Xheneti është një vend në të cilin do të hyjnë vetëm ata që janë të pastër nga mëkatet.
Në Xhenet duhet të hysh i pastruar nga çdo mëkat, çfarëdo qoftë. Këtë e thotë vetë Allahu xh.sh në Kuran, ku melekët do t’u thonë banorëve të Xhenetit:
“…“Selamun alejkum” - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë”. (Zumer 73)
Kushti për të hyrë në Xhenet, është që të jesh i pastër nga çdo mëkat. Por, kush prej nesh është i pastër dhe pa mëkate? Meqenëse nuk ka njeri që nuk gabonë, Zoti xh.sh ka caktuar njëmbëdhjetë stacione pastrimi të mëkateve. Këto stacione janë: katër në këtë botë, tre në jetën e varrit dhe katër pas ringjalljes së njerëzve.
Do t’i përmendim të gjitha më radhë këto stacione, duke filluar nga ato katër të kësaj botë:
1.) Tevbja ose pendimit - është stacioni i parë me të cilin Allahu xh.sh do t’ua fshijë mëkatet njerëzve. Allahu xh.sh në Kuran thotë: “…Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”. (Nur 31)
Le të pendohemi për të gjitha mëkatet që i kemi bërë deri më sot.
2.) Istigfari - (të thuash “estagfirullah” që d.t.th “O Zot më fal”). Ndryshimi i istigfarit me pendimin qëndron në atë se istigfari është për të gjitha mëkatet që i di dhe ato që nuk i di. Muhamedi s.a.v.s bënte istigfar më shumë se 70 herë në ditë. Muhamedi a.s thotë: “Kush i lutet Zotit që ta falë (bën istigfar) në mënyrë të vazhdueshme, Zoti do t’i japë zgjidhje për çdo hall, do t’ia largojë gjërat që e preokupojnë dhe do ta furnizojë nga nuk e pret”.
3.) Fatkeqësitë që i fshijnë mëkatet - Për këtë Muhamedi a.s thotë: “Është për t’u habitur me çështjen e besimtarit. Çdo gjë për të është në të mirën e tij dhe kjo është veçse për besimtarin. Nëse i jepet një mirësi, ai falenderon Zotin dhe kjo do të jetë në favor të tij. Nëse e prek diçka e keqe, ai duron dhe përsëri është në favor të tij”.
4.) Veprat e mira i fshijnë ato të këqijat - Një njeri, në kohen e Muhamedit a.s kishte bërë një mëkat të madhë, dhe e pyet Muhamedin a.s se çfarë duhej të bënte, që ta shlyente këtë mëkat. Por, Muhamedi a.s i kthen shpinën i zemëruar. Atëherë zbriti ajeti i mëposhtëm:
“Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën dhe) të natës. S'ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat”. (Hud 114)
Që të jesh musliman nuk do të thotë që të jesh i pagabueshëm dhe të mos kesh mëkate, por të dish se si të veprosh pas mëkatit. Ajo që duhet të bësh, është që të pendohesh dhe të bësh një të mirë që të fshijë mëkatin.
Nëse nuk do na pastrojnë nga mëkatet këto katër stacione në këtë botë, Zoti na ka caktuar dhe tre të tjerë në jetën e varrit, ato janë:
1.) Namazi i xhenazes - Ai shërben për faljen e mëkateve të të vdekurit. Prandaj kujt i vdes ndonjë i afërt, le të mbledhë sa më shumë njerëz fetarë për t’ia falur xhenazen, gjë për të cilën i vdekuri ka shumë nevojë.
2.) Frika dhe tmerri që ndjen njeriu gjatë qëndrimit në varr. Ngaqë është i vetëm, do të japë llogari para dy melekëve në errësirën e varrit...
E gjitha kjo do të jetë shkak për pastrimin e mëkateve. Kjo do të ndodhë, nëse nuk je pastruar akoma. Kurse nëse je pastruar nga mëkatet qysh në dynja, me pendim, istigfar dhe vepra të mira, nuk do të ndjesh frikë dhe tmerr në varr.
3.) Punët e mira që të gjallët ua dhurojnë të vdekurve - Shihni se ç’mëshirë të madhe ka Krijuesi për robërit e Tij. Edhe pasi të vdesë, ka bërë të mundur që të përfitojë nga të gjallët besimtarë që luten, japin sadaka etj... për të vdekurin e tyre. Për këtë Muhamedi a.s thotë: “Kur njeriu vdes i ndërpritet çdo punë, përveç tre gjërave: Një sadaka që vazhdon, një dije që ka lënë me të cilën kanë dobi njerëzit dhe një fëmijë besimtar që lutet për të”.
Nëse do të ketë njerëz që akoma nuk janë pastruar nga mëkatet, përsëri Zoti nuk do na lërë, por ka caktuar për të edhe katër stacione të tjerë.
1.) Frika dhe tmerri që do të përjetojnë njerëzit në Ditën e Gjykimit - Do të ulet dielli mbi kokat e njerëzve. Të gjitha këto vuajtje do të jenë pastruese të mëkateve të njerëzve.
2.) Paraqitja dhe qëndrimi para Zotit, gjë e cila do të jetë më e vështira - Do të qëndrojmë para Tij dhe do të na pyesë për ato punë që kemi vepruar në këtë dunja. Do të thotë: “Hape librin e veprave t’ua dhe lexoji ato që ke vepruar në dunja!” “O filan, a nuk më patë aspak frikë kur e bëre këtë gabim? A nuk e ndjeve që Unë të shikoj e të dëgjoj? A nuk të dhashë mirësi dhe ti i përdore ato për mëkate?! Përse fshihesh prej njerëzve, dhe nuk të shqetësonte fakti që dhe Unë të shikoj?”
3.) Shefati (ndërmjetësimi) i Muhamedit a.s. - Për këtë me një thenie thotë: “Çdo pejgamber ka një lutje që i pranohet te Zoti. Pejgamberët tjerë e kërkuan t’u plotësohej në këtë botë, kurse unë e kam vonuar për Umetin tim Ditën e Kiametit”.
4.) Falja e Zotit - I cili do të thotë në Ditën e Kiametit: “Ndërmjetësuan melekët, ndërmjetësuan pejgameberët, Ndërmjetësuan dhe besimtarët për njerëzit e tyre të afërt, Ndërmjetësoi dhe i dashuri im pejgamberi Muhamed. Tani është radha e faljes sime. Saqë edhe shejtani – thotë Muhamedi a.s – do të zgjatet në majë të gishtave me shpresë se mos e arrin falja e Zotit edhe atë”.
Por, përsëri do të ketë njerëz, të cilët nuk janë pastruar dhe që do të hyjnë në Xhehenem. Pas gjithë këtyre stacioneve për pastrimin e mëkateve dhe të mos pastrohesh? Këta do të futen në zjarr që të pastrohen, ashtu si floriri, i cili do temperaturë të lartë derisa të pastrohet dhe të mbetet flori i pastër.
Nga të gjitha stacionet që përmendëm, ato që i ka në dorë njeriu janë vetëm tre të parat:
Pendimi, Istigfari dhe punët e mira.