Abstrakt
Namazi është një ndër pesë shtyllat bazike të Islamit. Këtë adhurim, i Madhërishmi e ka bërë obligim ditor, pesë herë brenda njëzetekatër orëve. Besimtari gjatë kryerjes së këtij ibadeti, arrin një lumturi të papërshkrueshme, në përpjekje për t’u ngritur në lartësitë shpirtërore. Si një prej ibadeteve më madhështore, namazi luan një rol të veçantë në edukimin dhe kalitjen e besimtarit mysliman në frymën e mirëfilltë fetare.
Namazi, si adhurim, ka rregullat dhe dispozita të veçanta, të cilat juristët myslimanë i kanë shtjelluar në përpikëri. Por, përveç këtyre rregullave të jashtme, namazin e karakterizojnë edhe veçori të brendshme shpirtërore, të cilat mund të përjetohen vetëm me ndjenja dhe me zemër. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përkushtuar, gjatë kryerjes së këtij obligimi shumë të rëndësishëm të fesë Islame, në mënyrë që të përfitojmë mirësitë e tij si fizike, ashtu edhe shpirtërore.
Fjalët kyçe: namaz, ezan, përkushtim, përulje, prezenca e zemrës.
Hyrje
Namazi është lumturia e çdo besimtari të sinqertë, është kënaqësia e shpirtit të namaz falësit, është kopsht i myslimanit të përkushtuar dhe mëshirë e dhuruar e Zotit për robërit e Tij. Këtë dhuratë, Krijuesi i gjithësisë, ia dhuroi ymetit përmes të Dërguarit të Tij, Muhamedit a.s., si mëshirë, afrim dhe nderim, në mënyrë që përmes këtij adhurimi të arrijnë kënaqësinë e Tij. Ky adhurim është i veçantë dhe dallon nga adhurimet e tjera, sepse është prej adhurimeve të para me të cilin, Krijuesi i gjithësisë, i ngarkoi robërit e Tij. Namazi luan një rol të veçantë në edukimin dhe kalitjen e besimtarit mysliman, në frymën e mirëfilltë fetare, sepse besimtari mysliman paraqitet para madhërisë së Zotit pesë herë gjatë ditës, dhe nuk ka dyshim se kjo paraqitje lë mbresa të pashlyera në zemrën e çdo myslimani.
Namazi ka rregullat dhe dispozitat e tij, të cilat juristët myslimanë i kanë shtjelluar në përpikëri, duke u bazuar në ajetet kuranore dhe në hadithet e Pejgamberit a.s. Mirëpo, përveç rregullave juridike të cilat juristët islamë i kanë shpjeguar në librat e tyre të jurisprudencës, namazi ka edhe disa fshehtësi të brendshme të cilat nuk mund t’i ndjejë e as shijojë askush, përveç atij, i cili namazin e kryen me përpikëri dhe përkushtim maksimal, prandaj, për t’i dhënë namazit vendin e merituar dhe për ta arritur efektin për çka edhe Allahu xh.sh. e ka bërë obligim për myslimanët, atëherë, patjetër duhet të jemi shumë të përkushtuar gjatë kryerjes së tij.
Vlera e namazeve farz
Sa i përket kategorizimit të namazit, nuk ka dyshim se namazi farz(1) është kulmi i të gjitha namazeve. Për vlerën e namazit farz flasin ajete të shumta të Kuranit dhe hadithe të Pejgamberit a.s.. Prej tyre do të përmendim ajetin ku Allahu xh.sh. thotë:
“Namazi është obligim (në kohë) i caktuar për besimtarët”(2). Ndërsa Pejgamberi a.s. në një prej haditheve të shumta që flasin për vlerën dhe rëndësinë e namazit farz thotë: “Pesë namazet gjatë ditës, xhumaja deri në xhumanë tjetër, janë falëse të mëkateve në mes tyre, nëse braktisen mëkatet e mëdha”(3).
Me një rast, kur Pejgamberi a.s. është pyetur se cila është puna më me vlerë?, ka thënë: “Namazi në kohën e tij”(4).
Vlera e xhamisë dhe vendfaljes
Xhamia është njëra ndër institucionet më të rëndësishme në jetën shoqërore të çdo myslimani. Këtë e vërteton edhe veprimi i Pejgamberit a.s. me rastin e shpërnguljes së tij prej Mekës në Medinë, ku ndër veprimet e para që ndërmori, ishte përcaktimi i vendit për ndërtimin e xhamisë.
Lidhur me rëndësinë e xhamisë Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së fundit”(5).
Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë shumë hadithe për vlerën e xhamisë, prej tyre janë edhe këto: “Ai person i cili për hir të Allahut e ndërton një xhami, edhe nëse ajo është sa strofulli i thëllëzës, Allahu do t’ia ndërtoj atij një shtëpi në xhenet”(6), “Fqinji i xhamisë nuk e ka namazin (e plotë) përveçse në xhami.”
Ndërsa në një hadith tjetër, i cili për kohën që po jetojmë, për fat të keq, është mjaft aktual, ai thotë:
“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të tubohen nëpër xhamitë e tyre dhe i tërë përkushtimi i tyre do të jetë rreth kësaj bote, Allahu xh.sh. nuk ka nevojë për njerëz të tillë, prandaj mos i shoqëroni ata.”(7)
Vlera e plotësimit të kushteve (shtyllave) të namazit
Mësimet e fesë islame çdoherë porosisin besimtarin që me rastin e veprimit të ndonjë vepre, atëherë atë duhet ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu edhe gjatë faljes së namazit, është esenciale që ai të kryhet në formën dhe mënyrën më të përkryer. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai person i cili e fal namazin në kohën e tij, duke marrë abdes në formën e duhur, duke e plotësuar rukunë, sexhden dhe përkushtimin ndaj namazit, namazi i tij do të ngrihet në formë të bardhë e ndriçuese duke thënë: Zoti u përkujdestë për ty ashtu siç u përkujdese për mua, ndërsa ai i cili e fal namazin pas kohës së tij, duke mos marrë abdes në formën e duhur, duke mos e plotësuar rukunë, sexhden dhe përkushtimin ndaj tij, namazi do t’i ngrihet në formë të zezë e të errtë duke thënë: Zoti të humbtë ashtu siç më humbe mua, derisa të arrij deri aty ku dëshiron Zoti dhe në një moment do t’i lidhet ashtu siç lidhet rroba e vjetër dhe do t’i përplaset në fytyrën e tij”(8).
Vlera e namazit me xhematë
Sa i përket vlerës së namazit me xhematë, kemi shumë hadithe të Pejgamberit a.s. të cilat flasin rreth kësaj. Ndër të tjera, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Namazi me xhematë, është më i vlefshëm se namazi vetëm, për njëzeteshtatë shkallë”(9).
Othmani r.a., duke përshkruar vlerën e namazit me xhematë, bazuar në atë çfarë kishte dëgjuar nga Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush e falë namazin e jacisë me xhematë, e ka vlerën sikur të atij që falet sa gjysmën e natës, ndërsa ai që e falë namazin e sabahut me xhematë, e ka vlerën sikur të atij që falet tërë natën”. Ndërsa, Muhamed bin Vasiu(10) lidhur me këtë çështje ka thënë: “Nuk kam ndonjë dëshirë nga kjo botë përveç tri gjërave: një mik-vëlla, që të më këshillojë kur gaboj, furnizim të hallallit dhe namazin me xhematë”.
Vlera e sexhdes
Sexhdeja, është një prej pjesëve përbërëse të namazit, si shenjë e përulësisë ndaj Krijuesit fuqiplotë. Gjatë sexhdes sonë, ne e vendosim fytyrën-ballin në tokë, duke e lartësuar Allahun e gjithëmëshirshëm me fjalët: “Subhane Rebbijel A’ëla - I lartësuar dhe i zhveshur nga çdo e metë, është Zoti im më i Larti”.
Allahu xh.sh. në Kuran, na ka urdhëruar që të biem në sexhde përulësie, si f.v. në këtë ajet: “O besimtarë! Bëni ruku, bëni sexhde, adhuroni Zotin tuaj, dhe punoni vepra të mira nëse doni të arrini shpëtimin.” – (El-Haxhxh, 77)
Pastaj: “Pra, bini në sexhde për Allahun dhe Adhurojeni Atë!”
Ndërsa i Dërguari a.s. në lidhje me vlerën e sexhdes thotë: “Nuk ka mysliman i cili bën një sexhde për hir të Allahut, përveç se Zoti do ta ngritë atë një gradë dhe do t’ia shlyej një të metë”(11). dhe:
“Njeriu, gjatë namazit, më së afërmi është me Zotin, kur është në sexhde, prandaj shtoni lutjet”(12).
Përkushtimi në namaz
Lidhur me këtë pikë mjaft të rëndësishme, që për fat të keq, në kohën tonë, i ka humbur rëndësia te shumë namaz falës, Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “dhe fal namaz për të më kujtuar Mua”(13), Kuptimi i këtij ajeti nënkupton pikërisht urdhrin për të kujtuar Zotin gjatë namazit, me përkushtimin më të plotë, duke qenë i vëmendshëm se ke dalë para Madhërisë së Allahut. Ndërsa, ai që e fal namazin, duke qenë i pavëmendshëm dhe i shkujdesur, namazi i tij është “i lëndueshëm, për të mos thënë, “i papranueshëm”. Allahu xh.sh. thotë: “dhe mos u bëjë prej atyre që janë të shkujdesur”(14), dhe: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe janë të kujdesshëm gjatë faljes së namazit”(15).
Në këtë ajet, Allahu xh.sh. shkallën e parë të shpëtimit e ka vendosur në kujdesin gjatë namazit, me qëllim të njoftimit se ai që nuk e ka këtë veti, është shumë larg shpëtimit, që në këtë rast nënkupton kujdesin. Ndërsa lidhur me këtë çështje, ka folur edhe i Dërguari i Allahut a.s. në shumë thënie të tij, ndër të cilat do të përmendim: “Në të vërtetë namazi është përulësi, modesti dhe përgjërim, të ngresh duart dhe të thuash: O Zoti im, o Zoti im, e ai që nuk vepron në këtë mënyrë atëherë namazi i tij është i mangët”(16). Si dhe:
“Atë person të cilin namazi i tij nuk e ndalon nga imoraliteti dhe e neveritura, ai në realitet veç sa është duke u larguar nga Zoti”(17).
Pejgamberi a.s. ka qenë shumë i përkushtuar gjatë faljes së namazit. Këtë traditë e kanë vazhduar shokët e tij dhe gjeneratat e mëpasshme. Si mos të jenë të përkushtuar kur ata kanë qenë të vetëdijshëm se gjatë namazit të tyre, ata në realitet janë duke biseduar me Krijuesin e tokës dhe të qiellit - Zotin e të gjitha botëve.
Lidhur me çështjen e përkushtimit gjatë namazit, Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Dy rekate namaz duke qenë i përkushtuar plotësisht, janë më të vlefshme sesa namazi i tërë natës duke qenë i shkujdesur.”
Veprimet gjatë namazit që ndërlidhen me përkushtimin dhe përulësinë
Kur një person dëshiron të falë namaz, ai fillimisht eliminon papastërtinë nga trupi, nga rrobat dhe vendi i faljes, më pastaj e mbulon pjesën e turpshme (avretin) të trupit, e që për mashkullin kërkohet prej kërthizës e deri në gjunjë, dhe merr abdes duke respektuar dispozitat fetare.
Pas kësaj, ai duke u përqendruar me mendje dhe me zemër, e bën nijet dhe drejtohet nga kibla, dhe lidhet në namaz, qoftë individual, qoftë me xhemat. Në këtë rast, është e rëndësishme që përkushtimi dhe lidhja e zemrës së tij me Allahun fuqiplotë, të jetë në nivelin e kërkuar shpirtëror. Tekbiri, leximi i Kuranit, rukuja, sexhdeja, qëndrimi në këmbë-kijam dhe ulja në etehijat, janë pjesë përbërëse të një namazi që kryhet me përulësi, devocion dhe dashuri ndaj Allahut të Gjithëpushtetshëm.(18).
Ndjenjat dhe përjetimet e brendshme shpirtërore përmes së cilave veçohet namazi
Këto ndjenja a përjetime, apo nëse mund t’i quajmë edhe përsiatje shpirtërore, mund t’i përmbledhim shkurtimisht në gjashtë:
- Prezenca e zemrës
- Të kuptuarit
- Ekzaltimi
- Madhështia-autoriteti
- Shpresa-pritja dhe
- Turpi
Me termin prezenca e zemrës, nënkuptojmë braktisjen dhe largimin e zemrës nga gjërat që nuk përkojnë me përqendrimin në namaz.
Të kuptuarit e fjalëve dhe veprimeve gjatë namazit, është çështje e cila vjen si rezultat i prezencës së zemrës. Kur njeriu është me mendje dhe shpirt i pranishëm në namazin e tij para Krijuesit, atëherë do të jetë në gjendje t’i kuptojë dhe përjetojë të gjitha ndjenjat, me anë të cilave kupton se duhet të jetë i kujdesur që të largohet nga imoraliteti dhe e neveritura.
Gjatë leximit të disa ajeteve kuranore, njeriu s’ka si të mos ekzaltohet,sepse nga vetë ky term, kuptojmë se ekzaltimi është një gjendje e zemrës që buron përmes njohjes së Zotit xh.sh. dhe madhështisë së Tij, që konsiderohet bazë esenciale e besimit, si dhe përmes njohjes së vetvetes së tij.
Sa i përket madhështisë, ajo është një gjendje e cila lind si rezultat i njohjes së fuqisë së Zotit xh.sh., pushtetit të Tij dhe ndikimit të vullnetit të Tij. Sikur të shkatërroheshin të gjithë njerëzit, që nga njeriu i parë e deri në atë të fundit, asgjë nuk do t’i mungonte pushtetit të Tij. Aq sa përforcohet dhe shtohet dija rreth Allahut xh.sh. aq edhe shtohet frikë respekti ndaj Tij.
Dhe fare në fund, fare kemi të bëjmë me shpresën, të cilën namaz falësi e ushqen vazhdimisht, sepse Allahu na ka porositur neve si besimtarë që për asnjë çast, të mos e humbim shpresën nga mëshira e Tij. Dihet se shpresa, vjen si shkak i njohjes së butësisë së Allahut xh.sh., bujarisë dhe mirësive të Tij, e gjithashtu edhe nga njohja e premtimit të Tij me xhenet për atë që fal namazin.
Pas tërë këtyre ndjenjave shpirtërore, në fund fare vjen edhe ndjenja e turpit, që nënkupton se ai njeri që ende ka moral dhe besim, ai sigurisht që ndjen një dozë ngushtimi a turpi, që të mëkatojë ndaj Allahut, pas faljes së namazit, i cili na thërret të distancohemi nga çdo gjë e shëmtuar.
Sqarimi i detajuar se si duhet të jetë zemra prezent në çdo veprim gjatë namazit
Në momentin kur një mysliman dëgjon ezanin, atëherë ai duhet të llogarisë se është duke dëgjuar thirrjen e Zotit ndaj tij në Ditën e Gjykimit, për t’u përgatitur që të jap llogari para madhërisë së Allahut xh.sh.
Sa i përket pastërtisë, përderisa njeriu e pastron vendin ku dëshiron të falet, si dhe rrobat me të cilat do të falet, atëherë gjithsesi duhet të kujdeset edhe për pastrimin e tij të brendshëm shpirtëror, duke filluar nga zemra. Pastrimi i zemrës arrihet përmes pendimit, qortimit të vetvetes për veprimet e kaluara dhe përkushtimit, që në të ardhmen të mos veprojë ndonjë vepër të papërshtatshme.
Sa i përket mbulimit të avretit, kjo nënkupton se njeriu duhet t’i mbulojë pjesët e turpshme të trupit të tij përpara syve të njerëzve. Nëse ne i kushtojmë kaq kujdes pamjes së jashtme trupore dhe mbulimit të avretit, atëherë si qëndron puna me të metat dhe dobësitë tona të brendshme, të cilat nuk i di askush përveç Zotit Fuqiplotë? Pikërisht për këtë arsye, ne duhet ta pastrojmë ndërgjegjen, zemrën dhe shpirtin tonë nga mendimet negative dhe nga ,uke u penduar sinqerisht për mëkatet e kaluara.
Sa i përket orientimit tona kah kibla, kjo nënkupton largimin nga të gjitha orientimet e tjera përveç orientimit në drejtim të shtëpisë së Zotit (Qabesë). Prandaj nëse gjatë namazit tonë orientohemi me fytyrë kah kibla, atëherë duhet pasur kujdes që edhe zemra t’i përkushtohet plotësisht Krijuesit të saj, duke braktisur të gjitha preokupimet tjera të kësaj bote.
Me qëndrimin në këmbë nënkuptohet paraqitja e njeriut me fizikun dhe zemrën e tij përpara madhërisë së Zotit Fuqiplotë, si shenjë që edhe zemra të jetë e stolisur me modesti e nënshtrim duke u larguar nga mendjemadhësia. Kur njeriu qëndron në këmbë gjatë namazit duhet ta imagjinojë veten se është në Ditën e Gjykimit duke dhënë llogari para Allahut të Lartmadhërishëm.
Sa i përket nijetit-vendosjes, ky veprim nënkupton vendosmërinë e njeriut që t’i përgjigjet Krijuesit ndaj obligimeve dhe urdhrave të Tij, siç është namazi, duke e kryer këtë obligim me shpresën për të arritur shpërblimin e Tij. Gjatë tekbirit fillestar, kur gjuha jote e thotë këtë madhërim, të jesh i kujdesshëm që zemra jote të mos e përgënjeshtrojë atë. Nëse në zemrën tënde gjendet diçka që është më e madhe se Allahu, ose egoja jote ka përparësi ndaj urdhrave të Tij, atëherë dije se me këtë rast ti i ke shoqëruar Zotit shok, duke e madhëruar dikë tjetër pos Tij. Në këtë rast, tekbiri i shprehur pa ndjesi shpirtërore, llogaritet vetëm thënie e gojës dhe gjendje shumë e rrezikshme për Imanin-besimin e njeriut.
Duaja e hapjes së namazit, përfshin fjalët përmes së cilave besimtari fillimisht e madhëron Allahun Fuqiplotë, i Cili është i vetmi i denjë për t’u madhëruar.
Kur besimtari e lexon Fatihanë - Elhamdulil-lahin, në tërësi, duhet ta ketë në konsideratë se i tërë falënderimi është për Zotin, sepse të gjitha dhuntitë janë prej Tij.
Gjatë namazit jemi të rrethuar më mëshirën, ngrohtësinë dhe butësinë e Tij, dhe arrijmë në atë gjendje, sa të kuptojmë se tërë madhështia dhe pushteti i takon vetëm Allahut, sunduesit të Ditës së Gjykimit.
Ne po ashtu jemi të bindur se sa të pafuqishëm jemi pa ndihmën dhe përkrahjen e Allahut, andaj edhe lutjet tona drejtuar Atij që të ma udhëzojë në rrugën e drejtë, janë lutje që burojnë nga zemra dhe shpirti ynë i pastër. E vetmja rrugë shpëtimi është ajo në të cilën është i kënaqur Allahu i madhërishëm, rruga e atyre të cilët Ai i begatoi me mirësitë e Tij, e kurrsesi rruga e atyre nga të cilët Allahu është i hidhëruar, për shkak të mosbesimit dhe ligësive të tyre.
Gjatë namazit, zemra duhet të jetë e përkushtuar sepse ruajtja e saj, që mos të preokupohet me çështje të tjera gjatë namazit, është rezultat i përkushtimit. Nëse brendësia e namazliut është e përkushtuar, atëherë edhe gjymtyrët e jashtme të tij, padyshim do të përkushtohen.
Edhe gjatë rukusë dhe sexhdesë, falësi i namazit, duhet ta ripërtërijë besatimin e tij me Allahun xh.sh., me nënshtrim të plotë ndaj Tij. Ai përmes rukusë dhe sexhdesë konfirmon se nënshtrimi dhe përkushtimi bëhet vetëm ndaj Krijuesit Fuqiplotë, i Cili njeriut i dha shumë mirësi dhe begati, prandaj vetëm Ai, meriton që t’i nënshtrohemi dhe t’i përulemi vazhdimisht.
Me rastin e qëndrimit ulur gjatë namazit, në etehijat, namazliu duhet të ulet me edukatë dhe terbije, duke konfirmuar të gjitha përshëndetjet dhe falënderimet për Zotin xh.sh., gjithashtu duke përcjellë përshëndetje ndaj Pejgamberit a.s., dhe duke bërë lutje për vete, për prindërit e tij dhe për të gjithë besimtarët myslimanë. Lutja duhet të bëhet me modesti, nënshtrim dhe përulësi si dhe me bindje të thellë se Allahu xh.sh. do t’i përgjigjet lutjes tënde. Ndërsa me rastin e dhënies së selamit, për të dalë nga namazi, duhet ta kesh parasysh përshëndetjen ndaj melaqeve, xhematit dhe gjithë të myslimanëve, që janë duke u falur me ty. Ky pra është namazi i përulësve dhe i të përkushtuarve, të cilin e përshkruajnë edhe shumë ajete kuranore si këto në vazhdim: “Ata të cilët janë të përulur dhe janë të kujdesshëm gjatë faljes së namazit”(19). “Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj rregullave të namazit të tyre”(20). “Të cilët janë të rregullt në faljen e namazit.”(21)
_____________________________
1. Namazet farze, të detyrueshme janë: 2 rekate të sabahut, 4 rekatet të drekës, 4 rekate të ikindisë, 3 rekate të akshamit dhe 4 rekate të jacisë.
2. En-Nisa’ë, 103.
3. E transmeton Imam Muslimi, Libri i Pastërtisë, nr: (232). Gjithashtu e transmeton edhe Imam Ahmedi në Musnedin e tij (2/229.
4. E transmetojnë Imam Buhariu dhe Muslimi.
5. Et-Tevbe, 18
6. E transmeton Ibën Maxhe dhe Imam Ahmedi.
7. E transmeton Ibën Hibbani dhe Hakimi.
8. E transmeton Imam Msulimi, nr. (226).
9. E transmetojnë Imam Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.
10. Jurist, asket dhe një njeri i devotshëm, banor i Basrës i cili ka vdekur në vitin 123 h.
11. E transmeton Imam Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi.
12. E transmeton Imam Muslimi dhe Imam Ahmedi.
13. Ta-Ha: 14
14. El-A’raf: 205
15. El-Mu’minun: 1,2.
16. Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij, gjithashtu edhe Imam Tirmidhiu.
17. E transmeton Taberaniu nga Abdullah bin Mesudi.
18. Abdulvehab El-Mesh’hedani, Sifetu salati-n-Nebij, f: 15, botimi i Darul-Kalem, Damask-1990.
19. El-Muminun, 2
20. El-Mearixh, 34
21. El-Mearixh, 23