Si i trajtonte Muhamedi a.s. sëmundjet e zemrës.

Udhëzimi i Profetit alejhi selam për trajtimin e sëmundjeve të zemrës

Ebu Davudi, në Sunen-in e tij, shënon rrëfimin e Saidit: – Pejgamberi alejhi selam më vizitoi gjatë kohës që isha i sëmurë. Ai e vuri dorën e vet mbi gjoksin tim. Unë e ndjeva ftohtësinë e dorës së tij, që depërtoi deri brenda gjoksit tim. Pastaj, ai më tha: “Ti vuan nga zemra. Shko te Harith ibn Keldeja nga Thekifi. Ai është një person që merret me mjekime. Le të marrë shtatë hurma medinase të thara dhe t’i bluajë bashkë me farat e tyre, dhe pastaj të t’i japë ty.”
Hurmat në përgjithësi dhe ato të thatat në veçanti, sidomos ato të Medinës, kanë veti të rralla kuruese, në mënyrë të veçantë për sëmundjet e zemrës.
Receta me shtatë hurma e të Dërguarit të Allahut, për trajtimin e mësipërm, ka vlera të veçanta shpirtërore, të cilat mund të kuptohen vetëm nëpërmjet fesë. Kështu, në dy Sahih-ët është transmetimi nga babai i Sad ibn Ebu Vekkasit, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kush ha në mëngjes shtatë hurma nga ato të zonës El Alijah, atë njeri atë ditë nuk do ta dëmtojë as helmi, as magjia”. Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Kush ha shtatë hurma prej atyre që ndodhen mes dy hapësirave me gurë të zinj të Medinës, atë nuk ka për ta dëmtuar helmi deri sa të ngryset.”
Hurmat kanë nxehtësi të shkallës së dytë dhe thatësi të shkallës së parë. Hurmat janë ushqim i mirë, sidomos për ata që janë mësuar me to, siç janë banorët e Medinës. Hurmat janë shumë më të mira për banorët e vendeve më klimë të ngrohtë ose të nxehtë, sesa për banorët e vendeve me klimë të ftohtë, pasi banorët e vendeve të ftohta kanë temperaturë trupi të lartë, kurse banorët e vendeve të nxehta kanë temperaturë të brendshme të ftohtë. Kjo shpjegon arsyen pse banorët e Hixhazit, të Jemenit, të Taifit dhe të viseve të ngjashme hanë ushqim të nxehtë, si mjaltë dhe hurma. Ata, gjithashtu, përdorin piper dhe xhenxhefil në ushqimin e tyre, më shumë sesa ata që banojnë në vendet e ftohta; ndoshta edhe dhjetë herë më tepër. Disa prej tyre e hanë xhenxhefilin njësoj si të tjerët hanë ëmbëlsirat. Ata, madje, i marrin këto lloj ushqimesh gjithnjë me vete, edhe kur udhëtojnë. Siç e thamë, këto ushqime janë të përshtatshme për ata dhe nuk i dëmtojnë, për shkak të temperaturës së ulët të trupit të tyre. Për ilustrim, mund të themi se uji i pusit bëhet më i ftohtë gjatë verës dhe më i ngrohtë gjatë dimrit. Po ashtu, stomaku mund ta tresë një ushqim të rëndë gjatë dimrit, më lehtë sesa gjatë verës.
Për popullin e Medinës hurmat e thata janë ushqimi i tyre bazë, njëlloj siç kanë të tjerët drithin. Jo vetëm kaq, por zona El Alijah në Medinë prodhon njërin nga varietetet më të mira të hurmave, sepse ato janë mishtake, të ëmbla dhe të shijshme.
Hurma është një lloj fruti që përdoret për vlerat e saj ushqyese dhe mjekësore. Ajo është e dobishme për njerëzit në përgjithësi, forcon nxehtësinë natyrale të trupit, nuk prodhon substanca apo jashtëqitje të dëmshme, si disa fruta dhe ushqime të tjera. Për ata që i përdorin shpesh, hurmat pengojnë prishjen dhe kalbëzimin e jashtëqitjeve trupore.
Hadithi që kemi cituar ne vlen në mënyrë të veçantë për banorët e Medinës dhe të rrethinave të saj. Është fakt i njohur se vlerat kurative të barërave a bimëve të një zone të caktuar lidhen ngushtë me cilësitë e ajrit dhe të tokës së asaj zone. Një bimë mjekësore mund të jetë mjaft e dobishme në mjedisin e saj të natyrshëm, por jo diku tjetër. Tokat ndryshojnë në cilësitë dhe karakteristikat e tyre, ashtu siç ndryshojnë popujt nga njëri-tjetri. Ndonjëherë, një lloj bime mund të jetë ushqim normal në një zonë të caktuar, ndërkohë që mund të jetë helmuese për njerëz të tjerë, që jetojnë në një vend tjetër. Ndonjëherë, disa barëra që përdoren si ilaçe në një zonë të caktuar mund të jenë ushqim normal për një popull diku tjetër. Disa lloje barërash mund të jenë ilaç për disa sëmundje të caktuara në një vend, ndërkohë që në një vend tjetër ato janë ilaç për disa sëmundje të tjera. Po ashtu, për një zonë të caktuar mund të jetë gjetur një kurë mjaft e mirë, e cila nuk ka efekt te njerëzit e një zone tjetër.