Agjërimet synet
1. Agjërimi i Daudit (a.s.)
Pejgamberi (a.s.) i ka dhënë një vend shumë meritor agjërimit vullnetar. Me një rast, Abdullah bin Amr bin Asi rrëfen:
- “Pejgamberin (a.s.) e kishin lajmëruar se unë kisha thënë se unë sa të isha gjallë, natën do të falja namaz e ditën do të agjëroja.
-Pejgamberi (a.s.) më thirri e më pyeti: “Ti ke thënë kështu, kështu?”
-“Po", - iu përgjigja unë, -kam thënë.
Atëherë Pejgamberi (a.s.) më tha: “Po ti s’ke mundësi për këtë! Ti nga një herë agjëro, e nga një herë mos agjëro, herë fli e herë falë namaz! Po të duash agjëro nga tri ditë për çdo muaj, sepse për një veprim të dobishëm e të bekuar jepet dhjetëfish shpërblim. Tri ditë agjërim në muaj janë si të kishe agjëruar tërë vitin!
-Unë i thash: ‘Unë mund të bëjë më shumë se kaq!”
-Pejgamberi (a.s.) më tha: “Më mirë se kjo s’mund të ketë!”. (Transmeton Buhariu).
Sipas një hadithi tjetër, Pejgamberi (a.s.) kishte thënë: “Agjërimi më i çmuar është agjërimi i mbajtur nga pejgamberi Daudi (a.s.). Ai një ditë agjëronte, një ditë jo!”.
2. Agjërimi tri ditë për çdo muaj
Nga zakonet e bukura të Pejgamberit (a.s.) është edhe agjërimi i tri ditëve për çdo muaj, e që në të drejtën e Sheriatit njihen me emrin “ditët e bardha” ose “të ndriçuara” (origj. - Ejjami bid). Fjala është për agjërimin e ditës së 13, 14, dhe 15 të çdo muaji hënor, sepse gjatë këtyre ditëve hëna është e plotë, kështu që reflektimi i dritës së saj i bënë ato të ndriçuara. Ebu Hurejreja rrëfen: “I dashuri im, Pejgamberi a.s. më këshilloi tri gjëra: e para, të agjërojë tri ditë për çdo muaj; e dyta, të falë dy rekate namaz të duhasë; e treta, ta fal namazin e vitrit para se të bie për të fjetur!”. (Transmeton Buhariu dhe Nesaiu).
Ndërkaq, lidhur me këtë, sipas një transmetimi tjetër, tregohet se Pejgamberi (a.s.) i kishte thënë Ebu Dherrit (r.a.): “O Eba Dherr! Kur të agjërosh tri ditë në muaj, agjëro ditën e 13, 14 dhe 15.” (Transmeton Nesaiu dhe Ibni Hanbeli).
3. Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte
Nga tradita pejgamberiane është edhe agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte, sepse, siç tregon hz. Aisheja (r.a.): “Pejgamberi (a.s.) tregonte kujdes të veçantë për të agjëruar ditën e hënë dhe të enjte.” Kjo për arsye se veprat e njerëzve i paraqitën Allahut (xh.sh.) në këto dy ditë. Prandaj, Usame bin Zejdi (r.a.) tregon kështu: “Kur e pashë Pejgamberin që agjëronte ditën e hënë dhe të enjte, e pyeta për shkakun se pse ai po agjëronte, ai m’u përgjigj kështu: “Veprat e njerëzve i paraqitën Allahut të hënën dhe të enjten dhe unë do të doja që kur t’i paraqitën Allahut veprat e mia, unë të jem agjërueshëm!”
Lidhur me këtë agjërim, ka edhe një rrëfim të Ebu Dherrit (r.a.) sipas të cilit Pejgamberi (a.s.) kishte thënë: “Atë ditë unë erdha në këtë botë dhe mua atë ditë filloi të më zbriste shpallja-vahji!” (Transmeton Muslimi)
4. Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Shevval
Personi i cili e agjëron muajin e Ramazanit, dhe atë më pas e përcjell me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, e ka sevapin sikur të ketë agjëruar tërë vitin. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
“Kush e agjëron Ramazanin, dhe këtij ia shton edhe gjashtë ditë agjërim të Shevalit, është sikur ta kishte agjëruar tërë vitin!” (Transmeton Muslimi).
5. Agjërimi i ditës së Arefatit
Edhe ata të cilët nuk janë duke e bërë vizitën e Qabesë ka mundësi të arrijnë sevape të shumta duke e agjëruar ditën e Arefatit. Ky agjërim, pra, bëhet një ditë para ditës së Kurban-Bajramit, e kjo është dita e nëntë e muajit dhul-hixhe. Lidhur me vlerën e kësaj dite, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Nuk ka ditë tjetër veç ditës së Arefatit kur Allahu të ketë çliruar më shumë njerëz nga zjarri i Xhehenemit!” (Transmeton Muslimi). Madje, Ibni Katade ka transmetuar edhe këtë: “Agjërimi i ditës së Arefatit llogaritet tek Zoti (xh.sh.) se do t’i falë mëkatet e një viti para dhe një viti pas!” Lidhur me këtë, Ibni Katade pohon se ky është mendim i ehli-synnetit, porse fjala është për mëkatet e vogla. Nga ana tjetër, personat që kanë vajtur për ta kryer ibadetin e haxhit, në ditën e Arefatit e kanë të ndaluar të agjërojnë sepse ajo paraqet vështirësi për ta, kështu që kryerja e detyrave të haxhit kanë përparësi.
6. Agjërimi i ditës së Ashures (dita e dhjetë e muajit Muharrem)
Sipas Ibni Abasit, kur Pejgamberi (a.s.) kishte bërë hixhret në Medine, kishte vërejtur se hebrenjtë agjëronin ditën e Ashures, kështu që i kishte pyetur: “Ç’është ky agjërim?” Ata i kishin thënë: “Kjo është një ditë e mirë, sepse në këtë ditë Allahu i Lartësuar kishte shpëtuar Musain dhe bijtë e Israilit nga armiqtë, prandaj Musai ka agjëruar këtë ditë.” Pejgamberi (a.s.) iu kishte thënë hebrenjve: “Unë jam më i afërt se ju me Musain!” dhe urdhëroi që ditën e Ashures të agjërohej”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi). Kjo vazhdoi gjerë sa u bë farz agjërimi i ramazanit. Më pas Pejgamberi (a.s.) i la njerëzit të lirë në agjërimin e ditës së Ashures, sikur që tregohet edhe me këtë hadith: “Kjo është dita e Ashures dhe agjërimi i saj nuk është detyrim për ju. Kështu që, kush dëshiron të agjëroj, le të agjëroj, e kush nuk do të agjëroj, të mos agjëroj!” (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Imam Maliku në Muvetta’). Personi që dëshiron ta agjëroj ditën e Ashures, duhet t’ia bashkangjes edhe ditën paraprake ose atë pasuese (pra, ditën e 9 ose të 11 të muajit muharrem.
7. Agjërimi gjatë muajit Sha'ban
Edhe agjërimi i muajit Sha'ban është përplot me sevape, sepse - siç tregon Aisheja (r.a.), Pejgamberi (a.s.) asnjë muaj tjetër nuk ka agjërua më shumë, përveç Ramazanit, se sa në muajin Sha'ban, madje nganjëherë i ngjitte Sha'banin me Ramazan pa shkëputje.
Agjërimi nafile-suplementar
Agjerimi nafile ose tetavvu’ nënkupton agjërimin vullnetar të atyre agjërimeve që nuk janë të kategorisë farz. Qëllimi i kryerjes së këtyre agjërimeve bëhet për t’iu afruar Allahut dhe për të fituar pëlqimin e Tij. Lidhur me këtë, në një hadithi-kudsijj, Pejgamberi (a. s.) ka thënë, ka thënë Allahu (xh. sh.): “Robi nuk mund të më afrohet Mua me ndonjë veprim më të dashur se sa veprimet që ia kam bërë farz. Por, robi vazhdon të më afrohet Mua me anë të adhurimeve nafile. Më në fund Unë atë e dua dhe, pasi ta dua, bëhem veshi i tij që i dëgjon, syri i tij që i sheh, dora e tij që i kap, këmba e tij që i ecën!”. (Transmeton Buhariu)
Lidhur me vlerën dhe peshën që ka agjërimi nafile-vullnetar, Pejgamberi (a.s.) thotë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu i Lartë ia largon shtatëdhjetë vjet fytyrën nga zjarri i Xhehenemit!”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ibni Maxhe dhe Nesai)
Mustehabet e agjërimit
Mustehab në terminologjinë e Sheriatit e ka kuptimin e veprimit të gjerave të pëlqyera, që është etike të veprohen.
Sikundër edhe adhurimet tjera, edhe agjërimi i ka disa mustehabe, ndër to do të përmendim:
• Në vigjilje të Ramazanit të bëhen përgatitjet e nevojshme për ta pritur muajin e Ramazanit sa ma mirë.
• Me u ngrit në syfyr, sepse aty ka bereqet. Enes bin Maliku (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ngrihuni në syfyr se në ngritjen dhe ngrënien e syfyrit ka bereqet!”. (Transmeton Buhariu). Kurse në një hadith tjetër, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Fuqizojeni agjërimin e ditës me ngrënien e syfyrit dhe namazin e natës me (tehexhud) me gjumin e pasdrekes!”. Natyrisht që ngritja në syfyr, i jep hijeshi agjërimit, dhe, nga ana tjetër, vetëm sa e fuqizon trupin që agjërimin ta përballoj ma lehtë.
• Është mustehab, gjithashtu, që ngrënia e syfyrit të shtyhet deri vonë, natyrisht, brenda limiteve të caktuara, pa e tejkaluar kohën e imsakut. Nga ana tjetër, edhe iftari duhet të bëhet sa po të hyjë koha, pra sapo të perëndoj dielli. Lidhur me këtë, Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Njerëzit do të jetojnë në mbarësi për sa kohë e shpejtojnë iftarin dhe e shtyjnë (deri në limitet e lejuara) ngrënien e syfyrit!”. Ka qenë praktikë e Pejgamberit (a.s.) që njëherë të bënte iftar e pastaj ta falte namazin e akshamit. Zakonisht iftar bënte me dy-tri kokrra hurme, e nëse i mungonin ato, e pinte pak ujë, më pas e falte namazin e pas tij hante iftar. Lidhur me nxitimin e bërjes iftar, Pejgamberi (a.s) ka thënë edhe këtë: “Më i dashuri i robërve të mi është ai që nxiton për të bërë iftar!”. Prandaj, syfyri është mirë të shtyhet deri në kohën e imsakut, kurse 15-20 minuta më vonë mund të falët namazi i sabahut. Lidhur me këtë, Zejd bin Thabiti ka një rrëfim të tijin: “Ne hanim syfyr bashkë me Pejgamberin (a.s.), e pastaj e falnim namazin e sabahut!”. Enesi e kishte pyetur: “Sa kohë kishte kaluar mes syfyrit dhe namazit të sabahut?”-Sa për t’i lexuar 50 ajete-iu kishte përgjigjur ai.
Duke u bazuar në këtë rast, disa dijetar kanë pohuar se ky interval kohor është i mjaftueshëm sa për të lexuar suren “El-Hakka” që ka 52 ajete ose suren “El-Murselat” e që ka 50 ajete.
• Deri sa jemi te etika e iftarit, le të themi edhe këtë se iftarit është mirë t’i paraprijë ndonjë lutje-dua, për faktin se është kohë kur lutja e lutësit që është duke agjëruar është e pranuar te Allahu i Gjithëmëshirshëm. Madje, me këtë rast rekomandohet në veçanti kjo dua që e bënte edhe Pejgamberi (a.s.):
“Allahu ynë, vetëm për Ty agjërova, Ty të besova, tek Ti u mbështeta dhe u dorëzova dhe me atë që më ke dhënë iftar bëra!”
• Me rastin e agjërimit duhet në veçanti që t’i kushtojmë kujdes që ky adhurim-ibadet të mos bëhet vetëm me stomak, por me të gjitha pjesët dhe gjymtyrët e trupit tonë, madje edhe me mendje e imagjinatë. Nga besimtari nuk kërkohet që të ngel unët me stomak për një kohë të caktuar, por krahas asaj edhe organet tjera t’i kursen nga ajo që është e ndaluar-haram, sa që edhe mendja të kursehet nga harami. Ibni Haxheri jo me kotë kishte thënë: “Agjërimi i plotë dhe i përkryer është qëndrimi larg nga të gjitha gjynahet dhe gjërat e ndaluara nga Allahu xh.sh.!”
• Është e vetëkuptueshme se gjatë iftarit dhe syfyrit ndodh që edhe të mos jemi shumë të kujdesshëm, kështu që nga një herë edhe mund ta teprojmë duke e ngarkuar stomakun më shumë se sa ai ka nevojë. Prandaj, është mirë, madje e rekomanduar që gjatë iftarit dhe syfyrit të kemi kujdes në sofër e mos ta teprojmë duke ngrënë ma shumë se ç’kemi nevojë. Etika e agjërimit këtë nuk e duron, sepse është e dëmshme për shëndetin.
• Gjatë muajit të Ramazanit është edhe një praktikë shumë e mirë e që kultivohet gjithandej nëpër mjedise ku jetojnë myslimanët. Në të vërtetë, xhamitë zbukurohen me leximin e Kuranit, sepse intensiteti i hafëzlerëve të Kuranit gjatë këtij muaji është më i madh, po edhe i dëgjuesve, gjithashtu, është më i madh. Prandaj, është shumë mirë nëse ata që dinë të lexojnë së paku të bëjnë një hatme gjatë Ramazanit, ndërkaq ata që nuk dinë të lexojnë të përcjellin leximin e Kuranit nga hafëzët që me zërin e tyre aq të ëmbël jo vetëm se ia shtojnë bukurinë xhamisë dhe xhematit, por njëkohësisht bëjnë edhe ibadet.
• Është mirë që gjatë Ramazanit dikujt me i dhënë iftar, sa do pak qoftë, madje pak hurme, ujë, apo diçka tjetër. Pejgamberi (a.s.) thoshte: “Kush i jep dikujt iftar, ai ka sevape sikurse agjëruesi, megjithëse agjëruesit nuk i mungohet nga sevapi tij!”. (Transmeton Termidhiu).
• Gjatë agjërimit në përgjithësi, e gjatë Ramazanit në veçanti, duhet spikatur aspektin human, njerëzor e besimorë. Ndaj familjarëve duhet m’u sjellë me korrektësi e mirësi kurse ndaj të varfërve e skamnorëve duhet treguar më shumë humanitet e bujari.
Transmetohet nga Ibni Abasi të ketë thënë se: "Pejgamberi (a. s.) ishte njeriu më bujar e bamirësi, ndonëse akoma më shumë ishte gjatë Ramazanit kur dhe e takonte Xhibrili!”. (Transmeton Buhariu)