Hadithi i tretë:

Nga Ebu Abdurrahman Abdullah ibn Umer El-Hattabi, radijall-llahu anhuma, transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

‘Islami ngritet mbi pesë (shtylla): Në të dëshmuarit se nuk ka zot tjetër, përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Zotit, në kryerjen e namazit, në dhënien e zekatit, në të vizituarit e Ka’bes dhe në agjërimin e Ramazanit’.”
(Buhariu dhe Muslimi)





Shpjegimi i hadithit të tretë

Mbase hadithi më i përdorur dhe më i cituar në ligjëratat dhe shkrimet e ndryshme është hadithi i sipërshtruar, të cilin në vazhdim do të përpiqemi ta shkoqisim shkurtimisht. Sigurisht se në këtë ka ndikuar tematika e hadithit dhe konciziteti i të shprehurit të tij. E transmetojnë përmbledhjet e të pestëve[1] dhe konsiderohet si hadith autentik (sahih).
Këtë hadith e shënën Buhariu dhe Muslimi me transmetim të Ikrimeh ibn Halidi, kurse ky nga Ibn Omeri r.a.. Muslimi e shënon me dy transmetime të ndryshme gjithashtu nga Ibn Omeri.[2] Hadithin e transmeton edhe Imam Ahmedi.[3]

Hadithi përmbledh bazat e Islamit dhe ka rëndësi të parë.
Nocioni islam është mjaft i pasur përkah domethëniet, mirëpo në rastin konkret në kuptimin etimologjik domethënë përkushtim, dorëzim i plotë Allahut xh. sh., kurse në kuptimin terminologjik domethënë nënshtrim, dorëzim, përkushtim çdo gjëje që është urdhëruar nga Allahu xh. sh. dhe Muhammedi a.s..[4] Siç theksuam, sharte janë dy, mirëpo ritualet, ato që i japin formë konkrete Islamit, janë të shumta. Më kryesorët janë pesë: shehadeti, namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi.[5] Këtë e argumenton edhe vetë parafjala ??? (`alâ), para fjalës ????? (hams-in), që domethënë se nuk janë vetëm pesë rituale, por ka edhe të tjera.


1. Shehadeti - ????????? -

Maksima e shehadetit të dëshmohet dhe të deklarohet se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi a.s. është i dërguari i Tij përmban elemente thelbësore dhe mjaft të rëndësishme për muslimanët dhe për mbarë njerëzinë:
- Mohimi absolut i politeizmit dhe ndërprerja e çfarëdo lloj lidhjeje me pliteizmin;
- Dëshmimi dhe manifestimi aktiv i monoteizmit, i Një dhe të Vetmit Allah;
- Pranimi i Muhammedit a.s. për lajmëtar, komunikues të fesë, i cili paraqet përvojë të gjallë të Fjalës dhe njëkohësisht si njeri në piedestalin më të lartë.
Dëshmimi dhe deklarimi se besojmë një Allah nuk nënkupton vetëm njohjen verbale, formale, por do të thotë të pranojmë dhe të përvetësojmë kodeksin e caktuar nga Zoti dhe sipas të cilit duhet vepruar në zemër dhe shpirt sikur vullnet dhe aksion.[6]
Pranimi dhe përvetësimi i këtij kodeksi me të gjitha që ai nënkupton, po ashtu duhet të jetë shpallje luftë shejtanit, sepse atje ku përmendet shehadeti, njeriu nuk guxon të veprojë, fletë, shohë, dëgjojë, pranojë asgjë çka është në kundërshtim me të vërtetën dhe me drejtësinë, të pajtohet me diç pas së cilës qëndron djalli apo synimet djallëzore e të tjera.
Shembull për këtë duhet të na bëhet Muhamedi a.s. me këshillat dhe veprat e tij, trashëgimi e gjallë kjo, që paraqet të arriturën më të lartë që mund ta mendojë njeriu në këtë botë fenomenale.[7]


2. Namazi -??????

Pas besimit dhe deklarimit se ekziston Një dhe i Vetmi Allah dhe pas pranimit dhe deklarimit se Muhammedi është i dërguar dhe rob i Allahut, kemi namazin (salatin), pa dyshim, ibadetin më të rëndësishëm në Islam dhe në jetën muslimane. Në Kur’an namazi përmendet mbi 100 herë, sikur:“Faleni namazin ...”. (El-Bekareh, 110), fakt ky që fletë qartë për rëndësinë që ka. Për këtë fletë edhe Muhammedi a.s., i cili thotë:
“Namazi është shtyllë e fesë. Kush e braktisë atë, ai e shkatërron fenë e tij”[8], apo:

Inne bejne’r-rrexhuli we bejne’l-kufri terku-s-salati.
“Ndërmjet njeriut dhe mosbesimit (kufrit) është lënia (mosfalja) e namazit.” [9]
Këto dy hadithe, sikurse edhe shumë të tjera, japin të kuptojmë se braktisja, mohimi i namazit sjellë pasoja të rënda për njeriun, largimin e tij nga besimi në Zotin. Mirëpo, këtë do ta trajtojmë më vonë.
Akcesi ynë për arsye objektive nuk do ta ndalet vetëm në trajtimin e doktrinës sheriatiko-juridike, por edhe në kontekst të krizës shpirtërore të botës moderne. Muslimani e di se namazi nuk përbëhet nga fjalët dhe lëvizjet e rëndomta e formale që kryhen pa praninë e vetëdijes dhe të menduarit.[10] Namazi ka për qëllim që të bëhet botë ndjenjash dhe mase edukative, respektivisht është metodë e të edukuarit islam, i cili në zemrën e muslimanit kryen mbjelljen e të vërtetës, formon ndjenjë të sinqertë se atë e kontrollon Allahu kudo e kurdo, e mëson t’i nënshtrohet caktimit të Tij, urtësisë së Tij e të tjera.
Namazi, sikur edhe të gjitha ibadetet e tjera, nuk bën të kryhet nga frika prej Zotit, sepse ky raport atëherë do të ishte “robërues”. Nuk bën të kryhet as vetëm nga synimi për xhennet, sepse ky namaz do të shprehte raport komercialo-tregtar. Edhe njëri edhe tjetri, por edhe raporte të tjera të ngjashme, te Allahu janë të refuzuara.
Namaz i vërtetë është ai i cili paraqet rrugë drejt Allahut, i cili e inkuadron njeriun në botë më të lartë, më të bukur dhe më të lartësuar. Duhet pranuar se të shpjeguarit e ibadetit në frikë dhe pasurim material paraqet vullgarizim më të thellë dhe më të vrazhdë të ibadetit.[11] Jeta me namaz është jetë në harmoni të plotë me kozmosin dhe mundëson një bashkësi të përkryer me rend perfekt, e cila e inkorporon njeriun, përsosurisht dhe pa “vrima” në natyrë, bashkësi dhe familje, sepse namazi edhe nuk është tjetër, pos “pushtimi i tokës nga apogjeja deri në qiell” [12], apo si e thotë këtë ndryshe intelektuali S. H. Nasr: “Njeriu duhet të jetë gjithnjë në namaz sepse me të të vetmin konstituohet harmonia ndërmjet njeriut dhe tokës, duke vendosur para së gjithash harmoninë ndërmjet njeriut dhe qiellit, .... e cila e shpie nga shfrytëzimi i egër të ligjeve natyrore në mirësjellje të bazuar në kontemplim dhe respekt.” [13]
Sa i përket trajtimit të namazit dhe braktisjes së tij në pikëpamje të doktrinës sheriatiko-juridike, është e qartë se tevhidi (uniteti) është domethënia qendrore e ekzistencës, kurse namazi është synimi që të zbulojë e jo të fshehë këtë tevhid.[14] Kjo shihet edhe në:
“Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa`, 103).
Tevhidi mbase më lehtë do të kuptohet edhe nëpërmjet ajetit vijues të Kur’anit: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. ...” (Ibrahim, 24-25), në të cilin tevhidiështë fjala e mirë kurse rrënja është besimi i forte në zemrat e besimtarëve, frutat e të cilit janë veprat e mira si rezultat të këtij tevhidi: namazi, agjërimi, zekati, haxhi.[15]
Nëse do ta përkthenim këtë në gjuhën sheriatike do të vërejmë dy qëndrime: Qëndrimi i atyre (Ibn Hazmit, Ibn Hanbelit...) që lëshimin e qëllimshëm të namazit e trajtojnë si largim nga Islami dhe qëndrimi i atyre (Ebu Hanifeh, Maliku, Shafiiu ...), të cilët lëshimin e namazit e shpjegojnë si mëkat, për të cilin veprim duhet bërë tevbe, pendim.[16] Ata në vendimin e tyre mbështeten në hadithin vijues:“Allahu ua ka bërë detyrë robërve të Tij faljen e pesë namazeve në ditë. Atyre që i falin rregullisht, Allahu ia ka premtuar xhenetin, ndërsa kush i lë ato, do të jenë në dëshirën e Allahut, i cili mund t’i dënojë ose t’i falë.” (Maliku dhe Ahmedi), që tregon fakti se mundësia e të falurit nga ana e Allahut të atij që nuk falet tregon se ai njeri është musliman, sepse e vetmja kategori që nuk do të falet nga Allahu është kufri (mosbesimi) dhe shirku (politeizmi).
Me fjalë të tjera, problemin e nevojës për namazin në kuadër të tërësisë islame, Muhammed Ikballi e shpreh kështu: “Feja nuk është diç e ndarë, ajo nuk është as mendim i pastër, as ndjenjë e pastër, as vetëm veprim – kjo është manifestim të tërë njeriut.”


3. Zekati - ????????

Zekati është obligim fetar, socialo-altruist dhe material i një pjese të njerëzve ndaj të tjerëve, të nevojshëm për ndihmën e tyre. Kur’ani më se 70 herë në mënyrë impresive e urdhëron zekatin, kurse së bashku me namazin rreth 30 herë.
Allahu xh. sh. thotë:`
“Merr nga pasuria e tyre sadakën...”. (Et-Tewbeh, 103).
Zekati ka kryesisht dy domethënie themelore:
a) Shqyrtimi dhe analizimi i ajeteve dhe hadithve mbi zekatin rezulton se zekati paraqet:
- Obligim të të pasurve ndaj të varfërve;
- E drejta e të varfërve në pasurinë e të pasurve.

Këto dy kategori sociale e shoqërore gjithnjë duhet të jenë në kontakt të ngushtë, sepse ekzistimi i njërit e kushtëzon tjetrin dhe anasjelltas. Pasuria i përket Allahut dhe të gjithë njerëzit janë bashkëpjesëtarë në të, dhe nëse jo në shkallë të barabartë atëherë se paku të mundësohet jetë pa brenga. Kjo do të thotë se teprica përtej nevojave vetjake duhet kthyer shoqërisë që të mos llogaritemi grabitçarë të së drejtës ndaj të tjerëve.[17] Ky moment i rëndësishëm në formimin e shoqërisë së shëndoshë. Gjithashtu, është fund i sistemit të deriatëhershëm skllavopronar – plutokratik, mënyrë që të sigurohen nevojat më elementare jetësore. Zekati dhe sadakatë janë një mekanizëm efikas për përmirësimin ekonomik të bashkësisë muslimane dhe forcimin e mekanizmit të fuqishëm për fuqizimin e bashkësisë së musimanëve nga të pasurit drejt të të varfërve në mënyrë institucionale.[18]
b) Domethënia tjetër është se krahas angazhimit material të besimtarit, kjo njëherit është edhe përgatitje për botën tjetër dhe manifestim i aktit të thellë religjioz kurse këtë e dëshmon e Muhammedi a.s., i cili bujarinë e muslimanit e shpie në lidhje të ngushtë me besimin e njeriut.[19] Kur’ani nëpërmjet kësaj dispozite social-altruiste, por dhe të tjerave, shtroi para besimtarëve pyetjen sa janë në gjendje të sakrtifikojnë në emër të Allahut, kurse në të mirë të bashkësisë dhe të pjesëtarëve të saj.
Angazhimi i besimtarit në këtë pikëpamje do të thotë zbatimi i vullnetit të Allahut dhe fitimi i simpatisë dhe mëshirës së Tij, që gjithashtu do të thotë se me këtë caktohet fati i tij për të nesërmen e amshueshme.


4. Haxhi - ??? ?????

Haxhi si përkah aspekti shpirtëror, ashtu edhe përkah aspekti profan ka rëndësi të madhe. Edhe Kur’ani edhe Hadithi i japin tretman të veçantë. Allahu xh.sh. thotë:
“Është obligim i njerëzve ndaj Zotit vizita e Bejtullahut ...”. (Ali Imran, 97).
Kryerja e këtij ibadeti, pa dyshim, është ndër dëshmitë më të forta të besimit të sinqertë, sepse përveç tjerash, është faktor me rëndësi në formimin, forcimin dhe ruajtjen e shoqërisë islame. Haxhi është vetëdijësim dhe falënderim ndaj Krijuesit për jetën e dhënë[20] për shkak të nevojës për Të, që duke u shkrirë në milieun e Tij, mos ta harrojnë “pamjen e Zotit” (`ala suretihi) dhe mos ta zbehin prejardhjen e tyre burimore.[21]
dhe Më tej, haxhi kryen funksionin e shkollës së madhe, ku njerëzit njihen ndërmjet veti, njohin dhe mësojnë historinë dhe trashëgiminë kulturore qytetëruese dhe bëjnë këmbimin e këtyre njohurive. Haxhi është faktor integrues, shtytës i solidaritetit të ndërsjellë dhe anulues i çdo dallimi artificial, kurse përparësitë natyrore ia vë në dispozicion tjetrit. Ai kërkon shkrirjen (tretjen) e të gjithëve në një tërësi unike me ide, ndjenja dhe përjetime.[22]
Haxhi është kongres vjetor islam ku tubohen muslimanët e të katër anëve të botës, është rast për marrëveshje të përbashkëta.
Nga ky kongres apelohet në bashkimin e mendimeve, trasimin e rrugës unike, apelohet në ngritjen e vetëdijes për ndihmë të parezervë solidare, është rast për respektimin e qenies së njeriut, pa marrë parasysh dallimet në ngjyrë, gjuhë, kombe e të ngjashme, të cilat dallime janë cilësi dhe begati e tubimeve të tilla, e kurrsesi faktorë dezintegrues.[23]
Përveç pikëpamjeve të theksuara, haxhi është rast i mirë për lidhjen, për fuzionimin e së kaluarës me të tashmen[24], për përsëritjen e porosive nga e kaluara e lashtë, nga koha e Ibrahimit a.s., Muhammedit a.s. me aktualitetin tonë, për një perspektivë të ndritshme e permanente.
Shkuarja në haxh ekskluzivisht duhet të jetë në emër të Allahut, për ta arritur kënaqësinë dhe afërsinë e Tij. Çdo lajthitje nga ky parim do të thotë dominim i ideve profane në dëm të udhëzimeve të Allahut. Mirëpo, një haxhillëk i këtillë, i përzier me ide dominuese profane më parë do të quhej udhëtim zyrtar, turistik e të ngjashme, se sa haxhi i kryer korrekt (haxhxhun mebrurun), ku dominojnë ngritja e shpirtit deri në perfeksion dhe harmonizimi i veprimeve tona sipas tyre.


5. Agjërimi i ramazanit - ???? ?????

Agjërimi i ramazanit në Kur’an zë vend me rëndësi, kështu që përmendet në 14 vende.[25]Gjithashtu, çdo përmbledhje hadithesh në vete përfshin “Librin e agjërimit”.[26] Edhe veprat e tjera islame, agjërimit i kushtojnë rëndësi të konsiderueshme.
Agjërimi në Islam është rast ideal, rrugë unike dhe shprehje e manifestimit të përkushtueshmërisë së jashtëzakonshme, vetëmohimit dhe vetëngadhënjimit, maturisë dhe frymëzimit, pastërtisë së shpirtit, përkushtueshmërisë Kur’anit dhe të përsiaturit mbi Allahun xh. sh.[27]
Agjërimi është forma më e lartë e devotshmërisë dhe vepër e mirë, e cilas ka rangun më të lartë te Allahu xh.sh. në një hadith kudsij thotë: “Agjërimi është për Mua, dhe Unë për të veçant shpërblej.”[28]
Agjërimi është disiplinim i shpirtit dhe intensifikimi i religjiozitetit te besimtari, intensifikimit të egos religjioze për një vetëdije dhe jetë të mirëfilltë me qëllim për takimin me Absolutin. Agjërimi nuk është rrënim i barrierave të llojllojshme ekzistenciale, por është heshtje e cila ripërtërin dhe e liron fuqinë fascinante të kontemplacionit. Agjërimi nuk e shkatërron as shtangon qenien njerëzore ... por vetëm e qetëson me fuqinë e heshtjes fatlume të agjërimit.[29]
Agjërimi islam, për dallim nga agjërimet në fetë e tjera, paraqet raport aktiv ndaj materies dhe epsheve, që do të thotë se u jep status të mjeteve e jo të qëllimit.[30] Ai është në shërbim të njeriut: shëron shpirtin, drejt e orienton dhe ndihmon në ngadhënjimin e vetvetes, që është qëllimi final dhe më i lartë i agjërimit sikurse edhe çdo ibadeti tjetër.


Përmbledhje

• Shartet e Islamit janë: Besimi i Allahut Një dhe i Vetëm dhe veprimi i mirë në emër të këtij Allahu.

• Pesë ruknet, shtyllat sikur shehadeti, namazi, zekati, haxhi dhe agjërimi janë rite, ceremoni fetare dhe si të tilla janë mjet, rrugë për të sendërtuar synimet e larta deri te Krijuesi absolut, e jo qëllim vetvetiu.

• Shehadeti përbëhet nga dy pjesë: Dëshmimi dhe deklarimi se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dëshmimi dhe deklarimi se Muhammedi është i dërguar dhe rob i Tij.

• Ndër shtyllat më të rëndësishme në Islam është namazi, i cili që të jetë i pranuar kërkon praninë e vetëdijes, të mendimit dhe të praktikës pozitive.

• Zekati paraqet një ndër mjetet më të rëndësishme të mekanizmit islam për mbajtjen dhe ruajtjen e baraspeshës ndërmjet kategorive të ndryshme shoqërore dhe preparat për eliminimin e skajshmërive: i pasur, i varfër etj.

• Haxhi është shkolla më e madhe praktike në botë. I edukon njerëzit të njihen mes veti, t’i eliminojnë të gjitha elementet dezintegruese mes besimtarëve të të gjitha ngjyrave, gjuhëve dhe nacionaliteteve.

• Agjërimi përbën ndërtesën e madhe islame dhe paraqet faktor me rëndësi në të kultivuarit e instinkteve të njeriut dhe manifestimit të tyre në frymë të lartë.

• Nga tërë e theksuara mësojmë se Islami është besim dhe punë praktike. Si puna pa besim ashtu edhe besimi pa punë nuk ka vlerë. Islami nuk kërkon zbatim formal të ibadeteve, as zbatim spiritual, por bashkëdyzim i të dyjave: formës dhe shpirtit, të dukshmes dhe të padukshmes.

________________________________________
[1] El-Muntehabu min’es-sunneh, pjesa I, Kairo, 1961, fq. 345.
[2] Ibn Redzeb El-Hanbeli, Budjenje ambicija, Sarajevo, 2004, fq. 71.
[3] Ibn Redzeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 71.
[4] El-Kur’an: Ali Imran 32 dhe 132; En-Nisa 58, 59, 64, 66, 80; El-Maideh 92 etj. Krahaso: Mahmud Ebu’l-Fejd El-Menufi, Filozofija islama, Sarajevo, 1983, fq. 118.
[5] El-Muntehabu min’es-sunneh, op. cit., fq. 345.
[6] Shih: Husein Djozo, Islam u vremenu, Sarajevo, 1976, fq.34-38.
[7] Shih: Husein Djozo, Tefsir IV, Sarajevo, 1984, fq. 1-7.
[8] Transmeton Bejhekiu, cotiar sipas: Muhjiddin El-Ferraxh, Sherhu metn’il-erbein’en-nevevijjeti fi ehadith’in-nebevijjeti bi kalem Jahja ibn Sherefuddin En-Nevevijj, botimi III, Damask, 1973, fq. 31.
[9] Transmeton Muslimi, 82, cituar sipas: Ibn Redzeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 72. Muslim, Salat, 134.
[10] “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet, të cilët duan vetëm që të duken.”Suretu El-Ma’un, 4-6.
[11] Shih: Husein Djozo, Islam u vremenu, op. cit., fq. 55. Tentimet që arsyetojnë ibadetin me anë të frikës, duke përkthyer tekstualisht ajetet apo hadithet, janë të gabueshme. Të gjitha ibadetet në Islam kryhen për dashuri dhe respekt për Allahun.
[12] Shih: N. Smailagic, Uvod u Kur’an, Zagreb, 1975, fq. 212.
[13] Adnan Silajdzic, 40 Hadisa s tumacenjem, Zenicë, pa vit botimi, fq. 63.
[14] Adnan Silajdzic, op. cit., fq. 64.
[15] Ibn Redzeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 75.
Muhammedi a.s. shembullin e mu’minit dhe muslimit e ka krahasuar me palmën. Nëse një degë e saj thehet, apo nëse ndonjë sezonë palma nuk jep fruta, ajo sërish quhet palmë, edhe pse me degë të thyer apo pa frute. Sipas: Ibn Redzeb El-Hanbeli, op. cit., fq. 75.
[16] Ebu Hanfeh thotë: “Asnjë muslimani nuk ia mohojmë besimin e tij, për shkak të ndonjë mëktati të bërë, qoftë ai (mëkat) edhe i madh, nëse ai atë (mëkat) nuk e mendon të lejuashëm. …”. Në: Imam Ebu Hanifeh, Fikh-ul-ekber, Prizren, 2005, fq. 65.
[17] Shih: Vehbija Hodzic, Temelji islama, I, Sarajevo, fq. 53. Shih ajetin: “Thuaj: Tepricën...”. El-Bekareh, 219.
[18] Adnan Silajdzic, op. cit., fq. 82-83.
[19] Adnan Silajdzic, op. cit., fq. 80-81.
[20] Krhs.: El-Askalani, Fet’h’ul-bari III, fq. 98.
[21] Adnan Silajdzic, op. cit., fq. 94-95.
[22] Husein Djozo, Islam u vremenu, op. cit., fq. 86-91.
[23] Husein Djozo, Islam u vremenu, op. cit., fq. 85-98.
[24] Husein Djozo, Islam u vremenu, op. cit., fq. 96.
[25] Shih te Buhariu, Muslimi dhe përmbledhjet e tjera të haditheve.
[26] Shih: El-Bekareh, En-Nisa, El-Maideh, El-Ahzab, El-Muxhadeleh.
[27] Muhammed Abdullah Draz, Agjërimi i ramazanit, Prishtinë, 1988, fq. 1.
[28] Transmetohet sipas: Izbor poslanikovih hadisa, zgjodhi dhe përktheu Jakup Memic, Sarajevo, 1985, numri i hadithit 987.
[29] Nexhat Ibrahimi, Agjërimi gjatë historisë, Dituria islame, nr. 8-9/1988, prishtinë, fq. 19.
[30] Husein Djozo, islam u vremenu, op. cit., fq. 79. Adnan Silajdzic, op. cit., fq. 85-87.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi