Israja dhe Miraxhi fenomene çiltëruese

Kushdo që ndalet për t'i studiuar me përkushtim - rrethanat dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi Dërguari i Allahut a. s., gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Mekë, do të bindet fuqimisht se ai provoi të gjitha alternativat dhe mënyrat për të kumtuar porosinë me të cilën e kishte ngarkuar Krijuesi Fuqiplotë.

Nuk imagjinohet asnjë lloj sfide, fyerjeje, ofendimi ose nënçmimi që ka mundësi t'i bëhet ndonjë njeriu, e që të tillat të mos i jenë bërë figurës më të ndritshme të njerëzimit, Muhamedit a. s. Por, shpirti i tij i kalitur, karakteri i tij i fuqishëm, e mbi të gjitha përkrahja Hyjnore nga ana e Dërguesit të tij, e bënë atë të pathyeshëm dhe imun ndaj të gjitha atyre sfidave dhe kurtheve që ia thurnin të pabesët e mendjelehtët.

Konfirmim i mbështetjes hyjnore ndaj të dërguarit a.s.

Pas një serie të pandalshme të këtyre sfidave, për një periudhë hiç më pak se 11 vjet, Allahu i Lartmadhëruar dëshiroi ta begatonte të Dërguarin e Tij me një dhuratë privilegjuese, e bëri atë që të shihte shumë prej argumenteve të patundshme të Fuqisë së Tij, duke e ngritur lart mbi shtatë qiejt, madje, gjer atje ku përfundon njohuria dhe qasja e çfarëdo krijese tjetër- Sidretul - munteha.
Israja dhe Mi'raxhi ishin një argument i fuqishëm, ashtu siç vë në pah Dr. El-Butij se: "Vuajtjet që i përjetonte Pejgamberi a.s., nuk ishin për shkak se Allahu xh.sh. kishte lënë pas dore çështjen e misionit të tij, apo pse Ai ishte hidhëruar në të, porse ato ishin ligj i Zotit, që rrjedh edhe për të dashurit e Tij dhe me këso sfidash është përballuar çdo thirrje islame në çdo kohë dhe vend".(1) Mirëpo, para se t'i mundësohej Muhamedit a.s. ngritja lart në qiell, Allahu e beri që ta vizitonte Mesxhidul – Aksanë - Kiblen e parë të myslimanëve, madje vetëm gjatë një pjese të natës.
Për një natë atij i ndodhën dy fenomene, Israja - udhëtimi i tij natën prej Mekës së Shenjtë e deri në Jerusalem – Masxhidul - Aksa, dhe Mi'raxhi - ngritja e tij prej Mesxhidul Aksasë e deri mbi lartësitë qiellore. Fenomenin e Israsë si ngjarje madhështore e konstaton Allahu Fuqiplotë në Librin e Tij fisnik, ku thotë: "Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit)." (El-Isra- Ajeti, 1).
Në këtë ajet i Gjithëdijshmi e parapërgatit lexuesin se lajmi të cilin do ta dëgjoj aty, të mos i ngjallë kurrfarë dileme a lëkundjeje në bindjen dhe besimin rreth mundshmërisë së ndodhjes së tij, ngase bëhet fjalë për një fenomen që është udhëhequr fund e krye nga Ai që fuqisë dhe vullnetit të Tij i janë nënshtruar gjithçka ka në Tokë e në qiej. Prandaj çështja e mundshmërisë ose pamundshmmërisë së ndodhjes së këtyre fenomeneve, duhet të jetë temë diskutimi vetëm atëherë kur shkaktimin e tyre e pretendon ndonjëri nga krijesat, që natyrisht kane fuqi të kufizuar', por kurrsesi atëherë kur ngjarje të tilla i atribuohen Atij që "Lartmadhëria e Tij është e patëmeta". Këtë dallim të spikatur mire, e bëjnë vetëm ata që mendjet e tyre i kanë të ndriçuara me dritën e imanit - besimit, besojnë në Fuqinë e të Plotfuqishmit, ndërsa në anën tjetër, pa dyshim se u sjellin kokëçarje tejet të madhe atyre që s'arritën t'i flakin nga zemrat dhe mendjet e tyre paqartësitë e mosbesimit dhe idhujtarisë.

Israja dhe mi'raxhi lëkundin bindjet e të lajthiturve

Menjëherë pasi i Dërguari a.s., u kthye nga ai udhëtim mahnitës, i informoi njerëzit në mëngjesin e së nesërmes. Shumica e njerëzve thanë: "Kjo, për Zotin, është çudia më mahnitëse, ngase ne e dimë që karvanit i duhen një muaj për të shkuar e një për t'u kthyer nga Shami-Siria dhe Jerusalemi, ndërsa Muhamedi po pretendon se tërë ky udhëtim i ka ndodhur brenda një nate?! Shumë prej atyre që kishin pranuar Islamin, pas kësaj ndodhie u kthyen në idhujtari. Idhujtarët shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë: "Çfarë mendon, o Ebu Bekr, për shokun tënd, që pretendon se brenda kësaj nate ka shkuar deri në Jerusalem dhe është kthyer në Mekë"? Ndërsa Ebu Bekri i pyeti sa për të konfirmuar: “A e ka thënë ai (Muhamedi) këtë?” Iu përgjigjën: "Po, ai e ka thënë, tashmë u tregoi njerëzve në xhami për këtë". Ebu Bekri ua ktheu: "Për Zotin, nëse ai e ka thënë, ashtu ka ndodhur, pse jeni duke u habitur nga kjo. Unë i kam besuar atij për diçka që është shumë më larg mendjes (për ju), kur thotë se i vjen shpallja prej qiellit në Tokë brenda një pjese të ditës ose të natës, e si të mos i besoj për këtë"! Pastaj shkoi tek i Dërguari a. s., dhe e konfirmoi edhe një herë lajmin prej tij, dhe thuhet se prej aty mori epitetin Es-siddiik- I plotbinduri ose i besueshmi.(2) Këto dy pikëpamje diametralisht të kundërta, përballë një ngjarjeje kaq të rëndësishme, që në periudhën profetike u përqafuan nga besimtarët e palëkundur me Ebu Bekrin- Zoti qoftë i kënaqur me të - në krye, në njërën anë, dhe nga idhujtarët kurejshë, në anën tjetër, do të vazhdojnë të mbesin të papërputhshme dhe do të ngjallin të njëjtat dilema tek njerëzit deri në amshim. S'është e rastësishme pse ngjarja e Israsë dhe Mi'raxhit ndodhën afërsisht një vit para shpërnguljes së Muhamedit a. s., në Medinë (hixhretit), e cila paraqiste për thirrjen islame një periudhë me sfida të reja, prej ku do të hidheshin gurthemelet e para të shtetit islam, prandaj për këtë fazë kërkoheshin elemente të shëndosha, të fuqishme dhe të unifikuara.(3) Përzgjedhja e këtyre elementeve u lehtësua skajshmërisht me ndodhinë e Israsë dhe Mi'raxhit, e cila i la brenda taborit islam vetëm ata njerëz të cilët s'pranuan luhatje në bindjet dhe besimin e tyre. Rreth të Dërguarit a. s., do të mbesin të rreshtuar vetëm ata ashabë, të cilët kishin gatishmërinë dhe predispozitat që të ishin gurë të shëndoshë në murin e fortesës islame, e cila mëtonte të ndërtohej pas një periudhe të shkurtër. S'ishte i rëndësishëm numri i vogël i tyre, ngase prej tyre kërkohej çiltërsia e besimit dhe këmbëngulësia në parime. Këto tipare që u gdhendën në personalitetet e atyre njerëzve, garantuan më vonë edhe rritjen e numrit, i cili do të ishte i mjaftueshëm, por dhe konstruktiv në procesin e shtetndërtimit që do të zhvillohej në Medinë. Të marrim mësim nga kjo ngjarje, se para hapave kolosalë dhe që kanë rëndësi jetike për të ardhmen e një shoqërie islame, duhen përpiluar strategji dhe kritere selektive, madje, gjithsesi të natyrës sfiduese. Ato do t'u mundësonin myslimanëve përzgjedhjen e njerëzve të skalitur të cilët janë meritore për bartjen e përgjegjësive madhore përballë sfidave dhe barrierave që janë të pashmangshme në rrugën e gjatë të ngritjes së Ymetit islam dhe vetëdijesimit të mirëfilltë të myslimanëve kudo që ata jetojnë. Ky Program Hyjnor është spikatur në mënyrë të përkryer nga Zoti i Madhërishëm me ndodhinë e Israsë dhe Mi'raxhit, por edhe është aplikuar në formën më të mirë nga i Dërguari i Tij, Muhamedi a.s.
Porosia e tërë kësaj ndodhie është e qartë: Ecni shtigjeve të suksesshmëve, ndiqni me konsekuencë porositë e Zotit, Ai s'jua mungon rezultatet dhe as suksesin.



1. Fikhus-sire en-nebevij-je, Dr, Seid Ramadan El-butij f.112. Bot . i 19. Darus-selam. Kajro. 2008.
2. Shih: Es-siretu en-nebevijjeh, Ibn Hisham. (1287-288). Bot. 2004. Darul Hadith. Kajro.
3. Shih: Es-siretun-nebevijje, Dr. Alij Muhamed Es-sabuni. f.227. Bot. i katërt. Darul Ma'rife, Bejrut. 2006.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi