Ndikimi i agjërimit në mirëqenien psikologjike të njeriut.

Hulumtimet në fushën e psikologjisë kanë vërtetuar rezultatet pozitive të agjërimit në proceset kognitive dhe memorien e njeriut. Të gjithë ata që agjërojnë, mësojnë rezistimin kundrejt tundimit të ushqimeve apo stimujve të tjerë të jashtëm. Aftësimi për ta ndaluar veten kundrejt disa nevojave, edukon virtytin e sakrificës, që e bën njeriun të zhvillojë virtytin e modestisë dhe të fitojë pjekuri. Agjërimi kthehet në një trajnim të vetëkontrollit, ku agjëruesi mësohet të rregullojë rutinën e tij ditore në bazë të një disipline të caktuar. Agjërimi e ndihmon njeriun të njohë fuqitë dhe dobësitë e tij dhe e mëson atë të zbusë unin e tij, në mënyrë që të ketë mundësi të përmirësojë veten. Me anë të agjërimit, njeriu aftëson veten për të kryer veprime të vështira, që rezulton në zhvillimin vetëbesimit tek ai. Kështu agjëruesi i drejtohet vetes duke thënë se nëse agjëroj, atëherë jam i aftë të bëj gjëra të tjera më të vështira në jetë.
Një dobi tjetër psikologjike është se agjërimi rrit ndjenjën e përkatësisë për një grup apo komunitet. Gjatë muajit të ramazanit, familjet, miqtë dhe shokët mblidhen në sofra të përbashkëta dhe ndajnë ushqimin me njëri-tjetrin, e sidomos me njerëzit në nevojë. Këto praktika të sakrificës dhe përkujdesjes, zhvillojnë cilësitë e altruizmit dhe ndjenjën e mirënjohjes mes njerëzve.
Është e rëndësishme të theksohet se kur fillon agjërimi, truri privohet nga marrja e menjëhershme e glukozës dhe njeriu mund të përjetojë dobësi, uri dhe dhimbje koke në ditët e para, por në disa ditë, truri balancohet dhe trupi gjen një gjendje të re të të ndijuarit të urisë. Përveçse mendja dhe trupi gjejnë balancë, edhe njeriu ndihet më i lehtësuar me largimin nga të ushqyerit e tepërt. Duke parë këto përfitime të dukshme të agjërimit, hulumtuesit në fushën e mjekësisë kanë prezantuar një plan dietik 5:2, ku pjesëmarrësit ushqehen rregullisht pesë ditë dhe ndjekin një regjim dietik për dy ditë në javë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme