Hyrje

Me rastin e shpërthimit të pandemisë Covid-19, lindën edhe ide konspirative. Shumë njerëz dyshonin se është një e bëmë e faktorit njeri, e jo prej Zotit. Prandaj, pa e paragjykuar kontekstin, në vazhdim do ta trajtojmë problematikën e krijimit të sëmundjeve, si një çështje tejet e rëndësishme në doktrinën e besimit islam.

Nuk ka infeksion nga supersticionet

Në periudhën para Muhamedit a.s., njerëzit ishin shumë të lidhur për botëkuptimet animistike. Çdo fatkeqësi a veprim e deshifronin nëpërmjet supersticioneve (besëtytnive). Edhe për sëmundjet besonin se janë pasojë e sulmeve të shpirtërave të këqij. Sepse, thënë të drejtën, si sot, edhe në të kaluarën bota e shpirtërave ka qenë preokupim njerëzor. Për shembull, grekët besonin se perandorët e tyre pas vdekjes bëhen perëndi.[1]
Nisur nga kjo logjikë, besohej se shpirtrat posedojnë fuqi çudibërëse. Duke qenë imaterial, të pakapshëm e të panënshtrueshëm, presupozohej se jetojnë diku në ndonjë lartësi qiellore; se kanë lidhje direkte me perënditë; se kanë fuqi mbinatyrore; se vijnë qenësisht në sipërfaqën e tokës dhe personifikohen; se ndikojnë në shkaktimin e zhvillimeve njerëzore, etj. Andaj, kur hidhërohen për shkak të mosrespektit ndaj tyre, shkaktojnë fatkeqësi e sëmundje të ndryshme.
I ngarkuar me besëtytni të llojllojshme, njeriu primitiv jetonte me ankth të vazhdueshëm. Atyre, u mungonte një ‘manual jetësor’, siç do të jetë më vonë Kur’ani, për t’i njohur të vërtetat e patundshme, që lidhen me jetën, me njeriun, me shpirtin, me Krijuesin e gjithësisë, me krijesat e padukshme, me jetën pas vdekjes, etj.
Pikërisht, këtu qëndron rëndësia e shpalljes (Kur’anit) dhe dërgimi i Muhamedit a.s. për pejgamber. Nuk janë në pyetje vetëm udhëzimet praktike për rregullimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, por para se gjithash është çlirimi i njerëzve nga prangat e brendshme. Kjo i mungon çdo sistemi njerëzor, nga e kaluara dhe e tashmja. Në anën tjetër, kjo është më e rëndësishme se çdo zhvillim tjetër. Prandaj, Pejgamberi i Allahut i kundërshtoi fuqishëm besueshmëritë fiktive e të rreme, duke ua kthyer njerëzve vetëbesimin përmes lidhjes së tyre me Krijuesin e gjithësisë.
Në hadithin e saktë, që e transmeton imam Buhariu nga Ebu Hurejra r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Nuk ka infeksion nga supersticioni (pa shkak), nuk ka besëtytni, nuk ka vdekje nga zëri i kukuvajkës, nuk ka pesimizëm nga muaji sefer.”[2]
Në fakt, ky hadith vendosi dispozita besimore. Përveç qartësimit se nuk ka infeksion besëtytë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., e mohoi ekzistimin e besëtytnisë që kishte robëruar njerëzit. Për shembull, kur dëshironin të niseshin në rrugë ose të martoheshin, shkonin te shtëpia e idhujve, ku ishin shigjetat dhe prej tyre e kërkonin fatin e tyre. Në qoftë se ishte shigjetë urdhëruese, niseshin, nëse ishte ndaluese, abstenonin, ndërsa nëse dilte ajo e pashkruara, atëherë e përsëritnin derisa të dilte e shkruara urdhëruese ose ndaluese.[3]
Po ashtu, asokohe kanë besuar se nëse në një shtëpi ka kukurisur kukuvajka, atëherë aty ka për të ndodhur vdekje. Njësoj sikurse sot, që njerëzit frikësohen nga qyqja apo parakalimi i një mace në rrugë! Pastaj, kanë rënë në pesimizëm gjatë muajit sefer (muaj i kalendarit hënor), duke u frikësuar se brenda tij ndodhin të këqia.
Të gjitha këto, Pejgamberi a.s., i mohoi kategorikisht dhe se kushdo që beson në ato, ai ka devijuar thellë nga monoteizmi i pastër islam.

Allahu e krijon sëmundjen

Bashkë me mohimin e besueshmërive animistike, feja Islame mbjelli tek njeriu besimin se Allahu është krijues i gjithësisë dhe i çdo zhvillimi tjetër brenda saj. Bile, në kuadër të kushteve të imanit është klauzola: “hajrihi ve sherr-rrihi minall-Llahi teala” - besojmë se e mira dhe e keqja janë prej Zotit të Madhërishëm.
Natyrisht, njerëzit me pikëpamje materialiste, që nuk besojnë në Krijuesin, sëmundjen e shohin si diçka që ndodhë rastësisht prej natyrës, apo si një fenomen i pavarur që nuk ka të bëjë me implikime metafizike nga jashtë!? Mirëpo, sipas Kur’anit të Madhërishëm, e vërteta është ndryshe, asgjë nuk ndodhë rastësisht dhe vetvetiu. Allahu në Kur’an thotë:
“All-llahu është krijues i çdo sendi dhe Ai ëshë mbikëqyrës ndaj çdo gjëje.” (Ez-Zumer, 63).
Fjala ‘send’ që ka ardhur në këtë ajet, nënkupton çdo ekzistencë, përveç Allahut. Pra, këtu hyjnë edhe sëmundjet dhe gjithçka tjetër. Kur’ani, si kushtetutë e Allahut në tokë, flet për parime e principe, e jo për detaje të thjeshta. Allahu i Lartësuar, kur ka thënë se është sqarues për çdo gjë (shih: En-Nahl, 89), në fakt ka vërtetuar se aty gjindet korniza bazike për të gjitha çështjet, me të cilat preokupohet mendja njerëzore.
Prandaj, kur e besojmë se Allahu është krijuesi i çdo gjëje, pra i kësaj gjithësie dhe i të gjitha gjendjeve, arrijmë ta kuptojmë se Ai e krijon edhe sëmundjen edhe çdo gjë tjetër që e dimë apo nuk e dimë. Në rastin e kundërt, do të ishte shumë anakronike, ta besojmë Allahun për krijues të gjithësisë, por ta privojmë apo ta shpallim inkompetent për zhvillimet që ndodhin brenda saj. Në këtë rast, a priori e kemi cilësuar Krijuesin me paaftësi dhe dobësi, e këto nuk i përkasin Krijuesit të Gjithësisë si dhe çojnë në mohim (kufër).

Allahu është ‘El-Kahir’ mbi gjithësinë

Në anën tjetër, nëse supozojmë se Krijuesi i gjithësisë nuk i krijuaka sëmundjet, atëherë shtrohet pyetja kush është krijues i tyre?! Kjo vlen edhe për çdo zhvillim tjetër, pra për materien që mendohet si pikënisje e jetës fenomenale. Përballë kësaj teorie janë dorëzuar edhe mendjet më të kredhura, nga e kaluara dhe e tashmja.
Këto pikëpamje, vetë Krijuesi i gjithësisë i ka rrëzuar në Kur’an, duke e përballur njeriun me fuqinë e kundër argumentit logjik.
Fillimisht, i Lartësuari e fton njeriun që të vrojtojë rreth krijimit të qiejve, tokës, planeteve, ujit, njeriut, kafshëve, insekteve, maleve, detërave, erës, natyrës, etj., në mënyrë që të shkundet prej përgjumjes mendore. Pastaj, veçanërisht e fton që të meditojë thellë në krijimin e vetvetes, pra se si funksionojnë në mënyrë absolute organet brenda tij. Dijetarët thonë se njeriu është gjithësia në miniaturë.
Përmes meditimit, njeriu arrinë ta kuptojë, se funksionimi i gjithësisë si tërësi dhe i secilës krijesë brenda saj, po edhe i njësive më të vogla e më të imëta brenda krijesave, ndodhë vetëm nga një Fuqi madhështore e absolute, që e mban në këmbë. Sa bukur, Allahu i ka thënë njeriut: “Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj, drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje? Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet te ti i përulur dhe i molisur.” (El-Mulk, 3-4).
E tek pastaj, Allahu i tregon njeriut se e mban nën dominim të rreptë çdo imtësi në gjithësi. Këtë e ka bërë të qartë në ajetin në vijim, ku pasi rikonfirmon se është Krijuesi i çdo gjëje, në vazhdim thotë se është ‘El-Kahhar’: Thuaj: “Allahu është krijues i çdo sendi, Ai është Një i Vetëm dhe Mbajtësi absolut i rendit në gjithësi (el-Kahhar)!” (Er-Ra’d, 16). Emri, “El-Kahir” apo në trajtën tjetër “El-Kahhar”, që ka ardhur në ajet, do të thotë “I Plotëfuqishmi që e pengon këdo tjetër të veprojë në kundërshtim me vullnetin e Tij[4]
Prandaj, ngjarësia e sëmundjeve, infeksioneve, tërmeteve, përmbytjeve, etj., as që mund të mendohet pa lejën e krijimin e Krijuesit. Sepse, as bakteri, as virusi e as ndonjë substancë tjetër, që shkaktojnë sëmundjet, nuk do të mund ta kishin aftësinë për transformimin apo çrregullimin e materjeve organike apo inorganike pa ndërlidhjen e kushteve klimatike, ta zëmë siç është ajëri, uji, drita, i nxehti, i ftohti, etj. Në patogjenezën e sëmundjeve, varësisht prej llojit, interferojnë shumë faktorë. E këtë reaksion ndërveprimi, pra këto veçori e specifika madhështore, pa dyshim i ka krijuar Allahu Fuqiplotë.
Në këtë kontekst, për të qenë më konkret, krijimin e sëmundjeve për nga prejardhja e tyre, mund ta vështrojmë nga dy aspekte: nga aspekti i përgjithshëm dhe nga ai i veçantë.

Krijimi i sëmundjeve - aspekti i përgjithshëm

Me aspektin e përgjithshëm, kemi për qëllim krijimin e sëmundjeve përmes procesit të natyrshëm linear shkak-pasojë, në kuadër të predispozitave që Allahu i ka vendosur në gjithësi. Të gjithë njerëzit nuk lindin njësoj, disa më të shëndoshë e disa më të dobët. Rrjedhimisht edhe imunitetin nuk e kanë njësoj. Pastaj, gjatë rritjes, mund të ndikojnë shumë faktorë që shkaktojnë rrethana të favorshme për ngjizjen e sëmundjeve, siç janë kushtet jetësore të dobëta. Shto këtu edhe dëmtimet nga incidentet, që lënë pasoja afatgjate. Po ashtu, shto edhe infeksionet nga materiet helmuese, bakteriet, viruset, që mund të shkaktojnë çrregullime edhe në trupin e shëndoshë. Etj.
Në secilin rast të sëmundjeve, themi se Krijues i tyre është Allahu, tjetër krijues nuk ka. Edhe atëherë kur njeriu është faktori kryesor për shkaktimin e tyre, përsëri krijues është Allahu, sepse çdo gjë është zhvilluar në kuadër të ligjeve të kosmosit si predispozita ontologjike. Për shembull, mbi bazën e të njëjtave ligje, kafshët kanë imunitet më të fuqishëm, si dhe mund të mbijetojnë në temperatura më të ulëta në ambient të hapur, por jo edhe njeriu. Ato, mund të ushqehen me lloj-lloj ushqime, por jo edhe njeriu. Disa gjallesa jetojnë nën ujë dhe ushqehen aty, por jo edhe njeriu. Etj.
Në këtë kontekst, çdo sëmundje apo dëmtim që vjen nga tejkalimi i këtyre limitive, është e krijuar prej Allahut, pavarësisht se vetë njeriu ka ndikuar në shkaktimin e tij. Sepse, sipas besimit islam, veprat e njeriut shprehimisht janë të krijuara prej Allahut, kurse njeriu është në rolin e përfituesit të tyre (el-kasib).[5] Domethënë, edhe kur sëmuret nga i ftohti ose nga konsumimi i materieve të dëmshme, ose në rastin tjetër kur e pi ilaçin për shërim, krijues i të gjitha lëvizjeve e gjendjeve është Allahu i Lartësuar.
Predispozitat ontologjike, për të cilat po flasim, ngjasojnë me rrjetin e energjisë elektrike. Në momentin që ndalet rryma në termocentral, edhe instalimi në shtëpi nuk përçon energji elektrike, anipse është në gjendje të rregullt. Ose ta marrim shembull rrjetin e telefonisë mobile. Kur centrala ndalon punën, edhe rrjeti telefonik nuk funksionon, si dhe e kundërta. Në këto raste, askush nga ne nuk ia adreson meritat termocentralit e as centrallës e aq më pak rrjetit elektrik apo telefonik, por vetë njeriut që i ka themeluar ato, duke shfrytëzuar resurset natyrore.
Pra, kemi të bëjmë me funksionimin e njësive në kuadër të tërësisë. Dora jonë nuk do të mund të bënte asnjë lëvizje, e ndarë nga trupi, e as truri jonë nuk do të jepte asnjë mendim pa u furnizuar me gjak të mjaftueshëm, as gjaku ynë nuk do të jepte asnjë efekt pa kaloritë e nevojshme të ushqimit, as ushqimi nuk do të jepte efekte pa funksionimin e lukthit e kështu me radhë. Dhe krejt në fund, as trupi jonë nuk do të mbijetonte pa aftësinë e mushkërive e ajërin cilësor, i cili rrënjët i ka në predispozitat ontologjike që i ka krijuar Allahu në gjithësi. Edhe më tej, frutën e pemës që e shohim, nuk do të ishte pa vetitë ushqyese të tokës dhe pa temperaturën e pranverës si predispozitë ontologjike.
Prandaj, nëse e pranojmë se instalimi elektrik ose rrjeti telefonik, nuk kanë asnjë funksion si të ndarë prej trafostacionit e centralës dhe nëse e pranojmë se këto të fundit janë rezultat i një instance tjetër, në këtë rast i njeriut, atëherë në mënyrë lineare e pranojmë se çdo lëvizje e njeriut a gjendje tjetër çfarëdo qoftë ajo, përfshirë sëmundjet, bakteriet, viruset, etj., nuk kanë asnjë funksion si të ndarë nga kushtet efektive të kosmosit, ndërsa ky i fundit në tërësinë e tij është krijim i një instance tjetër, në këtë rast i Allahut të Madhërishëm.
Për më shumë, dijetarët islamë duke e vërtetuar ngjarësinë e gjendjeve njerëzore, e marrin për argument elementin e gjithëdijës paraprake të atij që është Krijues. Në ajetin në vijim, Allahu pasi thotë: “E ju fshihnie ose thonie fjalën tuaj haptas; Ai s’ka dyshim se e di çka fshehni në zemrat tuaja”, në vazhdim e thotë edhe këtë: “A nuk e di Ai i cili krijon…” (El-Mulk,13-14). Ky është argument se krijimi e kërkon njohurinë e krijuesit për krijesën në çdo aspekt.[6] Ashtu sikurse njeriu, ta zëmë kur e ndez veturën, që e di paraprakisht se çfarë lëvizje do të bëjë ajo, sepse vetë e ka ndërtuar. E Allahut i takon shembulli absolut, Atij i qofshim falë.
Për këtë arsye, Krijuesi ka thënë se çdo send e madhëron Atë, anipse ne nuk mund ta kuptojmë se si bëhet një gjë e tillë nga krijesat inorganike. Thotë i Lartëmadhërishmi:
“Lartëmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka nën to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shmë.” (El-Isra, 44).

Krijimi i sëmundjeve - aspekti i veçantë

Me këtë aspekt kemi për qëllim krijimin e sëmundjeve nga Allahu i Madhërishëm nëpërmjet ndërhyrjes së Tij direkte në ligjet e gjithësisë. Kjo mund të vlejë edhe për rrethanat e shërimit. Për këtë arsye, mjekët magjepsen shpehherë, teksa vërejnë shërimin e pacientit në rrethana të pamundura për dijen njerëzore.
Ose, në rastet e tjera, kur njeriu shpëton prej ndonjë incidenti që arsyeja jonë nuk mund ta justifikojë. Në vitin 2014, një fëmijë me emrin Musa Dayib bie nga kati i 11-të i banesës në Minneapolis, SHBA dhe mbijeton. Pediatrja e rastit, Tina Slusher tha se është padyshim një mrekulli.[7] Ose rasti i fëmijës tjetër 2 vjeçar me emrin Adam, që u rrëzua nga kati i 9-të i një pallati në Paris, në lagjen e Belleville dhe shpëtoi pa pësuar asnjë frakturë. Policia tha: ‘është një mrekulli’.[8] Raste të tilla ka shumë e përditë.
E vërteta e këtyre ngjarjeve kthehet tek Allahu. Ai me vullnetin e Tij vendos për çdo gjë, ndërhynë në gjithësi, ndërhynë në jetët e njerëzve, nxjerr shkaqe e pasoja, krijon vazhdimisht dhe për të gjitha nuk e pyet askë. Allahu ka treguar në Kur’an për rastet, kur u ka çuar njerëzve sëmundje në mënyrë të posaçme, qoftë si ndëshkim apo si sprovë.
Kur është fjala për sëmundjen si ndëshkim, Allahu tregon se si e goditi Faraonin me murtajë dhe me lloje të tjera, gjersa u detyrua që të kërkojë shpëtim te armiku i tij, në këtë rast Musai a.s.: “O Musa, lute për ne Zotin tënd me atë meritë që ke (si pejgamber), nëse na e largon dënimin ne do të pranojmë ty (si të dërguar) dhe do t’i lejojmë beni israilët bashkë me ty (të shkoni ku të doni). E kur e larguam nga ata dënimin (me lutjen e Musait) për deri në një afat që do të arrinin, ata e thyen besën. Atëherë ndërmorën kundër tyre dhe i fundosëm në det, ngase përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nuk qanë kokën për to.” (El-A’raf, 133-136).
Siç shihet, në këtë ajet kemi një ngjarje që është mbikqyrur direkt prej Allahut si proces. Nuk është vetëm zbulim i saj, por ndërmarrje prej Tij. Së pari ia dërgoi sëmundjen, pastaj ia largoi për shkak të duasë së Musait a.s., dhe më në fund ia dërgoi ndëshkimin shkatërrimtar si hakmarrje (fentekamna).
Ndërsa, kur është fjala te sprova, Allahu tregon se e goditi me sëmundje të rëndë pejgamberin Ejjub a.s. Në vazhdim I Lartëmadhërishmi thotë se me mëshirën e Tij ia hoqi vështirësitë e sëmundjes, i dha familje dhe e bëri shembull ndër breza për durimin që kishte në sëmundje (shih: El-Enbija, 84).
Prandaj, duke marrë për bazë faktin se Allahu ndërhyn në ligjet e gjithësisë, Pejgamberi a.s. ka bërë lutje vazhdimisht tek Allahu për largimin e sëmundjeve apo sprovave. Përndryshe, duatë e tij do të ishin të pakuptimta. Pa dashur Allahu, asgjë nuk bëhet. E, Ai kur do, i nxjerr shkaqet.
Bazuar në udhëzimet e Pejgamberit a.s., dijetarët islamë kanë dhënë udhëzime fetare për largimin e një sëmundje epidemike, ta zëmë siç është murtaja. Për shembull, hanefinjtë dhe shafitë e preferojnë leximin e duasë së kunutit në namaz. Hanbelinjtë dhe disa shafij, nuk e shohin të arsyeshme një gjë të tillë, pasiqë në kohën e hazreti Omerit ka ndodhur murtaja dhe ata nuk e kanë lexuar specifikisht kunutin. Ndërsa, malikitë, e preferojnë faljen e namazit, pasiqë mendohet se është pasojë e përhapjes së prostitucionit, edhe nëse janë shehidë ata muslimanë që pësojnë prej saj.[9]

Idetë konspirative dhe krijimi i Covid-19

Sa i përket asaj që po dëgjojmë aty-këtu se virusi Corona është dorë e njeriut, e jo prej Zotit, duhet thënë se në asnjë rast nuk kanë për qëllim përjashtimin e Krijuesit nga krijimi i sëmundjes. Ato, kryesisht vijnë si një aludim se shtetet e fuqishme mbase mund ta kenë prodhuar me qëllim të shtrirjes së ndikimit të tyre në nivel të botës!?
Fundja, neve nuk na takon ta vendosim epilogun, pasiqë verifikimi i kësaj çështje nuk është në mundësitë tona. Por, pavarësisht ideve e pandehmave, pavarësisht nëse faktori njeri e ka prodhuar apo jo, megjithatë gjithmonë krijues i sëmundjeve, përfshirë Covid-19 dhe çdo tjetër është Allahu (shih: Es-Saffat, 96). Sepse, në secilin rast gjërat zhvillohen brenda ligjeve të kozmosit, siç kemi folur më lartë. Edhe në rastin tjetër, në qoftëse këto pretendime, ta zëmë dalin të sakta, atëherë kjo kategorizohet si një e bëmë e keqe e njeriut, veçse Allahu përsëri mbetet Krijues i saj.
Pra, në secilin variant krijues mbetet Allahu. Ngjashmërisht me këtë, disa njerzë në kohën e Pejgamberit a.s. e konsideronin infeksionin si pasojë e përzierjes në mes të sëmurëve dhe shëndoshëve. Pejgamberi a.s. ua sqaroi, kur iu përgjigj një njeriut që u ngrit e tha:
“O i Dërguari i Zotit, a nuk e ke pa se një deve që është e zgjebosur, ajo i zgjebosë edhe të tjerat. Pejgamberi a.s. tha: Jo, zgjebosja është me përcaktim prej Krijuesit, përndryshe, kush e ka zgjebosur atë të parën?[10]
Domethënë, njësoj si veprat e njerëzve edhe zgjebosja / infeksioni ndodhin sipas përcaktimit dhe krijimit të Allahut, pavarësisht se transmetohen apo zhvillohen nëpërmjet shkaqeve e rrugëve fizike.



________________________________________
[1] Shih: Mark Krasniqi, Aspekte mitologjike - besime e bestytni, Prishtinë, 1997, fq.46.
[2] Sahihu’l Buhari, Kitab: Et-Tib-b, Babu: la hamete.
[3] Jusuf Kardavi, Hallalli dhe harami në Islam, Logos-A, Shkup, 1998, fq. 237-238
[4] Taha Abdur-Reuf Sa’d, Sherhu Esmai’l-Lahi’l husna Li’r-Rrazi, el-mektebetu’l ez’herijjetu li’t-turath, pa vend të botimit, 1420/2000, fq. 216.
[5] Më gjerësisht për krijimin e veprave të njeriut, shih: Orhan Bislimaj, Akaidi hanefij, Forumi i të Rinjve Muslimanë” me seli në qytetin Sent Galen – Zvicërr, Prizren, 2008, fq. 266 e tutje.
[6] Shih: Abdul Kerim TETAN & Muhamed Edib El-Kilanijj, Avnu’l muridi lish-sherhi xhevheret’it-tevhidi fi akideti Ehli Sunneti ve’l xhemaati, boton Daru’l-Beshair, botimi i dytë, 1999/1419, pa vend botimi, fq. 1/549.
[7] Shih: https://www.lajme.info/blog/2014/05/15/femija-1-vjec-bie-nga-kati-i-11-shpeton/, data e publikimit dhe citimit: 15.05.2014.
[8] Shih: https://www.botasot.info/life-style-showbiz/1110644/ndodh-mrekullia-femija-2-vjec-bie-nga-kati-i-nente-shpeton/, data e publikimit dhe citimit: 23.06.2019.
[9] Shih: El-Mevsuatu’l fikhijjetu, botimi i parë, Kuvajt, 1993/1413, vëll.28, fq.329. Leximin e duasë së ‘kunutit’, Pejgamberi a.s. e ka preferuar edhe për fatkeqësi të tjera që kanë qenë tepër të rënda për shoqërinë. Dijetarët përmendin rastin e humbjes së 70 hafizëve të Kur’anit, të dërguar nga Pejgamberi a.s. për mësimin e fesë, që ranë shehidë në kurthin e tradhtisë së pabesimtarëve, te pusi Bir Maune, pranë rrugës Medinë - Mekkë. Pas kësaj, Pejgamberi a.s., për një muaj rresht e lexoi duanë e kunutit gjatë qëndrimit në këmbë në namazin e sabahit. Po ashtu, në rekatin e fundit të jacisë, pasi u drejtua nga rukuja, bëri ‘kunut’, duke i mallkuar ata, kur fisi Adal dhe Kare, kishin mbytur 8 shokë të Pejgamberit, të dërguar prej tij, për mësimin e fesë. (shih: Islami nëpërmjet haditheve, (grup autorësh), Kryesia e çështjeve fetare të Turqisë, botimi i dytë, Stamboll, 2017, vëll.2, fq.66).
[10] Sunenu Ibni Maxheh, Kitab: Et-Tibb, Babu: Men kane ju’xhibuhu’l fe’lu ve jekrehu’t-tijerete.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi