Agjërimi është për Mua!

Sigurisht, çdo punë e jona është për Zotin e Madhëruar, dhe agjërimi është një prej adhurimeve mbi të cilat është ngritur Islami dhe ai është detyrim (obligim) të mbahet gjatë muajit të Ramazanit.
Duke e ditur se në thelb të këtij adhurimi të veçantë qëndron devotshmëria, apo të qenit i vetëdijshëm për Zotin. Agjërimi është një vepër e pastër sinqeriteti, ai është një sekret mes robit dhe Zotit të tij, apo mund të themi ndryshe se agjërimi është një akt i pastër sinqeriteti dhe ai nuk mund të përzihet me ndonjë cilësi që e dëmton atë. Ky adhurim është i veçantë për arsye të ndryshme dhe njëra prej tyre përmendet në Hadithin Kudsij:
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa era e miskut.” (Muslimi, 1151).
Hafidh Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka përmendur nga fjalët e dijetarëve disa aspekte në shpjegimin e kuptimit të hadithit të lartpërmendur dhe arsyes pse agjërimi është veçuar për këtë meritë, dhe më të rëndësishmet prej këtyre aspekteve janë si vijon:
- Në agjërim nuk ka syefaqësi (hipokrizi). Të gjitha ibadetet e tjera janë publike, që shihen nga njerëzit, andaj dhe dikush mund t’i veprojë ato sa për t’u dukur para njerëzve, që dikush ta lavdërojë apo të fitojë simpatinë e tyre, duke mos pasur konsideratën më të lartë se i bënë vetëm për hir të Allahut, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodh me agjërimin.
Agjërimi është një vepër e fshehtë, që mbetet midis njeriut dhe Krijuesit të tij, andaj dhe ai i cili gjatë tërë ditës e përmban vetën nga ushqimi, pija dhe nga disa gjëra të tjera që prishin agjërimin, ai këtë, me të vërtetë, e bën ekskluzivisht vetëm për Allahun, edhe pse ka mundësi që, në një moment të caktuar, kur nuk e sheh njeri, ta prish agjërimin dhe të konsumojë diç nga ushqimi apo pijet. Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Syefaqësia njihet se përfshihet në veprat e robërve të Zotit, dhe agjërimi është i njohur për Zotin vetëm me veprimin e tij, kështu që Zoti e shtoi atë në Veten e Tij, dhe për këtë ka thënë në hadith: (Robi e lë epshin e tij për hir Timin).
- Kuptimi i fjalës së cekur në hadith: “(Agjërimi është për mua)”, tregon se ky lloj adhurimi është shumë i dashur për Zotin, por edhe ai i cili paraqitet me agjërim po ashtu është i dashur te Zoti i Madhëruar. Zoti dëshiron që të adhurohet nëpërmjet agjërimit. Profeti alejhi selam, pati thënë për agjërimin:
“Të këshilloj të agjërosh, sepse nuk ka të ngjashëm me të.” (Imam Albani e ka cilësuar si të saktë në sahihun e Nesaiut). Ibën Abdul Berri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mjafton fjala: “(Agjërimi është për Mua)”, si virtyt dhe privilegj që ka agjërimi ndaj adhurimeve tjera.
- Ajo që nënkuptohet me thënien: “(Dhe unë shpërblej për të)”, është se vetëm Ai (Zoti i Madhëruar) e di shumën e shpërblimit të tij dhe shumëfishimin e veprave të tij të mira, për këtë ka ardhur në hadith:


“Çdo vepër e birit të Ademit shpërblehet me 10 të mira deri në 700-fish apo edhe më tepër, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të.” (Muslimi, 1151).
- Shtimi i agjërimit në Zotin e Madhëruar, është shtim nderi dhe madhërimi, siç thuhet: Shtëpia e Zotit, edhe nëse të gjitha shtëpitë janë të Zotit.
- Agjërimi i mëson njeriut përuljen e nënshtrimit ndaj madhështisë së Allahut. Gjithashtu, ai thyen krenarinë dhe arrogancën që mund të ekzistojë si cilësi brenda nesh.
- Agjërimi synon pastrimin e shpirtit nga çdo njollë, si dhe pajisjen e karakterit të njeriut me virtyte e cilësi pozitive. Në këtë kontekst agjërimi, padyshim, është i dobishëm për trupin dhe shëndetin e njeriut, sepse motivon mirënjohjen ndaj Allahut Fuqiplotë. Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në edukimin moral të njeriut dhe formimin e personalitetit të tij. Pejgamberi alejhi selam, thotë:
“Agjërimi është mburojë (pengesë).” (Imam Sujutiu në Xham'iu es-Sagir, 5175).
Që do të thotë, është pengesë nga mëkati e gabimi dhe mburojë nga zjarri i Xhehenemit.
- Agjërimi nuk është gjë tjetër veçse një shkollë e vërtetë, një proces i ri edukimi për mendjen dhe shpirtin. Ai është lartësim i shpirtit dhe ngritje drejt dëlirësisë. Andaj, çdo besimtar duhet të përgatitet që ta shtojë intensitetin e adhurimit dhe t’i pakësojë sa më shumë shprehjet e këqija dhe veset e liga.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi