Mos u dëshpëro, bashkë do ta kalojmë edhe këtë sprovë!

 


(Disa reflektime lidhur me virusin korona)

Në këto ditë mbarë botën e ka kapluar trishtimi dhe frika, madje edhe paniku, nga përhapja e shpejtë e virusit korona. Ai është përhapur në më shumë se 150 vende të botës, çka OBSH-në (Organizatën Botërore të Shëndetësisë) e detyroi të shpallë zyrtarisht edhe pandeminë. Kjo flet mjaft për seriozitetin e kësaj dukurie dhe e arsyeton shumëfish reagimin e shpërqendruar të njerëzve anembanë botës, sidomos në vendet ku kjo tanimë ka shënuar me dhjetëra, qindra e mijëra të vdekur. Situata assesi nuk lë vend për ta minimizuar rrezikun, por ama edhe panikut, rrëmujës së pakuptimtë, nuk duhet bërë vend.
Më duhet t’ia kujtoj vetes por edhe ty disa të vërteta të mëdha që duhet t’i kemi parasysh në raste të këtilla.
Ne jetojmë në një botë me mbi 8 miliardë banorë, me miliarda gjallesa e me shumë dukuri të ndryshme natyrore, si tërmete, vërshime, vullkane etj. Secili njeri në fakt përbën një botë në vete me idetë, me ndjenjat e me sjelljet dhe veprimet e tij. Tetë miliardë njerëz në fakt janë tetë miliardë botë të ndryshme, janë më së paku tetë miliardë dëshira në ditë, në qoftë se llogarisim që njeriu në ditë të ketë vetëm një dëshirë. Sikur të ishte kështu, shumë më lehtë do të ishte, por realiteti është se edhe ne habitemi me vetveten se sa dëshira e dëshpërime, sa gëzime e sa zhgënjime përjetojmë brenda një dite. Ne shpeshherë në ditë acarohemi e zemërohemi me vetveten, e kundërshtojmë vetveten, më vonë e gjejmë një rrugëdalje, një rrugicë dhe fillojmë të buzëqeshim, më pas edhe të qeshemi me vetveten. Ky jemi ne. Po pastaj, në kontakt me njerëzit e familjes, me shoqërinë ku jetojmë, kuptojmë se sa të ndryshëm jemi, sa të kundërt madje jemi me njëri-tjetrin. Dëshira ime shumëkujt mund t’i duket kërcënim i rehatisë së tij, prandaj ai edhe reagon kundër, ose së paku ndihet i tillë. Përskaj kaq shumë njerëzve, ne bashkëjetojmë edhe me miliarda gjallesa e qenie të tjera, me shpirt e pa shpirt. Jo të gjitha këto i “shërbejnë” mirëqenies sonë. Shumë prej tyre na duken të “egra”, të rrezikshme, kërcënuese… T’ia shtojmë kësaj edhe dukuritë natyrore që vërtet e kërcënojnë jo vetëm shëndetin, por edhe vetë jetën e jo një njeriu, por të një komuniteti të tërë ose edhe të mbarë njerëzimit. Pra, duke jetuar në një botë kaq diverse, kaq të larmishme, ne në fakt bashkëjetojmë edhe me të keqen që na vjen si nga vetvetja ashtu edhe nga të tjerët. Ne jetojmë në një kompleks, në një rrjet të ngarkuar me shumë pakënaqësi, rreziqe e kërcënime. Nga ky këndvështrim, themi se jeta në tokë është e paraprogramuar që të jetë sprovuese si për individin ashtu edhe për shoqërinë dhe për mbarë njerëzimin. Sprovat e cilit do lloj qofshin, janë të pashmangshme, janë pjesë e jetës sonë. Sidomos sot në epokën e komunikimit dhe të lëvizshmërisë masive dhe gjithnjë në rritje, njoftimi për këto sprova është edhe më i lehtë edhe më i shpejtë. Por ama edhe bartja e këtyre të këqijave dhe sprovave është më e lehtë, më e shpejtë dhe më e pakontrollueshme.
Nga ana tjetër, ne kemi edhe segmentin e së bukurës, të së mirës e të dobishmes, që jetës sonë i jep ngjyrë, i jep kuptim dhe nga ku ne e vjelim shpresën për një jetë më të lumtur. Duke qenë se ky segment zakonisht mbisundon mbi të kundërtën e tij, se e mira dhe e dobishmja janë dominuese mbi të keqen, mbi të shëmtuarën dhe mbi të dëmshmen, na jep të kuptojmë se sprovat, cilat do dhe nga kushdo qofshin ato, mbeten të përkohshme dhe të kalueshme. Asnjëra prej sprovave nuk zgjat pafundësisht, ato kanë të sosur. Prandaj edhe pikërisht këtu kërkohet durimi, qëndrueshmëria dhe mosluhatja nga angazhimi për arritjen e së mirës, të mirëqenies e të rehatisë individuale dhe kolektive. Vetë fjala durim në vetvete nënkupton kalueshmërinë e asaj për çka apo kundër çkaje duhet qëndruar i paluhatshëm. Sikur e keqja, fatkeqësia apo sprova të ishte e pafundme, as që do të kërkohej durimi, por as edhe që do të kishte kuptim ai. Durimi ka kuptim në raste sprovash e fatkeqësish. Asnjëherë nuk i themi dikujt që është mirë: “A po bën sabër?”, sepse ai me habi do të na pyeste: “Pse, çfarë nëme më paska gjetur?!”. Por, një njeriut që i ka rënë në kokë një gjëmë, atij lirisht dhe me vullnet të madh i themi: “A po bën sabër? Hajt se e kalueshme është kjo!”.
Duke e pasur parasysh këtë të vërtetë, Zoti në Kur’anin fisnik e ngushëllon Pejgamberin a.s., e me këtë edhe mbarë njerëzimin, me fjalët: “E, pa dyshim se, pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” (Kur’ani, 94:5-6). Ndërkaq Muhammedi a.s. e përshkruan shumë mirë këtë aspekt duke thënë: “Shembulli i besimtarit është sikurse shembulli i kërcellit të bimës të cilin e lëkund era: herë e rrëzon e herë e drejton, derisa t’i vijë fundi…” (Muslimi).
Sprovat me të cilat ballafaqohemi gjatë jetës, megjithëse janë të shumta, të ndryshme si për nga karakteri ashtu edhe për nga vështirësia, si uria, etja, frika, infektimi, sëmundja, vdekja, humbja e pasurisë etj., ato mbeten të përkohshme, afatshkurta dhe të tejkalueshme. Ato mund edhe të përsëriten, mund edhe të kalojnë nga njëra në një gjendje tjetër, sikurse hekuri i cili skuqet në zjarr e pastaj hidhet në ujë, por mbeten të kalueshme. Ne njerëzit nuk thyhemi kollaj. Po, ne mund të rrëzohemi, por dimë edhe të ngrihemi; ne nuk rrimë shtrirë apo rrëzuar përgjithmonë. Pikërisht mosdurimit të të qëndruarit shtrirë apo rrëzuar përtokë, prirjes për t’u ngritur sa herë që biem, i themi durim, sabër. Durimi pra, nuk nënkupton tërheqjen në vetvete dhe dorëzimin kur sheh sprovat dhe vështirësitë, por nënkupton qëndrimin përballë tyre me dëshirën dhe vullnetin për t’i tejkaluar ato me më pak dhimbje e dëm dhe për të arritur përsëri në gjendjen e mirëqenies së mëparshme. Në këtë kontekst Muhammedi a.s. na kujton një të vërtetë të madhe kur thotë: “Është për t’u habitur me gjendjen e besimtarit, çdo gjë që i ndodh atij, shkon në favor të tij: kur e godet një rast i gëzueshëm, ai e falënderon Zotin për këtë mundësi dhe me këtë fiton mirësi; por edhe kur e godet ndonjë fatkeqësi, ai tregohet i durueshëm dhe i qëndrueshëm dhe me këtë fiton përsëri mirësi” (Muslimi). All-llahu fisnik në Kur’an për këtë të vërtetë të madhe thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, por ti përgëzoji durimtarët, të cilët, kur i godet diçka e pakëndshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Të tillët janë ata që kanë bekime prej Zotit të tyre dhe mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit.” (Kur’ani, 2:155-157).
Shumë njerëz durimin apo sabrin e llogarisin vetëm të një lloji. Ndërkaq durimi është më së paku katër llojesh: 1. durimi ndaj fatkeqësive e sprovave, duke e frenuar vetveten nga zemërimi, frika dhe paniku, 2. durimi ndaj të mirave, që kushtëzohet me falënderim dhe mirënjohje e jo me nëpërkëmbje dhe mendjemadhësi, 3. durimi ndaj detyrave dhe obligimeve, duke u kujdesur për to dhe duke i realizuar ato në vazhdimësi, dhe 4. durimi ndaj së keqes, së ndaluarës dhe së dëmshmes, duke e ruajtur veten larg saj.
Për durimin e cilit do lloj qoftë, si Kur’ani fisnik ashtu edhe Muhammedi a.s., kanë shprehur fjalët më të larta. Atë që Muhammedi a.s. e thekson në rastin e goditjes nga fatkeqësia është goditja e parë, faza fillestare. Kështu, ai një ditë kaloi pranë varrezave dhe e pa një grua duke vajtuar mbi një varr. I tha asaj: “Kujto Zotin dhe bëj durim!”. Ajo i tha: “Largohu nga unë! Ty nuk të ka goditur ajo që më ka goditur mua!” Ajo nuk e njohu atë. Më vonë i treguan asaj se ky që e këshilloi të bënte durim ishte Muhammedi a.s. Ajo e turpëruar, shkoi te shtëpia e Pejgamberit a.s. dhe i tha: “Më fal, se nuk të njoha!”. Ai i tha: “Durimi duhet treguar në goditjen e parë!” (Buhariu dhe Muslimi) Pra, pikërisht sapo të godet fatkeqësia durimi merr kuptim, sepse pasi të kalojë një kohë e të qetësohet situata atëherë më nuk ka kuptim durimi, siç e theksuam më lartë.
Muhammedi a.s. po ashtu ka thënë: “Për çdo mundim, sëmundje, pikëllim, trishtim, dhimbje, fatkeqësi, madje edhe një gërvishtje e një gjembi që i bie muslimanit, Allahu i shlyen atij pjesë nga mëkatet e tij!” (Buhariu dhe Muslimi). Pra, qëndrimi dinjitoz përballë këtyre vështirësive shpërblehet nga ana e Zotit me falje të mëkateve dhe me shpërblime të mëdha në Xhennet, por para së gjithash, frytet e këtij durimi njeriu i shijon edhe në këtë botë.
Le ti kthehemi sërish shpërhapjes marramendëse të virusit të koronës (Covid 19) në muajt e fundit nga Kina e deri këtu në Zvicër. Disa persona eksponentë, siç bëjnë zakonisht, nguten kur i vlerësojnë këto sprova të cilat e godasin njerëzimin. Ata ia japin vetvetes të drejtën e Zotit, që këto sprova e fatkeqësi t’i quajnë mallkim, hakmarrje dhe dënim nga Zoti, nga arsyeja se ata nuk janë muslimanë ose edhe pse mund të jenë muslimanë, mirëpo janë mëkatarë të mëdhenj e të hapur. Kur këto sprova i kaplojnë edhe muslimanët e devotshëm, atëherë kalojnë në një “sqarim” tjetër, duke pretenduar se këto janë të kurdisura nga një dorë e fuqishme dhe dashakeqe që dëshiron rrënimin e ekonomisë së filan shtetit. Këto janë përpëlitje shumë naive dhe të sipërfaqshme, dhe nuk e sqarojnë situatën e vërtetë. Si ata, ashtu edhe ndjekësit e tyre, duhet të heqin dorë nga këto gjykime të pabazuara e të pambështetura as në fe e as në arsye. Prandaj, e rrugës është që këto dukuri t’i quajmë sprova të përbashkëta të mbarë një shoqërie dhe të mbarë njerëzimit. Këto sprova nuk zgjedhin as gjuhë, as kulturë, as komb, as fe, as gjini e as moshë, ato i godasin të gjithë këta, pa përzgjedhje. Duke qenë se kjo është kështu, atëherë të gjithë ne jemi të sfiduar. Pikërisht në këtë pikë, ne muslimanët në veçanti, duhet ta tregojmë madhështinë tonë duke u bërë pjesë e zgjidhjeve të mëdha botërore, e jo duke u strukur në zhguallin tonë të breshkës e duke menduar se mjafton që ne të kujdesemi vetëm për të tanët dhe se e kemi Zotin me vete. Të pretendosh sot se ne jemi muslimanë, se ne marrim abdes pesë herë në ditë, se ne kujdesemi për higjienën maksimalisht dhe se ne nuk na gjen gjë nga ky virus, është më tepër se marrëzi, është tallje me vetveten. Prandaj, le të qëndrojmë larg kësaj tautologjie, sepse u bëmë rezil karshi botës. Ne muslimanët duhet të mësohemi të bëhemi të rëndësishëm në nivel botëror dhe të kujdesemi jo vetëm për mbarë njerëzimin, por edhe për mbarë ambientin dhe rruzullin tokësor, jo me synimin për t’i sunduar ato, por për të qenë pjesë e ndërtimit, e krijimit dhe e ofrimit të zgjidhjeve dhe shërbimeve në po këtë nivel botëror. Edhe me rastin e këtij virusi, nga ne muslimanët kërkohet vigjilencë, mençuri dhe vizion i qartë rreth rrezikut, pasojave por edhe rreth rrugëve të tejkalimit të kësaj gjëme. Në këtë drejtim do t’i përmend katër këshilla a rekomandime që i kanë lëshuar institucione të ndryshme islame dhe që po i përmbledh këtu:
1. Muslimani nuk duhet të kaplohet nga frika dhe paniku intensiv i shkaktuar nga sprovat që mund ta prekin atë ose njerëzit përreth tij. Përkundrazi, ai duhet të tregojë besim të mirë tek Zoti i tij dhe Krijuesi, lavdia qoftë mbi Të, dhe ta dijë me siguri se Zoti i Madhërishëm do ta shpëtojë nga kjo sprovë. Në ndërkohë ai duhet të gjejë mundësi të shpërqendrimit nga frika dhe paniku, duke lexuar ose dëgjuar Kur’an, ilahije etj., duke falur namaz nafile (vullnetar), duke biseduar me miq e mikesha, duke ndërruar vendin e qëndrimit, duke ecur në natyrë, duke e marrë situatën pak edhe me humor, dhe krejt në fund, nëse nuk ka çare tjetër, duke u konsultuar me teologë, psikologë, psikiatër etj. Mos i beso çdo lajmi a çdo publikimi që paraqitet sidomos në internet. Mundohu t’i përzgjedhësh burimet e besueshme të lajmeve dhe mos u mashtro pas atyre të rremeve. Kur është në pyetje virusi korona, ky në fakt është i shërueshëm me medikamente të rëndomta, edhe pse nuk ekziston akoma vaksina për parandalimin e tij. Andaj, merre shtruar! Shumica e të infektuarve janë shëruar tanimë.
