Fisnikëria e misionit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së institucionit të vakëfit

Pasuritë e vakëfeve janë një amanet i njerëzve bujarë e shpirtçiltër myslimanë, që i kanë lënë në duart e rojtarëve besnikë.

Vakëfet janë një fenomen human e shoqëror, që buroj- në krejt natyrshëm nga shpirti dhe morali hyjnor islam. Ai është njëri prej institucioneve sociale që kishte dhe do të ketë një ndikim të pashembullt në ndërtimin e zhvillimin e vendeve myslimane.
Duke qenë të tilla, këto institucione me peshë, shpeshherë u rrezikuan e u atakuan gjatë gjithë historisë. Mirëpo, ato iu mbijetuan të gjitha sfidave e furtunave me tendencë shfarosëse, falë Zotit së pari, por pastaj edhe falë një kujdestarie fisnike që ia kushtuan atyre pasurive, myslimanët gjithandej në viset islame.
Pasuritë e vakëfeve janë një amanet i njerëzve bujarë e shpirtçiltër myslimanë, që i kanë lënë në duart e rojtarëve besnikë. Dhe vakëfet ekzistente edhe sot në të gjitha vendet islame janë një dëshmi e gjallë e ruajtjes së këtij amaneti. Pa një përkujdesje e vetmohim të tillë, ato do të zhdukeshin e do të harroheshin që moti. Për këtë tipar të besnikërisë ndaj amaneteve, e të ruajtjes së pasurive publike, Zoti i Madh na foli e na solli shembuj ilustrues, të cilët edhe sot motivojnë secilin njeri zemërdëlirë që të stoliset me këtë tipar.
Në një rrëfim të mahnitshëm të kësaj besnikërie, Kurani rrëfen edhe një insert domethënës nga jeta e të dërguarit të Allahut, Jusufit a.s.. Ai pasi që u ofrua nga prijësi i Egjiptit, brenda oborrit “mbretëror” si njeri i dijshëm dhe me virtyte të larta morale, iu besua edhe një detyrë tejet e ndjeshme, e që ishte ruajtja, zhvillimi dhe menaxhimi i financave të shtetit. Kurani e dëfton këtë insert të bisedës së Jusufit a.s., me rastin e ngarkimit të tij me këtë detyrë. Ai na tha: “Dhe tha sundimtari (mbreti): “Ma sillni atë (Jusufin), do ta marrë në suitën time (si këshilltar special)”. E, pasi bisedoi me të, i tha: “Prej sot, ti te ne, ke pozitë të lartë dhe je i besuar”. (Jusufi) tha: “Më cakto të udhëheq për thesarin e vendit. Unë, me të vërtetë, jam ruajtës (besnik) dhe i dijshëm. Dhe kështu, ia dhamë Jusufit pozitën në vend (Misir), dhe ai në të vendosej ku të donte. Na e shpërblejmë me mëshirën Tonë, kë të duam. Bamirësve, Ne nuk ua humbim shpërblimet.” (Jusuf, 53-55).
Që nga ky çast, personaliteti i Jusufit a.s. tashmë ballafaqohet me sfida e sprova të reja, që për nga natyra dallojnë nga sprovat e mëhershme. Ai la pas sprovat e zilisë së vëllezërve dhe ato të tundosjes nga gjinia e kundërt, duke shpëtuar me ndihmën e Zotit, faqebardhë e pa njollosje në karakterin e tij. Ndërsa tani, ai ka para vetës sprovën e besueshmërisë, autoritetit, namit e të pozitës. Në duart e tij tashmë janë “çelësat” e thesareve të Egjiptit. Ai ishte që përcaktonte se kush dhe sa duhet të merrte nga ato thesare mbretërore.
Përshkrimi kuranor për tiparet e Jusufit a.s. siç do të thoshte tefsirologu me nam, Muhamed T. bin Ashuri, është përvijimi më i kompletuar i tipareve e virtyteve që i nevojiten një njeriu që i besohet një detyrë publike. Kështu, nëpërmes diturisë e njohurisë së tij, ai do t’i veprojë ato gjëra që janë të dobishme e në interes publik. Ndërsa me besueshmërinë e tij, ai do t’ua realizojë të drejtat njerëzve që janë të denjë për to (e nuk do të jetë përvetësues). Kështu Jusufi a.s. e kërkoi përgjegjësinë e ruajtjes së thesarit e të financave të shtetit, si dhe të shpërndarjes së drejtë e korrekte të atyre pasurive, tek ata që janë meritorë për të.(1)
Edhe i Dërguari ynë, Muhamedi s.a.v.s. duke dëshiruar që të përshkruaj vlerën e këtij amaneti, dhe se sa do të shpërblehet ai që e kryen atë në formë besnike, na tha: “Rojtari i pasurisë (publike) që është besnik, dhe që e shpenzon me çiltërsi atë që i është besuar, dhe këtë e bënë në formë të denjë e të plotë te meritorët për të cilët është urdhëruar, konsiderohet sikur njëri prej kontributdhënësve - dhurueseve të asaj pasurie.”(2)
Pra, meqë misioni i ruajtjes së pasurisë publike, veçanërisht asaj të vakëfeve është tejet i shenjtë aq sa edhe i vështirë, andaj edhe shpërblimi për këtë vepër fisnike nëse kryhet me besnikëri është po ashtu madhështor. Hadithi, e bëri bashkëpjesëmarrës në shpërblim, edhe rojtarin besnik të asaj pasurie, sikurse vetë kontribuuesin e saj.

Ç’është kujdestaria ndaj vakëfeve dhe cila është pesha e saj në të drejtën islame?

Meqenëse vakëfet janë një nga institucionet më të fuqishme ekonomike, sociale, kulturore e humane islame, natyrshëm që myslimanët, gjatë gjithë historisë, i kushtuan një kujdes të veçantë ruajtjes, mirëmbajtjes e zhvillimit të tyre.
Pra, kujdestaria ndaj vakëfeve nënkupton atë kompetencë ligjore që e autorizon personin (fizik apo juridik) të ruajë, menaxhojë e shpërndajë përfitimet e tij te fondacionet ose personat meritorë.(3)
Për këtë detyrë u përcaktuan-emëruan njerëz që kanë atribute e virtyte të larta, të cilët do të kujdeseshin për ruajtjen e vakëfeve, si dhe do të bënin përpjekje maksimale për menaxhim të mirëfilltë të tyre. Personat që morën mbi supet e veta këtë detyrë, në literaturën islame i gjejmë të emërtuar ose me termin - Nadhir el Vakf (kujdestar-ruajtës i vakëfit) ose - Mutevel-liij (Menaxhues i vakëfeve dhe i autorizuar për përkujdesje ndaj tyre). Mbi supet e kujdestarit është vendosur një amanet jo edhe aq i lehtë, që nëse do të kryhej me besnikëri, vakëfet dhe fondacionet e tyre do të sjellin përfitime të mëdha për besimtarët, por edhe për vetë kujdestarin, ngase ai do të shpërblehet nga Allahu i Madhërishëm për punën fisnike që e ka kryer. Edhe në të kundërtën, nëse ka shpërfillje të përgjegjësisë, apo neglizhim të saj, pasojat do të vërehen te kujdestari, sepse i tilli do t’i shkoj Allahut me një barrë të rëndë të mëkatit, ndërsa edhe myslimanët do të pësojnë, ngase ata
në këtë rast nuk po përfitojnë nga një fondacion i tillë, i cili është i bërë e ligjësuar për ta përmirësuar jetën e tyre në atë vend.
Të drejtën ekskluzive të përcaktimit të kujdestarit të vakëfit, apriori, sipas mendimit të të gjithë dijetarëve islamë e ka vakëflënësi, nëse ai veç dëshiron që ta bëjë këtë përcaktim. E nëse ai nuk dëshiron që ta përcaktojë kujdestarin, ose ka heshtur dhe nuk ka përcaktuar fare askënd, atëherë kujdestarinë e vakëfit e merr gjykatësi islam. E nëse ai nuk ekziston, atëherë këtë kujdestari e merr përsipër vetë personi fizik ose juridik të cilit i është lënë ajo pasuri vakëf.(4)
Sot, në shumë prej shteteve islame këtë mision e kryejnë ministritë gjegjëse, të ashtuquajturat Ministritë e Vakëfeve, e diku ndoshta Drejtoritë e Përgjithshme të Vakëfeve. Ndërsa në vendet ku myslimanët kanë krijuar komunitete të konsoliduara fetare, por që shteti nuk interferon në çështjet e fesë (sikur te ne myslimanët e Ballkanit, apo edhe gjetiu), ky obligim, krejt natyrshëm ka mbetur nën përkujdesjen e Institucioneve Fetare Islame, siç janë bashkësitë islame. Kjo, për dallim nga shumë shtete të ndryshme të Evropës, ku myslimanët janë pakicë, e që aty gjejmë që me kujdestarinë e ndonjë vakëfi eventual, merret ndonjë këshill fetar islam, ndoshta edhe i karakterit lokal, ndonjë organizatë apo shoqatë islame që merret me mbarëvajtjen e jetës fetare islame atje.
E, para se të themeloheshin Ministritë e Vakëfeve apo Drejtoritë e Përgjithshme, në ato shtete islame, deri në një periudhë jo shumë të largët, ekzistonte një rend ligjor i bazuar në mendimin i lartcekur juridik, që kompetencën e përcaktimit të kujdestarit të vakëfeve e kishte vetë vakëflënësi e jo dikush tjetër. Por, më vonë ky rend është ndryshuar, dhe kompetenca e përcaktimit të kujdestarit të vakëfit ka kaluar te gjykatat gjegjëse e jo më te vakëflënësi. Ky ndryshim është bërë për shkak të problemeve që kanë lindur nga mos menaxhimi i denjë i vakëfeve prej atyre njerëzve që ndoshta në syrin e vakëflënësit ishin meritorë, por që të njëjtit nuk arritën të realizojnë synimet sublime të vakëflënies.(5)
Andaj, edhe është relevante të theksohet ky fakt se, institucionalizimi i përkujdesjes ndaj pasurisë së vakëfeve është një hap para në rrugën e zhvillimit e konsolidimit të mirëfilltë të këtij sektori kaq të rëndësishëm për jetën e myslimanëve.
Natyrisht që kujdestaria ndaj vakëfeve po që se është individuale, gjithmonë është më e mundshme që të tillat pasuri t’i ekspozohen rrezikut të asgjësimit apo të përvetësimit të saj nga ana e njerëzve të papërgjegjshëm. Ndërsa në rast të institucionalizimit të saj, zvogëlohen mundësitë për një gjë të tillë, ani pse sërish duhet syçelësi e inspektim vigjilent nga institucionet gjegjëse.

Kushtet që duhen plotësuar nga ata që merren me kujdestarinë e vakëfeve

Personat që autorizohen nga cilido institucion qoftë për pakujdesje ndaj vakëfeve, apo edhe ndoshta dikur që janë autorizuar nga vetë vakëflënësit, duhet doemos të posedojnë tipare e virtyte të larta fetare, e morale. Një shfletim i literaturës juridike islame, na zbulon se juristët islamë, nga të gjitha shkollat juridike islame, i kanë specifikuar kriteret e kushtet, që i kanë kushtëzuar t’i kenë kujdestarët e vakëfeve, në mënyrë që të sigurohet se ato do të menaxhohen në formë të denjë, e rrjedhimisht do të jenë edhe dobiprurëse për shoqërinë islame në çdo kohë.
Përpos tri kushteve të njohura, që kushtëzohen pothuajse në të gjitha përgjegjësitë njerëzore, dhe pa të cilat njeriu nuk ngarkohet me asnjë përgjegjësi as para Allahut (pra të jetë mysliman, moshërritur e mentalist i shëndoshë), për personat e tillë (mutevl-litë) kushtëzohen edhe këto dy kushte:
-Besueshmëria e korrektësia fetare – El-Adaleh. Por, cila është domethënia eksplicite e besueshmërisë e korrektësisë, si tipare të kujdestarit të vakëfeve?
Imam Zejleiu, nga dijetarët e mëdhenj të hanefitëve thoshte se me “el-adaleh” për qëllim është përmbajtja ndaj normave të Islamit dhe kthjelltësia e mendjes.
Ndërsa Ibën Haxhibi, nga dijetarët malikit, thoshte se me të është për qëllim, praktikimi i Islamit, shmangia nga mëkatet e mëdha dhe mos këmbëngulja ose mos vazhdimësia në ato të voglat.
Ndërsa, Xhelaluddin es-Sujutij, nga kolosët e shkencave të ndryshme islame, kishte dhënë një përkufizim që me të janë pajtuar një pjesë e madhe e dijetarëve edhe të mëvonshëm. Ai tha se me për qëllim me “el-adaleh” është ai virtyt ose tipar i ngulitur në personalitetin e njeriut që e pengon atë nga kryerja e ndonjë mëkati të madh, apo ndonjë mëkati të vogël, por i cili
tregon për karakter të ulët, apo që vepron ndonjë vepër që është e lejuar, por që bie ndesh me tiparet e burrërisë islame (El-Muruetu).(6)
Këto kritere, siç edhe vërehen, janë vendosur kryekëput për të ruajtur së pari pasurinë e vakëfeve nga shpërdorimi, por pastaj edhe për të ruajtur kujdestarin e vakëfeve nga mëkatimi.
-Kompetenca dhe aftësia – El-Kefaetu. Me këtë tipar është për qëllim aftësia e personit që të përkujdeset për vakëfet në mënyrë që ai të menaxhojë në mënyrë të mirëfilltë me vakëfet, si pasuri me vlerë që është lënë amanet në duart e tij.(7)
Këto dy tiparet e fundit, pos atyre të njohurave që kuptohen apriori (mysliman, moshërritur, mentalisht i shëndosh), janë thelbësore për një mbarëvajtje e zhvillim të pasurive vakëfnore, që në literaturën islame i gjejmë se janë trajtuar si amanete që u janë besuar njerëzve përgjegjës për to.
Të tillat kritere nuk vjetërsohen e as nuk de-legjitimohen me kalimin e kohës, ngase si të tilla burojnë nga argumentet dhe fryma e përgjithshme e dispozitave hyjnore islame.


______________________
1. Muhamed Tahir bin Ashur, Et-Tahrir Ve et-Tenvir (6/8). Bot. i parë, Daru Sahnun, Tunis, 1997.
2. Hadithin e evidenton Buhariu në “Sahih” të tij (nr: 2319), Muslimi në “Sahih” (nr: 1023), pra hadithi është Muttefak alejhi, por është koleksionuar edhe nga të tjerët.
3. Muhamed Mustafa esh-Shelebij, Ehkam El-Vesaja ve El-Evkaf, (fq.398). Bot. i katërt, Daru El-Xhamiijeh, 1982.
4. Shih: Muhamed Ebu Zehre, Muhaderat Fi El Vakf. (fq.307). Bot. i dytë. Daru el Fikr El Arabij, Kajro, 1972. Pastaj shih edhe: El-Mevsuat El-Fikhijje El-Kuvejtijje. (36/100). Bot. i dytë nga Ministrisë së Vakëfeve dhe Çështjeve Islame të Kuvajtit, 1427 lunar.
5. Muhamed Mustafa esh Shelebij, Ehkam El -Vesaja ve El-Evkaf, (fq.399). Bot. i katërt, Daru El-Xhamiijeh, 1982.
6. Muhamed el-Kubejsi, Ahkam El-Vakf Fi Esh-Sheriah El-Islamijjeh. (2165-166). Bot. i parë, Matbeatu El-Irshad. Bagadad, 1977.
7. Dr. Vehbetu ez-Zuhejlij, El-Fikh El-Islamij Ve Edil-letuhu (10/7687). Bot. i katërt, Daru el Fikr, Damask, 2004.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi