Dituria dhe vlera e saj nën prizmin e ajeteve kuranore dhe haditheve profetike

"Lexo me emrin e Zotit tënd) i Cili krijoi, Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur, Lexo për Zotin tënd Bujar! (Alek: 1 -3).

Për vlerën dhe rëndësinë e diturisë në fenë Islame flasin shumë ajete kuranore, prej tyre mund të përmendim ajetet në vazhdim: "Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është zbatues i drejtësisë" (Ali-Imran: 18).
Në këtë ajet kuranor vërejmë se Allahu xh.sh. fillimisht ka filluar me dëshminë e Tij, më pastaj ka vazhduar me dëshminë e engjëjve dhe në radhë të tretë ka përmendur dijetarët. Kjo mjafton për të treguar se çfarë respekti dhe vlere kanë njerëzit e dijes te Allahu xh.sh. Në një ajet tjetër Allahu xh.sh. thotë: "Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri" (El-Muxhadele: 11), në ajetin tjetër thotë: "Thuaj a janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë" (Ez-Zumer: 9), pastaj thotë "Po Allahut ia kanë friken nga robërit e Tij, vetëm dijetarët" (Fatir: 28), pastaj thotë “e sikur t'ia linin atë (përhapjen e lajmit) Pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do të dinin të nxjerrin përfundime (se si do të duhej shpallur)" (En-Nisa: 83). Përmes këtij ajeti Allahu xh.sh. nxjerrjen e dispozitave e ka legjitimuar nga ana e dijetarëve dhe gradën e tyre e ka barazuar me gradën e pejgamberëve në çështjen e nxjerrjes së dispozitave.
Feja Islame nuk i ka kushtuar askujt më tepër rëndësi sesa ilmit (dijes) dhe alimit (dijetarit). Dija në Islam konsiderohet rruga e vetme e ngritjes, përparimit dhe vetëdijesimit të umetit. Ilmi (dija) është cilësi e veçantë. Ajo është cilësia më e vlefshme sepse rreth saj sillet çdo gjë. Ajo është vetë vlera. Ilmi është cilësi prej cilësive të Allahut xh.sh ..
Për vlerën e ilmit dhe ulemasë tregon edhe ky varg i Kuranit: "Dhe këto shembuj Ne i paraqesim për njerëzimin, por askush nuk do ii kuptojë përveç ulemasë-të diturve" (El-Ankebut: 43). Ky ajet ulemanë e veçon nga kategoritë e tjera të njerëzimit për nga aftësitë dhe kapacitetet e të kuptuarit, madje në këtë drejtim ata janë të veçuar tek Allahu dhe tek njerëzit në këtë botë.(1)
Edhe Pejgamberi a.s. përmes fjalëve të tij i ka dhënë rëndësi të madhe dijes dhe shkencës. Ai në disa thënie të tij ka thënë: (Atë që Allahu xh.sh. ia do të mirën e bën njohës të çështjeve fetare)(2), (Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve)(3), është e ditur se nuk ka gradë më të lartë dhe më me vlerë sesa grada e pejgamberisë, prandaj edhe të qenët trashëgimtar i asaj grade s'do mend se është një nder, respekt dhe privilegj i madh. Në një tjetër hadith Pejgamberi a.s. ka thënë: (Nëse një ditë më kalon dhe unë nuk mësoj diçka të re, e cila më bën që të jem më afër Zotit, atëherë mos qoftë me bereqet ajo ditë për mua).(4)
Pejgamberi a.s. i ka dhënë rëndësi më të madhe dijetarit dhe angazhimit të tij sesa çdo angazhimi tjetër, ai në një hadith ka thënë: (Diferenca (vlera) e dijetarit ndaj personit i cili e adhuron Zotin në vazhdimësi, është sikurse diferenca ime me sahabiun më të ri nga mesi juaj),(5) përmes këtij hadithi Pejgamberi a.s. e ka krahasuar. pozitën e dijes me atë të pejgamberisë. Ndërsa në një hadith tjetër ka thënë: (Diferenca (vlera) e dijetarit ndaj personit i cili adhuron Zotin në vazhdimësi, është sikurse diferenca e hënës së plotë ndaj planetëve të tjerë).(6)
Lidhur me vlerën e dijetarit Pejgamberi a.s. ka thënë edhe këtë: (Vërtet për alimin luten çka ka në qiej (prej krijesave) dhe çka ka në tokë, edhe peshqit (balenat) në thellësi të oqeanit).(7) Prej porosive të Llukman Hakimit ndaj birit të tij ishte edhe kjo (O biri im! Ulu me dijetarët dhe rri afër tyre sepse Allahu xh.sh. i ngjall zemrat përmes dijes ashtu siç e ngjall tokën përmes shiut nga qielli).

Vlera e mësimit

Feja Islame i ka dhënë rëndësi shumë të madhe dijes, mësimdhënies dhe mësimnxënies. Shumë ajete kuranore dhe hadithe të Pejgamberit a.s. hasin për rëndësinë e të mësuarit dhe vlerën e mësuesit dhe nxënësit/studentit. Allahu xh.sh. në njërin prej ajeteve kuranore thotë: ''E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t'u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen te ata, në mënyrë që ata të kuptojnë" (Et-Tevbe: 122). “Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini" (En-Nahl: 43), e ajete të tjera të shumta kuranore.
Ndërsa hadithe të Pejgamberit a.s. të cilat flasin për vlerën e mësimnxënies janë edhe këto: (Atij personi i cili ndjek rrugën e dijes, Allahu do t'ia lehtësojë rrugën për në Xhenet),(8) (Të shkosh me qëllim të mësimit të një ajeti të Kuranit është më e vlefshme sesa falja e njëqind reqateve namaz, gjithashtu të shkosh me qëllim të mësimit të një fushe të dijes është më e vlefshme sesa falja e një mijë reqateve namaz)", (Kërkimi i diturisë është obligim primar për çdo mysliman.)(10)
Njëri nga shokët e Pejgamberit a.s., Ebu Derda, ka thënë: (Që të mësoj një çështje të dijes është më e rëndësishme për mua sesa të fal namaz tërë natën). Imam Shafiu ka thënë: (Kërkimi i diturisë është më i rëndësishëm sesa namazet vullnetare). Ndërsa një dijetar, Fet'h El-Mevsiliu, ka thënë: (Nëse të sëmurit i ndalet ushqimi, pija dhe barërat a do të vdesë ai? Të pranishmit i thanë: gjithsesi, ai tha: ashtu është edhe zemra, nëse i ndalohet urtësia dhe dituria për tri ditë, vdes). Abdullah ibn Mesudi ka thënë: (Përkushtojuni diturisë dhe kini kujdes përderisa nuk është hequr, heqja e diturisë bëhet me vdekjen e dijetarëve, asnjëri nuk ka lindur i ditur, por dituria përfitohet përmes mësimit).

Vlera e të mësuarit

Ajetet të cilat flasin për vlerën e të mësuarit janë të shumta, prej tyre janë edhe këto: "dhe kur të kthehen tek ata të këshillojë popullin e vet që t'i druajnë Perëndisë" (Et-Tevbe: 122) domethënia e këtij ajeti është që t'i mësojnë e t'i udhëzojnë në rrugën e drejtë. Ajeti tjetër kuranor thotë: "Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Perëndia mori premtimin nga ata, që u është dhënë libri se do t'ua shpjegojnë atë njerëzve dhe me siguri nuk do të fshehin asgjë nga ai" (Ali Imran: 187). Ky ajet e bënë të obligueshëm mësimin e të tjerëve. Ajeti tjetër kuranor thotë: "...por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë" (El-Bekare: 147) përmes këtij ajeti
Allahu xh.sh. e bën të ndaluar-haram fshehjen e diturisë. Ajeti tjetër kuranor thotë: "Thirri në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur. Dhe diskuto me ta si është më bukur!" (En-Nahl: 125).
Ndërsa hadithet e Pejgamberit a.s. të cilat flasin për vlerën e të mësuarit të tjetrit janë të shumta gjithashtu, prej tyre: kur Pejgamberi a.s. e dërgoi Muadhin në Jemen ai e porositi duke i thënë: (Të bëhesh ti shkaktar në udhëzimin e një personi është më mirë për ty sesa e gjithë kjo botë).(11) Në një thënie tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë: (Atë person i cili e mëson një shkencë dhe e fsheh atë, Zoti Ditën e Kiametit do ta prangosë me pranga prej zjarrit.(12) Thënia tjetër e Pejgamberit a.s. thotë: (Me të vërtetë, Zoti xh.sh., pastaj melaqet e Tij, banorët e tokës dhe qiellit, po edhe milingona dhe peshku i detit luten për mësuesin e njerëzimit).(13) Në një thënie tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë: (Kur të vdesë i biri i Ademit pushon vlerësimi i veprave të tij, përveç tri veprave: lëmoshës, dijes dhe fëmijës së mirë).(14)
Është pyetur Abdullah ibn Mubareku se cilët janë njerëzit më të mirë. Ai ishte përgjigjur duke thënë: Ulemaja. E prej udhëheqësve kush janë? Asketët (ata që nuk jepen shumë pas dynjasë) u përgjigj. E prej njerëzve të rëndomtë? Ata që dynjanë e japin për fe, - u përgjigj ai.
Imam Gazaliu duke komentuar thënien e Abdullah ibn Mubarekut ka thënë: (Prej njerëzve zgjodhi dijetarët, ngase njerëzit mbeten njerëz dhe janë të veçuar prej krijesave të tjera vetëm me dituri e jo për nga format, se deveja është më e fortë se njeriu, e as për nga madhësia, sepse elefanti është më i madh se njeriu, e as për nga trimëria, sepse ka egërsira që janë më trime se njeriu, e as për nga ngrënia, sepse ka kafshë që e mbushin barkun e tyre shumë më tepër se njeriu. Pra, njeriu vetëm për Ilm-dije është veçuat dhe krijuar në këtë formë të bukur).(15)


___________________________
1. Musa Vila, "Nën hijen e haditheve të Resulullahut”; Prishtinë 2017, fq: 17
2. Transmeton Imam Buhariu, Libri i dijes, nr. i hadithit: 71.
3. Transmeton Imam Ebu Davudi, Libri i dijes, nr; hadithit: 3641, gjithashtu e transmeton edhe Imam Tirmidhiu me nr; 2682.
4. Transmeton Imam Taberaniu në El-Evsat dhe Ebu Nuajmi në El-Hilje.
5. Transmeton Imam Tirmidhiu, nr; hadithit: 2686
6 Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij, nr; hadithit: 3641- 3642.
7 Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij. nr; 3641.
8. Transmeton Ebu Davudi, Libri i diturisë, nr; hadithit: 3641.
9. Transmeton Ibn Maxhe, Kapitulli mbi vlerën e të mësuarit të Kuranit, nr; hadithit: 219.
10. Transmeton Ibn Maxhe, Kapitulli mbi vlerën e dijetarëve dhe mesimnxënien, nr; hadithit: 224.
11. Transmeton Imamm Buhariu dhe Muslimi.
12. Transmeton Imam Tirmidhiu dhe Ibn Maxbe.
13. Transmeton Imam Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.
14. Transmeton Imam Muslimi dhe Tirmidhiu.
15. Musa Villa, "Nën hijen e haditheve të Resulullahu”, fq; 19.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi