Dashuria dhe kujdesi ndaj prindërve

Shpërblimi për sjellje të mirë ndaj prindërve është i njëjtë me shpërblimin e hixhretit dhe të xhihadit.

Ligjëratat dhe temat që flasin për respektin dhe bindjen ndaj prindërve janë të pafundme. Por, unë kam për qëllim që t’u drejtohem në veçanti të rinjve. Në këtë temë, do të flasim se si duhet të jenë raportet tuaja me prindërit tuaj. Synojmë që me këtë shkrim modest, sadopak, të kontribuojmë në afrimin e zemrave të të rinjve, me zemrat e prindërve të tyre. Dhe qëllimi tjetër është që të rinjtë tanë ta adhurojnë Zotin e Madhëruar dhe të fitojnë kënaqësinë e Tij nëpërmjet respektit të prindërve. Do të sjellim disa këshilla praktike, me të cilat mund t’ua bëjmë qejfin prindërve tanë dhe njëkohësisht të fitojmë edhe kënaqësinë e Zotit të Lartmadhëruar.
Një nga karakteristikat dalluese të myslimanit të vërtetë është trajtimi me respekt dhe mirësi i prindërve të tij. Ai me këtë e çon në vend njërin nga urdhrat më të rëndësishëm të Islamit, siç konfirmohet me Kuran dhe Sunet. Myslimani i cili e kryen këtë urdhër, duhet të jetë i pajisur me sjellje të mirë dhe të respektueshme ndaj prindërve të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve,…” (En Nisa, 36). Nga ajeti në fjalë shohim se dëgjueshmëria ndaj prindërve vjen menjëherë pas dëgjueshmërisë ndaj Allahut xh.sh..
Kjo fe e ka ngritur pozitën e prindërve deri në atë shkallë, sa që nuk ka qenë e njohur në ndonjë besim tjetër, për shkak se Allahu xh.sh. e ka vendosur mirësinë dhe respektin ndaj prindërve vetëm një shkallë më poshtë se besimin në Të dhe mos shoqërimi në adhurim me Të.
Ka shumë ajete, të cilat e përforcojnë porosinë se kënaqja e prindërve vjen e dyta me radhë pas kënaqjes së Allahut xh.sh., dhe se respektimi i tyre konsiderohet virtyt njerëzor, i cili është vetëm një hap më poshtë besimit në Të. Kështu, myslimani i vërtetë është shumë më i njerëzishëm dhe më respektues ndaj prindërve se sa ndaj ndonjë krijese tjetër në këtë botë.

Pozita e prindërve

Kurani famëlartë na paraqet një fotografi të gjallë të pozitës së lartë të prindërve dhe na sqaron mënyrën e shkëlqyeshme, me të cilën i trajton ata, nëse njëri ose tjetri jeton deri në pleqëri dhe arrin moshën e dobësisë dhe paaftësisë, ku thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.” (El Isra, 23-24).
Ky është një obligim hyjnor për myslimanët, i cili është paraqitur në formën e një urdhri të prerë dhe absolut: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë…” Këto fjalë tregojnë lidhjen e fortë që ekziston ndërmjet adhurimit të Allahut dhe trajtimit të prindërve me respekt dhe mirësjellje. Kjo e ka ngritur pozitën e prindërve deri në atë masë që njerëzit e urtë, reformatorët dhe filozofët, kurrë nuk ia dolën ta realizojnë.(1)
Ky ajet nuk ndalet vetëm me theksin për respektin ndaj prindërve, mirëpo vazhdon t’i mobilizojë forcat e mëshirës, përdëllimit dhe mirësisë në zemrat e fëmijëve, në mënyrë të butë, që është plot humanitet ku thotë: “Nëse njërin prej tyre ose që të dy i ka nxënë pleqëria pranë kujdesit tënd…”
Në ajet posaçërisht theksohet që të kujdesemi për prindërit tanë kur t’i arrijë pleqëria dhe kur kujdesi dhe ndihma jonë është më se e nevojshme për ta. Kjo s’do të thotë se nuk duhet të jemi të dëgjueshëm ndaj prindërve derisa ata ende janë të rinj dhe të fortë. Është e vërtetë se prindërit pleq ndonjëherë nga pak janë edhe më të “bezdisur”, çdo gjë ju pengon, pyesin disa herë për një çështje, sepse kanë dëshirë të dinë më tepër se sa ndoshta ju duhet etj.. Kjo është shenjë pleqërie dhe seniliteti,(2) andaj duhet të jemi të durueshëm. Por, mos të harrojmë, se një gjë e tillë, na pret edhe neve. Kur ata të arrijnë moshën e pleqërisë dhe dobësisë, ata janë nën kujdesin tuaj dhe ju duhet të mos ankoheni, e as të mos zemëroheni me ta: “...atëherë mos u thuaj atyre as “of-oh,” as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre…” (El Isra, 23).
Ju duhet të zgjidhni fjalë të mira kur flisni, fjalë që do t’i bëjnë ata të ndihen të dëshiruar dhe të dashur: “Po atyre thuaju fjalë të mira dhe të buta, respektuese.” (El Isra, 23). Dhe lutu për ta për të mirat e paharrueshme që t’i kanë bërë, pasi ata u kujdesën për ju kur ishit të vogël dhe i dobët: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.” (El Isra, 24)
Prindërit, Allahu xh.sh. i ka në mbrojtje, e ne na urdhëron që t’i dëgjojmë, na e ndalon që edhe me një thirrje, “uh” ose “oh” t’ua bëjmë me dije se mërzitemi, ose se nuk na vjen mirë dhe e kemi rëndë me ta. Ka djem dhe vajza që largohen prej prindërve të vet. Madje ka edhe prej atyre, të cilët, prindërit e tyre i thërrasin me emra të papëlqyeshëm dhe sillen keq me ta, etj. Harrojnë se kjo do të mund t’iu bëhet shkak të zhyten në të liga dhe të futen në gjynahe të mëdha. Ai i cili vërtet beson dhe respekton Allahun xh.sh., ai me siguri do t’i respektoj edhe prindërit e vet, për arsye se e di se është dëshirë dhe urdhër i Zotit të Madhëruar.(3)

Rasti për ta fituar Xhenetin

Kjo është një mirësi që ne të gjithë e kemi në shtëpitë tona, por që nuk ia dimë vlerën e vërtetë të saj. Kjo mirësi lidhet ngushtë me dy njerëzit që kanë sakrifikuar për ty më shumë se kushdo tjetër dhe lutja e tyre është e pranuar. Njëri prej tyre është nëna jote. Ajo vuajti kur të nxori në dritë. A mos vallë mbaruan vuajtjet e saj me lindjen tënde?! Jo vallahi! Kur fëmija qan, qan edhe nëna bashkë me të, e kur fëmija gëzohet edhe nëna gëzohet bashkë me të. Sa e sa net kanë kaluar e ajo nuk ka vënë gjumë në sy, vetëm e vetëm që fëmija i saj të flejë i qetë. Kjo është nëna. Kjo është krijesa për të cilën Pejgamberi a.s. tha: “Shërbeji nënës se Xheneti është nën këmbët e saj.”(4)
Xheneti në tokë është nën këmbët (respektin) e kësaj krijese kaq të mrekullueshme, të cilën e respektoi Zoti i Madhëruar dhe Pejgamberi i Tij, por fatkeqësisht nuk e respektojnë një pjesë e konsiderueshme e njerëzve.
Prindi tjetër është ai ushtari i panjohur, është babai yt. Del në mëngjes dhe kthehet në mbrëmje. Për hatër të fëmijës së tij, ai bëhet koprrac e frikacak dhe mundohet të kursej diçka nga xhepi i tij, sepse tashmë ai ka një emër tjetër, ka emrin “baba”. Ai pakëson nga qejfet dhe shoqëria e tij, bën çdo lloj pune vetëm për fëmijën e tij. Pak njerëz e dinë se ç ‘vuan babai.
Këta janë ato dy krijesat për të cilët kemi përgjegjësi para Allahut të Madhërishëm në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Secili prej nesh e njeh veten e tij dhe kur mendojmë për këtë gjë, dalim në përfundim se jemi neglizhentë ndaj tyre.(5)
Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Qoftë i nënçmuar, qoftë i nënçmuar, qoftë i nënçmuar!” Kush o i Dërguari i Zotit? - i thanë. “Ai që i arrin të dy prindërit, ose njërin prej tyre në moshë të pleqërisë, e nuk hynë në Xhenet.”(6)
Në një hadith tjetër thotë: “Tri lutje janë të pa kthyera tek Allahu: Lutja e atij që i është bërë e padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e vet.”(7)
Transmetohet nga Ebu Derda r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Prindërit janë dera e mesme e Xhenetit.”(8) Nga këto thënie të Pejgamberit a.s. dhe të ngjashme me këto, na bëhet me dije se hyrja në Xhenet - në mes tjerash - varet edhe prej respektit dhe dëgjueshmërisë ndaj prindërve.

Disa veprime të pakujdesshme në raport me prindërit

1. Mungesa e dialogut me prindërit – Të rinjtë që i përkasin kësaj kategorie, zakonisht qëndrojnë të heshtur në familje, ata nuk kanë gatishmërinë të hapin një bisedë me prindërit e tyre dhe shumicën e kohës e kalojnë në dhomën e tyre duke qëndruar para kompjuterit apo me celularin në dorë, e duke i anashkaluar prindërit. Nëse ti o vëlla i përket kësaj kategorie, a mendon se kështu e kënaq Zotin?!
2. Mungesa e këshillimit me ta – Ka të rinj që nuk i vlerësojnë këshillat e prindërve dhe nuk tregojnë asnjë interesim për këshillat e tyre. Edhe pse prindërit kanë një përvojë të gjatë, këshillat e tyre refuzohen nga një kategori fëmijësh. Nëse një këshillë të caktuar ua bën një nga miqtë e tyre, ata e pranojnë dhe e vënë në zbatim menjëherë, edhe pse të njëjtën këshillë ua ka dhënë babai para një viti. Pra këshillohu me ta, edhe nëse mendon se këshilla e tyre nuk është e nevojshme.
3. Ndjenja e sikletit për shkak të sjelljeve të tyre – Ndonjëherë, të rinjtë kryejnë akte në kundërshtim me vullnetin dhe dëshirën e prindërve, për të shprehur pakënaqësinë me sjelljet e tyre. Ka të rinj, të cilët ngasin makinën me shpejtësi marramendëse, thjesht sepse prindërit e tyre i konsiderojnë akoma të vegjël. Me këtë akt, ata duan t’u thonë se janë rritur tashmë. Andaj, bëj durim për sjelljet dhe reagimet jo të drejta të prindërve. Mos shfaq pakënaqësi ndaj sjelljeve të tyre, se kjo është më e dobishme për ty.
4. Nuk ua dinë për nder prindërve për gjithçka kanë bërë – Ka të rinj që besojnë se prindërit nuk kanë ndonjë kontribut në formimin e tyre, ata besojnë se nuk kanë kurrfarë obligimi ndaj tyre, sikur fare s’janë munduar për ta. Pra pyeti dhe interesohu për preokupimet që i kanë pasur për ty. Ofroje ndihmën tënde çdoherë.
5. Pranojnë që miqtë dhe shokët t’ju shajnë dhe ofendojnë prindërit – Është fakt që te të rinjtë është përhapur sharja me prindër dhe më e keqja është se e shohin si diçka normale, përkundër asaj se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ndër gjynahet e mëdha është kur dikush të shajë prindërit e tij.” Dikush ndërhyri dhe e pyeti: “E si mund të shajë njeriu prindërit e tij, o I Dërguar I Allahut?!” Muhamedi a.s. u përgjigj: “Shanë prindërit e dikujt tjetër dhe ai shanë prindërit e tij.”(9) Një ditë, Ebu Dherri u zemërua, dhe i tha Bilalit: “O biri i zezakes.” Bilali r.a. u ankua te Pejgamberi a.s.. Ai e thirri Ebu Dherrin dhe i tha: “A e ke fyer Bilalin?” “Po” - iu përgjigj. “A e ke përmend nënën e tij?” “Po!” - i tha. Pejgamberi a.s. ia ktheu: “Ti ende ke gjurmë të xhahiljetit (injorancës).”(10)
Sa madhështore është kjo fe, e cila na mëson për humanitetin dhe sjelljen njerëzore, e sidomos na mëson se si duhet të sillemi me prindërit, çfarë shikimi duhet të kemi, të mos mrrolemi, si duhet ta kemi zërin, të mos e ngremë zërin, të kemi fytyrë të buzëqeshur dhe mos të bëjmë shaka pa vend me ta. Sa më shumë shtohet respekti, bamirësia me prindërit, aq më shumë shtohet edhe afërsia me Krijuesin e Madhërishëm.
Andaj, lutu për ta tek Allahu, gjallë qofshin apo të vdekur, që t’i falë, bëj vepra të mira që do t’u bëjnë mirë atyre në Ahiret, vizitoji dhe ki kujdes ndaj miqve të tyre dhe jep sadaka për ta.



____________________________
1. Dr. Muhamed Ali el Hashim, Muslimani Ideal, (Prishtinë: Sh.B. Fjala e Bukur, 2008.) f. 67.
2. Mikel Ndrecaj, Fjalor fjalësh e shprehje të huaja. (Prishtinë: Rilindja,1986.) f. 620. Senil-i (lat. Senilis-i plakut) Karakteristikë për plakun, i cili ka humbur vetitë mendore të njeriut të pjekur.
3. Ejup Mazllami, Përktheu. Hutbe dhe vaze të zgjedhura ll. (Tetovë: Shtëpia botuese “ASR” 2001.) f. 185.
4. Nesaiu, Sunenu en Nesaij, (Rijad, Mektebetu el Mearifi lineshri et Tevzi,
2008.) Hasen sahih, hadithi nr. 3104. f. 478
5. Ferid Piku, Mesazhe nga zemra, (Shkup, Furkan ISM, 2015.) f. 441.
6. Muslimi, Sahihu Muslim, (Damask - Siri, Muessesetu er Rrisaletu nashirun, 2013). Sahih, nr. 6510.
7. Tirmidhiu, Sunenu et Tirmidhij, (Rijad, Mektebetu el Mearifi lineshri et Tevzi, 2008.) Hasen, nr.1905.
8. Ibni Maxhe, Sunenu ibnu Maxheh, (Rijad, Mektebetu el Mearifi lineshri et Tevzi, 2008.) Sahih nr.3663.
9. Buhariu, Sahihu el Buhari, (Kajro. Daru el Gadi el Xhedid, 2013.) nr. 5971.
10. Amër Halid, Xheneti në shtëpitë tona, (Shkup, Furkan ISM, 2011.) f.195.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi