Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:

“Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai!
Po prej çkafi e krijoi Ai atë?
Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti.
Pastaj atij ia lehtësoi rrugën.
Mandej atë e bëri të vdesë dhe atij i bëri varr (të varroset).
Pastaj kur të dojë Ai e ringjallë atë.
Jo! Ai nuk zbatoi atë që urdhëroi Ai.” (Abese, 17-23)
Ajeti tregon fillimin e krijimit të njeriut, fundin edhe pjesën e mesme. Në kohë të gjatë ka qenë në kornizat e mosekzistencës. Në fillim, nuk u krijua si i përsosur, por Allahu xh.sh. e krijoi si pikë uji të bashkëdyzuar, i cili nuk ka dëgjuar, nuk ka parë, nuk ka ndier, nuk ka lëvizur, nuk ka folur, nuk ka kuptuar, nuk ka ditur. Ka qenë i vdekur para se të jetojë, i dobët para fuqisë, i paditur para diturisë, i verbër para se të sheh, i shurdhër para se të dëgjojë, memec para se të flasë, i humbur para udhëzimit, i varfër para pasurisë.
Pastaj ia lehtësoi rrugën e tij.
Andaj, shiko si të krijoi me urtësi, të dha formën më të bukur, dhe shiko arrogancën e njeriut dhe injorancën e tij siç thotë ajeti kur’anor:
“A nuk mendon njeriu se Ne e krijuam atë prej një pikë uji (fare), kur qe, ai kundërshtar i rreptë.” (Ja Sin, 77)
Ia plotësoi begatitë vetëm për ta njohur Allahun, madhështinë dhe fuqinë e Tij.
Andaj shtrohet pyetja: Kur është virtyti vërtet virtyt?
Virtyt është ta duash Allahun xh.sh., ndërsa këtë virtyt e ka ai i cili ndalet nga gjërat që i ka ndaluar Allahu xh.sh.
Detyra e Pejgamberit s.a.v.s. ka qenë të na kumtojë ato gjëra që i ndaloi Allahu i Madhërishëm. Ai na shpjegon këtë me shembullin e tij duke thënë: “Shembulli im dhe i juaj është sikur shembulli i njeriut që e ka ndezur zjarrin, në të cilin fluturojnë insektet të tërhequr nga drita, dhe bijnë në zjarr. Unë juve ju pengoj që të mos bini në zjarrin e xhehennemit, por ju më shmangeni nga dora.” (Muslimi)
Që të mos i largohemi nga dora për të rrëshqitur në zjarr, Pejgamberi s.a.v.s. na mëson: Fedale ibn Ubejd r.a. transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “A doni të ju tregoj çfarë është mu’mini? Është ai nga i cili janë të sigurt pasuria dhe jeta e njerëzve tjerë. Ndërsa musliman është ai nga gjuha dhe duart e të cilit janë të kursyer njerëzit tjerë. Ndërsa muxhahid është ai i cili lufton me vetveten për të qenë i bindur ndaj Allahut (lufton zilinë, xhelozinë, kryelartësinë, koprracinë, vetëpëlqimin, syefaqësinë në vete për t’u afruar te Allahu). Ndërsa muhaxhir është ai i cili i lë mëkatet.”
Virtyt është ta duash Xhennetin, por duhet përgatitur për të. Në transmetim thuhet që Toka për çdo ditë i thotë njeriut këto paralajmërime (këshilla): O njeri, ecë mbi mua e do të përfundosh nën mua, ushqehesh mbi mua e do të hahesh nga unë, gëzohesh mbi mua e do të qash nën mua, bën mëkate duke ecur mbi mua e do të dënohesh nën mua.”
Njeriu i cili harmonizon jetën e dynjasë me fjalët e Allahut, është i dashur në Dynja dhe Ahiret.
Usejd ibn Abdurrahmani ka thënë: “Kam dëgjuar që kur vdes besimtari dhe kur e bartin në varr thotë - Ngutuni me mua. Kur e lëshojnë në varr, toka i thotë - Të kam dashur kur ke ecur mbi mua, e tani je edhe më i dashur për mua. Kur pabesimtari vdes, duke e bartur thotë - Më ktheni. Kur e vendosin në varr, toka i thotë - Të kam urrejtur kur ke ecur mbi mua, e tani të urrej edhe më shumë.”
Virtyt është ta duash Pejgamberin s.a.v.s., por këtë virtyt vërtet e posedon ai i cili e pason sunnetin e Pejgamberit s.a.v.s.
Ibrahim ibn Et’hemi ka thënë: “Njeriu kur zgjohet duhet falënderuar për katër gjëra duke thënë: Falënderoj Allahun i Cili më ka udhëzuar dhe më ka bërë besimtar, falënderoj Allahun i Cili më ka bërë pjesëtar të ummetit të Muhammedit a.s.,
falënderoj Allahun që nafaka të jetë nga Ai, dhe falënderoj Allahun i Cili i ka mbuluar turpet e mia.”
Ta duash Pejgamberin s.a.v.s. d.m.th. të jetosh në dashuri ndaj vëllait besimtar dhe të ndihmohesh reciprokisht.
Virtyt është të anosh kah shkallët më të larta të imanit. Është e pavërtetë se me besimin tënd dëshiron të kesh sukses në shkalla më të larta e nuk sheh vuajtjet e të varfrit, të mjerit, të paaftit, dhe vëllait të sëmurë musliman dhe njeriut në përgjithësi.
Ebu Lejs es-Semerkandi ka thënë: “Kush pohon që i posedon katër virtyte e nuk i vërteton me vepra, ai nuk flet të vërtetën. Kush thotë se e do Allahun e nuk i lë ato që Ai i ka ndaluar, kush thotë që e do Xhennetin e nuk investon për Xhennet, kush thotë se e do Pejgamberin s.a.v.s. e nuk pason sunnetin e tij, dhe kush thotë se dëshiron përparim në fe e nuk e vëren nevojtarin.”
Ju të rinj, bëhuni optimist dhe hapni mushkëritë tuaja të depërtojë ajri i pastër.
Kur bisedoni, thuani gjëra pozitive, pasi njeriu është dhe bëhet sipas asaj që flet.
Mos thuaj asnjëherë “nuk ia vlen” edhe sikur të dështosh njëmijë herë.
Mos lejo që qarku i gabimit dhe gjynahut të zgjerohet. Rrethoje nga katër anët me vepra të mira.
Vrapo drejtë çdo akti të mirë se Allahu i do bamirësit!
I lutemi Allahut që të na mundësojë të pajisemi me këto virtyte të larta.



Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti për urime të Fiter Bajramit përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe politike (video)