"O ju që keni besuar! Ju është urdhëruar juve edhe Es-Seum (agjërimi) siç u qe urdhëruar edhe atyre përpara jush me qëllim që të mund të bëheni El Muttekunë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam)". [El-Bekare: 183]
Liri nga robërimi ndaj pasioneve të ulëta
Njeriu, në jetën e tij të përditshme, në një mënyrë bëhet rob i pasioneve dhe epsheve të veta, ngase posa sheh diçka të këndshme, ushqim të shijshëm, apo i jepet rasti ta shfryj epshin, ai e bën këtë. Me një fjalë, lakmia pas ushqimeve, kënaqja e epshit, shijimi i çdo kënaqësie në çdo kohë, etj., nuk e lënë të lirë njeriun, dhe si zakonisht, ngadhënjejnë mbi prirjet shpirtërore të njeriut. E kur besimtari agjëron, ai e dëshmon dëshirën e tij të flaktë për të qenë i lirë nga robëria e pasioneve të ulëta, nga dhuna e epshit dhe lakmia pas çdo gjëje që ia ka ënda, gjegjësisht me agjërim lirohemi nga kjo dhunë e epshit, dëshirave të ulëta dhe kënaqësive të shijimit të çdo gjëje, në çdo kohë, kur e lakmon atë.
Liria e personit nga këto forma robërimi, të preferuara për aspektin material, hap rrugë dhe i ngjall ambiciet për liri nga të gjitha llojet e robërimeve, në veçanti atë ideologjike, duke e dëshmuar kështu aspektin revolucionar dhe rezistues të adhurimeve në Islam. Agjërimi në muajin e Ramazanit, si adhurim i obligueshëm, nuk është thjesht një veprim dogmatik, por reflekton në shumë sfera dhe nxjerr në pah aspekte të mahnitshme të ngritjes së qenies njerëzore në piedestale të larta dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, përfshi këtu edhe mbrojtjen e besimtarit nga robërimi ndaj pasioneve të ulëta dhe epsheve.
Liri nga djalli
Muaji i Ramazanit është shumë konkret dhe domethënës në drejtim të lirisë, gjegjësisht mundëson lirinë e besimtarit, pas prangosjes së djallit. Në fakt, muaji i bekuar i Ramazanit i ngre prangat dhe pengesat nga bërja e të mirave përmes prangosjes së djajve, por edhe e pengon seriozisht bërjen e të këqijave përmes mbylljes së djajve, nxitësve, frymëzuesve, shtytësve dhe ngacmuesve të njeriut kah e keqja. Këto krijesa të mallkuara kënaqen dhe mburren e fryhen kur shohin keq dhe të zeza, dhe kur korrin sukses ta drejtojnë një qenie njerëzore në punë të liga, e me këtë, e bëjnë njeriun një lloj robi të të keqes dhe të zërit të tyre të mbrapshtë për të devijuar dhe për t’u zhytur në punë të liga. Ne ramazan, djajtë mbyllen duke u prangosur, siç dëshmon për këtë vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ebu Hurjere (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë:“Kur vjen muaji i Ramazanit hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe shejtanët prangosen”.(Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi).
Po, në këtë muaj, hapen portat e Xhenetit, ngase njerëzit janë më të përkushtuar në adhurim, dhe një nga armiqtë kryesor të tyre, i kanë të kufizuar aktivitetet e tyre. Në këtë muaj, përmes prangosjes së djallit, lirohen ndjenjat dhe prirjet kah e mira pa pasur para vetes armikun kryesor më të përbetuar-djallin. Por, nuk duhet harruar se, edhe përskaj prangosjes së djallit, të këqijat vazhdojnë të shihen në mesin e njerëzve, kjo ngase përveç shejtanëve të cilët e nxisin njeriun për të bërë vepra të këqija, ka edhe faktorë tjerë të cilët e shtyjnë njeriun kah e keqja, si nefsi i njeriut që e urdhëron për keq, mjedisi i keq si dhe njerëzit e këqij. Sido që të jetë, Ramazani është një ndodhi dhe rast i veçantë për besimtarin, ngase ky muaj ka privilegjin e prangosjes së djajve dhe lirisë së njeriut për të bërë të mira me një intensitet më të madh, gjë që ia jep muajit të bekuar të Ramazanit tiparin e muajit të lirisë dhe çlirimit.
Shpresa për ngadhënjim mbi epshin dhe pasionet e ulëta
Kryerja e agjërimit me sukses, si në raport me agjërimin e ditës prej syfyri e deri në iftar, poashtu edhe në raport me agjërimin e gjithë muajit, është tregues shpresëdhënës se njeriu ka fuqi dhe afinitet të dominojë mbi epshet dhe pasionet e ulëta, dhe kjo shpresë e bën besimtarin dinjitoz, ia kthen besimin në vetvete, të vendosur në parimet e besimit, ambicioz dhe të fortë dhe të vendosur në rezistimin e sfidave në rrugën e besimit. Agjërimi është promovuar nga ana e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se është mbrojtës i njeriut nga nënshtrimi dhe shndërrimi i tij në rob të epshit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:” O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi të martohet, le të veproj ashtu, sepse ajo i ndihmon atij ta ulë shikimin dhe ta mbroj dinjitetin(nderin). Kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse ai (agjërimi) do të jetë mburoja e tij. ”
Rruga e besimtarit është e rëndë dhe plot vështirësi, bile, herë-herë merr ngjyra pesimizmi për të mund t’u dilet mbanë barrierave të epshit dhe shtytjeve të pasioneve. Por, muaji i Ramazanit përmes agjërimit dhe namazit, e sforcon bindjen e besimtarit për mundësinë e tejkalimit të suksesshëm të barrierave të jetës të ngritura nga djalli, dhe e etablon besimin për ngadhënjimin e besimtarit mbi epshin dhe pasionet e ulëta, ngase besimtari i ka para veti të gjitha gjërat të cilat i lakmon, ballafaqohet me gjëra të cilat i dëshirojnë epshet e tij, por për hir të Allahut të Madhërishëm, besimtari i cili agjëron, i tejkalon të gjitha këto lakmi dhe dëshira, nuk e shijon atë që e lakmon dhe e dëshiron, e me këtë agjërimi ngjall shpresë për fitore dhe ngadhënjim mbi epshin në veçanti, dhe ngadhënjim të besimtarit në të gjitha sferat e jetës, në përgjithësi. Kjo, ngase shpresa për fitore, në këtë muaj të bekuar, sforcohet edhe nga revokimi i ngjarjeve dhe historisë që lidhet me këtë muaj madhështor për nga përmbajtja dhe për nga rezultatet. Në këtë muaj, muslimanët të udhëhequr nga Muhamedi s.a.v.s. korrën fitoren e parë më të dalluar dhe më me jehonë që nga emigrimi i tyre në Medine dhe formimi i shtetit, fitoren në betejën e Bedrit, e cila betejë u zhvillua me 17 Ramazan të vitit të dytë të Hixhretit. Poashtu, në këtë muaj, në dhjetë ditët e fundit, muslimanët e çliruan Meken, me çka qartë u pa dominimi i imanit mbi shirkun dhe shuarjen e shpresave të idhujtarëve për një të ardhme të tyre në Gadishullin Arabik dhe më gjerë, nga njëra an;, dhe shtimin e vullnetit dhe shpresave të muslimanëve për ngjitje në maje të larta të fushave të ndryshme dhe fitore të mëdha, në të gjitha fushat e jetës, nga ana tjetër.
Shpresa për ngritje në piedestale të larta
Agjërimi e pastron shpirtin, e korrigjon sjelljen, e konsolidon shoqërinë duke e pastruar njeriun nga veset e liga. Agjërim nuk donë të thotë thjesht vetëm largim nga haja, pija dhe epshi, edhe pse këto elemente e përbëjnë aspektin juridik të vlefshmërisë së agjërimit, por esenca e agjërimit shkon përtej braktisjes së hajes, pijes dhe epshit, duke e larguar njeriun nga çdo gjë e keqe që e dëmton dhe turbullon pastërtinë e moralit. Në këtë drejtim është i qartë edhe ajeti i cili flet për agjërim, ku Allahu i Madhërishëm thotë:<> [El-Bekare, 183]. Poashtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Kush nuk i len fjalët e këqija dhe veprat e liga, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta len hajen dhe pijen. ”
Me këtë, agjërimi shndërrohet në shpresngjallës për ngritje në piedestale të larta morale, por edhe kulturore dhe shkencore.
Shpresa për arsimim dhe hapërim në shkencë
Muaji i bekuar i Ramazanit, nuk trajtohet dhe nuk reflekton vetëm në planin shpirtëror, por rezet e tij shtrihen edhe në sferën e arsimit dhe fushave shkencore. Në fakt, Ramazani, me plot të drejtë, mund të quhet muaj i iluminizmit të vërtetë, ngase Ramazani është muaji i shpalljes së librit të fundit të Allahut, Kur’anit. Në natën e Kadrit, që shumë dijetarë e pohojnë se ka qenë nata e 27 e Ramazanit, filloi shpallja e Kur’anit. Ky privilegj i madh, gjegjësisht fillimi i shpalljes së librit të fundit të Allahut për njerëzimin, i takoi Ramazanit, dhe me këtë, Ramazani me të drejtë mund të quhet simbol i dijes, arsimit, librit, lapsit, shkronjave dhe shkrimit. Nuk ka më mirë se këto komponente të mishërohen në personalitetin dhe jetën e besimtarit si individ, dhe në jetën e umetit islam si bashkësi. Kuptimi i drejtë dhe thelbësor i këtij karakteri të Ramazanit, sjell dobi jo vetëm për umetin islam, por edhe për mbarë njerëzimin, ngase të arriturat shkencore nuk janë monopol i popujve të caktuar, por janë vlera të përgjithshme nga të cilat përfitojnë të gjithë njerëzit.
Nisur nga kjo, Ramazani është muaj i shpresës për umetin islam, për ngritje në aspektin arsimor dhe shkencor, për rihudhje të hapave gjigant në fusha të ndryshme shkencore, pas letargjisë shekullore që i kaploi muslimanët në fushën e shkencës dhe arsimit. Gjendja e palakmueshme e muslimanëve në dekadat, po bile edhe në shekullin e fundit, në aspektin shkencor, nuk duket të shndërrohet në nyje të pazgjidhur dhe mbyllje në vetvete, pesimizëm dhe dëshpërim nga jeta, por Ramazani për çdo vit, duhet të kuptohet si mundësi për të fituar besim në vetvete se edhe kjo gjeneratë mund ta bëjë atë që e bënë gjeneratat e mëhershme të umetit në shkencë, kur muslimanët ishin mësuesit e botës, dhe në veçanti të Evropës, në të gjitha lëmenjtë shkencor.
Liri nga tiranët dhe shpresa për ngadhënjim mbi të keqen
Në muajin e Ramazanit munden djajtë, mundet epshi dhe lakmitë e njeriut, mundet përtacia dhe neglizhenca ndaj adhurimeve dhe detyrave fetare. Poashtu, në muajin e Ramazanit, në Bedër, u mund e keqja dhe tirania, në Meke u mposht bastioni i së pavërtetës, me shpalljen u asgjësua terri i traditave pagane dhe bindjeve të ndryshkura politeiste dhe të palogjikshme. Po ky ngadhënjim në muajin e Ramazanit, nuk i takon vetëm të kaluarës, nuk është sinonim i rrëfimeve për të cilat flasim sot duke treguar për atë që ka ndodhur dje, por, është një ngadhënjim i cili është realitet edhe i kohës tonë. Në fakt, në 2013, në sheshin Rabia el-Adevije në Kajro, dhe në shumë sheshe tjera në Egjipt, në muajin e Ramazanit u dëshmua ngadhënjimi i besimtarëve të denjë dhe të vendosur mbi neofaraonistët dhe neoibnselulistët. Në muajin e Ramazanit, në sheshin Rabia el-Adevije, u mposhtën tentativat e shitblerjes së shpirtrave, frika nga tiranët, u sfidua zullumi dhe zullumqarët, u grushtua servilizmi dhe lojaliteti ndaj së keqes dhe tagutëve, por ngadhënjeu logjika e rezistencës dhe qëndrimit në parime, e sakrifica për ideale.
Së këtejmi, me plot të drejtë themi se Ramazani, me të gjitha mesazhet dhe ndodhitë, si dhe adhurimet që bëhen në të, është simbol i ndritshëm i lirisë nga tiranët, dhe ngjallës i shpresës për ngadhënjim mbi të keqen.
Shpresa për liri nga shpata e kohës
Agjërimi në muajin e Ramazanit, është adhurim i detyruar për besimtarët nga ana e Allahut të Madhërishëm, dhe me këtë adhurim, besimtari e dëshmon besimin dhe nënshtrimin e tij ndaj Allahut të Madhërishëm. Agjërimin sinqerisht e bën vetëm ai që e beson Allahun dhe që e synon kënaqësinë e Tij, e që kulminacionin e arrin me të pamurit e Allahut në Xhenet, siç dëshmon për këtë Muhamedi s.a.v.s. në thëniet e tij. Pra, agjërimi i kryer me sinqeritet dhe besim, është asgjësues i mëkateve, dhe për pasojë, edhe një nga trajektoret e drejtimit për në Xhenet. Poashtu, Muhamedi s.a.v.s. ka theksuar se për ata që agjërojnë me sinqeritet, Allahu i Madhërishëm ka përgatitur një shpërblim të veçantë, gjegjësisht në Xhenet ka një derë e cila quhet Rejjan, dhe nëpër këtë derë do të futen për në Xhenet, vetëm ata të cilët kanë agjëruar.
Nga kjo që u tha, që është vetëm një detaj i vogël nga e gjithë ajo që përmbajnë tekstet fetare për shpërblimin e agjëruesve, del në pah se agjërimi është shpresëdhënës për çlirim nga shpata e kohës. Në fakt, njeriu në këtë botë duket të jetë shumë i stresuar në kohën e fundit, dhe gati është e pa mundshme që mos e dëgjosh nga bashkëbiseduesi togfjalëshin “s’kam kohë”, në veçanti kur janë në pyetje ata të cilët jetojnë në perëndimin e materializmit. Për atë, agjërimi i sinqertë, për të cilin është veçuar një derë e veçantë në Xhenet, për mbajtësit e tij, e çliron njeriun nga ky stres duke u personifikuar në tekstet fetare si shkak, krahas shkaqeve tjera, që të drejton në rrugën e Xhenetit, ku nuk ka kohë, minuta, orë, ditë, javë, muaj, vite, shekuj e mileniume, në fakt ku këto nocione nuk kanë kuptim të tillë për jetën në Xhenet, sikur që kanë pasur për jetën në dunja. Aty njeriu është përgjithmonë, dhe nuk ka stres dhe as që e ndien shtypjen e kohës. Për atë, agjërimi të tërheq o njeri, në veçanti ata që anojnë kah materializmi, të agjërosh duke u mbushur me shpresë për një të nesërme në botën tjetër, të përhershme dhe i lirë nga tehu i shpatës së kohës.