë situatën tonë, të na shikojë me sy mëshire dhe ndihmojë në çështjet tona... Për fat të keq shumë pak, për të mos thënë hiç!


___________________
1.Surja Ali-'Imran, 103.
2. Ibnel-Xhuzejjel-Kilbiel-Endelusi,Olakšani komentuar Kur'ana, përkthim nga arabishtja dhe shënimet: Doc. dr. AlmirFati?, Vëll. 1, Sarajevë, 2014, f. 437.
3. Surja Ali-'Imran, 112.
4.IbnKethiri, Tefsir ibn Kesir (verzioni i shkurtuar), Komiteti i lartë Saudit për ndihmë në Bosnje dhe Hercegovinë, 2002, f. 219.
5.Shih: Glasnik, XXXV/1972, nr. 3-4, f. 113-121.
6.Huseinef. Xhozo thotë se termi “haxhiu” nuk e ka bazën fetare dhe se nuk ka qenë i njohur në shekuj të parë të Islamit. Ka qenë i panjohur deri në vitin 564. sipas hixhretit. Në atë vit, siç përmendin historianët, kishte ardhur deri te kryengritja më e madhe në mes të eshrefit të Mekës, për këtë arsye në atë vit askush nuk ka mundur që të kryejë obligimin e haxhit. Vitin e ardhshëm obligimi i haxhit është mundur të kryhet vetëm me armë, dhe me rrezik të madh për vdekje. Personi i cili e kryente haxhin në rrethana të tilla, kur është kthyer në vendin e vetë i gjallë, është pritur dhe quajtur me fjalët haxhî. (...) Sot, një numër i konsiderueshëm i myslimanëve e kryejnë obligimin e haxhit vetëm për të fituar emërtimin haxhî. Një numër i madh i tyre inatoset nëse nuk ia bashkëngjisim këtë emërtim emrit të tij. Për më shumë shih: Prof. Husein?ozo, Fetve u vremenu (1965-1977), Ilmijja BiH, Srebrenik, 1996, f. 161.
7.Surja Er-Ra’d, 11.
8.Për më shumë shih: http://www.rijaset.ba/index.php?option=com_content&view=article&id=4660:zato-smo-slabi-2&Itemid=568, 23.06.2015.
9.Shih: Glasnik, XXXV/1972, op. cit., f.113-121.


Artikulli i kaluar
El- hamdu lil-lah

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi