Roli i gruas në BIK për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm


Gratë në përgjithësi kanë një forcë dhe mundësi për të arritur ndryshimin në shoqëri. Ato, përgjatë historisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe ende vazhdojnë të kenë një rol, përmes së cilit kanë demonstruar aftësitë e tyre për të ndryshuar pozitivisht në shoqëri.
Qartësia në caktimin e rolit të gruas në jetë, sigurisht që të orienton për arsimimin e saj, ndaj edhe këtu theksojmë se arsimimi dhe prania e saj në aspektet dhe fushat e ndryshme të jetës, na bënë të kuptojmë dhe na jep dëshmi se janë ndër elementet kryesore në sjelljen e procesit të ndryshimit të mirëfilltë.
Për të ndryshuar gjendjen në shoqëri, gjendje kjo e cila ka bërë që të gjithë të jemi të preokupuar për secilin nga ne për shkak të dukurive negative që janë prezent në mesin tonë, përfshirë këtu edhe ekstremizmin dhe radikalizmin që shfaqet nga personat dhe grupet e targetuara, shpeshherë ky ndryshim varet nga gratë dhe nga angazhimi i tyre, pasi që ato luajnë një rol themelor në ndërtimin e familjes, e cila është baza dhe trungu i shoqërisë.
Në të kaluarën është diskutuar për rolin e gruas në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, për atë se si gratë mund të kenë përfshirje dhe perspektivë në fushën e sigurisë në përgjithësi, por në bazë të studimeve që janë bërë është miratuar se pjesëmarrja e grave në sektorin e sigurisë llogaritet një nga shtyllat që çon në efektivitetin më të madh në uljen e dhunës dhe parandalimin e konflikteve.(1)
Mos të harrojmë se për nga shifrat numerike, gratë janë gjysma e shoqërisë, kurse sa i përket formimit dhe ndikimit, ato janë e tërë shoqëria.
Themi se nënat në familje shpeshherë janë në gjendje të shohin shenjat e hershme të ekstremizmit, andaj, ato janë të etuara të ushtrojnë rolin e tyre për t'iu dalë në ndihmë fëmijëve të tyre për të mos e marrë këtë rrugë. Ato vetëdijesohen përmes mësimeve të mirëfillta të fesë nga mualimet tona, të cilat bëjnë verëdijesimin e tyre nga keqinterpretirnet e fesë për ta parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe rreziqet e mundshme që mund të dalin nga njerëzit ekstrem dhe radikal.
Kur bëhet fjalë për procesin e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, proces ky i lidhur ngushtë me identifikimin e hershëm të faktorëve, shkaqeve dhe personave - grupeve të targetuara, vlen të theksohet se gratë që punojnë në Bashkësinë Islame, duke e ditur rolin dhe pozitën e tyre në shoqëri, jo vetëm që synojnë parandalimin e ekstremizmit dhe të radikalizmit në vend, por ato janë edhe pjesëmarrëse në luftimin e kësaj dukurie.
Përfshirja e grave, e sidomos vetëdijesimi i tyre në identifikimin dhe raportimin e elementeve ekstreme brenda familjeve të tyre mbetet ndër faktorët qenësorë në parandalimin e ekstremizmit. E për t'u zbuluar kjo, nevojitet një kontribut i madh, kontribut ky i cili nuk mungon nga mualimet e BIK-ut në terren, të cilat përmes ligjëratave të tyre arrijnë fuqizimin e grave me mësimet e mirëfillta të Islamit të vërtetë. Njohuritë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm janë rritur përmes këtyre aktiviteteve dhe angazhimeve që bëjnë gratë e BIK-ut.
Roli i gruas duhet të jetë në fokus të veçantë, për shkak se gratë shumë lehtë mund të ndikojnë te gratë dhe se ato mund ta menaxhojnë situatën në familje. Nga ky këndvështrim, themi se vetëdijesimi i një gruaje paraqet një shoqëri të vetëdijesuar, po ashtu edhe te të rinjtë, nëse ata vetëdijesohen dhe edukohen në moshën e hershme, shumë më lehtë do të dinë të menaxhojnë problemin e ekstremizmit të dhunshëm, nëse veç ata përballen me të.
Departamenti i Gruas pranë BIK-ut, përmes bashkëpunimit që ka me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me OSBE-në, kanë mbajtur shumë takime dhe trajnime lidhur me këtë fushë, me të cilat është synuar që njohuritë e marra nga këto trajnime të paraqiten edhe në komunitet, te gratë dhe te të rinjtë.
Në vendin tonë, roli i gruas në parandalimin e ekstremizmit ka një vend të rëndësishëm, nëna ka një pozitë të lartë dhe një respekt të madh në jetën e fëmijëve të saj, e kjo më së shumti ndikon që ajo të shpenzojë energjinë e saj maksimale në ruajtjen dhe kujdesin për familje.
Megjithatë, shteti ynë duhet të fuqizojë edhe më shumë rolin e grave në përgjithësi, përfshirë këtu edhe gratë e religjionit, mos të ketë diskriminim tek ato, në veçanti te vajzat dhe gratë me mbulesë, pasi që kjo mund të ndikojë në mos socializimin e grave dhe vajzave tona që bartin mbulesë.
Nëse duam të arrijmë sukses, atëherë kjo arrihet përmes aktiviteteve të ndryshme, duke pasur parasysh bashkëpunimin me gratë e institucioneve të vendit dhe të atyre të OJQ-ve të ndryshme, me qëllim të përmirësimit dhe të tejkalimit të sfidave dhe problemeve që na kanosen çdo ditë.
Bashkësia Islame e Kosovës ka ofruar hapësira të mjaftueshme për gratë që duan të jenë aktive në kuadër të këtij institucioni, duke e bërë të mundur punësimin e teologeve nëpër këshillat e BIK-ut, ku ato çdo ditë zhvillojnë aktivitetet e tyre.



(1) https://sbunker.net/ siguria-bllogje-tematike/88746/gruaja-si-paral1daluese-te-ekstremizmit-tecdhllnshem/



Dituria Islame 363