3. Lidhshmëria me Kuranin famëlartë

Nuk ka dyshim se Kurani është libër udhëzues dhe program jete. Nuk ka dyshim se lidhja me të sikur përmes leximit, meditimit dhe veprimit është nga mjetet më të avancuara të realizimit të udhëzimit dhe jetesës së ndershme. Allahu xh. sh. thotë: "Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh." (El Isra, 9)
Gjithashtu Zoti thotë: "Po kështu, me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kuranin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kurani), as ç'është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë." (E sh Shura, 52)
Zoti xh.sh. gjithashtu thotë: "O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani), dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët." (Junus, 57)
Ibën Kethiri thotë: "këshilla": qortim ndaj amoraliteteve, "dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj", d.m.th: nga ngjashmëritë dhe dyshimet, e që nënkupton eliminimin e ndyrësirës dhe gjërave të neveritshme, "edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët", që d.m.th: rezultati është udhëzimi dhe mëshira nga Zoti xh.sh. Mirëpo e gjithë kjo është për besimtarët e sinqertë dhe të bindur thellë.(1)
Allahu xh. sh. gjithashtu thotë: "Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët." (En Nahl, 89)
Sadiu thotë: "Ndriçohen me dritën e tij në errësirat e mosbesimit dhe risive, dhe përmes tij njohin realitetin dhe udhëzohen për në rrugën e drejtë".(2) Ndërsa Esh Shenkiti thotë: "Në këtë ajet Allahu xh.sh. ka përmbledhur të gjitha mënyrat udhëzuese për në rrugën e drejtë, qartë dhe saktë, e të cilat gjenden në Kuran, dhe sikur ne t' i pasojmë ato gjerësisht në mënyrën më të mirë ne do ta praktikonim tërë Kuranin; për shkak se ka përmbledhur të gjitha mirësitë e kësaj dhe botës tjetër."(3)
Në Kuran ekzistojnë shumë sugjerime dhe këshilla për udhëzim, Allahu xh.sh. thotë: "Përkujtoni të mirat e Allahut ndaj jush, edhe atë që ua shpalli-Kuranin dhe dispozitat e sheriatit, me të cilat ju udhëzon!" (El Bekare, 231)
Kurani famëlartë ka përmbledhur shembuj, tregime dhe sugjerime me qëllim të udhëzimit në të mirat e kësaj dhe botës tjetër. Shembujt kuranor janë metoda më e mirë për ngulitjen e vlerave islame, edukimin e shpirtrave dhe mendimeve, dhe ndryshimin e sjelljeve. Përmes shembujve kuranorë njeriu e riorienton veten e tij dhe i rigjeneron mendimet e tij. Gjithashtu edhe tregimet kuranore kanë një ndikim të theksuar te lexuesi a dëgjuesi. Ato lënë një përshtypje të këndshme dhe qetësojnë zemrat. Përmbajnë mësime, këshilla e sugjerime, dhe kanë një magji që tërheqin dëgjimin dhe zemrën e njeriut. Allahu xh.sh thotë: "Ne e zbritëm atë Kuran arabisht, ashtu që ta kuptoni. Ne me të shpallur të këtij Kurani po të rrëfejmë ty (Muhamed) më të bukurin rrëfim, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit." (Jusuf, 2-3)(4)

4. Ushtrimet praktike dhe trajnimet shpirtërore Ushtrimet praktike dhe praktikat e aplikuara, edhe pse në fillim me ndonjë vështirësi, pastaj detyrimi i vetes në atë që nuk e dëshiron, janë çështje që njeriut i japin zakonisht një zakon a sjellje të mirëfilltë, pa marrë parasysh sa do të zgjas ajo periudhë.
Zakoni është depërtues në shpirt, dhe bën çështjet e dëshiruara. E, kur vendoset në shpirt, atëherë shndërrohet në virtyt natyral, ndërsa kur arrin në këtë stad, atëherë është një virtyt i përfituar, edhe pse ndoshta në parim me krijimin e tij nuk ka qenë prezent dhe i gjallë.
Më herët kuptuam se shpirti i njeriut ka gatishmëri natyrore për përfitimin e një mase të caktuar nga çdo virtyt moral, dhe për aq sa njeriu ka këtë lloj gatishmërie është edhe përgjegjësia e tij. Sikur shpirti i njeriut të mos kishte këtë gatishmëri, atëherë do të ishte e kotë ndërmarrja e çfarëdo përpjekjeje për përmirësim të moralit të njerëzve. Rregullat arsimore që rrjedhin nga aktualiteti empirik vërtetojnë ekzistimin e kësaj gatishmërie. Prandaj, duke u mbështetur në këtë, edukatorët zhvillojnë aktivitetin e tyre me qëllim të përmirësimit të sjelljeve të gjeneratave vijuese. Një fjalë e urtë thotë: "Dija fitohet përmes mësimit, e vetëpërrnbajtja përmes durimit."
Thuhet se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush kërkon dëlirësi, Zoti e bën të dëlirë; kush kërkon pasuri, Zoti e bën të pasur, dhe; kush kërkon durim, Zoti i jep durim."(5)
Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi, nga Ebu Seid El Hudarij, se disa njerëz prej ensarëve kishin shkuar te Pejgamberi a.s., dhe kishin kërkuar prej tij (ndihma), e ai u kishte dhënë. Edhe një herë tjetër kishin kërkuar, prapë u kishte dhënë, derisa Pejgamberit a.s. nuk i mbeti asgjë, dhe me atë rast u tha atyre: "Atë të mirë që kam nuk do ta deponoj për vete. Kush kërkon dëlirësi, Zoti e bën të dëlirë; kush kërkon pasuri, Zoti e bën të pasur; kush kërkon durim, Zoti i jep durim, askujt nuk i është dhënë ndonjë e mirë më mirë sesa durimi."
Pejgamberi a.s. solli një shembull përmes të cilit tregoi se ushtrimet praktike, edhe në qoftë se kanë mundime, i japin njeriut virtyte të moralit, derisa ta shndërrojnë në një njeri bujar, edhe pse fillimisht ishte koprrac.
Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberin a.s. ka thënë: "Shembulli i koprracit dhe lëmoshëdhënësit është sikurse shembulli i dy personave që kanë nga një mburojë të hekurt, e cila ka ndikuar që duart e tyre të bashkohen (ngjiten) për gjoks dhe fyt. Lëmoshëdhënësi, sa herë që jepte lëmoshë, mburoja lirohej (zgjerohej), derisa ajo mbuloi gishtërinjtë dhe tërë trupin e tij, ndërsa koprraci sa herë tentonte që të jepte lëmoshë, ajo ngushtohej dhe çdo hallkë qëndronte në pozicionin e saj (pa lëvizur).(6)
Ky hadith tregon se bujari dhe koprraci, sa i përket mburojës, fillimisht ishin në të njëjtin pozicion. (vijon)


_____________________
(1) Tefsir El Kuran El Adhim, Thën Kethir. (2) Tefsir El Kerim El Menan. (3) Tefsir Edvaul Bejan. (4) Mevsuatul Ahlak, Halid El Harraz. (5) Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi. (6) Transmeton Imam Muslimi.



Mr. Vedat Shabani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi