Në të tretën e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, gjendet edhe Lejletu-l-Kadr, d.m.th. Nata e Kadrit, një natë e zgjedhur dhe jashtëzakonisht e vlefshme.
Në lidhje me këtë natë, Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit ” (El-Kadr, 1-5).
Nata e Kadrit është një natë e bekuar, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t'u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S'ka dyshim se Ne dërguam të dërguar. “ (Ed-Duhan, 3-5)
Kjo natë e bekuar ka një vend dhe pozitë të veçantë, madhështinë dhe reputacionin siç thotë Allahu: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit” (El-Kadr, 1).
Fjala “kadr” në arabisht ka kuptimin e reputacionit, pozitës, madhësisë, fatit, paracaktimit etj. Epo, si mundet që kjo natë e bekuar të mos ketë reputacion e veçanti kur çdo punë e urtë zgjidhet në të, përkatësisht përcaktohet gjithçka që do të ndodhë në vitin që vijon.
Ka shumë larmi të mirash në këtë natë të bekuar, kështu që është më e vlefshme se një mijë netët e tjera, siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” (El-Kadr, 3).
Gradacioni kuranor “një natë e vlefshme se njëmijë muaj” – sugjeron në llogaritjen e thjeshtë matematikore: Nëse njëmijë muaj llogariten në vit, fitohet se nata Lejletu-l-Kadr është më vlefshme se 83 vjet, 4 muaj, 3 javë, 2 ditë, 1 orë, 19 minuta e 59 sekonda!
Në Natën e Kadrit zbresin engjëjt, dhe zbresin vetëm duke sjellë të mira, bekime dhe mëshirë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili)... “ (El-Kadr, 4) - e engjëjt janë krijesa të Allahut që e adhurojnë ditë e natë. Allahu xh.sh., thotë: “Vetëm e Tij është çdo gjë që është në qiej e në tokë! E ata që janë pranë Tij (engjëjt), nuk shprehin mendjemadhësi në adhurimin ndaj Tij, e as nuk u bëhet (ibadeti) monoton. Ata lartësojnë (Allahun) natë e ditë dhe nuk mërziten” (El-Enbija, 19-20).
Kjo natë është siguri për çdo besimtar dhe shpëtim nga gjithçka që e frikëson. Kjo siguri pasqyrohet në morinë e faljes së mëkateve dhe çlirimin nga zjarri. Prandaj kjo siguri përcaktohet dhe përfshin vetëm besimtarët, sepse falja e mëkateve dhe çlirimi nga zjarri arrihet vetëm duke besuar në Allahun e Madhërishëm dhe duke iu bindur vetëm Atij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit ” (El-Kadr, 5).
Pejgamberi a.s., flet për cilësitë e kësaj nate: "Kush e kalon natën e Kadrit në namaz, duke besuar dhe duke shpresuar në shpërblim, do t'i falen mëkatet e tij të mëparshme".
Fjalët "duke besuar dhe shpresuar" do të thotë: të besosh në Allahun xh.sh., dhe në shpërblimin që Allahu ka përgatitur për ata që e kalojnë këtë natë në adhurim duke kërkuar dhe shpresuar të arrijnë shpërblimin.
Nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, për shkak të fjalëve të Pejgamberit a.s.: "Kërkoni Lejletu-l-Kadrin në dhjetë netët e fundit të Ramazanit".
Nata e Kadrit ka shumë të ngjarë të gjendet në netët tek, dhe jo në netët çift, për shkak të fjalëve të të Dërguarit të Allahut a.s.: "Kërkoni Lejletu-l-Kadrin në netët tek të dhjetë netëve të fundit të Ramazanit".
Nëse e braktisni adhurimin intensiv në tre netët e para të një të tretës së fundit të Ramazanit ose e zvogëloni atë adhurim në kryerjen vetëm në ibadet bazë dhe detyrim, atëherë përpiquni ta kompensoni atë në shtatë netët e mbetura, për shkak të hadithit të Ibn Umerit r.a., i cili përmend se sahabë të caktuar të Pejgamberit a.s., panë në ëndërr se Lejletu-l-Kadr është në shtatë netët e fundit të Ramazanit, kështu që Pejgamberi a.s., tha: "Unë shoh se të gjitha ëndrrat tuaja tregojnë se Nata e Kadrit është në shtatë netëve të fundit (të Ramazanit), kështu që kushdo që e kërkon, le ta kërkojë atë në shtatë netët e fundit.” Muslimi shënon se Pejgamberi a.s., tha: "Ju e kërkoni atë në dhjetë netët e fundit, kështu që nëse dikush prej jush dobësohet dhe i ligështohet, atëherë le të mos lejojë që të jetë i mposhtur në shtatë netët e mbetura".
Prandaj, nëse nuk arrini ta intensifikoni adhurimin tuaj në këto net, mos u tregoni të pakujdesshëm dhe mos lejoni që të humbni adhurimin në netët njëzet e pestë, njëzet e shtatë dhe njëzet e nëntë të muajit të Ramazanit, sepse Pejgamberi a.s., ka thënë: "Kërkojeni atë në nëntë netët e fundit, shtatë netët e fundit dhe pesë netët e fundit".
Hafiz Ibn Haxheri r.h.m., ka thënë: “Mendimi më i saktë është se Nata e Kadrit është në dhjetë netët e fundit dhe në netët tek, dhe ndryshon nga viti në vit”. Këtë mendim e kishte përkrahur edhe En-Neveviu.
Ndërsa kërkoni këtë natë në të tretën e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, duke u përpjekur të bëni sa më shumë adhurime të mundshme në të, ju shpesh i luteni Zotit tuaj në sexhde: "Allahumme inneke 'Afuvvun, tuhibbul-'afve, fa' fu 'ani! - Allahu im, me të vërtetë Ti je Ai që fal, e do faljen, prandaj më fal edhe mua!”
Ka shenja që tregojnë natën e Lejletu-l-Kadrit, dhe disa prej tyre janë ato të përmendura në hadithin e Ubejjit r.a.: "Një nga shenjat e saj është që dielli të shfaqet i bardhë në mëngjes, i ndritshëm, pa i përhapur rrezet e tij".
Në fund të përmendim se pse i jepet rëndësi natës e jo ditës, dhe si rregull pse përmendet nata para ditës. Sikur nata të jetë bazë, kurse dita si diçka që është nxjerrë, diçka që erdhi më vonë. Ka komentues të Kuranit të cilët, jo pa arsye, pohojnë se kjo është për shkak se vetëm Zoti mund ta krijojë natën në përmasa globale dhe kozmike. Njeriu mund të bëjë një llambë me të cilën, në kufij shumë të kufizuar, ai dërgon rrezet e dritës, pa ngjyrë dhe me ngjyra. Por është e pamundur që njeriu të krijojë një pajisje me të cilën mund të dërgojë "rreze errësire" ose "rreze nate" përreth.
Duke pasur parasysh këtë, poeti Muhamed Ikbali i thuri vargjet:
“Ti [o Zot] e krijove natën, kurse unë llambën,
Ti e krijove argjilën, kurse unë qypin,
Ti i krijove shkretëtirat, malet e pyjet,
kurse unë nxora (prodhova) pemishte, kopshte dhe plantacione,
unë jam [o Zot] ai që gurin e shndërron në pasqyrë,
unë jam ai që helmin e shndërron në kundërhelm!”