Ëmbëlsia e Kuranit fisnik i përvetëson zemrat

“Muzikaliteti dhe rima e Kuranit shkaktojnë ndikim magjik në shpirt, ku shndrisin mendimet me fuqinë e tyre dhe pamjet me shkëlqimin e vet. Askush, s’mund të mohojë se ritmi i tij mahnitës dhe spiritualiteti i tij i shkëlqyer, ndikojnë në ndijimin tonë, dhe në atë se Muhamedi a.s. është i frymëzuar nga madhëria dhe madhështia e Allahut.”(1) (J. S. Restler)

Disa idhujtarë u munduan ta paraqitnin Kuranin si poezi. Ata e dinin se çështja nuk është ashtu dhe se ajo që solli Muhamedi a.s. ishte diçka jo e zakonshme në gjuhën e tyre. Por kjo bëhej me qëllim që të luftonin fenë islame dhe nga fakti se bukuria e tekstit kuranor do të ndikonte në popull dhe prandaj përpiqeshin ta përshkruanin si poezi.(2)
Gjuha e Kuranit ka bukuri magjepse, shprehi të pakufishme, rrjedhshmëri, ritëm, magjepsje dhe shkëlqim. Është një mrekulli tepër e thellë, e jashtëzakonshme, tejet delikate dhe shumë përtej arritjes njerëzore.(3)
Kurani sipas formës, shprehjeve, shkronjave, përmbajtjes, bukurisë së të shprehurit, saktësisë së gjuhës, paraqet diç të pamundur për mundësitë njerëzore.(4) Ai ka harmoni dhe muzikalitet të brendshëm. Sa herë që njeriu këndon Kuran, e ndjen gjer në thellësitë e shpirtit të tij efektin e kësaj melodie të brendshme.(5)
Ibn Haxheri, ka thënë se nuk ka mosmarrëveshje në mesin e të mençurve se Libri i Zotit të Madhëruar është mrekulli dhe askush nuk ka mundur ta kundërshtonte atë pasi i sfidoi ata.(6) Për një njeri objektiv, dëgjimi i Kuranit i mjafton që ta kuptojë se është fjalë e Zotit. Prandaj, Zoti i Plotfuqishëm e urdhëroi Pejgamberin a.s. t’ua këndonte vetë Kuranin njerëzve që ta dëgjonin prej tij. Kështu, në ajetin kuranor thuhet: “E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e Allahut (Kuranin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt. Këtë, sepse ata janë popull, që nuk e di (të vërtetën e fesë islame).” (Et Tevbe, 6).
Me elokuencën dhe retorikën e tij, Kurani ushtron ndikim të jashtëzakonshëm në zemrat e njerëzve. Përmes vargëzimit të fjalëve, tingujve, zanoreve dhe bashkëtingëlloreve të pazëshme, rrokjeve të gjata e të shkurta Kurani i ekzalton zemrat.(7) Madje, përkthyesi i Kuranit në gjuhën angleze do të shprehet: “Sa herë që dëgjoj leximin e Kuranit më duket sikur dëgjoj muzikë, melodia e së cilës përcillet me të rrahura të përhershme të lodrave, dhe kjo (më krijon emocione të fuqishme) sikur më pëlcet zemra ime.”(8)
Mrekullia e ndikimit është një nga llojet e mrekullisë kuranore. Është një aspekt i cili përfaqësohet në ndikimin e dukshëm ose të brendshëm që lë Kurani te dëgjuesi ose lexuesi i tij. Ai nuk mund t’i rezistojë dhe ta injorojë atë. E fascinon edhe nëse ai është një jobesimtar. Zoti tregon se një grup nga xhinët u habitën kur dëgjuan Kuranin fisnik: “Thuaj: “Mua më është shpallur, se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kuranin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kuran që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, prandaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askënd”.” (El Xhinn, 1-2). Këto vargje tregojnë një moment befasie për xhinët me këtë Kuran, që i tronditi ata dhe besuan Kuranin, andaj u nisën me besim drejt popullit të tyre.(9)

Kurani me ëmbëlsinë e tij përfitoi zemrën e Thabit Ibën Kajsit

Thabit ibën Kajsi ishte njëri nga zotërinjtë e fisit Hazrexh. Ai ishte orator i shkëlqyer dhe i famshëm. Kur fliste, ua tejkalonte oratorëve, e kur mbante fjalim, i bënte për vete të gjithë ata që e dëgjonin. Ai ishte ndër të parët në Medinë që e pranoi Islamin. Posa e dëgjoi një ajet kuranor, që ia lexoi Musab ibnu Umejri me zërin e tij të ëmbël dhe tingullin e tij jehues, ai u përvetësua nga ëmbëlsia e Kuranit.
Pasi Muhamedi a.s. arriti në Medinë, Thabit ibën Kajsi, e priti atë me nderimet më të larta, me një grup kalorësish nga fisi i tij. Ai mbajti para tij një fjalim me një retorikë të lartë, duke e filluar atë me lavdi ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe duke e falënderuar Allahun xh.sh., pastaj u lut për falje dhe shpëtim për të Dërguarin a.s. Që nga ajo ditë, Pejgamberi a.s. e emëroi Thabit ibën Kajsin për orator të vetin, ashtu siç ishte Hasan ibën Thabiti poet i tij.

Motra e Imrul Kajsit zbriti kasiden e të vëllait nga muret e Qabesë

Në fillim të shpalljes, motrës së poetit Imrul Kajs, poezitë e të cilit kishin fituar vendin e parë në konkurset poetike dhe ishin varur në muret e Qabesë (mualakat), i ishin kënduar disa ajete nga Kurani. Kur i dëgjoi ajetet e Kuranit, ajo tha: “Kjo nuk mund të jetë fjalë njeriu! Po qe se mbi tokë ekziston një fjalë e tillë, nuk është me vend që poezitë e tim vëllai të qëndrojnë varur në muret e Qabesë. Ato duhen zbritur dhe, në vend të tyre, duhen varur këto fjalë!” Pastaj, ajo me duart e veta, e zbriti kasiden e të vëllait nga muret e Qabesë. Pastaj u hoqën edhe poezitë e tjera të varura nën të si shprehje e nivelit të tyre më të ulët.(10)

Velid Bin El-Mugireh mbeti i habitur para Kuranit

Velid ibn el-Mugireh nga Beni Mahzum, që shquhej në mesin e arabëve për aftësi letrare, ishte ftuar për ta sfiduar Kuranin. Siç përcjell Ibni Abasi, njëri nga paria e idhujtarëve, Velidi, ka shkuar një ditë te Pejgamberi a.s. dhe i ka kërkuar që të lexonte nga Kurani i shenjtë.
Dhe i Dërguari i Allahut i ka kënduar ajetin “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (En Nahl, 90). Velidi i ka thënë: “Në këtë fjalë ka një ëmbëlsi të tillë, një bukuri dhe shkëlqim të tillë që kjo i përngjet një peme të blertë me rrënjë të ujitura dhe degët plot fruta. Është e pamundur që këtë ta thotë një njeri. Pa asnjë dyshim, kjo fjalë është eprore ndaj çdo gjëje. Kurse ndaj saj nuk mund të dalë eprore asgjë dhe ajo i mund patjetër kundërshtarët!” Kur dëgjoi për këtë Ebu Xhehli, shkoi tek ai, dhe i tha: “Gjersa të mos thuash diçka kundër tij, fisi yt nuk do të jetë i kënaqur me ty!” Velidi i tha: “Më lër të mendohem pak.” Pastaj tha: “Kjo është një magji e përcjellë!”(11)
Këtë qëndrim të tij, Zoti e përshkruan në Kuran: “Pse ai shumë mendonte, radhite e përgatiste (për Kuranin). Qoftë i shkatërruar, po si planifikonte. Prapë qoftë i shkatërruar, po si planifikonte. Ai sërish thellohej në mendime. Pastaj mrrolej dhe bëhej edhe i vrazhdë. Pastaj ktheu shpinën me mendjemadhësi. E tha: “Ky (Kurani) nuk është tjetër, vetëm se magji që përcillet prej të tjerëve. Ky nuk është tjetër, përveç fjalë njerëzish!” (El Muddethir, 18-25). Edhe pse e dinte se Kurani ishte fjalë e Zotit, ai për të mos e humbur pozitën e vet ndër idhujtarë e quajti magji.

Poeti Tufejl Bin Amri u dorëzua para stilit kuranor

Tufejl bin Amri ishte poet. Kur ai shkoi në Mekë, disa vetë nga paria e idhujtarëve mekasë e takuan dhe i thanë: “O Tufejl, ti je poet dhe njeri që gëzon konsideratë mes fisit. Erdhe në vendin tonë, por duhet të kesh kujdes për këtë njeri të dalë nga mesi ynë! Gjendja e tij na ka shkaktuar shqetësime dhe na i shkatërroi shoqërinë dhe punët. Fjala e tij e efektshme si magji e ndan njeriun nga i ati, nga i vëllai e nga gruaja. Kemi frikë se mos kjo që na ka rënë në kokë neve, ju bie në kokë edhe juve dhe fisit tënd. Kurrsesi mos fol me të dhe mos dëgjo asgjë prej tij!”
Më pas ai mendoi: “Unë jam poet dhe njeri i mençur. Unë i njoh edhe fjalët e bukura, edhe të shëmtuarat. Atëherë, ç’të keqe mund të ketë po t’i dëgjoj fjalët e këtij njeriu? Po të jenë të bukura, i pranoj, po të jenë të shëmtuara, i hedh poshtë!” Dhe priti në Qabe. Pastaj, kur i Dërguari i Allahut u nis të largohej për në shtëpi, ai e ndoqi pas dhe i tha: “O Muhamed! Fisi më tha kështu e ashtu për ty! A mund të ma tregosh këtë çështjen tënde?” Tufejli tregon: “I Dërguari i Allahut më foli për Islamin. Vallahi, unë kurrë s’pata dëgjuar fjalë më të bukur se Kurani dhe fe më të bukur se Islami! Menjëherë u bëra mysliman dhe dëshmova se nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” Pasi qëndroi disa ditë pranë Profetit, kërkoi leje dhe u kthye te fisi i vet për të bërë kumtimin e Kuranit. Personi që iu përgjigj i pari ftesës së Tufejlit r.a., ishte sahabiu i njohur Ebu Hurejre r.a., i cili është ai që ka përcjellë më shumë hadithe.(13)

Hz. Omeri i ndikuar nga Kurani pranoi Islamin

Shumë njerëz janë bërë myslimanë në saje të retorikës dhe të bukurisë së shprehjes së Kuranit fisnik. Hz. Omeri, një ditë kishte ngjeshur shpatën në brez dhe kishte dalë në rrugë për ta vrarë Pejgamberin a.s.. Dikush i kishte thënë se motra dhe dhëndri yt e kanë pranuar Islamin. Kështu Omeri do të nisej drejt tyre duke përfunduar para portës së dhëndrit. Ai dëgjoi leximin e Kuranit. Pasi hyri brenda i sulet dhëndrit dhe e qëllon motrën në fytyrë. Kur ata dy i treguan se e kishin pranuar Islamin dhe nuk do të tërhiqeshin, ai kërkoi prej motrës duke i thënë: “Ma jep mua fletën që dëgjova duke lexuar më parë, të shoh se çfarë ka sjellë Muhamedi!” Pasi mori fletën dhe lexoi suren Ta Ha, i prekur nga elokuenca e saj tha: “Sa të bukura këto fjalë! Sa të çmuara!” Më pas shkoi te Muhamedi a.s dhe e pranoi Islamin.(14)

Xhubejr Bin Mutimit sa nuk i flakëroi zemra

Xhubejrit r.a., kur e dëgjoi suren Et Tur nga Pejgamberi a.s., i prekur prej saj, iu duk sikur do t’i flakëronte zemra. Ai tregon: “E pata dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke kënduar suren Et Tur në namazin e mbrëmjes, dhe kur arriti tek ajetet: “A mos u krijuan pa Krijues, apo ata vetë janë krijues? A mos ata i krijuan qiejt e tokën, jo, por ata nuk janë të bindur. A mos tek ata janë depot e Zotit tënd, apo ata i mbizotërojnë?” (Et Tur, 35-37), nga emocioni, zemra mu duk se do të më çahej!”(15)


____________________________
1. J. S. Restler, studiues bashkëkohor francez, shih: Dr. Imadu- din Halil, Kalu anil Islam, Rijad, 1412/1992, sipas Ajni Sinani, Të tjerët për Islamin, Prishtinë, 2015, f. 104.
2. Sejjid Kutub, “Jasini përkthim me komentim”, Logos, Shkup-Prishtinë- Tiranë, 2011, f. 69.
3. Bassam Saeh, “Gjuha e mrekullueshme e Kuranit, dëshmi e origjinës hyjnore”, Tiranë, 2020, f.19.
4. Mustafa Mahmud, “Dialogu me mikun ateist”, Bashkësia Islame & Zëri Islam, Prizren, 2000/1421, f. 86.
5. Osman Nuri Topbash, “Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hazreti Muhamed Mustafa (Sal-lah-llahu alejhi ve sel-lem)”, Shkodër, 2012, f. 261.
6. Dr. Halid Muhamed el Kuda, “El ixhaz et tethiri lil Kuranil kerim”, shih: https://quran-m.com
7. Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 266.
8. Arthur J. Arberry, përkthyes i Kuranit në gj. angleze, Ahmed Dedat, “Kurani mrekullia më e përsosur”, Prishtinë, 2001, f. 15.; Ajni Sinani, op. cit., f. 78.
9. Dr. Halid Muhamed el Kuda, “El ixhaz et tethiri lil Kuranil kerim”, shih: https://quran-m.com
10. Ahmet Xhevdet Pasha, I, 83, sipas: Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 265. 11. Hakimi, II, 550/3872; Taberiu, Tefsir, XXIX, 195-196; Vahidi, f. 468,
sipas Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 63.
13. Ibni Hisham, I, 407-408; Ibni Sa’d, Iv, 237-238, sipas Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 271-72.
14. Biografia e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, Sira nga Ibn Hisham, Sira Prishtinë, 2021, f. 89.
15. Buhari, Tefsir, 52, sipas Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 265.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi