Bajrami te myslimanët
Bajrami është festë myslimane dhe bazohet në burimet islame. Kurani thotë: “Prandaj falu për Zotin tënd ...!” (El-Kevther, 2) dhe “Shpëtimin do të arrijë ai që pastrohet (nga të këqijat) dhe që e përmend emrin e Zotit të vet dhe falet!” (El-A’la, 14-15).
Komentuesit e Kuranit mendojnë se fjalët falu (fe sal-li) dhe falet (fe sal-lâ), janë në lidhje me faljen e namazit të bajramit.
Edhe në traditën myslimane shqiptare, kudo qoftë, bajrami zë vend të veçantë qysh prej mesjetës. Gjatë kësaj date nëpër histori janë shënuar ndodhi të ndryshme politike e ushtarake, por edhe arritje fetare e kulturore. Madje bajrami ka qenë festë mbarëpopullore, sepse edhe jomyslimanët si pakicë, indirekt solidarizoheshin në festë me myslimanët si shumicë dërrmuese, duke pastruar ambientet jashtë dhe brenda shtëpisë, duke gëlqerosur muret e jashtme të shtëpisë, duke mos bërë ndonjë veprim që mund t’i irritonte fqinjët myslimanë etj. Bajrami ishte festë kohezioni, mëshire, dashurie, altruizmi e patjetër edhe pajtimi mes njerëzve nga hidhërimet e inatet e ndërsjella.
Përgatitjet për bajram
Shënimi i bajramit në trojet tona ka histori të gjatë, madje qysh në mesjetë, kur myslimanët ishin në këto troje në numër të konsiderueshëm, por të atakuar ashpërsisht nga kundërshtarët janë asimiluar apo janë shndërruar në skllevër, janë larguar dhunshëm apo edhe janë vrarë në përleshje të ndërsjella me kundërshtarët.
Bajrami ndër myslimanët është shënuar në pajtim me normat e së lejueshmes të festave islame, por edhe me karakteristika lokale e rajonale të vendit të caktuar. Fillimi për përgatitje për bajram fillon më herët, por përgatitjet intensifikohen sidomos prej Natës së Kadrit. Islami i kushton rëndësi të theksuar pastërtisë shpirtërore dhe fizike, individuale dhe kolektive.
Derisa pastërtia shpirtërore është proces i gjatë, i përditshëm dhe i vështirë, pastërtia fizike bëhet sistematikisht e sipas nevoje edhe reflekton përshpirtësinë tonë. Prandaj, edhe pastrohej ambienti dhe vetë shtëpia, bëhen gëlqerosjet apo ngjyrosjet e nevojshme, bëhej furnizimi me gjësende ushqimore për drekën e bajramit dhe për pritjen e vizitorëve dhe për vetë kohën e ditëve të bajramit. Gjithashtu, rëndësi të posaçme përbënte edhe blerja e veshmbathjes sidomos për fëmijët ose ndonjë dhuratë tjetër bajrami, varësisht kushteve materiale të familjes.
Ardhja e bajramit shënohej me kërcitjen e topit nga ndonjë vend i përshtatshëm për t’u dëgjuar më mirë, siç bëhej në Prizren nga Kalaja, siç bëhej edhe për të treguar fillimin e iftarit dhe kohën e syfyrit. Dikur, topi lajmëronte edhe fundin e Ramazanit, duke kërcitur tri herë në iqindi të ditës së fundit të Ramazanit, kurse gjatë ditëve të bajramit, nga topat me kalibra të ndryshëm kërcitej si shenjë feste, gëzimi etj. Topi përdorej edhe për raste tjera me rëndësi fetare ose shtetërore. Nuk duhet harruar se ndër parapërgatitjet e bajramit është edhe dhënia e sadakatul-fitrit, patjetër para faljes së namazit të bajramit. Kjo sadakë është e drejtë e Bashkësisë Islame (si ushtrues i pushtetit fetar të Bejtul-Malit), në dobi të kategorive kuranore (Shih: Et-Tewbe, 60).
Dreka e bajramit e të tjera
Në mëngjesin e hershëm të bajramit, të gjithë familjarët ngriheshin nga gjumi, merrnin abdest, vishnin petkat më të mira që kanë pasur për t’i dhënë shkëlqim e atmosferë festimit të bajramit. Meshkujt dhe djemtë e rritur shkonin në xhami për të falur bajramin. Pas namazit, falësit i uronin njëri-tjetrit festën.
Nuk kemi ndonjë mënyrë të saktësuar se si bëhet urimi nga vetë Muhammedi a.s., por sahabët kanë transmetuar se njëri-tjetrit ia uronin me fjalët “Tekabbel’all-llahu mina ve minkum!”, që domethënë: “Allahu e pranoftë nga ne dhe nga ju!” (Hadithi hasen, sipas Ibn Haxherit në Fet’h’ul-Bari).
Te ne zakonisht përdoren fraza të caktuara për urim të njëri-tjetrit, si: Me fat bajrami/ Me fat edhe juve; Për hajr bajrami/ Hajr paçi; E gëzofshi bajramin/ E gëzofshi edhe ju; Bajram mubarek olsun/ Allah razi olsun etj. Kohët e fundit ka ndryshime të caktuara në pikëpamje të urimit të festës dhe këtë e ka kushtëzuar mënyra e jetesës, teknologjia e avancuar etj. Tash përdoren telefonat, mesazhet nëpërmjet rrjeteve sociale në internet etj.
Ndonjëherë ky moment përcillej me tupanë e në disa vende edhe me kërcitjen e topit, e nëpër fshatra edhe me kërcitje pushkësh, zakonisht me fishekë baruti. Natën e bajramit tupanxhiu edhe njoftonte fundin e Ramazanit por edhe vizitonte çdo derë, duke kërkuar “hakun” e tij për shërbimin që kishte bërë gjatë muajit. Qendrore në ditën e parë të bajramit është ushqimi i gatuar për bajram. Përgatiten disa gjella, ndonjë lloj piteje, kulaçë të caktuar, ëmbëlsira të ndryshme e sidomos bakllavaja, revania e ndonjë tatli tjetër, sallatë sezone por edhe gatime të tjera përcjellëse. Ushqimi shtrohet zakonisht paradite, por edhe pas dreke në disa vende. Në fund të ushqimit bëhet edhe dua, në shenjë falënderimi ndaj Allahut për mirësitë e shumta të dhuruara. Në rast duaje kujtoheshin edhe të vdekurit dhe të dashurit e tjerë.
Vizitat e bajramit
Dikur ditën e parë të bajramit së pari nga populli vizitohej ulemaja e vendit, dijetarët fetarë, pastaj njerëzit autoritativë të fshatit, lagjes, qytetit. Vizitorët gostiteshin me ndonjë sherbet, ëmbëlsirë sapo gjësende të tjera nga mikpritësit.
Në disa vende natën e bajramit e në disa vende ditën e parë e të dytë të bajramit vizitoheshin varrezat, gëlqeroseshin gurët e të vdekurve tanë. Këndohej edhe ndonjë pjesë Kurani. Është për t’u përshëndetur veprimi i Bashkësisë islame të Bosnjës, e cila ditën e dytë të bajramit të ramazanit e ka caktuar si ditë të shehidëve, dhe kjo ditë çdo herë e më shumë po bëhet tradicionale. Veprim shumë i drejtë dhe orientim i besimtarëve drejt vlerave të përbashkëta.
Dita e dytë dhe e tretë në disa vende u është lënë vizitave në fqinjësi, së pari më i vjetri e pastaj me radhë vizitonin çdo shtëpi të lagjes. Nuk harroheshin as të sëmurët, as të varfrit e lagjes. Vizitorët gostiteshin me çaj, kafe, ndonjë ëmbëlsirë apo ndonjë gjë tjetër, varësisht nga tradita vendore. Në fund shpërndahen nëpër shtëpitë e tyre.
Vetëm kah fundi madje edhe pas bajrami, gratë fillojnë vizitat e tyre, dhe kjo quhet te ne “bajrami i grave”. Në të kaluarën nëpër ambiente xhamie, namazxhahu apo në shesh të fshatit organizoheshin tubime, lojëra apo ndonjë argëtim në shenjë bajrami. Kohët e fundit gjithashtu bëhen ca organizime kulturore e argëtuese, por këto tubime bëhen me qëllime komerciale dhe përplot harame (alkooli, lakuriqësia etj.). Po braktisen traditat fetare e tradicionale e po zëvendësohen me gjëra të dëmshme për fenë, shoqërinë, trashëgiminë kulturore e qytetëruese. Organizimet e mira mbaheshin mend një kohë të gjatë dhe ndikonin pozitivisht edhe te fëmijët e rinia.
Viteve të fundit mënyra e vizitave për bajram dhe përmbajtja e vetë vizitave ka ndryshuar. Më nuk ka vizita përjashtimisht të botës mashkullore, as me ditë të caktuara. Mbase kjo edhe për shkak të rrethanave të imponuara të kohës, sepse obligimet në punë imponojnë edhe përcaktimin ndryshe të vizitave.
Me një rast rrëfen Aishja r. anha se si Pejgamberi i Zotit a.s. e ka ulur në një vend e ajo shikonte habeshitë të cilët luanin me shtiza në mesxhid. Kur i pa Omeri r.a. i qortoi ata, kurse Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Lëri! Nëna jonë është nga Benu Erfide”. (Buhariu).
Hadithet e shumta tregojnë se gjatë ditëve të bajramit është e lejuar të relaksohemi, të argëtohemi, pas një angazhimi të madh shpirtëror dhe fizik, të agjërimit dhe ibadeteve tona. (Fet’hu’l-Bari).
Ja edhe një shembull konkret me Ebu Bekrin r.a., i cili me një ditë bajrami e vizitoi të bijën e tij, Aishen r. anha, në shtëpinë e Muhammedit a.s. Aty takoi dy shërbëtore që këndonin në shenjë feste. Ebu Bekri r.a., i prekur nga kjo gjendje, si baba, e qortoi Aishen r. anha, duke bërtitur: “Vallë, kënga në shtëpinë e Pejgamberit të Zotit?!“ Pejgamberi i Zotit, i kthyer me shpinë nga ana tjetër, u kthye dhe tha: “O Ebu Bekër, lëri! Çdo popull i ka festat e veta, kurse kjo është festa (bajrami) jonë.”
Të huajt për festën e bajramit
Festa e bajramit i ka impresionuar edhe tregtarët e huaj e edhe diplomatët e huaj, por edhe udhëpërshkruesit e ndryshëm. Këtë e vërejmë edhe nga Evlija Çelebiu, i cili shkruan për traditat e ndryshme nëpër vendet myslimane në trojet shqiptare. Por, kjo i ka bërë përshtypje edhe jomyslimanëve, të cilët mahniteshin me koloritin e veshjes, veglave të punës, të luftës, të rekreacionit e të tjera. Sidomos u kishte bërë përshtypja veshja e prijësve fetarë myslimanë, pastaj bukuria e vajzave me shamitë e tyre, që krijonin përshtypjen e botës së magjisë.
Ndër ta ishte edhe Lord Bajroni, i cili në një poezi shkruan:
Ja shqiptarët, sesi në mënyrë
krenare ulen drejt tokës
Pranë tyre, grekët, mbajnë
belbëzimin Dëgjo! Nga xhamia himni i natës
po buçet
Thërritja e muezinit sa nuk po
shkund minaretë,
Nuk ka Zot përveç Allahut – për
në lutje – Pse vërtet!
Zoti është më i Madhi!
Nga i njëjti autor kemi edhe një poezi të mrekullueshme:
Tokë e Shqipërisë
Lërma shikimin tim të endet mbi ty
Në ty, vend i ashpër me burra të
fortë
Ku kryqi bie dhe minaret ngrihen
Ku drita e gjysmëhënës ndriçon në
lugina
Edhe pse shumë selvi rriten nëpër rrethina.
Përfundim
Shënimi i festës së bajramit ndër shqiptarë edhe më tutje i kushtohet kujdes, ndonëse pak me ndryshe se dikur. Edhe pse shënimi i festës vazhdon të bëhet, mënyra ka pësuar ndryshime paksa, sidomos nga ndikimi i modernizmit dhe vrazhdësisë së teknologjisë. Fragmentarizimi dhe tëhuajësimi i familjes tradicionale, jetesa larg trungut familjar, martesat larg vendit të origjinës, i kanë futur një heterogjeni në agjendën e vet festës, kanë sjellë praktika të reja dhe zbehje të traditës.
Është e qartë se mënyra tradicionale e shënimit dhe festimit të bajramit nuk ka kthim, por edhe abuzimi me të është i papranueshëm. Zëvendësimi i tyre me mënyra antiislame nuk është as e ndershme as e lejueshme fetarisht. Është detyrë e prijësve fetarë të gjejnë modele të shënimit të bajramit dhe festave fetare në rrethanat e reja ideologjike dhe kushtet teknologjike të kohës. Nëse prijësit fetarë do të vonohen me përgjigje, praktika nuk do të vonohet ndërsa besimtarët tanë do të jenë larg mësimeve dhe trashëgimisë myslimane.
Dituria Islame nr. 330