Transmetohet nga Abdullah bin Mes`ud r.a., i cili I thotë: "Na ka treguar neve i Dërguari i Allahut, i vërteti dhe i Frymëzuari nga Allahu: “Çdonjërit prej jush i mblidhet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditët e para, pastaj bëhet si gjak i ngjizur (mpiksur), sikurse ajo pastaj bëhet copë mishi (xhungë), sikurse ajo, pastaj dërgohet (nga Allahu) meleku për të fryrë shpirtin (në trupin e tij) dhe urdhërohet për (shkrimin) e katër çështjeve. Për shkrimin e riskut të tij (mjetet e jetesës), kohën e vdekjes, veprat e tij, dhe nëse do të jetë i pafat (i mallkuar) ose me fat (i bekuar në botën e përtejme). Për Allahun, që nuk ka tjetër përveç Tij, në të vërtetë dikush mund të bëjë vepra që janë veçori e atyre që hyjnë në xhenet aq sa është një largësi sa një kut mes tij dhe xhenetit, pastaj ajo që ka qenë e shkruar nga meleku i paraprin (fiton), duke bërë që ai të fillojë të punojë vepra që janë veçori për banorët e zjarrit, dhe ai hyn në të (zjarr). Dhe me të vërtetë kësisoj dikush mund të bëj vepra që janë veçori e atyre që hyjnë në zjarr, aq sa është një largësi sa një kut mes tij dhe zjarrit, dhe pastaj ajo që ka qenë shkruar nga meleku i paraprin (fiton), duke bërë që ai të fillojë të punojë vepra që janë veçori për banorët e xhenetit dhe hyn në të (xhenet).”(1)
1. Shprehja e sahabiut, "essadikul mesduk", i sugjerohet Pejgamberit s.a.v.s., i cili nuk flet përveçse të vërtetën dhe atë që inspirohet nga Allahu, nëpërmjet Xhibrilit, ose në ndonjë forme tjetër të shpalljes. Kjo shprehje është vërtetuar nga Abdullah bin Mes`udi, se kjo çka ka ardhur në hadith është e vërtetë dhe nuk ka dyshim në të.
2. Pjesa e parë e hadithit sqaron disa etapa të krijimit të njeriut. E sa i përket të gjitha etapave, ato përmenden në Kuran: "Dhe me të vërtetë Ne krijuam njeriun (Ademin) nga një copë baltë (ujë me dhe), pastaj Ne e bëmë atë (njeriun, pasardhësin e Ademit) lëng - (i bashkimit të vezëve mashkullore me atë femërore), duke e strehuar në një vend të sigurt (mitrën e nënës). Pastaj Ne e bëmë këtë lëng copë gjaku të ngjizur, pastaj Ne e bëmë gjakun e ngjizur copë mishi, pastaj Ne bëmë prej asaj capë mishi eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish, dhe pastaj Ne e nxorëm jashtë si një krijim të ri. (Ky është riprodhim i njeriut). I Lartësuar është Allahu, më i miri Krijues!". (Ei-Mu'minunë: 12-14).
Në të kaluarën dijetarët i kanë komentuar këto etapa të zhvillimit të njeriut bazuar në njohuritë mjekësore që kanë poseduar në shekullin kur kanë jetuar. Kjo sepse mungonin tekstet (citate) fetare autentike që sqaronin domethënien e secilës etapë. Pikërisht për këtë është e domosdoshme që të përfitojmë nga të arriturat shkencore të shekullit tonë rreth të kuptuarit e këtyre etapave.
Të arriturat shkencore janë i vetmi burim që duhet mbështetemi në rast se nuk kemi tekst autentik fetar. Bazuar në këtë, është vërtetuar se në ajetin e Kuranit dhe në hadithin e Pejgamberit a.s. ka disa aspekte të mrekullisë shkencore që do të shpjegohen gjatë sqarimit të këtyre etapave të krijimit:
a. copë balte
Sa i përket etapës kur njeriu ishte krijuar nga një copë balte (ujë me dhe), është thënë se kjo është etapa e krijimit të Ademit a.s. Por, ajo që është e vërtetë është edhe fakti se çdo njëri gjithashtu është krijuar prej përzierjeve të baltës, por jo prej baltës drejtpërsëdrejti.
Është e njohur se njeriu krijohet nga vezët mashkullore (spermatozoidi) me vezët femërore. Këto sajohen në trupin e njeriut nga ushqimet. Ushqimi mund të vijë ose nga bota bimore (botanika), ose nga bota shtazore (zoologjia). Bota shtazore për burim ka botën bimore, ndërsa bimët për burim e kanë baltën, d.m.th. dheun dhe ujin. Kështu çdo njeri është i krijuar nga një varg etapash (fazash), e etapa e parë është balta. Kjo është nga të arriturat e para të zbulimit shkencor.
b. Etapa: Nutfe - lëng, pikë uji (farë)
Kjo etapë është përmendur në tekstet e Kuranit dhe hadithit, ashtu siç është edhe sot. E, si lëng i përzier, i bashkuar dhe i bashkëdyzuar është përmendur edhe në këtë tekst të Kuranit: "Ne e krijuam njeriun prej një lëngu të bashkëdyzuar..." (El Insan, 2).
”En-nutfe" quhet çdonjëra nga vezët mashkullore ose vezët femërore, ndërsa "en-nutfetul emshaxh" quhet bashkimi i vezëve femërore me ato mashkullore (spermatozoidet). Kjo njëherit formon zigotën.
Deri në shekullin XIX shkencëtarët joislamë mendonin se njeriu krijohet (formohet vetëm nga vezët mashkullore (spermatozoidi). Aspekti kuranor tregon se njeriu është krijuar nga më tepër se një element. Fjala el -emshaxh - bashkëdyzim d.m.th. përzierje e bashkuar e mbledhur. Këtë e konfirmon edhe hadithi bazë: "Çdonjërit prej jush i mblidhet krijimi i tij...”, d.m.th. krijimi i njeriut ka qenë i shpërbërë, e pastaj është mbledhur dhe bashkuar. Në kohën e tanishme është vërtetuar se qeliza e parë njerëzore përbëhet nga 46 kromozome. Gjysma e tyre, 23, janë nga vezët e mashkullit (spermatozoid), e 23 të tjera janë nga vezorët e femrës. Kur këto kromozome mblidhen e bashkohen, atëherë formohet qeliza e parë njerëzore për frytin (fëmijën apo barrën), e cila pastaj fillon (të ndahet) të degëzohet dhe të zhvillohet. S'ka dyshim se edhe kjo është një mrekulli tjetër shkencore e konfirmuar në ajetin kuranor dhe hadithin e sipërpërmendur.
c. Etapa "el aleka”: - gjak i ngjizur (mpiksur)
Kuptimi i kësaj Fjale nuk ka ardhur në asnjë tekst shkencor në domethënie të plotë e që përputhet me procesin krijues. Shkencëtarët thonë: "El Aleka është copë e ngjizur e gjakut, e kjo thënie nuk ka të bëjë me të vërtetën, sepse termi “el aleka" është me prejardhje nga infinitivi - "et-tealuk" - d.m.th. i lidhur, i varur. Dhe, fetusi (barra) në këtë etapë është e përqendruar dhe mbjellë në pjesën e lartë të cipës së mitrës (embrionit).
Rrënjët i ka të nxjerra sikur rrënjët e bimës. Rrënjët janë lart, e barra është poshtë. Shkencëtarët e medicinës këtë etapë e kanë emërtuar etapa e mbjelljes (bimës), sipas përngjarjes së saj me bimët. Mirëpo nocioni uranor është shumë më preciz emërtimin e kësaj etape. Bimët rrënjët i kanë poshtë, e degët i kanë lart, ndërsa barra i ka rrënjët lart e trungun e ka të lëshuar poshtë, dhe është e varur me varje të plotë. Bazuar në këtë formë të varur, Kurani këtë etapë e ka emërtuar “etapa e varjes”, e jo etapa e bimës, ashtu siç e emërtuan gabimisht shkencëtarët e mjekësisë.
Po ashtu, fjala el-aleka është emër i ushunjëzës, krimb që jeton në ujë e i cili varet në trupat që hyjnë, dhe që bën thithjen e gjakut të tyre. Këtë më së miri e vërejmë te forma e barrës në etapën e parë, ku forma e saj plotësisht i përngjan formës së ushejzës, që ushqehen vetëm me gjak dhe është shumë vështirë për njeriun e rëndomtë që ta bëjë dallimin në mes tyre. Po ashtu barra jeton në lëng, ashtu siç jeton ushunjëza në ujë. Barra ushqehet nga gjaku, ashtu si edhe ushunjëza.
Pra, në këtë etapë barra (fryti) në formë, në mjedis ambienti dhe në të ushqyer, është sikurse ushunjëza. Në të dy domethëniet e kësaj etape kemi të bëjmë me mrekullitë shkencore të zbuluara nga ajeti kuranor dhe hadithi. Ndërsa, studimet shkencore këtë të vërtetë e kanë zbuluar shumë vonë, në dekadën e dytë të shekullit njëzet.
d. Etapa El mudga - copë, xhungë mishi
Kuptimi i kësaj fjale nuk ka ardhur në asnjë tekst shkencor me kuptim të plotë. Shkencëtarët thonë: "Ajo është copë prej mishi." Ky nuk është mendimi i vërtetë. Ky mendim vjen në kundërshtim me ajetin që përcakton etapën e mishit, e cila është pas kësaj etape (El-mudga) dhe pas etapës së eshtrave. E vërteta qëndron se mudga është kafshatë, e barra (fetusi) në këtë etapë i përngjet kafshatës, por jo në madhësi. Është vërtetuar se madhësia e barrës në këtë etapë është sa madhësia e kokrrës së grurit, se barra në këtë etapë fillon të paraqesë gjymtyrët dhe disa pjesë të tjera. Shkencëtarët e medicinës këtë etapë e quajnë etapa "pjesët trupore." Pamja e formës së barrës në këtë etapë është plotësisht sikur forma e kafshatës. Pamjet e brendshme në barë janë njësoj sikurse forma e çamçakëzit, dhe në të gjendet një vijë e plotë që i ngjan dhëmbëve të ngulur. S'ka dyshim se vërtet sikur t`i shikojmë format e kësaj etape - el mudga - në librat e mjekësisë do të vërejmë se format e saj janë sikur format e kafshatës së përpunuar në gojë. Edhe kjo fazë është një mrekulli shkencore kuranore, që nga ana e shkencës së anatomisë është vërtetuar shumë vonë, në kohën bashkëkohore.
e. Etapa: el aidham – eshtrat
Kjo etapë fillon në formë të brinjëve (ashtit), e pastaj fillon të kalcifikohet dhe gëlqerëzohet. Së pari nis në zonën e boshtit kurrizor, e pastaj në pjesët anësore.
f. Etapa: el-lahëm – mishi
Kjo etapë përfshin muskujt që i mbështjellin eshtrat. Në të kaluarën ka qenë një teori se mishi (muskujt) formohen së pari, e pastaj në brendësinë e mishit formohen eshtrat. Më vonë është vërtetuar se kjo teori është e paqëndrueshme, dhe se duhet të hidhet poshtë. E vërteta qëndron në atë që ka thënë Allahu xh.sh. në librin e Tij të shenjtë, E kjo është një mrekulli tjetër e Kuranit (pra eshtrat para mishit).
c. Etapa e krijimit të ri (etapa e riprodhimit të njeriut)
Thuhet se kjo etapë sinjalizon në fryrjen e shpirtit. Thuhet se fryti në pamjen e tij para kësaj etape e ka formën e boshtit kurrizor (eshtrave), e formën e duhur të njeriut e merr në këtë etapë. Krejt këto mendime janë të vërteta. l Lartësuar është Allahu, më i miri Krijues, më i miri në shpikje e krijim. Allahu xh.sh. ka krijuar nga asgjëja, dhe ka fuqi që një send ta shndërrojë në qenie të gjallë e me shpirt. Këtë nuk mund ta bëjë askush përveç Allahut.
3. Afati kohor i secilës prej këtyre etapave është me sa vijon:
a. etapa e parë - en-nutfe - lëng, pikë uji, zgjat një javë, përafërsisht, pas fekondimit të vezëve.
b. Etapa e dytë - el aleka - gjak i ngjizur, i mpiksur, apo më mirë ta precizojmë si etapa e varur. Kjo etapë zgjat dy javë, përafërsisht. Javën e dytë dhe të tretë.
c. Etapa e tretë: el-mudga - copë, xhungë mishi apo më mirë ta precizojnë si etapë që barra i përngjet kafshatës së përpunuar. Kjo etapë zgjat një javë, përafërsisht. Kjo është java e katërt.
d. Etapa e katërt: el-aidham - eshtrat, zgjat përafërsisht dy javë. Në javën e pestë krijohen eshtrat në boshtin kurrizor, ndërsa gjymtyrët në javën e gjashtë.
e. Etapa e pestë: el lahëm - mishi (muskujt), paraqiten diku në javën e gjashtë dhe të shtatë.
f. Etapa e gjashtë: etapa e krijimit të ri, kur fetusi (barra e merr formën e veçantë), e ky krijim paraqitet në javën e shtatë.
Bazuar në ajetin kuranor dhe hadithin, është vërtetuar se në to ka mrekulli shkencore në shumë çështje:
- Fetusi kalon nëpër disa etapa të ndryshme. Këto etapa shkencëtarët e medicinës në Evropë dhe Amerikë nuk i kanë ditur deri në fund të shekullit të XVIII. Ata kanë menduar se embrioni është në formën e njeriut nga momenti i parë i shtatzënisë. E, gjatë shtatzënisë fetusi vetëm rritet. Ndërsa, në anën tjetër, këto etapa të krijimit të njeriut i gjejmë shumë të qarta në Kuran dhe hadith, qysh para katërmbëdhjetë shekujsh .
- Emërtimi i fetusit (barrës) në mënyrë precize në çdo etapë të tij, siç sqaruam edhe me parë.
Preciziteti metalizues i radhitjes së etapave krijuese të fetusit
Të gjitha këtu etapa kryhen brenda dyzet ditëve, ashtu siç përmendet edhe në hadithin baze.
4. Te dijetarët (shkencëtarët) e hershëm dhe ata të sotmit është publikuar se çdonjëra prej këtyre etapave (lëng, gjak i ngjizur, copë mishi) zgjat nga 40 ditë. Krejt këto bëjnë 120 ditë. Ndërsa, etapa e eshtrave, pastaj e muskujve, është në muajin e pestë. E shpirtit, po ashtu pas kësaj etape, në muajin e pestë, i dhurohet fetusit.
Nëse kthehemi dhe gjurmojmë argumentet, ne nuk hasim në asnjë tekst të vërtetë që tregon se shpirti i fryhet fetusit pas muajit të katërt, gjegjësisht pas 120 ditësh.
Por kjo teori është kuptuar gabimisht nga hadithi bazë, që transmeton Ibën Mes`udi, e të cilin jemi duke e sqaruar. Teksti i hadithit që Ibën Mes'udi e transmeton te Buhariu është kështu: "Çdonjërit prej jush i mblidhet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditët e para, pastaj bëhet si gjak i ngjizur (mpiksur) sikurse ajo (etapë), pastaj bëhet copë (xhungë) mishi (sikurse ajo), pastaj dërgohet (nga Allahu) meleku për të fryrë (në trupin e tij] shpirtin..."
Pra shihet se në hadith nuk përmendet se shpirti i dhurohet frytit pas katër muajsh, gjegjësisht pas 120 ditësh. Po ashtu, në asnjë hadith të shkallës autentike, apo të shkallës së mesme, nuk potencohet etapa en-nutfe: lëng, pikë uji, farë, e as që shtjellohet se fetusi 40 ditë është pikë uji, por fjala (sikurse ajo) që është shtojcë që shpjegon 40 ditët ë para në hadith është transmetuar gabimisht, dhe në të vërtetë ajo fjalë nuk është pjesë e hadithit.
Bazuar në këtë, edhe hadithi është keqinterpretuar. Komentuesit e hadithit thanë: "Nëse fetusi në 40 ditët e para është en-nutfe - pikë uji, atëherë bëhet gjak i ngjizur sikurse ajo (d.m.th. në 40 ditët e tjera). Pastaj bëhet copë mishi sikurse ajo (pra në 40 ditët ë treta). Nga të kuptuarit e tillë të hadithit është thënë se hadithi përmban tri dyzetëshe. Ky kuptim është bazuar në fjalën shtojcë të hadithit. Kjo shprehje nuk është potencuar në asnjë transmetim të pranuar.
a - të kuptuarit e tekstit në mënyrë të gabuar "mithle dhalike" - "sikurse ajo" që potencon duzetëshin e dytë dhe të tretë, më së miri e tregon transmetimi i hadithit të Muslimit në Sahihun e tij: "Çdonjërit prej jush i mblidhet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditët e para, e pastaj në këtë (etapë) bëhet gjak i ngjizur sikurse ajo (etapa e mëparshme), e pastaj në këtë (etapë) bëhet copë (xhungë) mishi, sikurse ajo (etapa më herët), e pastaj dërgohet (nga Allahu) meleku për të fryrë (në trupin e tij) shpirtin...”(2)
Në këtë transmetim vërehet shprehja "fi dhalike" - “në këtë (etapë)", e cila sinjalizon se etapat, pikë uji dhe copë mishi, formohen gjatë atij dyzetditëshi, e ai është dyzetditëshi i parë, ndërsa dyzetditësh të dytë dhe të tretë nuk ka.
Sa i përket shpjegimit të fjalës së Pejgamberit s.a.v.s. "mithle dhalike" - "sikurse ajo (etapë)”, kjo nuk tregon ngjashmërinë në kohë, ashtu siç është përmendur në transmetimin e Buhariut dhe të Muslimit, por tregon edhe ngjashmërinë në çështje (çështja e tyre, procesi është i njëjtë si në të parën ashtu edhe në të dytën dhe të tretën). Hadithi tregon se etapat – pikë uji, gjak i ngjizur dhe copë mishi janë të njëjta në diçka, në çështjen e procesit, sepse secila merr kohë të njëjtë, një ose dy javë. Nuk ka ardhur ndonjë tekst i qartë që tregon qartësinë e kësaj pike, e cila është e përbashkët dhe e njëjtë për to. Por, pjesa tjetër e mbetur e hadithit tregon për këtë ngjashmëri, dhe pasi që hadithi potencon etapën "el-mudgatu" - "copë mishi", vazhdon: “...pastaj dërgohet meleku për të fryrë shpirtin në (trupin e tij), dhe urdhërohet për shkrimin e katër çështjeve..."
Fetusi para këtyre etapave, d.m.th. gjatë etapës pikë uji, gjak i ngjizur, copë mishi, nuk ka shpirt dhe nuk i shkruhet përcaktimi i tij. Kjo është pjesa e përbashkët (ngjashmëria e këtyre tri etapave) për të cilën sinjalizon hadithi.
b. Nga të kuptuarit e tekstit, gabimi që ndërlidhet me tre dyzetëshat, kemi disa hadithe të qarta dhe të vërteta që tregojnë se meleku dërgohet pas dyzetëshit të parë, e ndërto kemi: Transmetohet nga Hudhejfe El Gaffarij, se vërtet ai e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: “Pasi qe fetusi t`i kalojë dyzet e dy net, Allahu dërgon te ajo (barra) melekun”.(3)
Kjo thënie tregon se meleku dërgohet te pika e ujit (fetusi) kur ai t'i kalojë dyzet e dy net në mitër. Nëse ia shtojmë asaj edhe një javë (e cila quhet java e bashkëdyzimit të spermatozoidit të femrës dhe mashkullit) që pika e ujit (Fara) pas fekondimit ka nevojë për të arritur në mitër, bëjnë gjithsej dyzet e nëntë ditë, e pas këtyre ditëve fryhet shpirti. Këtu qëndron e vërteta e kësaj teme dhe hadithit bazë për të cilin jemi duke bërë fjalë.
c. Po ashtu, nga të kuptuarit e tekstit gabimisht nga ata që thanë se ekzistojnë tre dyzetësha, dëshmon edhe fakti se eshtrat formohen pas etapës el-mudgatu - copë mishi, siç thotë ajeti kuranor: "Pastaj Ne bëmë prej asaj copë mishi eshtrat..." (El mu'minun:13).
Sipas mendimit të tyre (ata që e kuptuan gabim) nëse etapa -copë mishi formohet në dyzetëshin e tretë, atëherë eshtrat formohen në muajin e pestë. E ky është një gabim trashanik i shkencës, sepse shkencërisht, gjatë gjurmimit të etapave të fetusit, është vërtetuar se eshtrat formohen në muajin e dytë e jo në muajin e pestë.
Kështu pra, gjatë shqyrtimit të haditheve të vërteta e të qarta, dhe gjatë studimeve embriologjike, anatomike, është vërtetuar se gjithë këto etapa ndodhin gjatë një dyzetëshi, e jo në tre dyzetësha.
Sa i përket thënies së disa njerëzve, se shpirti i fryhet fetusit pas katër muajve, e të cilët argumentojnë se gruaja shtatzënë lëvizjet e fetusit (frytit) i ndien pas katër muajve, themi se edhe kjo është gabim dhe pakujdesi, sepse lëvizja e fetusit është diçka, e ndjeshmëria e nënës te këto lëvizje është diçka tjetër.
P.sh.: zemra rrah pandërprerë edhe pse njeriu vërtet nuk i ndien këto rrahje të pandërprera. A thua me këtë kuptojmë se zemra nuk rrah? Nëse njeriu vetëm pak vrapon, atëherë të rrahurat forcohen dhe njeriu i ndien ato. Kështu ndodh edhe te fetusi. Ai lëviz me lëvizje spontane në fund të muajit të dytë, por këto lëvizje janë të dobëta ngase madhësia e fetusit është shumë e vogël, dhe ai është i rrethuar me mbështjellësin ujor, i cili i thith këto lëvizje, e nëna nuk i ndien. Kur fillon të rritet madhësia e fetusit, edhe lëvizjet e tij të forcohen, e atëherë nëna fillon t'i ndiejë ato. Ndodh që nëna t'i ndiejë ato para se të plotësohen katër muaj. Sot, lëvizjet spontane para katër muajve janë vërtetuar në bazë të incizimeve të embrionit. (vijon)
__________________
1) Sahihul Buhari v. 6 f. 303. Kitab bid`ul halk nr.3208; "Sahihu Muslim", v, 13, f, 100, nr. 4781.
2) Sahihu Muslim v. 4. f. 2036. Kitiibul Kader. nr. 2643.
3) Sahihul Muslim v. 4 f. 2037. Kitabul Kadr, nr. 2645.