Duke iu referuar periudhave të ndritshme të predikimit dhe shtrirjes së Islamit, gjejmë se këto janë karakterizuar me faktin se në çdo epokë kanë ekzistuar mjetet të komunikimit dhe shtrirjes së daves. Në këtë vazhdë, myslimanët nuk kanë qëndruar duarkryq, por mjetet dhe metodat vetëmse i kanë përdorur mirë në përhapjen dhe shtrirjen e këtij misioni kaq fisnik.
Edhe në kohën tonë ekspertët e fushës së islamistikës kanë në dispozicion mjete të shumta që mesazhi i Islamit të arrij te çdo njeri.
Shembullin më të mirë të përdorimit të drejtë të folurit në dave e kemi në të Dërguarin tonë, Muhamedin a.s. i cili mbetet shembull se si në të folur kishte kujdes të shtuar dhe nuk lëndonte askënd me fjalë dhe me vepra. Fjalimi kur përgatitet mirë prodhon ndikim dhe influencon masën saqë në disa raste Pejgamberi a.s. e ka krahasuar me magji.
Për këtë kemi rrëfimin e Zejd bin Eslemi, se e ka dërguar ibn Omerin r.a. të thotë: Erdhën dy njerëz nga Lindja dhe mbajtën nga një fjalim. I Dërguari a.s. vërejti: “Disa fjalë janë magjike”.(1)
Kurse në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre, i Dërguari a.s. ka thënë: “Mua më është dhënë esenca e fjalës”.(2)
Ky hadith sqaron dhe nxjerr epërsinë e shkallës së lartë që ka i Dërguari a.s., në raport me të gjithë pejgamberët. I Dërguari a.s. gjatë fjalimit të tij përdorte fjalë alegorike, metafora e shembujt të ndryshëm që ishin në funksion të sqarimit të fjalimit të tij. Pejgamberit a.s. iu ishin dhënë çelësat e thesareve të fjalëve, i thoshte fjalët me delikuesë, në mënyrën më të përmbledhur e të kuptueshme, i shqiptonte ato një nga një dhe i përsëriste e ripërsëriste me qëllim që ata që e dëgjonin t’i kuptonin lehtësisht ato.(3)
Me qëllim që ta mësonte më mirë se të gjithë gjuhën e nënës, që kur ishte fëmijë pati qëndruar për një kohë të gjatë pranë bijve të Sa’dit. Ky qëndrim këtu atij ia mundësoi të njihte të gjitha dialektet që fliteshin në Gadishullin Arabik. Kjo vërtetohet më së miri praktikisht në vitin e nëntë hixhri, i cili ndryshe njihet edhe si “viti i delegacioneve”, ku ai takoi tëgjitha delegacionet dhe rrjedhshëm fliste dialektete tyre. Madje sipas një transmetimi që e nënkupton këtë, ka thënë: “Mua gjuhën ma mësoi Zotin im dhe ma mësoi në formën më të bukur.”(4)
Pesha e fjalës në thirrjen islame
Fjala mbetet mjeti i parë dhe themelor në fushën e predikimit, dhe asgjë nuk mund ta zëvendësoj atë. Fjala është mjeti më i thjeshtë në përdorim, më i lehti dhe më me pak kosto, dhe është mjeti që jep më së shpejti rezultat. Allahu xh.sh., nëpërmjet fjalës filloi dhe dërgoi pejgamberët, me anë të saj Ai i urdhëroi dhe i ndaloi, i lartësoi kombet dhe i poshtëroi disa sosh, me “fjalë” dha jetë dhe me të e mori.(5)
Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet. (Jasin, 82); “(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në Tokë një zëvendës”! Ata thanë: “A do të vësh në të atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”! Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini.”(El-Bekare, 30).
Fjala është e shenjtë, për faktin se Allahu xh.sh., me anë të saj iu foli të zgjedhurve të Tij. Njeriu përmes fjalës gjeti vlerën, kuptimin, arriti qëllimin dhe kuptimin e jetës, mu ashtu siç thuhet që: “Lisanul-haliki kalemul-Halik” (gjuha e njerëzve të mirë/fjala është lapsi i Krijuesit).