2. Muslimani e ka për detyrë t’i ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin dhe për sigurinë shëndetësore duke i respektuar rekomandimet e autoriteteve kompetente, duke qenë i bindur se të gjitha këto përpjekje quhen vepra mirësie në Islam, sipas ajetit kur’anor: “… mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë All-llahu i do bamirësit.” (Kur’ani, 2:195). Në këtë pikë kërkohet përgjegjësia individuale e secilit, musliman ose jomusliman, që të kujdeset dhe ta ndihmojë pengimin e përhapjes marramendëse të këtij virusi me mundësitë, aftësitë, zotësitë dhe kompetencat që ka. Rekomandimet e autoriteteve dhe enteve shëndetësore në Zvicër, për shembull, janë të qarta, edhe pse ato mund të modifikohen nga ana e tyre sipas nevojës, por megjithëkëtë mbetet detyrimi i ndjekjes dhe i respektimit të tyre nga ana e të gjithë qytetarëve të saj, pa marrë parasysh gjuhën, nacionalitetin, fenë a ideologjinë politike. Ato janë: 1. ruajtja e distancës midis njerëzve, pa arsye të mos afrohemi fizikisht me njëri-tjetrin, edhe kur e dimë se nuk jemi të infektuar, 2. larja e duarve shpesh dhe mirë e mirë me detergjente të përshtatshme, 3. mospërshëndetja për dore me miqtë e mikeshat gjatë takimeve tona, 4. përdorimi i shamive të hundëve ose i lakut të krahut me rastin e kollitjes ose të teshtimës, 5. qëndrimi në shtëpi në rast se kemi temperaturë, ethe ose kollitje, 6. konsultimi paraprak me anë të telefonit me mjekun e shtëpisë ose me shtëpinë e shëndetit.
Këto rekomandime të autoriteteve shëndetësore për ne muslimanët bëhen të detyrueshme edhe fetarisht, edhe sikur të mos kishte asnjëfarë këshille a rekomandimi fetar në këtë drejtim. Ndërkaq në traditën tonë fetare ne kemi mjaft shembuj që i mbështesin këto rekomandime të sotme të autoriteteve shëndetësore. Kështu, Muhammedi a.s. na ka tërhequr vërejtjen se disa sëmundje infektuese paraqiten në kohë a stinë të veçanta dhe se për këtë duhet marrë masa parandaluese. Ai thotë: “Mbuloni enët tuaja dhe lidhuani grykat enëve të ujit, sepse gjatë vitit është një natë kur lëshohen sëmundjet ngjitëse dhe ndalen në çdo enë të pambuluar” (Muslimi). Përcillet se: “Muhammedi a.s. kurrë nuk ka fryrë në enët e ujit apo të ushqimit dhe se e ka ndaluar edhe fryrjen por edhe frymëmarrjen brenda enës së ushqimit a të pijes.” (Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu). Po kështu: “Kur teshtinte Muhammedi a.s., ai vendoste dorën ose teshën e tij para fytyrës dhe me këtë edhe e heshtte zërin e teshtimës” (Tirmidhiu)
Muhammedi a.s. ka ndaluar po ashtu që të shkojmë në ndonjë vend ku janë përhapur sëmundje ngjitëse dhe të dalim nga ai vend, në qoftë se tanimë ndodhemi aty. Ai ka thënë: “Nëse dëgjoni për një shpërthim të murtajës në një vend, mos shkoni atje; por nëse murtaja shpërthen në vendin ku gjendeni ju, mos e lëshoni atë vend.” (Buhariu) Murtaja është një sëmundje ngjitëse shumë e rëndë, që shkaktohet nga një virus i posaçëm, përhapet shumë shpejt, shfaqet me zjarrmi e dobësi të madhe, me dhembje të forta në kokë, në qafë etj. dhe sjell vdekjen. Pra, në këtë hadith bëhet fjalë për çdo lloj të sëmundjeve ngjitëse. Muhammedi a.s. ka thënë: “Ikni nga i lebrosuri (i zgjebosuri), siç ikni prej luanit” (Buhariu), që nënkupton po ashtu qëndrimin larg njerëzve me sëmundje ngjitëse. Këto dy hadithe na e bëjnë të qartë masën që duhet marrë në rast se tanimë është përhapur në ndonjë vend një sëmundje ngjitëse: as mos shko atje, as mos dil që atje dhe mos u tako me njerëz të infektuar. Të infektuarit duhet të rrinë të (vetë)izoluar në karantinë.
Me këtë rast të mos e harrojmë devizën se: parandalimi gjithnjë është më i mirë dhe më i lirë sesa shërimi.
3. Në qoftë se eventualisht sëmuret apo infektohet nga sëmundjet epidemike, përpos izolimit në shtëpi ose në spital, muslimani duhet të kërkojë shërimin duke e shoqëruar me durim, sabër. Duhet pasur parasysh simptomat e sëmundjes, si: kollitja, ethet, plogështia etj., dhe pa u vonuar të kërkojë ndihmën mjekësore. Ka njerëz që për fat të keq e kanë mërzi të vizitohen nga mjeku. Disa e bëjnë me pretekstin se do më zbulojë dhe sëmundje të tjera dhe do bëhem merak. Ky veprim dhe mendim është shumë i rrezikshëm, si për vetveten ashtu edhe për të tjerët. Arsyeja e shëndoshë kërkon që njeriu të kujdeset për shëndetin e vet. Këtë e kërkon edhe feja. Muhammedi a.s. ka thënë: “Kërkoni shërimin, sepse për çdo sëmundje që ka zbritur All-llahu, Ai ka krijuar edhe ilaçin e saj, përveç plakjes dhe vdekjes” (Buhariu, Ibni Maxhe).
Gjatë gjithë kësaj kohe muslimani tregon durim dhe qëndrueshmëri. Ai nuk dorëzohet kollaj, sepse e di që kjo është e kalueshme, madje edhe e shërueshme. Për durimin me maturi që e tregon besimtari do të shpërblehet shumëfish nga i Madhi All-llah. Muhammedi a.s. thotë: “Çdo muslimani që lëndohet nga ndonjë e keqe, All-llahu do t’ia fshijë gjynahet siç bien gjethet e pemës.” (Buhariu). Aq më tepër, Muhammedi a.s. e sjell edhe këtë lajm: “Nëse dikush në kohën e një murtaje (sëmundjeje ngjitëse)qëndron në vendin e tij duke shpresuar me durim shpërblimin e All-llahut dhe duke besuar se asgjë nuk do t’i bjerë atij, përveç asaj që All-llahu ka shkruar (caktuar)për të, ai do të marrë shpërblimin e një dëshmori.” (Buhariu)
Në rastin më të keq, nëse njeriu vdes nga sëmundjet epidemike, shpërblimet për durimin që ka treguar gjatë përjetimit të sëmundjes Zoti do t’ia paguajë sikur të ketë rënë dëshmor (shehid). Këtë e garanton fjala e Muhammedit a.s. e theksuar më lart, por edhe kjo në vazhdim: “Pesë persona konsiderohen si dëshmorë: ata që vdesin për shkak të murtajës (sëmundjes ngjitëse), për shkak të sëmundjes së barkut, për shkak të mbytjes në ujë, për shkak të rënies nga një ndërtesë si dhe dëshmorët që bien në rrugë të All-llahut (pra, në luftë).” (Buhariu)
4. Si gjatë kohës derisa njeriu kërkon rrugët për të sfiduar sprovat, në rastin tonë për të mos u infektuar apo kapluar nga sëmundjet, ashtu edhe gjatë kohës kur ai kërkon shpëtimin prej tyre, në rastin tonë kur ai kërkon shërimin, në qoftë se tanimë është kapluar nga ajo, prej besimtarit musliman pritet që ai gjithnjë ta përmendë, ta kujtojë dhe t’i lutet Zotit për shpëtim, për shërim dhe për mënjanim të derteve e sprovave. Muhammedi a.s. vetë i është lutur Zotit shumë herë, si për shembull: “O Zot më ruaj nga lebra, nga çmenduria, nga murtaja dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija”. (Ebu Davudi dhe Nesaiu), por na ka mësuar edhe ne që në rast të sprovave të këtilla t’i drejtohemi Zotit me këtë lutje: “Kërkoj ndihmë me Fjalët e përsosura të All-llahut kundër të keqes së çdo gjëje!” (Muslimi, Ibni Maxhe, Ebu Davudi).
Edhe një herë për fund: mos u dëshpëro, mos u mërzit, bashkërisht dhe me ndihmën e Zotit do ta kalojmë edhe këtë sprovë, si shumë sprova të tjera para kësaj!
Mbetsh në mëshirën, dhembshurinë dhe dashurinë e All-llahut Fuqiplotë me shëndet e me lumturi të pashtershme!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi