Sinqeriteti është gjuhë të cilën nuk mund ta dijë askush tjetër përveç të sinqertëve, nuk mund të manipulohet, imitohet apo të krijohet, gjurmët e sinqeritetit lindin si rezultat i vlerave që dalin nga një zemër e kulluar, nga një ndërgjegje e gjallë, që ia do të mirën gjithë njerizimit, buron nga thellësia e zemrës dhe përcjell efekte të mahnitshme nga zemra në zemër.Sinqeriteti është aromë e këndshme që bart njeriu me veprimet e tij tek të tjerët, po ashtu është rrezatim dhe shkëlqim i brendshëm i myslimanit që lë gjurmët e tij në sjelljet e jashtme, mbi të gjitha është zbukurues i mendjes dhe shpirtit të njeriut. Sinqeriteti luan rol të rëndësishëm në largimin e depresionit, stresit, mbi ngarkesën nervore dhe mundimeve të ndryshme të njeriut, duke ndikuar kështu seriozisht në personalitetin e tij.
Sinqeriteti është prej cilësive dhe karakteristikave që formojnë personalitetin e myslimanit. Allahu i Lartësuar urdhëron dhe thotë në Kuranin Famëlartë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni si ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)” (Et-teube. 119.). Të sinqertë janë atë njerëz të cilët janë të sinqertë në besimin, fenë, fjalët dhe veprat e tyre, ngase themeli apo baza e besimit është sinqeriteti.
Sa herë që lexojmë Kuranin gjejmë ajete të veçanta që flasin për sinqeritetin, madje në Kuran kemi një kaptinë të veçantë që quhet suretul - Ihlas (surja e sinqeritetit), ngase në këtë sure përfshihen cilësitë e Allahut xh.sh.
SURETUL – IHLAS - surja e sinqeritetit(1)
1. Thuaj: Ai, Allahu është Një!
2. Allahu është Ai të cilit çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë.
3. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.
4. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.
Në kohën e Pejgamberit a.s një njeri e ka dëgjuar se si një njeri tjetër e kishte lexuar suretul – Ihlas (suren e sinqeritetit) në mbrëmje një herë, pastaj prapë e kishte përsëritur dhe i ishte dukur se kishte lexuar pak. Të nesërmen në mëngjes këtë ia tregon Pejgamberit a.s., ndërsa Muhamedi a.s. i thotë: “Pasha Atë (Allahun) në dorën e të Cilit është shpirti im, kjo sure (suretul-Ihlas) është me vlerë sa një e treta e Kuranit”.
Është e vërtetë se kjo sure ka vlerë të posaçme, sepse në të është njëshmëria e Krijuesit, pra është surja e Imanit të sinqertë në Allahun.1
Disa nga llojet e sinqeritetit;
Sinqeriteti me qëllim: do të thotë se çdo punë dhe fjalë e mirë e njeriut duhet të jetë me sinqeritet për të fituar kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut xh.sh.
Pejgamberi (a.s.) thotë: “Personi i parë që do të gjykohet në Ditën e Gjykimit është njeriu që ka rënë dëshmor në fushëbetejë (luftë). Atë do ta sjellin që të gjykohet dhe do t’i ekspozohen begatitë e tij që ia ka dhënë Allahu e të cilat ai do t’i njohë, atëherë Allahu do t’i thotë: Çka ke bërë me begatitë që t’i kam dhënë? Ai thotë: kam luftuar për Ty derisa kam rënë dëshmor. Allahu do t’i thotë: Gënjen, sepse ti ke luftuar që të thuhet se je trim i patrembur dhe kështu është thënë për ty. Atëherë do të urdhërojë që të tërhiqet për fytyre derisa të hidhet në zjarr. Pastaj do të ftohet në gjykim ai njeri që ka studiuar dituri, i ka mësuar të tjerët dhe që ka lexuar Kuran. Edhe ai do të sillet në gjykim. Edhe atij do t’i ekspozohen veprat dhe do t’i njohë. Edhe atij Allahu do t’i thotë: E çka ke bërë ti me këtë? Ai do të thotë: Kam studiuar për vete edhe të tjerët i kam mësuar dhe për Ty kam lexuar Kuran. Allahu i thotë: Gënjen, sepse ti ke mësuar që të thonë se je dijetar, kurse Kuran ke lexuar që të thonë se je lexues i Kuranit dhe kështu është thënë. Pastaj Ai do të urdhërojë që të tërhiqet për fytyre derisa të hidhet në Zjarr. Pastaj do të gjykohet njeriu të cilit Allahu i ka dhënë pasuri të ndryshme e ai do të sillet në gjykim. Edhe atij do t’i ekspozohen veprat e tij dhe do t’i njohë ato, atëherë do t’i thotë: çka ke bërë ti në tërë këtë? Ai do të thotë: Nuk kam lënë asnjë vend që Ti ke dëshiruar të shpenzoj pasuri e të mos kem shpenzuar në emrin Tënd. Edhe atij do t’i thotë: Gënjen, sepse ti ke vepruar kështu që të thuhet se je bujar, dhe kështu është thënë. Pastaj do të urdhërojë që të tërhiqet prej fytyre dhe do të hidhet edhe ai në Zjarr.”(2)
Në këtë hadith, vërehet qartë se Allahu xh.sh i asgjësoi që të gjitha punët dhe veprat e tyre, si luftëtarin, lexuesin e Kuranit dhe atë që ka shpenzuar nga pasuria e tij për shkak të nijetit dhe dëshirës që kanë pasur e jo për shkak të sinqeritetit.
Sinqeriteti në fjalë
Çdo njeri i cili flet duhet të bëjë shumë kujdes kur të flasë, ai duhet gjithmonë të flasë të vërtetën dhe nuk duhet të gënjejë. Besimtari mysliman duhet të thotë gjithmonë të vërtetën dhe duhet të jetë çdoherë i pajisur me sinqeritet.
Fjalët e ëmbla nuk janë shumë të rëndësishme edhe kur ata janë të nevojshme, më i rëndësishëm është sinqeriteti, që është në harmoni me vetveten dhe fjalimet e atij të cilit i vijnë nga zemra. Kohë përpara është thënë: “Nëse një fjalë vjen nga zemra, ajo do të zërë vend në zemër... dhe nëse ajo vjen nga gjuha, ajo nuk arrin as te veshët!”
Një nga dijetaret e mëhershëm, Xhunejd el- Bagdadi ka thënë: Sinqeriteti është sekret ndërmjet Allahut dhe Robit të Tij, atë nuk e di as engjulli në mënyrë që ta shkruajë, as shejtani në mënyrë që ta prishë, dhe as epshi në mënyrë që ta pengojë.
Sinqeriteti në vepra
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: O Zoti im, më shpjer në një hyrje të sinqertë, më nxirr nga një dalje e sinqertë dhe më dhuro fuqi që do të më ndihmojë.”(3)
E në një ajet tjetër thotë: “Midis besimtarëve ka të atillë që ishin të sinqertë në besën që i dhanë Allahut. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.”(4)
Salahudin Ejupi, udhëheqësi legjendar që çliroi Kudsin nuk është parë asnjëherë duke qeshur. Kur e pyetën se përse nuk qeshte, ai tha: Si të qesh kur Kudsi është i pushtuar. Vetëm pasi e çliroi Palestinën qeshi. Ky veprim nga ana e tij tregon sinqeritetin e madh të këtij udhëheqësi që kishte vendosur që më parë të çlironte Palestinën nga kryqtarët dhe se koha për të qeshur nuk kishte mbërritur akoma.(5)
Sinqeriteti në familje dhe në shoqëri
Myslimani duhet të thotë të vërtetën edhe karshi familjes së tij. Ndaj prindërve, babait dhe nënës, duke qenë gjithnjë i sinqertë ndaj tyre, të mos i rëndojë me fjalë, por çdoherë t’u thotë fjalë respektuese dhe shëruese. Thotë Allahu xh.sh në Kuranin famëlartë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).”(6)
Po ashtu, myslimani duhet të jetë i sinqertë edhe ndaj fëmijëve të vet, që të mbjellë dashuri dhe respekt në zemrat e tyre që të jenë të sinqertë, të thonë çdoherë të vërtetën dhe të mos gënjejnë asnjëherë. Në ditët e sotme, shoqëria ka më shumë se kurrë nevojë për sinqeritet, sepse të gjitha marrëdhëniet shoqërore ndërtohen mbi bazë të sinqeritetit në fjalë dhe në vepra. Nëse fjala që thuhet nuk është e sinqertë, atëherë është shumë e vështirë që të gjejmë një mekanizëm të mjaftueshëm për të njohur nevojat, dëshirat dhe qëllimet e njerëzve. Nëse nuk ekziston sinqeriteti në fjalë dhe në vepra, atëherë shumica e marrëdhënieve shoqërore apo familjare do të shpërbëheshin ose do të përfundonin në tragjedi të ndryshme.
Nëse brezi i sotëm i të rinjve janë të pajisur me vlerën e sinqeritetit, do të ndryshonin jo vetëm të ardhmen e vendit, por të gjithë myslimanet anembanë botes. Një fakt të tillë e përmend vetë Zoti në Kuran, ku thotë: “Përmendu në Libër (tregimin për) Musanë! Ai ishte i zgjedhur (prej Zotit) dhe ishte i dërguar, pejgamber.”(7)
Shpeshherë Musa a.s u kërcënua me vrasje, herë të tjera u deturua të arratisej dhe ndonjëherë përndiqej dhe ndihej i rrezikuar. Që të gjitha këto vështërsi dhe bela nuk e thyen, për shkak se ai ishte i sinqertë në atë që besonte dhe vepronte.(8)
Allahu e gradoi Musain a.s. me privilegjin që nuk ia ka dhënë askujt tjetër, që t’i flasë direkt, pa ndërmjetësues. Këtë privilegj ai e meritoi për shkak të sinqeritetit. Ai e kreu misionin me të cilin e ngarkoi Zoti xh.sh, jetoi i përndjekur nga një vend në tjetrin, zullumi nuk iu nda nga trupi që nga dita e lindjes së tij e gjer në vdekje, dhe në fund vdiq pa marrë asgjë nga kjo botë, as pasuri dhe as pushtet, ngase ai ishte i sinqertë me Zotin e tij.
Përkufizimi i sinqeritetit është që, çdo vepër që bën, ta bësh vetëm për hir të Zotit, të mos presësh lëvdata nga të tjerët (njerëzit) apo shpërblimin e tyre.
Në fund të gjithë kësaj, le t’ia parashtrojmë këto pyetje vetvetes sonë: sa përpiqemi ne si myslimanë të përmirësojmë sinqeritetin tonë dhe se si ta përmirësojmë sinqeritetin tonë?Lus Allahun xh.sh të na lehtësojë rrugën drejt sinqeritetit, të na shikojë me sy mëshire dhe të na ndihmojë në çështjet e kësaj bote.
______________
1. Musli Verbani “Sinqeriteti” Kaçanik, 2011 , f. 10.
2. imam Muslimi, nr: 1905.
3. El Isra: 80.
4. El Ahzab: 23.
5. Amër Muhamed el-halmi Halid “Islahul el-Kulub, Kajro 2003, f. 59.
6. El Isra: 23.
7. Merjem : 51.
8. Hasan Shemsi Basha “esad nefsike ve esad el-ahirin” damask, 2002, f,64.