Fuqia themelore e njeriut është në fjalën e tij. Forca e mrekullisë është e fshehur në fjalë, siç është edhe forca e fatkeqësisë në të. Fjala është farë e mbjellë në mendjet tona. Ajo mund të prodhojë guxim (trimëri) dhe frikë. Mund të kultivojë dashuri e edhe urrejtje po ashtu. Fjala, ashtu siç mund të jetë konstruktive, ka mundësi të jetë edhe shkatërruese. Ajo bart me vete edhe ndikimin vrastar, e edhe fuqinë rilindëse gjithashtu. Fjala është esencë dhe dinjitet. Në disa raste është armë e herë është shërim. Në dorën e dikujt është helm, e në dorën e dikujt mburojë nga helmi.(6)
Fjala, armë e pejgamberëve
Edhe të Dërguarit e Allahut xh.sh., mjet për përballje me të pabindurit dhe mohuesit kishin argumentin (fjalën) e fortë. Në këtë rast po e përmendim Ibrahimin a.s., i cili polemizoi me një nga gënjeshtarët, mbretin Nemrud. Ja se si e përshkruan Kurani famëlartë këtë dialog mes tyre: “A nuk ke arritur të dish për atë që Allahu i kishte dhënë pushtet (Nemrudin), e aipolemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij. Kur Ibrahimi tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje!” Ai tha: “Edhe unë jep jetë dhe vdekje.” Ibrahimi tha: “Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi!” Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar. Allahu nuk shpie në rrugë të drejtë popullin mizor. (El-Bekare, 258).
Në anën tjetër, Kurani ka regjistruar edhe dialogun e Musait a.s. me Faraonin, duke paraqitur argumentet bindëse para tij.“ (Faraoni) Tha: “E cili është ai zot i botëve (që ju dërgoi)?”Ai i tha: “Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe çka ndërmjet tyre, nëse bindeni.”Ai (Faraoni) atyre që ishin përreth, u tha: “A nuk e dëgjoni?!” Ai (Musai) tha: “Zoti juaj dhe i prindërve tuaj të parë!”(Faraoni) Tha: “Vërtet, i dërguari juaj që ju është dërguar , me siguri është i çmendur.” (Musai) Tha: “Zot i lindjes dhe i perëndimit dhe çka ndërmjet tyre, po qe se kuptoni!” (Esh-Shuara, 23-28).
Po ashtu kemi edhe polemikën e të dërguarit tjetër të Allahut xh.sh., Isaut a.s., i cili kishte polemizuar me popullin e tij duke dalë në mbrojtje të nënës së tij (Merjemes) dhe nderit të saj. Kurani e paraqet kështu: “Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) Librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem, dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë, për sa të jem gjallë.” (Merjem, 30-31).
Ky mentalitet i mbrapshtë dhe sjellje jo korrekte e disa popujve në raport me të dërguarit a.s., vazhdoi edhe në harqet e tjera historike. Po kështu edhe i Dërguari ynë, Muhamedi a.s. pati polemika me popullin e tij, por me fuqinë e “fjalës” arriti t’i thyej mitet, gënjeshtrat dhe shpifjet që u bën në adresë të tij dhe fesë: “Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: “Çka i ktheu ata (myslimanët) prej kiblës (drejtimit) në të cilin ishin ata (Kudsi)? Thuaj: “Të Allahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do.” (El-Bekare, 142); “Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë,
thuaj: “Lufta në të është e madhe (mëkat i madh), por pengimi nga rruga e Allahut, mosbesimi ndaj Tij, pengimi nga xhamia e shenjtë (Qabeja) dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë mëkate edhe më të mëdha tek Allahu. E fitneja është edhe më e madhe se mbytja. Ata do t’ju luftojnë vazhdimisht për t’ju zmbrapsur nga feja juaj, nëse munden. E kush zmbrapset prej jush nga feja dhe vdes si jobesimtar, ai i ka zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të zjarrit dhe në të do të qëndrojnë përjetshëm.” (El-Bekare, 217).
Pra, shikuar nga ky prizëm, çdo epokë ka pasur mjetet e saj të komunikimit e të predikimit, varësisht nga struktura kulturore e ambientit ku kanë vepruar pejgamberët.
Edhe në kohën tonë jemi dëshmitar të bumit teknologjik, e në këtë kuadër edhe metodat e përçimit të mesazhit tek masa kanë pësuar ndryshim. Sot nuk mund të flasim për përçimin e mesazhit deri te masa nëse nuk përdorim platformat e ndryshme të internetit, pasiqë pjesa më vitale e shoqërisë sonë (rinia) përdorë këto platforma.
Në këtë rrafsh, në procesin e dialogut, është një komunikim intelektual dhe gjuhësor, ku palët ndajnë idetë, pikëpamjet dhe planet e dizajnuara, me qëllim përmirësimin, pasurimin dhe korrigjimin e gjërave të gabuara në to. Dialogu nuk ka të bëjë me dhunën as detyrimin, sepse armët e dialogut janë mendimi i ndritur dhe fjala e mirë. Dialogu serioz, që ka vlerë, është pikërisht ai që ne duhet ta synojmë si mënyrë komunikimi me palën tjetër. Duhet pasur synim ndërtimin e urave të komunikimit me bashkëbiseduesin, e jo devijimin e tij, apo shkëputjen e lidhjeve me të, sepse dialogu duhet vërë në shërbim të ndërtimit, e jo të rrënimit.
Besimtari duhet që në artin e dialogut, gjatë predikimit të fesë të përqendrohet mbi një temë serioze dhe të rëndësishme, dhe të vërë në shënjestër një element dhe një qëllim të vetëm, dhe jo më shumë, në mënyrë që mos të zhdavaritet përpjekja. Ai duhet të synojë metodën e butësisë e të integritetit gjatë dialogut, për të sqaruar me shumë mirësjellje dhe edukatë gabimin e bashkëbiseduesit. Pastaj të ngrejë pikëpamjen e tij të saktë, duke u mbështetur në prova dhe në edukatën e mirë.
Bashkëbiseduesin, me të cilin ndan pikëpamje të ndryshme, besimtari, gjegjësisht predikuesi, nuk duhet të përpiqet ta zërë ngushtë, e ta shtyjë ta pranojë publikisht gabimin, por të mjaftohet me sqarimin e argumentit, në një mënyrë që nuk ia lëndon dinjitetin atij.(7)
Sigurisht se këto virtyte të larta të predikuesve burojnë thellë nga vlerat shpirtërore që bartin ato. Specifikat shpirtërore të individit paraqesin një botëkuptim të caktuar, dhe herë pas here paraqiten si reagim i caktuar ndaj një ngjarjeje. Specifikat shpirtërore të çdo njeriu krijojnë një personalitet metafizik dhe fizionomi shpirtërore të posaçme. Njeriu me karakter shquhet si një njeri me personalitet, parime, vetëdije e vullnet, dhe në anën e kundërt një individ pa karakter është njeri pa personalitet, i pabesë, pa rezon, me një fjalë, njeri i pështjelluar. Nga një pikëpamje tjetër, njeriu me karakter është njeriu i cili lirohet nga kthetrat e instinkteve dhe pasioneve shtazarake. Nëse e vëmë re, ky kuptim i karakterit paraqet qëllimin e përkryer dhe më të lartë të edukatës dhe moralit. Në të vërtetë, qëllimi parësor i etikës është formimi i njeriut me karakter dhe temperament të sigurt.(8)
Fuqia e fjalës e udhëheq njeriun dhe po ashtu e influencon dhe vepron habitshëm mbi shpirtrat. Fuqia e “fjalës” në misionin e komunikimit të daves është më e fortë sesa forca e një ushtrie, bombat apo raketat. Sfera e ndikimit të fjalës është permanente dhe asnjëherë nuk i zbehet ndikimi dhe as pesha e saj. Si përfundim i kësaj pike,“fjala” në vetvete bartë këto faktorë:
Faktorët global njerëzor
Këtë fakt më së miri na e demstrojnë këto ajete kuranore. “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni mes vete, e s’ka dyshim se tek Allahu, më i ndershmi ndër ju, është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat). Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El-Huxhurat, 13); “Thuaju (o i
Dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e drejtë, mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë dikë tjetër pos Allahut, të mos i bëjmë Atij ortak asgjë, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zot pos Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi myslimanë (besuam një Zot)!” (AliImran, 64).
Idealizmi
Islami kërkon nga pjesëtarët e tij të synojnë idealen dhe të ndërtojnë një
shoqëri të ngritur mbi vlera të mirë- fillta, të mbështetura nga gurra e ajeteve kuranore dhe hadithet profetike, që të përputhet teoria me praktikën, ashtu siç na tërheq vërejtjen edhe Allahu në Kuran: “Tek Allahu është shumë e urryer ta thoni atë që nuk e punoni!” (Es-Saf, 3). Apo siç thotë edhe në një vend tjetër: “A po i urdhëroni njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni Librin (Tevratin). A nuk po mendoni?” (El-Bekare, 44).
Mësimet e pastra islame nuk njohin slogane të papërgjegjshme, e as parime të ngurta e të thata, e sikurse nuk njohin mësime boshe në përmbajtje, e as udhëheqje të shkëputur nga mesazhi islam. Këtë më së miri e sqaron ky ajet kuranor: “O popull im, më thoni pra, nëse unë kam argumente të sigurta nga Zoti im, dhe Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?) Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm tek Ai jam i drejtuar!” (Hud, 88)
Po ashtu, sistemi islam nuk njeh asnjë formë të shfrytëzimit të individëve, grupeve apo popujve. “Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim prej jush, shpërblimi im është prej Zotit të botëve!” (EshShuara, 180). “Dëgjoni atë që nuk kërkon prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes!” (Jasin, 21).
Thuaj “Unë nuk kërkova prej jush ndonjë shpërblim, nëse kam kërkuar, ai le t'u mbetet juve, shpërblimi është vetëm prej Allahut, e Ai është dëshmitarë për çdo send.” (Sebe, 47).
Fjala dhe fuqia gjatë gjithë epokës njerëzore që gjithnjë i ka tërhequr njerëzit. Në kohën tonë bashkëkohore, kjo shije vetëmse po shtohet, e sidomos në fushën e thirrjes islame.
Ndikimi i fuqisë së fjalës e detyron forcën e pushtetit, por këtu faktor determinues është edhe se kush e thotë atë. Fuqia e thënësit të fjalës është e fshehur në besnikërinë dhe sinqeritetin e tij. Këtu është mirë të kujtohen edhe fjalët e Aliut r.a.: “Vendi ku mbillet fjala është zemra, vendi ku bëhet porosia e saj është mendimi, mendja është forcuesi i saj, nxjerrësi në pah është gjuha.”
Fjala është elementi kryesor i aftësisë së komunikimit, të cilin
Allahu ia ka dhënë njeriut. Fjala është gjuha e trurit dhe e zemrës sonë, është rrugë e njohur e vënies në dukje të synimeve tona. Vërtetësia dhe saktësia janë kushtet themelore të saj, ndërsa bukuria është arsye e zgjedhjes. Nuk mjafton vetëm të thuhen fjalë të bukura, por ka nevojë që të thuhen edhe në mënyrë të bukur. Nëse përmbajtja është e logjikshme dhe e aprovuar, atëherë fjala është e vërtetë. Thënia dhe metoda e fjalës, kur bashkëbiseduesin e bën të ndihet në brendi të rehatshëm, ajo fjalë është e bukur. Fjalë më e bukur është ajo që bart drejt fuqisë së Allahut xh.sh.
Edhe nga historia e ndritshme islame shohin se vazhdimisht është bërë presion dhe kulturocidmbi fjalën, për ta heshtur daven islame. Shuplakat e Ebu Xhehlit assesi nuk arritën që ta heshtin zërin e sahabiut Abdullah bin Mesudit, ushtarin dhe protagonistin kryesor të fjalës pranë Qabesë dhe personin që aspak nuk nguronte ta lexonte Kuranin. Zëri i defit të bashkëshortes së kryetarit të mekës, Hindit, nuk arrinte dot të heshtte tingullin e tekbirit. As zëri i shuplakës së Omer bin Hatabit, nuk arriti dot të tretë vajzën e Hataabit, Fatimen, dhe më në fund edhe ai që goditi me shuplakë iu dorëzua fjalës. Nëse strehimi i Ibën Dugunit do të bëhej shkas për ta heshtur zërin e fjalës, Ebu Bekri këtë strehim pa fije dyshimi që do ta refuzonte. Ata nuk ishin nga ata që bënin llogaritë e veprimit me preventivë dhe me rezervë me qëllim që ta fshihnin fjalën, vetëm që të mos i hidhëronin parinë e ndryshme.(9)
Është tejet me rëndësi se në mesin e gjeneratave të hershme në gjuhët e komunikimit të tyre, në misionin e thirrjes islame, nuk ekzistonin fjalë sikur kushtet janë të vështira, mos të tërheqim vëmendje, të qëndrojmë larg pohimeve të cilët do të jenë shkas inatosje dhe mllefi të jataganëve të njohur.
Rezyme
Andaj si përfundim, edhe mësimet e Muhamedit a.s. kanë paralajmëruar umetin e tij ndaj fjalëve të tepërta e të padobishme, duke potencuar se myslimani i mirë është ai që e braktis të folurin e kotë. Sinqeritetin e konsideron si esencë të fjalës. Po ashtu na ka treguar se Allahu xh.sh. nuk i do ata që thonë fjalë të shtirura për të robëruar zemrat e njerëzve, si dhe ata që thonë fjalë për tangarllëk duke shtrembëruar gojën.
Fjala është amanet, se për shkak të një fjale të thënë pa përgjegjësi, mund të pësohet dhimbje të hidhura.
_________________
1. Buhariu,5146, BabuNikah,48.
2. Muslimi,1167, Mesaxhid,5; Buhariu2977, Xhihad,122.
3.Islami nëpërmjet haditheve, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, Logos-A, 2017, botim i dytë,f.386 v. 3.
4. Muttaki el Hindi, Kenzu’lummal, XI,534.
5.AdnanA lAraur,Menhexhueddavetifidav’tilkitab ve essune,pa vit botimi, f.244.
6. Ramazan Kayan, Thirrja islame akt profetik, Fleta, Prizren, 2017,48.
7.AhmetTutunxhi, Mësime nga jeta ime, Logos-A, Shkup,2019,f.54.
8. AliFuadBashgil, Kokë më kokë me të rinjtë, Logos-A, Shkup,200,f.40.
9. Ramazan Kayan, Thirrja islame akt profetik, Fleta, Prizren, 2017,57.