Disa pyetje dhe përgjigje praktike

Përgjigjet e dhëna më poshtë, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si fetva, por janë thjesht përgjigje në pyetjet e parashtruara nga disa vëllezër besimtarë, sepse unë konsideroj se fetva mund të ofrojë vetëm institucioni e jo edhe individi jomuxhtehid.

Shumë besimtarë dhe dashamirë të mi, gjatë bisedave me ta, shpeshherëm më pyesin për disa çështje të cilat iu interesojnë. Ka ndodhur që dikush të më marrëmadje edhe në telefon dhe të më pyesë, f.v. rreth marrjes së borxhit për të shkuar në haxh, ndërkohë që një miku im i moçëm, pasi kishte marrë injeksionin për ta nxjerrë dhëmbin, më pyeti nëse e ka prishur agjërimin e asaj dite...? Me kalimin e kohës, fitova përshtypjen se pyetjet janë mjaft praktike dhe aktuale, prandaj fillova edhe t’i shënoja në një fletore personale. Jo rrallëherë kam shfletuar edhe literaturë përkatëse nga librat bazë të fikhut të shkollës juridike hanefite lidhur me disa nga këto pyetje të parashtruara.
Më vonë, vendosa që disa prej tyre t’i qesë në letër, me të vetmin qëllim që ndoshta ndonjë lexues kureshtar mbase edhe mund të përfitoj sadopak nga këto shënime!
Përgjigjet e dhëna më poshtë, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si fetva, por janë thjesht përgjigje në pyetjet e parashtruara nga disa vëllezër besimtarë, sepse unë konsideroj se fetva mund të ofrojë vetëm institucioni e jo edhe individi jomuxhtehid.
Në vazhdim, po jap disa nga këto pyetje si dhe përgjigjet për to, gjithnjë duke e lutur Allahun e Gjithëmë- shirshëm të më falë për ndonjë lëshim eventual me pa dashje.

Kam dëshirë të shkojë në Qabe për ta kryer haxhin, mirëpo, mjetet financiare që i kam tubuar, nuk më mjaftojnë. A më lejohet të hyj në kredi bankare ose t’i huazojë nga një mik, me qëllim që t’ia kthej sapo të më jepet mundësia?

Haxhi është shtylla e pestë e fesë islame, është ibadet i cili i ka kushte dhe dispozita të përcaktuara në mënyrë strikte, e të cilat duhet t’i plotësojë personi që dëshiron ta kryejë atë. Një prej kushteve ecenciale për ta kryer haxhin, është edhe posedimi i mjeteve të nevojshme financiare. Në rast se një besimtar nuk e posedon sasinë e nevojshme të mjeteve materiale, atëherë nuk e ka obligim kryerjen e haxhit. Personit i lejohet mbase ta plotësojë sasinë që i mungon, me pak mjete hua, gjithnjë me kusht që të ketë p.sh. palujtshmëri ose makinë, që arrin ta mbulojë vlerën apo sasinë e mjeteve të huazuara e madje edhe më shumë. Përveç kësaj, ai në rast se e merr rrugën e haxhillëkut, gjithsesi duhet t’i porosisë trashëgimtarët e tij që, në rast se nuk kthehet i gjallë nga haxhi, ta kthejnë huan nga pasuria e tij.
Ndërkohë, marrja e kredisë nga banka për kryerjen e haxhit, nuk është e lejuar, pavarësisht sasisë së kamatës, qoftë e vogël (e butë) apo më e madhe.

A mund t’i shkurtojmë dhe t’i bashkojmë namazet kur udhëtojmë jashtë vendbanimit tonë, qoftë për piknik ose për një vikend?

Sipas shkollës hanefite, kur një udhëtar i plotëson kushtet e udhëtarit (mysafirit), ai duhet t’i shkurtojë namazet katër rekatëshe, por jo edhe t’i bashkojë dy namaze përnjëherësh.
Për ta plotësuar kushtin e shkurtimit, duhet të keni udhëtuar mbi 90 km. dhe të qëndroni në një vend më pak se 15 ditë. Nëse shkoni p.sh. nga Prishtina në Tiranë ose anasjelltas dhe keni vendosur që të qëndroni 3 ditë, namazet katër rekatëshe duhet t’i shkurtoni duke i falur dy rekate, dhe atë kur faleni vetëm. Ndërsa, nëse faleni pas imamit vendor, i cili i falë namazet e plota, ju duhet t’i mbështeteni atij imamit, dhe t’i falni pas tij katër rekate të plota.
Me një rast, dikush kishte thënë se gjatë një udhëtimi nuk i kishte shkurtuar namazet, dhe kur për këtë kishte dëgjuar haz. Omeri, ai qe hidhëruar dukshëm dhe kishte thënë: “Po kush na qenka ai burrë që nuk e pranuaka lehtësimin e Zotit?!!!”
Mbani mend, se duhet kushtuar një vëmendje të posaçme që për t’u shkurtuar namazet, duhet të plotësohen këto kushte:

1. Distanca e udhëtimit duhet të jetë mbi 90 km., dhe
2. Qëndrimi në atë vend ku udhëton të jetë më pak se 15 ditë. Kurse sa i përket bashkimit të dy namazeve, kjo sipas shkollës sonë juridike hanefite, nuk lejohet.

Aktualisht gjendjen materiale e kam të mirë sepse kryej një punë për të cilën marrë një rrogë solide. Mirëpo, e kam një borxh të mëhershëm të cilin akoma nuk e kam kthyer. Më intereson: a duhet kthyer borxhin apo duhet dhënë zekatin?

Nga mjete solide financiare që aktualisht i posedoni, ju fillimisht duhet ta ndani një sasi për shlyerjen e borxhit që e keni, kurse pjesën e mbetur duhet ta llogaritni për dhënie të zekatit.
Kthimi i borxhit ka përparësi në këtë rast, dhe është prioritet, e pastaj për pjesën e mbetur duhet dhënë zekatin.
Nuk duhet harruar se zekati në të holla i ka dy kushte:

1. Që sasia e mjeteve financiare të ketë arritur nisabin, (këtë vit është llogaritur 5105 euro), dhe
2. Që atë pasuri (ato mjete) ta ketë pasur në posedim më shumë se një vit të plotë lunar (hixhrij). Zekatin e mjeteve të borxhit duhet ta jep huadhënësi.

A mund të na shpjegoni diç rreth sexhdes së leximit (sexhde tilave). Çka ndodh nëse këtë sexhde nuk e bëjmë gjatë namazit? Si duhet të veprojmë kur e lexojmë suren “El-Alek” e cila në fund të saj e ka ajetin e sexhdes ose suren “El-Inshikak” në një rekat? E mora si shembull këtë sure sepse ajo i ka gjithsej 25 ajete, e pas leximit të ajetit 21 duhet bërë sexhde tilave.

Sexhde tilavetin ose sexhden e leximit duhet bërë menjëherë pas leximit të ajetit të sexhdes në namaz.
Në Kuran janë gjithsej 14 ajete të tilla, kështu që pas leximit të njërit prej tyre, si lexuesi ashtu edhe dëgjuesi e kanë obligim bërjen e një sexhdeje, e cila me këtë rast është vaxhib. Sipas dispozitave të fikhut në medhhebin tonë, sexhde tilaveti në namaz është obligim i menjëhershëm (vaxhib mudajjek), sepse është bërë në bazë të asaj që është pjesë e namazit (rezultat i kiraetit në namaz), prandaj edhe veprohet sipas rregullave të namazit, sepse bëhet pjesë e namazit.
Nëse një person teksa po falej, e dëgjon ajetin e sexhdes nga një person tjetër jashtë namazit, ai atë sexhde do ta bëjë pas përfundimit të faljes së namazit e jo në namaz.
Në qoftë se besimtari në namaz e lexon suren “El-Alek” të tërën, e dihet se në fund të saj është ajeti i sexhdes, pas leximit të atij ajeti, shkon në ruku dhe në sexhde, duke i bashkuar njëkohësisht të dyja: sexhden e rekatit dhe atë të leximittilavetit.
Ndërkaq, nëse në namaz e lexon suren “El-Inshikak”, pas ajetit të saj të 21-të, fillimisht duhet ta bëjë një sexhde tilave dhe të ngrihet në kijam për të vazhduar me leximin edhe të ajeteve vijuese, e pastaj vazhdon normalisht namazin deri në fund.
Ebu Hurejreja transmeton hadithin sipas të cilit Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur i biri i Ademit e lexon ajetin e sexhdes dhe bënë sexhde, shejtani largohet nga aty duke qarë e duke thënë: - I gjori unë, i biri i Ademit u urdhërua me sexhde dhe ai e bëri atë, ndaj për të është Xheneti, e unë u urdhërova me sexhde e nuk e bëra sexhden, e për mua është zjarri i Xhehenemit!” (Muslimi)
Është mekruh tahrimen të lexohet surja, e cila ka ajet të sexhdes duke e braktisur ajetin e sexhdes dhe të vazhdohet me ajetet vijuese ose me sure tjetër. Nëse personi nuk e ka bërë sexhde tilavetin, por ka vazhduar të lexojë tre ose më shumë ajete, (si te rasti i sures “El-Inshikak”) atëherë ai e ka lënë një vaxhib dhe për këtë shkak duhet të bëjë sehvi sexhde për shkak të atij lëshimi.
Në përgjithësi, imami me xhemat mundësisht duhet të shmangë leximin e ajeteve të sexhdes me se obligohet me bërjen e sexhde tilavetit, pasi kjo mund ta ngatërrojë xhematin nëse ata (mukteditë) nuk janë të njohur me këtë rregull. Ose, nëse vendos që të lexojë të tilla ajete, atëherë para se të hyjë në namaz duhet njoftuar ata që falën me të.

Sa është minimumi i personave të cilët duhet të prezantojnë për t’u plotësuar kushti për ta falur namazin e xhumasë. I kam pyetur disa hoxhallarë, por jo të gjithë më kanë dhënë mendim identik!

Namazi i xhumasë është namaz shumë i veçantë javor, i cili, përveç tjerash kërkon që numri i besimtarëve që dëshirojnë ta falin atë të jetë sa më i madh. Prandaj, për kryerjen e këtij namazi krahasuar me namazet e rregullta ditore, kërkohen kushte shtesë. Në veprat e fikhut, ndër të tjera, theksohet edhe numri i xhematit të pranishëm, minimumi i të cilit mundëson faljen e këtij namazi. Sipas Ebu Hanifes dhe imam Muhamedit, përveç imamit duhet të prezantojnë edhe tre xhematlinj. Ebu Jusufi ka thënë se përveç imamit duhen edhe dy xhematlinj. Mendimi i parë është më i pranueshëm dhe konsiderohet mendimi sipas të cilit duhet vepruar (mufta bihi-l-kavl).

Dikush po hyn në xhami ditën e xhuma me vonesë, dhe duke qenë hatibi në minber (hytbe), fillon të fal rekate sunet. Si të veprohet me këtë rast?

Në qoftë se dikush hyn në xhami me vonesë, akoma pa hipur hatibi në hytbe dhe fillon të falet, ai duhet ta vazhdojë faljen e synetit të xhumasë. Ndërkaq, pasi që hatibi të ketë hipur në minber, nuk bën të fillohet me faljen e synetit por duhet dëgjuar hytben (këshillën e së premtes), e cila me këtë rast është farz, e dihet se farzi ka përparësi nga syneti.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998- 99), familja jonë ka qenë e detyruar të gjejë strehim në Shqipëri, ndërkohë nëna jonë ka ndërruar jetë dhe është varrosur në Shqipëri. Viteve të fundit, shumë njerëz po na thonë që nënën ta rivarrosim në varrezat e fshatit tonë. A lejohet sipas Sheriatit që xhenazen e nënës ta nxjerrim nga varri dhe ta sjellim e ta rivarrosim në vendin tonë? A lejohet eks’humimi i të vdekurit pa ndonjë arsye madhore apo pa ndonjë shkak të arsyeshëm?

Sipas të drejtës së Sheriatit, nuk lejohet zhvarrimi i të vdekurit (të varrosurit) dhe rivarrimi në ndonjë lokacion tjetër, pa ndonjë nevojë madhore. Nevojë madhore mund të konsiderohet nëse i vdekuri mysliman është i varrosur në varreza jomyslimane, ose nëse qeveria ka vendosur për dislokimin e të gjitha varrezave, ose kur kemi të bëjmë me një vendim gjykate për eks’humim për ndonjë arsye bindëse të lejuar me ligj. Në rastin tuaj nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye si këto që i përmendëm, prandaj më mirë është të mos e bëni eks’humimin e nënës tuaj, pra të mos e zhvarrosni për ta rivarrosur për të dytën herë, për faktin se është e panevojshme. Madje, është princip themelor që njerëzit të varrosen në vendin ku edhe kanë ndërruar jetë, përveç nëse ka një arsye që i vdekuri të varroset në një lokacion tjetër, në varreza tjera, dhe kjo është e lejuar.
Raste të kësaj natyre janë rastet kur njerëzit tanë ndërrojnë jetë në kurbet e dëshira e tyre është që të varrosen në vendlindje.

Sa është çmimi i fidjes për këtë vit (për këtë Ramazan 2022)?

Fillimisht të konstatojmë se ç’është në të vërtetë fidja. Fidja është detyrimi i personit që nuk ka agjëruar ndonjë ditë ose tërë Ramazanin me arsye, për ta ushqyer një të varfër me shujtë ditore.
Një gjë duhet ditur se ditët e pa agjëruara me arsye (sëmundja ose udhëtimi) duhet të agjërohen kurdo që personi ka mundësi, e nëse nuk ka mundësi të agjërojë, atëherë ai duhet të paguajë fidjen (bazuar në dispozitat e ajetit 184 të sures El-Bekare dhe në praktikën pejgamberike - synet).
Rëndom kjo caktohet duke marrë si bazë mesataren e sadekatul-fitrit. Këtë vit, si zakonisht, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës e ka caktuar që sadekatul-fitri të jetë 2, 3, 5 dhe 10 euro. Kështu që fidja, bazuar në mesataren e mësipërme, duhet të jetë 5 euro. Fidja mund t’i jepet një të varfri ose më shumë të varfërve për një ditë ose për më shumë ditë të pa agjëruara.
Më mirë është që fidja të paguhet në fondin e posaçëm për fidje të Kryesisë së BIK-ut, e pastaj ky autoritet sipas prioritetit ta destinojë aty ku është më e nevojshme.
Në qoftë se personi i cili nuk ka pasur mundësi të agjërojë disa ditë të Ramazanit, e ka paguar fidjen për ato ditë, e më pas i është dhënë mundësia shëndetësore që t’i agjërojë ato ditë, ai duhet t’i agjërojë ditët e mbetura borxh, kurse fidja e paguar do t’i llogaritet si sadaka.

Marrja e injeksionit me rastin e nxjerrjes së dhëmbit, a e prish agjërimin?

Marrja e injeksionit me rastin e nxjerrjes së dhëmbit nuk e prish agjërimin. Kjo sepse ai injeksion është anestezion lokal dhe, për më tepër, nuk ka veti ushqyese.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi