Kontributi i Hfz. Avni Aliut (1947-2011) në revistën “Edukata Islame”


I nderuar Myfti i Republikës së Kosovës Mr. Naim Tërnava
E nderuar Kryesi e Bashkësisë Islame
Të nderuar profesorë universitar
Të nderuar profesorë të Fakultetit të Studimeve Islame e të medreseve
Të nderuar studiuesë e bashkreferuesë të kësaj konference shkencore
Të nderuar të pranishëm

Të nderuar para se ta paraqes temën time para jush “Kontributi i Hfz. Avni Aliut në revistës Edukata Islame” më lejoni ta theksoj një fakt se Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është shndërruar e edhe në organizatorin prijatar e kryesor në vendet e rajonit për organizimin e konferencave shkencore islame dhe jo vetëm. Ky tubim shkencor sot është i 20-i më radhë që organizon Kryesia e BIRK-ut si dhe poashtu ky organizim shkencor po ndodh në prag të 30 vjetorit kur edhe është mbajtur simpoziumi i parë ndërkombëtar, me temen “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarë” në Tetor 1992 të cilët përvjetor duhet t`i urojmë gjithsesi. Këto tryeza shkencore do t`i keni të gjitha të radhitura kronologjikisht në fund të këtij punimi.
Jam i nderuar që kumtesa ime flet më shumë për veprimtarin botuese të Hfz. Avni Aliut në revistën gjysmëshekulli jetë “Edukata Islame”. Kjo revistë islame e botuar në vitet e 70`ta dhe shumë botime të tjera janë një dëshmi shtesë se dijetarët tanë shqiptarë, këtë dije me dobi të shumanshme, e bën me seriozitetin më të madh ashtu siç e menduan duke e bartur tek gjeneratat në vazhdim edhe në mënyrë të shkruar, duke i bërë ballë e sfiduar vështirësitë e kohës.
Njëri prej nismëtarëve të punës intelektuale e publicistikës islame në rajonin e Gjilanit, padyshim është Hfz. Avni Aliu, i cili ka dhënë një kontribut publik të çmuar si në aspektin fetar e edhe në ate kombëtar.
Hfz. Avnia (kështu njihej në popull) u lind më 10 prill 1947 në fshatin Tërrnoc i Madh të komunës së Bujanocit. Aty mbaroi shkollën fillore dhe, krahas saj, mbaroi hifzin E Kur`anin përmendsh tek imami i fshatit, Hafiz Riza Hamiti. Pastaj u regjistrua në medresenë e mesme “Alauddin” të Prishtinës, të cilën e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Studiuesi ynë i njohur rahmetliu Prof. Qemajl Morina që e njihte mirë Hfz. Avnin nga shkollimi në Medresen e Prishtinë ku shkruan citoj: “Në medrese pata rastin të njihesha me të. Edhe si nxënës ishte shumë i pjekur dhe i talentuar. Dallohej në leximin e Kur`anit. Megjithëse nuk pati mundësi të studionte në vende arabe, që ishte dëshira e tij e madhe, sa kohë që kishte pasion për të arritur dituri”.
Hfz. Avnia shkollimin e vazhdoi në shkollën e lartë pedagogjike në Gjakovë, dega gjuhë dhe letërsi shqipe ku diplomoi në `78-ën,
Prof. Qemajl Morina në një editorial për të në vitin 2011 e quan “Mjeshtër i hollë i penes islame”, duke e përshkruar kështu: “Hafiz Avni Aliu ishte mjeshtër i penës. Shkrimi, puna kulturore e intelektuale ishin pasion i tij pas kryerjes së obligimeve fetare dhe detyrave të përditshme të imamit. Në bazë të kualitetit dhe kuantitetit të shkrimeve, mund të themi lirisht se emri i tij mund të radhitet menjëherë pas doajenit të publicistikës islame në Kosovë - Mulla Sherif ef. Ahmetit. Hafiz Avni Aliu nisi të merrej me shkrime qysh herët. Shkrimet e para i botoi në Buletinin e Shoqatës së Ulemave. Ishte prej themeluesve dhe kontributdhënësve më të mëdhenj me shkrime në revistën “Dituria Islame” që në numrat e parë të daljes së saj, për të qenë në vazhdimësi bashkëpunëtor i saj. Ishte anëtar i redaksisë që nga themelimi i saj. Hafiz Avni Aliu, kontribut të ngjashëm dha edhe për revistën “Edukata Islame”. Ishte bashkëpunëtor i rregullt i saj deri pak muaj para se të vdiste”.
Hfz. Avnia ka dhënë një kontributë të pasur e të pastër për fenë islame, duke u dëshmuar si imam xhamie e ligjerues publik, si sekretar e kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, dhe si shkrues publik në revistat islame në Kosovë e rajon.
Hfz. Avni Aliu punën e tij intelektuale e shkencore e publikoi periodikisht në këto revista islame të kohës: “Edukata Islame”,“Takvimi” e “Dituria Islame” në Prishtinë; “Drita Islame” në Tiranë, “Triumfi islam” në Shkodër, “Hëna e Re” në Shkup, “Elif” në Podgoricë, si dhe publikoi edhe në boshnjakisht në revistat “Preporod” e “Glasnik” në Sarajevë. Pra numri total i temave të tij në të gjitha këto revista sillet rreth 150 shkrime autoriale.
Hafiz Avniu Aliu la 10 vepra të botuara.
I kthehemi shkrimeve të Hfz. Avniut në “Edukatën Islame”, i cili në këtë revistë botoi gjithsej 38 shkrime duke i publikuar në periudha e numra të ndryshëm të saj.
Konkretisht shkrimi i parë i tij ishte me temën “Aktivizimi i nënpunësvet fetar – arma kryesore për mbrojtjen e bashkësisë islame” në nr. 8 të vitit 1973. Hfz. Avnia qysh në shkrimin e parë na tregon se e ka iden e qartë se si Bashkësia Islame duhet të ec me hapa të sigurt e të qartë, ku thotë: “... E kemi obligim ne si shoqëri në përgjithesi që doemos të marrë masa efikase dhe në mënyrën e vet t`i kushtoj kujdes në angazhimin sa më të gjallë, ruajtjes së ekzistencës së bashkësisë Islame në kohën e tashme dhe të ardhme.
Nuk do mend, bashkësinë Islame mund ta ndertojnë vetëm ata që besojnë në të dhe të cilët në jetën personale i zbatojnë parimet e Islamizmit”.
Hfz. Avnia po në këtë shkrim një shtjellim më të gjërë i bën personalitetit të imamit ku e quan “Faktor me rëndësi në ngritjen e jetës fetare” . Në fund të këtij shkrimi në vitet e `70-ta na bën këtë thirrje për një mobilizim më të madh, ku thotë: “Nga ne të gjithë varet mobilizimi serioz i pjesëtarëve të bashkësisë Islame në terren. Mu për këtë duhet bërë çmos për rritjen e aktivitetit sa më të madh dhe për gjallërimin e bashkësisë Islame në mënyrë të kënaqshme” .
Në numrin e radhës të Edukatës trajton temën “Puna dhe fitimi në frymën e islamizmit” , duke e shpjeguar në menyrë të mrekullueshme përmes ajeteve kur`anore dhe haditheve pejgamberike. Temën “Puna për të mirën e përgjithshme I-II” e shtjellon në dy vazhdime. Temën që më se gjati e ka trajtuar është “Njeriu islam – besimtari dhe detyrat e tij” në 11 vazhdime.
Hfz. Avni Aliu në nr. 30 të vitit 1981 pikërisht me rastin e 10 vjetorit të revistën “Edukata Islame” i kushtoi një editorial të posaçem me titull (kjo revistë) “Hapëroi për të shkuar me kohën”, padyshim se është i barasvlefshëm dhe adekuat edhe në 50 vjetorin e saj që po e kujtojmë sot, ku thotë: “Këshilli ekzekutiv i shoqatës së ulemave për RSS në bashkëpunim të plotë me Kryesinë e BI për RSS në Prishtinë, bëri hap të mirë për t`u shënuar në historinë Islame. Dikur ky hap ishte një ëndërr që më vonë u bë realitet dhe ngjarje e madhe kulturore. Nisi ashtu: me pak mundësi por me shumë entuziazëm. Nga “Buletini Informativ” kaloi për t`u bërë më vonë një revistë e përsosur me titull simbolik “Edukata Islame” që 10 vite më radhë nëpër rrugën jo gjithmonë të rrafshët, përplotë përpjekjesh e suksesesh, synimesh e kërkesash, hapërimesh e dëshirash për të afirmuar mendimin tonë. Hapëroi me sukses, madje edhe me përkushtim të madh, duke ruajtur gjithmonë dinjitetin e vet, duke shprehur thellësisht realin. Hapëroi “Edukata Islame” për të shkuar baras më kohën e edhe me përpara. U bë faktor aktiv në të gjitha rrjedhat e zhvillimit të jetës Islame, dhe dha kontribut të madh në të gjitha fushat e aktivitetit, duke luajtur rol të rëndësishëm në jetën e njeriut tonë.
Dhjetë vjet nuk janë shumë, mirëpo kur ato lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e jetës sonë, atëherë fitojnë një rëndësi të posaçme dhe vlerë të pamatur. Jo vetëm kaq” Kjo revistë që po bëhet gjithnjë e më autoritative, është, të thuash, e para me këtë fizionomi që po botohet në gjuhën shqipe dhe luan rolin e pionerit në të gjitha fushat e dijes Islame. Kjo, nuk rriti gjëra, as nuk zbukuroi, për njëmend e mbajti ngjyrën e misionit të vet.
Rruga gjer të realizimi i qëllimeve, përpjekjeve, synimeve, sukseseve të kësaj reviste ka qenë dhe është e vështirë, por e kapërcyeshme me angazhime maksimale, për një të mirë të gjithmbarshme. ... (edhe në atë kohë por edhe sot me revistat si motra F.M.) u bë një revistë e kërkuar ndër lexuesit e moshave të ndryshme dhe, shumkujt i ka dhënë përgjigjje për shumë çështje të jetës Islame, duke i përmbushur kështu, kërkesat kulturore, intelektuale e shpirtërore të tyre.”
Dy shkrimet e fundit që Hafizi i publikoi pikërisht në revistën “Edukata Islame”, me titujt e të cilave sikur na paralajmëroi se po i afrohet vdekjes, ku i emërtoi duke i quajtur: “Jetën planifikoje edhe për atë që ndodh përtej varrit” , dhe temën e fundit: “Është jetësore të ndiqet rruga e Zotit” e përfundon karierën e gjatë të tij publicistike.
Mbajtja e kësaj konference shkencore korrespodon edhe në 10 vjetorin e vdekjes së Hfz. Avni Aliut, i cili kaloi në Ahiret me 5 Mars 2011 në Gjilan duke lën një punë të begatë, si: disa vite anëtar i kryesisë së BIK-ut e anëtar redaksish publicistike, 42 vite Imam, Mualim dhe Hatib; 12 vite kryetar i KBI-së, 10 vite sekretar i KBI-së në Gjilan, si dhe shumë kontribute tjera.
I Madhi Zot na e mundësoftë ta vazhdojmë edhe rrugën e dijetarëve tanë shqiptarë.


Kumtesë e lexuar në Konferencën shkencore “Revista “Edukata Islame” – 50- vjet mision në fjalën e shkruar shqipe” - 15-16 Dhjetor 2021 në Prishtinë .




38 shkrimet e Hfz. Avni Aliut të publikuara në revistën “Edukata Islame”(1973-2010):

1. Aktivizimi i nëpunësvet fetar-arma kryesore për mbrojtjen e Bashkësisë Islame, nr. 8/1973, f. 56-62.
2. Puna dhe fitimi në frymën e islamizmit, nr. 9-10/1974, f. 64-73.
3. Puna për të mirën e përgjithshme, nr. 11-12/1974, f. 20-26.
4. Puna për të mirën e përgjithshme (II), nr. 13/1975, f. 36-42.
5. Islamizmi kundër matjes së shtrembët, nr. 14/1975, f. 38-42.
6. Pozita e gruas në islamizëm, nr. 15-16/1976, f. 35-44.
7. Dy ngjarje me rëndësi nga jeta e Muhammedit a.s. para se të bëhej profet nr.17/1976, f.20-25.
8. Njeriu, Islami dhe detyrat e tij, nr. 20/1977, f. 22-29.
9. “Edukata Islame” ndër lexuesit, nr.20/1977, f.48-50.
10. Njeriu, Islami dhe detyrat e tij (II), nr. 21/1977, f. 24-33.
11. Njeriu, Islami dhe detyrat e tij (III), nr. 22/1978, f. 36-42.
12. Njeriu, Islami dhe detyrat e tij (IV), nr. 23/1979, f. 42-49.
13. Njeriu, Islami dhe detyrat e tij (V), (Qëndresa-istikamet), nr. 25/1979, f. 27-35.
14. Besimtari dhe detyrat e tij (VI), (Ruajtja e pastërtisë shpirtërore), nr. 26/1980, f. 13-19.
15. Besimtari dhe detyrat e tij (VII), (Vetmohimi në “fisebili-lah”), nr. 27/1980, f. 37-44.
16. Islamizmi-rruga për njerëzimin, nr. 28-29/1980, f. 53-62.
17. Me rastin e 10-vjetorit, Haproi për të shkuar baras me kohën, nr. 30/1981, f. 3-5.
18. Dini Islam formulë jete, nr. 30/1981, f. 35-42.
19. Besimtari dhe detyrat e tij (VIII), (Ndihma reciproke), nr. 31-32/1981, f. 19-25.
20. Besimtari dhe detyrat e tij (IX), (Veçoritë e muslimanit- kultivimi i tyre), nr. 33-34/1982, f. 22-29.
21. Besimtari dhe detyrat e tij (X), (Mbështetja në Allahunxh.sh.), nr. 35-36/1982, f. 10-14.
22. Besimtari dhe detyrat e tij (XI), nr. 37-38/1983, f. 19-24.
23. Dashuria e Allahut ndaj njerëzve, nr. 39/1984, f. 9-12.
24. Ngjarjet që kanë ndodhur në Ramazan, nr. 40/1984, f.18-21.
25. Islami-realitet dhe civilizim hyjnor, nr. 55/1992, f. 19-25.
26. Morali i myslimanit, nr. 58-59/1996, f. 47-54.
27. Islami në mbrojtjen e integritetit të njeriut, nr. 72/2003, f. 143-159.
28. Jeta e njeriut në dritën e Kur’anit, nr. 73/2004, f. 121-135.
29. Islami është program jete, jo adet, nr. 74/2004, f. 37-62.
30. Koncepti i Teuhidit, nr. 76/2005, f. 17-28.
31. Mësohu të jetosh me besimin në Allahun (Letër Mikut), nr. 79/2006, f. 251-277.
32. Një botëkuptim i gabuar mbi jetën, nr. 80/2006, f. 175-190.
33. Kuptimi shumëdimensional i namazit, nr.81/2006, f. 281-306.
34. Islami në Australi dhe në Zelandë të Re, nr.81/2006, f. 307-326.
35. Raportet e luftës të Lav Trockit, nr.81/2006, f. 237-340.
36. Porosia e Kur’anit për durim dhe vigjilencë, nr. 86/2008, f. 259-265.
37. Jetën planifikoje edhe për atë që ndodh përtej varrit, nr. 88/2009, f. 167-192.
38. Është jetësore të ndiqet rruga e Zotit, nr. 91/2010, f. 163-179.

20 Tubimet shkencore të organizuara nga Bashkësia Islame e Kosovës 1992-2021 janë:
1. Simpoziumi i parë ndërkombëtarë, me temën “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarë” që u mbajt me 15-16 Tetor 1992 në medresen “Alauddin” në Prishtinë. U miratuar për lexim .... kumtesa.
2. Konferencë shkencore, me temën “Shtypi Islam dje, sot dhe nesër”, u mbajt me 23-24 Maj 2003 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim 50 kumtesa.
3. Simpoziumi ndërkombëtarë, me temën “Gjashtë shekuj të Islamit ndër shqiptarë” që u mbajt me 16-17 Shtator 2006 në hotelin “Grand”, organizuar nga BIRK-u dhe FSI-ja në Prishtinë. U miratuar për lexim 72 kumtesa.
4. Sesion shkencor, me temën “Haxhi Sherif ef. Ahmeti, jeta dhe vepra 1920-1998”, u mbajt me 17 Prill 2008 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim ... kumtesa.
5. Sesion shkencor, me temën “Myderriz Hasan ef. Nahi, jeta dhe vepra 1905-1991”, u mbajt me 5 Shkurt 2011 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim 22 kumtesa.
6. Sesion shkencor, me temën “Myderriz Sadri efendi Prestreshi, jeta dhe vepra 1917-2002”, që u mbajt me 22 Shtator 2012 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë.U miratuar për lexim 17 kumtesa.
7. Konferencë shkencore ndërkombëtare, me temën “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijës dhe identitetit kombëtar” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u mbajt me 28-29 Shtator 2012 në Tiranë, organizuar nga KMSH-ja dhe BIRK-u. U miratuar për lexim 35 kumtesa.
8. Sesion shkencor, me temën “Hfz. Bajram Agani, jeta dhe vepra 1898-1962”, u mbajt me 7 Dhjetor 2013 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim 14 kumtesa.
9. Sesion shkencor, me temën “Migrimi i shqiptarëve, shkaqet dhe pasojat 1912-2015”, u mbajt me 28 Mars 2015 në FSI në Prishtinë. U miratuar për lexim ... kumtesa.
10. Konferencë shkencore, me temën për revistën “Zani i Naltë një shekull në shërbim të dijës”, u mbajt me 16 Qershor 2016 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim ... kumtesa.
11. Konferencë shkencore, me temën për revistën “Dituaria Islame tri dekada jetë, punë, sfida dhe suksese”, u mbajt me 18 Nëntor 2016 në hotelin Sëiss Diamond në Prishtinë, U miratuar për lexim 50 kumtesa.
12. Konferencë shkencore, me temën “Myslimanët shqiptarë në Ballkan”, organizuar nga BIRK-u dhe Liga e Botës Islame, u mbajt me 12 Mars 2017 në hotelin Swiss Diamond në Prishtinë, U miratuar për lexim ... kumtesa.
13. Konferencë shkencore, me temën “Medreseja Alauddin e Prishtinës 65 vjet në shërbim të arsimit fetar e kombëtar”, u mbajt me 17-19 Maj 2017 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim 37 kumtesa.
14. Tryeza shekncore, me temën “60 vjet të literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë 1957-2017”, u mbajt me 27 Dhjetor 2017 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim ... kumtesa.
15. Simpozium shkencor, me temën “Mulla Idriz Gjilani, jeta dhe vepra 1901-1949”, organizuar nga KBI-ja e Gjilanit dhe Lidhja e Historianëve të Gjilanit me 15 Qershor 2019 në teatrin e Gjilanit, U miratuar për lexim 20 kumtesa.
16. Konferencë shkencore, me temën “Jeta e Pejgamberit a.s. prej lindjes deri në shpalljen hyjnore”, organizuar nga FSI-ja me 27 Nëntor 2019 në Prishtinë. U miratuar për lexim 22 kumtesa.
17. Bashkësia Islame e Republikës Islame në vitin 2020 themelon Institutin për Hulumtime dhe Studime Islame - IHSI, kurse funksionalizohet e perurohet publikisht ky institut shkencor me 25 Shkurt 2021 në kryesi të BIRK-ut.
18. Sesion shkencor, me temën “Ramazani dhe refleksionet e tij shumëdimensionale”, organizuar nga FSI-ja me 3 Maj 2021 në Prishtinë. U miratuar për lexim ... kumtesa.
19. Konferencë shkencore, me temën “Një shekull nga botimi i përkthimit të Kur`anit prej Ilo Mitkë Qafëzezi”, organizuar nga Instituti i Hulumtimeve dhe Studimeve Islame i BIRK-ut me 21 Shtator 2021 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuar për lexim ... kumtesa.
20. Konferencë shkencore, me temën “Revista Edukata Islame 50-vjet mision në fjalën e shkruar shqip”, u mbajt me 15-16 Dhjetor 2021 në kryesi të BIRK-ut në Prishtinë. U miratuan për lexim 44 kumtesa.




Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi