Në fenë islame këshillimi ka një vlerë shumë të madhe. Qëllimi i fesë islame është që ta formojë njeriun duke e edukuar atë dhe gjithë atë mirësi ta praktikoj vetë, e pastaj ta ndaj me të tjerët. Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është një nga çështjet bazë, është ajo gjë e cila e dallon ymetin tonë prej ymeteve të tjera.
Zoti xh.sh. në Kuran thotë: "Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun."(1)
Këshillimi është një virtyt i njerëzve me besim të sinqertë, i cili këshillon e largon nga veprat e këqija dhe e drejton atë drejt punëve të mira. Disa nga problemet me të cilat përballej Muhamedi a.s. i zgjidhte me anë të këshillimit. Në të vërtetë, me anë të këshillimit ai dëshironte të hidhte themelet e një parimi të rëndësishëm. Muhamedi a.s. nuk ishte nevojtar për këshillim, por njerëzit që pas tij do të përfaqësonin islamin do të ndjenin gjithmonë nevojë për këshillim. Ai vërtet i jepte shumë rëndësi këshillimit. Zoti xh.sh. në Kuran thotë: "Vazhdo me këshillë, sepse këshilla u bën dobi besimtarëve."(2)
Këshillimi duhet të bëhet një sistem i pamënjanueshëm i jetës sonë, pra duhet të jemi të vazhdueshëm, të qartë, të dashur, dhe bashkëpunues. Zoti xh.sh. në Kuran thotë: "Ndihmojeni njëritjetrin në mirësi dhe drejtësi."(3)
Muhamedi a.s. i drejtohej mendimit të secilit, merrte idenë e secilit dhe kërkonte ta bënte mendimin e këshillimit sundues në jetën e shoqërisë. Ai na ka mësuar që kush këshillohet nuk do të pendohet, po ashtu ai këshillohej me nxënësit e tij dhe u drejtohej mendimeve të tyre. Sigurisht, fitues ishin përsëri njerëzit me të cilët këshillohej, sepse me këtë veprim ai u jepte atyre edhe një mësim morali.
Në çfarë mënyre duhet t'i këshillojmë të tjerët?
Këshilla duhet bërë me butësi, sepse ajo që arrihet me butësi nuk arrihet me vrazhdësi. Na ka treguar Urve bin Zubejri, ky nga Aisheja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit a.s., që ka treguar si vijon: "Një grup hebrenjsh hyri te Pejgamberi a.s., e i thanë: "Essamu alejke - paçi vdekjen! Aisheja vazhdon: "E kuptova çka thanë dhe unë ua ktheva: "Edhe mbi ju qoftë vdekja (helmimi) e mallkimi!" Në këtë moment, Pejgamberi a.s., ndërhyri: "Më ngadalë o Aishe! Allahu për gjithçka dëshiron butësinë." "O i Dërguar i Allahut, po a nuk e dëgjove çka thanë?" "Po e dëgjova dhe u thash "Edhe mbi ju ashtu qoftë"! u përgjigj Pejgamberi a.s.(4)
Motivimi për vepra të mira
Një mysliman kur dëshiron të këshillojë dikë merr shembull Muhamedin a.s., i cili përcjellë nga i Larmadhërishmi dhe thotë: "Nuk ka dyshim se Allahu i ka caktuar veprat e mira dhe të këqija, e pastaj ka dhënë sqarim. Ai që dëshiron të bëjë mirë, por nuk e kryen, Allahu do t'ia konsiderojë si vepër të mirë; por nëse dëshiron të bëjë një të mirë dhe e kryen atë të mirë - Allahu do t'ia shkruaj këtë sa dhjetë vepra të mira, deri në shtatëqind vepra të mira, madje edhe shumëfish më tepër. Ai që dëshiron të bëjë një punë të keqe, por nuk e realizon Allahu do t'ia shkruaj si një vepër të mirë, por nëse dëshiron ta bëjë të keqen dhe e kryen Allahu do t'ia shkruaj si një vepër të keqe."(5)
1. Ali imran, 110.
2. Edh Dharijat, 55.
3. El-Maide, 2
4. Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 11, hadithet: 5351-6229; përktheu nga gjuha arabe ri: Feti Mehdiu, Prishtinë, 2014 fq. 296.
5. Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe nga F. Mehdiu, libri 12, hadithet: 6227- 7563, Prishtinë 2015 fq. 133.