Ramazani dhe roli i tij në jetën e muslimanit

Transmetohet nga Abdullah ibn Mes’udi r.a. të ketë thënë: “Kam dëgjuar Pejgamberi a.s. - (E muaji i Ramazanit kishte filluar)duke thënë: “Sikur ta dinin besimtarët e umetit tim se çfarë (dobie) ka në Ramazan, do të dëshironin që tërë viti të jetë Ramazan”.(1)

Vërtet Ramazani është muaji i dritës dhe i shkëlqimit, muaji i agjërimit e adhurimit, është shkollë e diturisë, lexim i Kuranit, muaji i dhënies dhe i mirësisë. Me hyrjen e tij, tërë ymeti islam shijon një afërsi të veçantë tek Allahu xh.sh.. Me të hyrë të Ramazanit, Pejgamberi a.s. iu drejtua ymetit të tij me këto fjalë: “Ju erdhi Ramazani, muaji i bereqetit, jeni nën mbulesën e Allahut xh.sh.. Ai zbret mëshirë, i shlyen mëkatet, në të lutjet janë të pranueshme, Allahu i shikon garat tuaja në të, me ju krenohet tek melaiket e Tij. Bëni punë të mira tek Allahu, se vërtet është i pafat ai që ndalon mëshirën e Allahut xh.sh”.(2)
Në këtë muaj Allahu xh.sh. i hap dyert e mirësisë për kërkuesit e saj, zgjeron faljen dhe bamirësinë për të dashurit e Tij. Pejgamberi a.s. thotë: “Për çdo ditë e natë (të Ramazanit) tek Allahu shpëtojnë njerëz prej zjarrit. Për çdo besimtar në çdo ditë e natë pranohen lutjet”.
Bazuar në këtë, secilit besimtar i rekomandohet që gjatë tërë Ramazanit, të bëjë përpjekje e angazhim që t’i përkushtohet Allahut xh.sh. dhe këtë përkushtim ta shoqërojë me nijet të sinqertë e me modesti, duke u lutur sa më shpesh. Pejgamberi a.s. thotë: “Lutja që bën agjëruesi në kohën e iftarit, nuk refuzohet”. Ky hadith i Pejgamberit a.s. tregon se Allahu xh.sh. nderon dhe respekton agjëruesin, lutja e të cilit nuk kthehet prapa, kur ai plotëson një ditë agjërim, e këtë lutje jo që nuk e kthen prapa, por si respekt dhe krenari, e pranon. Kjo tregon për pozitën e lartë të agjëruesit tek Allahu xh.sh.. Bazuar në disa thënie të tjera, shohim se lutja e agjëruesit ka epitet edhe më të gjerë. Pejgamberi a.s. thotë: “Tre personave nuk u refuzohen lutjet e tyre: agjëruesit deri në iftar, udhëheqësit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi”.(3)
Allahu xh.sh. e bëri detyrim Ramazanin për urtësi të mëdha, dobi të ndryshme, të cilat njerëzit i ngrenë në shkallë të lartë, u mundësojnë udhëzim dhe stabilitet. Agjërimi është mjekimi më adekuat i shpirtit dhe i mposhtjes së epshit. Ai njeriun e shtyn të ketë shpirt të devotshëm, të druajtshëm dhe nënshtrues. Edukon njeriun me durim, i jep forcë dëshirash, ia përtërit vullnetin e punës, i mundëson t’i përballojë vështirësitë e t’i kryejë zotimet. Në agjërim, ka bukuri që i shijojnë shpirtrat, ka kënaqësi që e njohin zemrat, ka dhunti që robin e lartësojnë në shkallën më të lartë. Agjërimi pastron mendjet, filtron mendimet, dëshirat i shtyn në lëvizje, i ndriçon dituritë. E lartëson shpirtin për të shijuar dritën hyjnore. Pra, për të qenë agjëruesi në kënaqësinë e Allahut xh.sh. dhe në faljen e Tij duhet t’i ngjallë netët e muajit Ramazan me namaz të natës. Pejgamberi a.s. thotë: “Vërtet Allahu xh.sh. e ka bërë obligim agjërimin e Ramazanit, ka urdhëruar për falje gjatë natës, e kush e agjëron Ramazanin dhe ngrihet për falje gjatë natës me besim të sinqertë dhe përkushtim të denjë, pastrohet nga mëkatet sikurse ka qenë i pastër ditën kur e ka lindur nëna e tij”.(4)

Përgatitja për dhjetë ditshin e fundit të ramazanit

Pejgamberi a.s. angazhohej që ta priste Ramazanin sa më mirë. Nga fundi i tij bënte shumë vepra, që nuk i bënte në netët e tjera, e këtë e bënte për hir të Natës së madhe (Natës së Kadrit). Transmeton Aishja, gruaja e Pejgamberit a.s.: “Pejgamberi a.s., kur vinin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, e ngjallte natën me namaz duke e zgjuar familjen e tij dhe duke u angazhuar dhe duke shtuar me të madhe në ibadet”.(5)
Mu për këtë Pejgamberi a.s. gjatë dhjetë ditëve të fundit hynte në I’tikaf në xhaminë e tij, e në vitin e fundit kishte shtuar I’tikafin e tij për njëzet ditë, një shtim në punë të mira në fund të jetës së tij. Tregon Ebu Hurejra: “Pejgamberi a.s. për çdo Ramazan hynte në I’tikaf dhjetë ditë, ndërsa në Ramazanin e tij të fundit ka qëndruar 20 ditë”.(6)
Gjatë Ramazanit njerëzit nxitojnë të bëjnë punë të mira, besimtarët afrohen njëri me tjetrin, jetojnë në një atmosferë përplot tolerancë, harmoni dhe bujari. Ibni Abasi r.a. tregon: “Pejgamberi a.s. ka qenë njeriu më bujar, bujarinë më së shumti e tregonte gjatë Ramazanit kur Xhibrili takohej me të dhe ia mësonte Kuranin”. Agjërimi është ibadet i shpirtit, i shoqëruar me ndjenja dhe emocione, ai e ngre njeriun në shkallë të pastërtisë shpirtërore dhe e nxit të veprojë vetëm mirë, të shpërndajë ushqim dhe gjëra materiale për të varfrit, jetimët, të vobektët etj.. Sa prej të pasurve që janë shpirtmirë, kur janë të uritur në agjërim, kujtojnë dhembjet e urisë së të varfërve, etjen e tyre, sëmundjet, problemet e tyre ekonomike, dhe gjithë kjo i shtyn që t’u ndihmojnë atyre, t’u japin, t’i ushqejnë dhe bujarinë ta vazhdojnë edhe më shumë. Nëse një herë në jetën e tij do të jetë i uritur, i pasuri gjithmonë do ta kujtojë atë që është i uritur përherë, e kjo e nxit për humanitet, dashuri, mëshirë, e nxit të bëjë gara për bamirësi. Bazuar në këtë, ne duhet të jemi dorëdhënës, ndaj të varfërve në muajin e Ramazanit. Shembull më të mirë për këtë kemi Pejgamberin a.s., i cili ka qenë njeriu më bujar, e bujarinë e tij e dyfishonte gjatë Ramazanit. Para se t’i vinte Shpallja, bujaria e tij ishte njerëzorehumane, e pas Shpalljes bujaria e tij ka qenë hyjnore - vetëm për hir të Allahut xh.sh.. A mund të jetë dikush shembull më i mirë se Pejgamberi a.s. për ne me moralin e tij. Andaj, kur të vijë Ramazani, të nxitojmë në bamirësitë më të larta se valët e detit, më të pastra se loti, më të forta se era. Në një version nga Ebu Hurejra, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Luftoni, se do të pasuroheni, agjëroni se do të keni shëndet, udhëtoni se do të përfitoni”.(7)
Fjala shëndet në hadith nënkupton shëndetin e trupit, të shpirtit, të mendjes, të shoqërisë. Pra, agjërimi i jep shëndet trupit, i mundëson ecje dhe lëvizje, i jep shëndet shpirtit duke e pastruar prej cilësive negative e i dhuron cilësi dhe virtyte pozitive. I jep shëndet mendjes, duke i ndihmuar në të kuptuar, në të menduar dhe në të planifikuar. E shëndeti shoqëror shprehet duke u ruajtur vendbanimi a shoqëria prej dukurive dhe faktorëve që mund të shkatërrojnë pjesën e shëndoshë të asaj shoqërie. Gjithashtu shoqëria e shëndoshë mbështetet në individë që dinë të logjikojnë dhe të mendojnë shëndetshëm. Nga tërë kjo shihet qartë se agjërimi, gjatë tërë histories, ka luajtur një rol shumë të madh për përparimin e një shoqërie, në aspektin trupor, shpirtëror, social, ekonomik, ushtarak, politik etj.. Pra, muaji i Ramazanit le të bëhet muaj i punës, i aktivitetit në të gjitha proceset e jetës, që ringjallin një popull dhe i mundësojnë të gjejë pozitën e vet në mesin popujve të tjerë.

Si të jetohet më së miri ky muaj

Muslimanët Ramazanin e jetojnë nën ombrellën e etikës dhe sjelljeve që jetës i japin një sistem me rregulla kulmore, si në fizionominë e tyre të brendshme, ashtu edhe në të jashtmen. Ata të gjithë në këto rregulla janë unikë. Pamja dhe fizionomia e tyre është më e bukur se në çdo muaj tjetër. Brendësia shpirtërore e muslimanit është përplot mirësi, mëshirë, dashuri, entuziazëm dhe afërsi tek Krijuesi i tyre. Ata shpejtojnë të fitojnë kënaqësinë e Allahut xh.sh., e cila i nxit që të jenë sa më të kujdesshëm dhe objektivë në fjalë, në sjellje dhe punë. Moto e tyre janë uniteti, barazia, siguria, toleranca, solidariteti, dhe bamirësia. Transmeton Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të fillojë nata e parë e muajit Ramazan... Një thirrës thërret (nga qielli): “O ti që punon punë të mira, shtoji ato, dhe o ti që punon punë të këqija, ndalohu prej tyre.”.(8)
Kjo moto tek muslimanët zbatohet në mënyrë globale gjatë tërë jetës së tyre, po është specifike më tepër gjatë këtij muaji të bekuar, ngase pozicioni i muajit të Ramazanit është shumë më i lartë se i muajve të tjerë të vitit. Ky muaj, në krahasim me muajt e tjerë të vitit, është sikur pozita e zemrës në trupin e njeriut, sikur Pejgamberët tek njerëzit, sikur Qabeja me Tokën. Derisa haremet (e Mekës dhe Medinës) pengojnë hyrjen e Dexhallit, muaji i Ramazanit bën prangosjen e djajve. Derisa Pejgamberët ndërmjetësojnë për ymetet e tyre, muaji i Ramazanit ndërmjetëson për agjëruesit. Derisa zemra zbukurohet me dritën e besimit dhe dijes, muaji i Ramazanit zbukurohet me solidaritet dhe lexim të Kuranit. Ai që nuk pendohet dhe nuk falet në Ramazan, në cilin muaj do të pendohet nga mëkati dhe do të falet nga Zoti?! Njeriu duhet të pendohet para se t’i mbyllet dera e pendimit. E Allahu xh.sh. thotë: “Përse, pra, kur arrin shpirti në fyt, e ju në atë moment vetëm shikoni. E Ne jemi më afër tek ai se ju, po ju nuk shihni”. (El Vakia, 83-85). Ai duhet të pendohet tek Allahu xh.sh. para se t’i kalojë koha e kthimit, para se të kryhet koha e të qarit dhe mëshirës. Në kontekst me këtë, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtet ymeti im nuk duhet të përbuzë atë që ka fituar në Ramazan”. Një njeri i tha: “Cila është përbuzja e tyre”? Ai tha: “Ai që vepron ndonjë haram (në Ramazan), ose ai që bën ndonjë të keqe, ose ai që pi alkool, ose ai që bën prostitucion. Këtij nuk i pranohet ky Ramazan. Atë e mallkon Allahu xh.sh., melekët dhe ç’ka në qiej. E nëse ky (njeri) vdes në mes të veprës së tij dhe Ramazanit, ai mbetet pa asnjë të mirë tek Allahu”.(9)
Besimtari në këtë muaj është praktikuesi më i denjë i asaj për se bën thirrje Islami, e ky është vetëdijësimi për moral më të lartë, pastrim të zemrës e shpirtit, solidaritet me njëri-tjetrin në bamirësi dhe devotshmëri. Njeriu në këtë muaj mundohet të pengojë mizorinë dhe të keqen ndërmjet njerëzve. Shoqëria trajtohet sikur të jetë një familje, të gjithë angazhohen për prosperitet dhe ardhmëri të lumtur. Ata janë një grusht, një trup, një shtëpi. Këtë e arsyeton thënia e Pejgamberit a.s.: “Shembulli i besimtarit në dashuri, mëshirë dhe solidaritet, është sikurse një trup, nëse një pjesë e tij ankohet nga temperatura dhe lodhja, atë e përjeton tërë trupi”. Kjo pamje e bukur dhe rrugë e ndritshme, më së miri mund të realizohet tek ata që vetveten e tyre e frenojnë nga epshet e ndryshme si në vepër, ashtu dhe në fjalë. Muslimanët në këtë muaj ngrihen në shkallën e melekëve, për të cilët Allahu xh.sh. thotë: “Ata nuk i bëjnë mëkate Allahut në atë që i ka urdhëruar, dhe veprojnë atë që u është urdhëruar”. (Et-Tahrim, 6)

Ky muaj krijon afërsi më të madhe tek Allahu se çdo kohë tjetër

Në këtë muaj gjithçka është e qartë për rolin e Ramazanit në këtë jetë dhe në Botën e ardhshme. Agjërimi është mbështetje dhe mburojë e fortë. Në këtë botë na mbron nga intrigat e djallit dhe të këqijat e njerëzve, e në Botën tjetër na mbron nga zjarri i Xhehenemit. Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Agjërimi është mburojë, kur ndonjëri prej jush agjëron - të mos ofendojë dhe as të bëjë mëkate. E nëse ndonjëri prej njerëzve e nënçmon ose ofendon agjëruesin, le të thotë: Unë jam agjërueshëm”. Në këtë hadith shihet se besimtari vetveten e tij duhet ta veshë me moral të lartë, duke frenuar gjuhën nga fjalët të këqija dhe duke e zbukuruar me fjalë të bukura dhe tërheqëse. Ky është virtyt i lartë i besimtarit, me të cilin Allahu i ka veçuar muslimanët dhe i ka lavdëruar në Kuran: “Dhe ata janë që u udhëzuan me fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e lavdishme”. (El Haxh, 24)
Se Ramazani është muaj madhështor, këtë më së miri e tregon mbushja e xhamive ditën dhe natën. Besimtarët përqendrohen në leximin e Kuranit, mësimin dhe shpjegimin e tij. Shumë të rinj besimtarë, pleq dhe gra përqendrohen në përkushtimin e agjërimit, ngase ky agjërim dhe Kurani në Ditën e Kiametit do të ndërmjetësojnë për të. Pejgamberi a.s.. thotë: “Me të vërtetë agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë Ditën e Kiametit (për agjëruesin dhe lexuesin e Kuranit): Agjërimi thotë: O Zot, ia kam ndaluar ushqimin dhe pijen, më mundëso të ndërmjetësoj për të...”.
Prej cilësive që duhet t’i ketë besimtari në këtë muaj, është edhe zgjatja e dorës për bamirësi, shpërndarja e ushqimit për skamnorët dhe të nevojshmit. Ai duhet të kujdeset që t’i bashkojë vazhdimisht njerëzit në ushqime, ndenjje dhe punë. Me këtë ai manifeston dhe zhvillon ndjenjën e mëshirës, butësisë, afërsisë, vëllazërisë, solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë, të cilat në mënyrën më të mirë i bashkojnë muslimanët.
Përmes këtyre veprave, muslimani afron zemrat, ndërsa synimet dhe objektivat e tij i bashkon në shumë fusha të veprimtarisë. Pra, Ramazani le të mbetet nismë dhe pikënisje që vërteton unitetin, bashkon mendimet, rrit kapacitetin e punës për shpërblim e perspektivë dhe kështu mbetet një kurs e një shkollë e madhe që ngre vetëdijen e besimtarëve. Lidhur me këtë, Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Veprat tek Allahu janë shtatë llojesh: dy vepra janë të pashmangshme, dy vepra janë të ngjashme (për nga shpërblimi), një vepër sa dhjetë, një vepër sa shtatëqind vepra, një vepër për shpërblimin e së cilës nuk di askush tjetër përveç Allahut xh.sh. Dy veprat e pashmangshme janë: Kush E takon Allahun me adhurim të sinqertë pa i bërë rival asgjë, për të Xheneti është i pashmangshëm, e kush e takon Allahun me shirk (duke i bërë rival në vepra), për të zjarri është i pashmangshëm. Kush vepron një të keqe, ndëshkohet vetëm për një të keqe. Kush dëshiron të bëjë një të mirë po nuk e bënë, ai do të shpërblehet për të. Kush bën një të mirë, ai do të shpërblehet me dhjetë të mira. Kush shpenzon pasurinë e tij në rrugën e Allahut, do t’i shumëfishohet një dërhem me shtatëqind, një dinar me shtatëqind. E agjërimi që bëhet për Allahun, shpërblimi i tij nuk ka kufi dhe nuk e di askush përveç Allahut xh.sh..(10)

Pozita e Kuranit gjatë këtij muaji të bekuar

Nderi më i madh që ka ky muaj, është zbritja e Kuranit. Ky nder nuk mund të krahasohet dhe as të barazohet me ndonjë nderim tjetër. Allahu xh.sh. thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin ka (filluar) të zbresë Kurani.”.. (El Bekare, 185)
Kurani është begati dhe kapitali më madhështor që ka zbritur Allahu xh.sh.. Ai është ndarës i së vërtetës nga e pavërteta. Ai është litar i fuqishëm, është rrugë e drejtë. Kush gjykon me të, ka gjykuar drejt, e kush e merr për udhëzim, ai do të udhëzohet. Këtë më së miri e konfirmon Allahu xh.sh., i Cili thotë:(Shih: El Isra, 9)
Ata që lexojnë, studiojnë dhe analizojnë Kuranin, kanë shpërblim të madh tek Allahu xh.sh., bazuar në thënien e Muhamedit a.s.: “Nuk grumbullohen njerëzit në një shtëpi prej shtëpive të Allahut, duke e lexuar dhe duke i mësuar njëri-tjetrit Kuranin, përveçse tek ata të zbresë ndihma, t’i përfshijë mëshira, melekët do të kujdesen për ta dhe ata do të përmenden tek Allahu xh.sh”.
Në këtë hadith kuptohet se ai grup njerëzish që lexojnë, mësojnë dhe studiojnë Kuranin, kanë respekt dhe pozitë të konsiderueshme tek Allahu xh.sh.. Përderisa muslimanët e lexonin Kuranin, e mësonin, e studionin, udhëzoheshin me të, lejonin të lejuarën, ndalonin të ndaluarën dhe pasonin porositë profetike, - ata ishin komandues dhe udhëheqës, botës i mësonin të mirën dhe të drejtën. Ata bartën një civilizim që kishte karakter njerëzor e që përmbante mëshirë, stabilitet dhe dritë. Ata gjendeshin nën ombrellën e këtij ajeti kuranor: (Shih: Ali Imran, 110)
Para nesh rruga ende mbetet e hapur për ata që dëshirojnë të jenë udhëheqës të paqes dhe të të drejtave e lirive të njeriut. T’i udhëzojnë shpirtrat e njerëzve në këtë botë, e në Botën tjetër të jenë të shpëtuar. Kjo më së miri do të arrihet nëse gjeneratat e ardhshme dhe njerëzit në përgjithësi, i drejtojmë tek Kurani, zemrat e tyre lidhen me të, i frymëzojnë që përfundimisht t’i marrin parimet islame dhe me to të qarkullojnë në të ardhmen e afërt. Atëherë edhe ne amanetin tonë e kemi kryer me sukses, si dhe kemi krijuar një shoqëri të drejtë e me baza të shëndosha, ku interesi shoqëror zotëron interesin individual. Allahu xh.sh. thotë: (Shih: Ta Ha, 112)


_________________
1) “Sahih Ibn Huzejme”, v. 2 f. 190, nr. 1886.
2) El-Bejhekiu “Es-sunen”, v. 4 f. 364, nr. 20413.
3) “Sunen Et-Tirmidhij”, v. 4 f. 672, nr. 2526.
4) “Sunen En-Nesaij”, v. 4, f. 158, nr. 2210.
5) “Sahihul Muslim”, v. 2, f. 832, nr. 1174.
6) “Sahihul Buhari”, v. 2, f. 719, nr. 1939.
7) Et-Taberanij, “El-Mu’xhemulevsat”, v. 8. f. 174, nr. 8312.
8) Sunen Et-Tirmidhij”, v. 3. f. 66, nr. 682; “Sunen En-Nesaij”, v. 4, f. 129, nr. 2107.
9) Et-Taberani, “Es-sagir”, v. 1 f. 248.
10) Et-tergib vet-terhib”, v. 2 f.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi