Kurani ka tërheqje të jashtëzakonshme


“Qoftë e lavdëruar nata e bekuar, në të cilën, Pejgamberit të Zotit, iu shpall, nga lart, Kurani, me përkryeshmërinë e tij.” (Johan Volfgang von Goethe)(1)

Kurani Famëlartë ka zbritur në periudhën kur letërsia e gjuhës arabe ka qenë në kulm. Gjuha arabe në shekullin shtatë kishte arritur majat, prandaj në atë kohë ishte bërë zakon që të bëhej tubimi i poetëve më të mirë arab, ku çdo vit paraqitnin poemat më të njohura në qendrën tregtare-letrare, në pazarin Ukadh. Ajo që vlerësohej më e mirë shkruhej me ar në muret e Qabesë. Shtatë nga këto poema kanë ekzistuar në kohën e Pejgamberit a.s. dhe quheshin “mualakat.”(2)
Ndikimi i Kuranit mbi ta ishte shumë i madh, ata ishin mahnitur dhe hutuar nga gjuha dhe elokuenca. Por kokëfortësia dhe arroganca e tyre ishte më e theksuar, gjë që i shtyu ata të betoheshin se nuk do ta dëgjonin Muhamedin, në mënyrë që të mos magjepseshin nga ajo që ai solli.(3) Efekti i Kuranit ishte efekti i elokuencës dhe shkëlqimi i stilit, sepse arabët ishin dashamirë të gjuhës, dhe Kurani ishte një mrekulli me elokuencën dhe përmbajtjen e tij gjuhësore.
Duke dëgjuar ajetet kuranore, arabët u magjepsën dhe mbetën të hutuar e të shtangur. Të gjithë u habitën se si ishte e mundur që një të folur të tillë të bukur dhe të pashembullt të vinte nga një njeri që nuk dinte madje shkrim e lexim.
Asnjë libër në botë nuk mund të krahasohet me Kuranin nga aspekti i tërheqjes, i ëmbëlsisë dhe i tingëllimit të melodisë së jashtëzakonshme. Si rezultat i tërheqjes së tij, Kurani famëlartë ka prekur thellë zemrat e pastra të mekasve që prej ditës së parë të shpalljes. Ai dalëngadalë i tërhoqi dhe i përvetësoi ata dhe shumë prej tyre u bën ithtarë të denjë të mësimeve islame.
Kjo mrekulli e Kuranit, i habiti edhe shumë kokëfortë e idhnakë të mëdhenj e të papërkulur mekasë, të cilët me vetëdije të humbur e të tronditur, filluan ta quanin poezi, magji etj.
Krerët e idhujtarëve të Mekës madje kërkonin prej njerëzve që të mos e dëgjonin Kuranin, ndërkaq, ishin vetë ata që s’mund ta përmbanin veten dhe shkonin fshehtas ta dëgjonin Muhamedin a.s. kur ai lexonte Kuran. Kur takoheshin rrugës fajësonin njëri-tjetrin për prishjen e fjalës së dhënë dhe ktheheshin prapa.
Kur disa thirrës të krishterë thanë se Muhamedi a.s. nuk erdhi me një mrekulli sikurse mrekullitë e Musait dhe të Isait, një filozof francez që kuptoi madhështinë e Kuranit, në përgjigjen e tij ndaj tyre, tha: “Muhamedi e lexonte Kuranin me përulësi dhe nderim, kështu që leximi i tij i tërhiqte njerëzit që të besonin në të, atë që nuk e bënë të gjithë vargjet e pejgamberëve të parë.”(4)
Idhujtari i njohur, Velid bin Mugire, u gjunjëzua para mrekullisë së Kuranit. Paria e kishin dërguar te Muhamedi, që t’ia tërhiqte vërejtjen dhe të mos predikonte publikisht, mirëpo kur Velidi e dëgjoi Muhamedin a.s. duke lexuar Kuran, ai u habit, dhe kur u kthye tek idhujtarët, ua përshkroi mrekullinë që kishte dëgjuar, duke thënë: “Ai (Kurani) ka një ëmbëlsi të papërshkrueshme, është tërheqës e ngacmues, është aq i këndshëm sa që fund e krye është plot fruta, atë nuk mund ta thotë njeriu!”
Këtë ndikim e pohoi edhe Utbe bin Rabiah. Paria e Mekës e kishte dërguar edhe Utbe Bin Rabiah te Muhamedi a.s., që t’i bënin oferta joshëse me qëllim që ta largonin nga misioni i tij. Kur Utbe e mbaroi propozimin e vet, Muhamedi a.s. i këndoi nga surja Fussilet: “Thuaj (o Muhamed): Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju; mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti një, pra drejtojuni Atij dhe kërkoni falje prej Tij. Për idhujtarët është mjerim i madh.” (Fussilet, 6).
Bukuria e gjuhës së Kuranit dhe fjalët e tij të larta bënë përshtypje të madhe në zemrën e Utbes, i cili u bind se ofertat që i bëri Muhamedit a.s. nuk sillnin ndonjë fryt.(5)
Kur Utbe u kthye te shokët e tij, ata i çuditi aq shumë ndryshimi i shprehjes në fytyrën e tij sa që i thirrën: ‘Ç’të ka gjetur, o Ebul Velid?’ Ai iu përgjigj duke thënë: ‘Kam dëgjuar fjalë, të ngjashmen e së cilës se kam dëgjuar ende. Nuk është poezi, për Zotin, e as magji a fall. O burra kurejshë, dëgjomëni dhe bëni si t’ju them. Mos dilni mes këtij njeriu dhe as asaj për çka është nisur, por lëreni, se për Zotin, fjalët që kam dëgjuar prej tij do të merren si sihariqe. Po të dalë fitues Muhamedi me punën e tij, edhe ju do të fitoni me të. Po të vdesë, ju shpëtoni nga ai. Po të më pyetni mua, unë them ta lëmë të lirë.” Shokët e tij u tallën me të dhe i thanë: “Të bëri magji Muhamedi!”(6)
Edhe poeti Tufejl bin Amri u dorëzua para stilit kuranor. Xhubejr b. Mutimi, njëri nga paria e Mekës, kur akoma nuk ishte bërë mysliman, kishte shkuar në Medine pas betejës së Bedrit për të zhvilluar bisedime për çlirimin e robërve idhujtarë. Ai e dëgjoi Muhamedin a.s. duke lexuar nga surja Et-Tur në namazin e akshamit dhe u prek aq shumë, sa më vonë do t’i përshkruante ndjenjat e atyre çasteve duke thënë:
“Më dukej se do të më fluturonte zemra nga vendi.” Kjo ndodhi ishte bërë shkëndija e parë që do ta ngrohte zemrën e Xhubejrit ndaj Islamit.(7)
Kurani e përvetësoi oratorin e famshëm, Thabit ibnu Kajsin me ëmbëlsinë e rimës dhe ia pushtoi zemrën me qartësinë e shkëlqyer të tij, si dhe e frymëzoi mendjen e tij për udhëzim të drejtë.
Pejgamberi a.s. një herë recitoi suren En-Nexhm ku merrnin pjesë myslimanë dhe idhujtarë dhe pjesa e fundit e kësaj kaptine ishte kaq e goditur sa i lëvizi zemrat e tyre. Prandaj kur zëri i bukur i të Dërguarit a.s. arriti fundin e kësaj sureje, forca e së vërtetës e kishte shtypur kryeneçësinë në zemrat e idhujtarëve arrogantë dhe përqeshës, kështu që ata duke mos mundur ta kontrollonin veten nuk arritën të përmbaheshin dhe të bënin gjë tjetër, veçse të binin në sexhde së bashku me myslimanët. Kur ata kontrolluan veten dhe panë se ishin mposhtur nga mrekullia e Kuranit, u ndjenë të “turpëruar” nga veprimi i tyre dhe deshën të justifikoheshin për atë që bënë. Ata pretenduan rrejshëm se ranë në sexhde së bashku me Muhamedin a.s. vetëm sepse kinse Muhamedi a.s. kishte folur këndshëm për idhujt e tyre! Ishte tërheqja e jashtëzakonshme e Kuranit që i detyroi ata të gjunjëzoheshin.(8)
Dr. Moris, orientalist i njohur, në gazetën ‘La Parole Française-Romaine’ ka thënë: Bukuritë e Kuranit që shndrisin, shtohen dhe shumëzohen çdo ditë, misteret që sa kalon koha, aq më tepër kuptohen dhe nuk kanë të mbaruar, bënë që këta myslimanë që janë mjeshtër në prozë dhe poezi, të jenë të detyruar të gjunjëzohen para stilit më të lartë e të pastër të tij.”(9)
Muhamedi a.s. ka thënë kështu: “Patjetër se çdo të Dërguari të Allahut u janë dhënë mrekullitë në të cilat besohet absolutisht. Mrekullia që më është dhënë mua është Kurani famëlartë i shpallur nga Allahu.”(10) (Buhariu)

Idhujtarët s’rrinin dot pa e dëgjuar kuranin fshehurazi

Ndikimi i Kuranit famëlartë dhe veprimi i tij në zemrat e tyre është si magjia, edhe pse ai nuk është magji. Ai ka prekur armiqtë e tij, si dhe ndjekësit e tij. Dhe kushdo që ka një mendje të shëndoshë dhe mendon drejt, e di se këto kushte nuk janë të mundshme pa shpallje hyjnore.(11)
Fjalët e Zotit që iu shpallën Pejgamberit a.s. ishin të pakrahasueshme, por nëse mendjemadhësia dhe kokëfortësia mbulojnë zemrën, si mund t’i nënshtrohet njeriu së vërtetës?(12)
Politeistët Ebu Sufjani, Ebu Xhehli dhe Ahnes bin Sherik, që e pengonin popullin të dëgjonte Kuran në Qabe, e patën ndjekur tri net fshehtazi Pejgamberin a.s. për ta shijuar ëmbëlsinë e Kuranit drejtpërsëdrejti dhe, kur qenë ballafaquar me njëri-tjetrin pa dashje, duke e kapur njëri-tjetrin në flagrancë, patën rënë në ujdi të turpëruar “Aman, të mos e marrë vesh kush! Po qe se populli e dëgjon këtë gjë, na nxihet fytyra dhe nuk na shkon më fjala tek askush që të mos dëgjojë Kuran. Askujt mos i thoni gjë.”(13)
Megjithëse mbanin një qëndrim kaq negativ ndaj Kuranit, kur mbeteshin vetëm për vetëm me ndërgjegjen e tyre, politeistët e pranonin të vërtetën dhe s’bënin dot pa e dëgjuar Kuranin fshehurazi. Megjithëse e pranonin Hz. Muhamedin a.s. si profet të vërtetë dhe Kuranin si libër të vërtetë, egoizmi bëhej pengesë për t’i miratuar.
Ata e pranonin se Kurani ishte libër i Allahut, por i atribuonin gabim vullnetit dhe vlerësimit të Allahut: “Pastaj thanë: “Përse të mos i ketë zbritur ky Kuran një njeriu të madh nga dy qytete?” (Ez-Zuhruf, 31)
Sipas mendjes së tyre të veshur me egoizëm dhe të bërë pengesë për të vërtetën, Kurani nuk duhej t’i zbriste dikujt që ishte i varfër dhe jetim, por një të pasuri, Velid bin Mugires nga të pasurit e Mekës, ose Amr bin Umejrit nga të pasurit e Taifit.(14)
Kështu, Velid bin Mugire pati thënë: “Ndërsa jam unë, i madhi dhe zotëria i Kurejshëve, ose i madhi i Sakifit, Amr bin Umejri, a Muhamedit ka për t’i zbritur Kurani?”(15)
Elokuenca e Kuranit është e pakrahasueshme në të folurit njerëzor, gjë që tregon se ai është nga Zoti dhe është mrekulli. Çdo poet dallohet në disa vargje ose në një poezi dhe jo në të gjitha poezitë e tij. Sa i përket Kuranit, megjithëse përfshin shumë tema, ai është i dallueshëm dhe i rrallë në stilin e tij elokuent nga fillimi deri në fund. Elokuenca e arabëve në temat e ndryshme gërshetohej edhe me gënjeshtrën, kurse Kurani i shenjtë ishte jashtëzakonisht elokuent dhe me ndershmërinë e tërësisë së tij qëndronte larg gënjeshtrës.


___________________________
1 Ajni Sinani, Të tjerët për islamin, Prishtinë, 2015, f. 57.
2 Shih: El-Mualakat, https://m.marefa.org.
3 Abdul Aziz ibn Abdullah Es Suvejdani, Etherul Kurani alel mushrikine,
shih: https://khutabaa.com/ar/article.
4 Abdul Aziz ibn Abdullah Es Suvejdani, op. cit.
5 Shih: Imam Vehbi Ismaili, Muhamedi profeti Islam.
6 Martin Lings, Muhamedi: jeta e tij sipas burimeve më të hershme, Logos
A, Shkup Prishtinë Tiranë, 2011, f. 76.
7 Prof. dr. Bekir Topaloglu, Ekzistenca e Zotit, Prishtinë, 1423/2002, f. 26. 8 Muhamed Gazali, Fikhu Sira analizë e jetës së Profetit a.s., Furkan ISM, Shkup 2011, f. 142.
9 Ajni Sinani, Të tjerët për islamin, op. cit., f. 72.
10 Kurani famëlartë, libri i fesë islame (pa emër autori) https://www.trt.net.
tr/shqip/jeta-dhe-shendeti/2016/03/18/kurani-famelarte-libri-i-fese-islame-453405
11 Dr. Muhamed bin Ahmed, Tethiru Istimai El-Kuran fi adaihi ve husimih,
shih: https://www.alukah.net/sharia/0/121838
12 Abdul Aziz ibn Abdullah Es Suvejdani, Etherul Kurani alel mushrikine,
shih: https://khutabaa.com/ar/article.
13 Ibni Hisham, L, 337-338, sipas Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve
nën dritën e Kuranit, Hazreti Muhamed Mustafa, Shkodër, 2012, f. 264. 14 Ibni Haxher, El-Isabe, II, 226. 272, sipas Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 272. 15 Ibni Hisham, I, 385, sipas Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 272-73.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi